Zjarr që digjet ngadalë/ Shtëpia Botuese “MORAVA” sjell për lexuesit romanin e Paula Hawkins, me një histori që të mbanë frymën pezull, teksa shkon drejt një fundi tronditës

169

 

Titulli: zjarr që digjet ngadalë

Autore: Paula Hawkins

Përktheu: Elton Xhembulla

Sigal

“Një histori e bukur që do t’ju bëjë të hamendësoni  deri në faqet e fundit të tij”.

VOGUE

Kur një i ri gjendet i vrarë me thikë në një varkë-shtëpi në Londër, disa javë pas vdekjes së nënës së tij, kjo ngre dyshime për tri gra që e njihnin atë.

Laura e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës duke u gjykuar nga të tjerët. Atë e njohin si gjaknxehtë, problematike dhe të vetmuar. Madje disa e konsiderojnë edhe të rrezikshme.

Miriami është e sigurtë se, edhe pse Laura është dëshmitarja e vetme që u largua nga skena e një vrasjeje të tmerrshme, me njolla gjaku në rroba, nuk do të thotë se vrasësja është ajo. Përvoja e hidhur e ka mësuar se sa e lehtë është të të kapin në vendin e gabuar në kohën e gabuar.

Karla po vuan nga vrasja brutale e nipit të saj. Ajo nuk i beson askujt: edhe njerëzit e mirë janë të aftë të bëjnë gjëra të tmerrshme. Po ajo vetë, deri ku do të arrijë për të gjetur paqen?

Të pafajshëm apo fajtorë, të gjithë janë të dëmtuar. Disa janë dëmtuar aq shumë, sa të bëhen vrasës.

Gjithçka filloi kur Miriami, fqinja e tij, zbuloi trupin e pajetë të Danielit brenda varkës, që ai kishte marrë me qira.

E dyshuara kryesore është Laura Kilbridi. Ajo e kishte kaluar natën para krimit në varkën e Danielit, kishte fjetur me të dhe ishte grindur me të në mëngjes herët. E zemëruar, sepse Danieli e kishte ofenduar, Laura e kishte kafshuar në qafë. Me këmishën e njollosur nga gjaku i tij, ajo u nis për në shtëpi. Vetëm kur gjendet para derës së shtëpisë e kupton që çelësi i ka humbur, por nuk i shkon ndërmend që i ka rënë në varkën e Danielit.

Çelësin e kishte marrë Miriami kur gjeti trupin e Danielit, sepse mendon që në këtë mënyrë po mbron Laurën.

Një vrasje makabër dhe disa të dyshuara.

Kur bëhet fjalë për hakmarrje, edhe njerëzit e mirë janë të aftë të bëjnë gjëra të tmerrshme.

 

Dhimbja e secilit personazh është kaq dërrmuese dhe e përshkruar kaq mirë, saqë lexuesi do ta përjetojë si dhimbjen e vet.

*          *          *

Në fund të fundit, çfarë mund të kishte bërë ndryshe po të mos ishte çmendur? Po të kishte qenë e arsyeshme, a do të kishte mundur ta anashkalonte? A mund të kishte zgjedhur të vazhdonte të jetonte jetën e saj, pasi kishte mësuar atë që kishte bërë Danieli dhe të zgjidhte ta kyçte diku? Vetëm se, si do të kishte qenë e mundur që ajo ta zgjidhte këtë me mendje të shëndoshë? Si mund të kishte zgjedhur ajo të jetonte në një botë në të cilën Danieli do të ishte ende gjallë, në të cilën ajo mund ta shihte, të thithte të njëjtin ajër që thithte ai? Në një botë në të cilën mund të ekzistonte mundësia që ajo të ndiente ende diçka për të, pak dashamirësi, ndoshta pak dashuri.

Ajo duhej ta vriste këtë mundësi.

– Zonjë? A jeni penduar?

  • PAULA HAWKINS ka punuar si gazetare për pesëmbëdhjetë vjet me radhë, përpara se të sprovohej në letërsi. Lindur dhe rritur në Zimbabve, Paula u transferua në Londër në vitin 1989 dhe, që atëherë, ka jetuar atje.
  • Romani i saj i parë, “Vajza në tren”, ka qenë fenomen global, duke shitur 23 milionë kopje në mbarë botën. I botuar në mbi dyzet gjuhë, libri ka qenë bestseller ndërkombëtar dhe, bazuar në të, është realizuar një film shumë i suksesshëm .
  • “Nën ujë”, romani i saj i dytë, ka qenë gjithashtu një bestseller në mbarë botën.