Zamira Agalliu: Nismat e shkollës Shqipe në Kaninë të Vlorës

1125
Sigal

Koha kur populli shqiptar kishte përpara alfabetin e Sami Frashërit, të Naum Veqilharxhit dhe Hasan Tahsinit

 

Nismat e shkollës shqipe në Kaninë – Vlorë

 

Në prag të pavarësisë së Shqipërisë

 

Zamira Agalliu

 

Në vitet e fundit të pushtetit otoman, shqiptarët ishin të ndarë në katër vilajete: Ai i Janinës, i Manastirit, i Shkodrës dhe i Kosovës.

Kanina dhe Vlora i takonin vilajetit të Janinës, andaj duhet të kihet para sysh se çdo ankesë, kërkesë, apo revoltë, kalonte përmes valiut të Janinës, i cili ishte i lidhur drejtpërdrejtë me Vezirin e Madh në Stamboll.

Shkolla shqipe e Jugut, që nga fillimet e saj kishte dy pengesa të mëdha. Pengesa e parë ishte pushteti otoman apo administrata otomane dhe pengesa e dytë po aq e dëmshme dhe e shfaqur në mënyrë perfide duke luajtur në dy porta, ishte fanari grek. Meqë besimi ortodoks ishte i pranuar dhe i përkëdhelur që nga kohë e Ali Pashait, edhe administrata turke e, më shumë, fanari ortodoks grek ishin shumë të përkëdhelur në dëm të shkollave shqipe, në fillim për çdo alfabet, ndërsa në katër vitet e fundit edhe kundër alfabetit të miratuara të Manastirit më 1908. Qeveria Xhonturke, e ndodhur përballë presionit të fuqishëm të lëvizjes arsimore në Shqipëri edhe për arsye të tjera politike, duhej të tregonte një kujdes të madh në qëndrim të shqiptarëve dhe u detyrua t’u bënte shqiptarëve ndonjë lëshim të përkohshëm. Në përputhje me të drejtat që përmbante kushtetuta dhe për t’i dhënë një zgjedhje problemit të shkollave që ziente në të gjitha trevat shqiptare, në tetor 1908. Ministria e Arsimit të Turqisë botoi një dekret, sipas të cilit në shkollat shtetërore turke të Shqipërisë, fillore dhe gjimnaze, do të futej gjuha shqipe si lëndë mësimi. Shkolla e parë shqipe në Korçë po afronte 40 vjet. Sado që ishte një shembull kombëtar për të vazhduar traditën, për aq vjet mbeti një rast i izoluar.

Për shkollën e parë u shkruan dhe vjersha si ajo e N. Frashërit. Deri me 1908, kishte vetëm raste të vakëta për të hapur shkolla të tjera nëpër trojet shqiptare, jo se mungonte dashuria për gjuhën dhe atdheun por se dhuna e pushtetit otoman ishte e pashembullt. Sikur të mos mjaftonte kjo, për fat të keq edhe grekët që deri vonë ishin pjesë e kësaj perandorie, bënin po ato veprime që bënte pushteti otoman; me vrasje, ankesa, shpifje etj. Dihet mirëfilli se gjuhës shqipe i mungonte gjithçka për të përjetësuar edukimin në gjuhën shqipe: Mungonte alfabeti unik, shtypshkronja, librat dhe mësuesit.

Viti 1908 kombin shqiptar e zuri duarbosh

Sidoqoftë dëshira nuk mungonte andaj orvatjet bëheshin sipas mundësive dhe njohurive.

Kush donte të përdorte alfabetin e Sami Frashërit, kush të Naum Veqilharxhit, kush të Hasan Tahsinit ose shqiptarët e veriut me alfabetin latin sipas traditës së P. Bogdanit, P. Budit dhe F. Bardhit. Sado që zhvillimet janë të kushtëzuara në gjitha trojet shqiptare së bashku me diasporën: Stamboll, Egjipt, Bukuresht, SHBA etj. Në fokus kemi Kaninën dhe Vlorën. Sikur thamë më lart Kanina dhe Vlora kanë qenë pjesë administrative të vilajetit të Janinës andaj më ngushtë janë të lidhura mes vendbanimeve të qyteteve pjesë të këtij vilajeti si dhe zhvillimet e ngjarjeve në një formë të përbashkëta. Libra për shkolla kishte shtypur Shoqëria Bashkimit e Bukureshtit. Sipas dokumenteve të AQSH. Një letër dërguar Gjergj Qiriazit shënonte se kanë dërguar 845 libra me 3 sëndukë etj., dhe se përmes Klubit të Manastirit përkatësisht Kristo Luarasi, më 4 gusht 1908, kishte shpërndarë për Korçë, Gjirokastër, Vlorë etj.

Në një dokument tjetër po i Gushtit 1908 mësojmë se edhe në Kaninë të Vlorës ishte çelë një shkollë tjetër shqipe. Në letrën dërguar shoqërisë BASHKIMI në Bukuresht, Jusuf Abas Kanina shkruante:

“Mase keni dëgjuar që në Vlorë dhe afër Vlorës në fshat të Kaninës janë hapur dy shkolla për djem” në këtë letër ai ankohej për mungesën e librave. Vazhdon letra: “Që në ditët e para u mbush plot me djem” duke sqaruar përbërjen; të moshave dhe shtresave të ndryshme u pa e nevojshme që pranë saj të ngrehej edhe një shkollë nate. Kështu që në Vlorë u bënë dy shkolla, shkolla e ditës për ata që ishin të lirë ditën dhe e natës për ata nxënës që punonin ditën për ta ndihmuar familjen. Sipas kronologjisë së ngjarjeve, pas Elbasanit, Kanina dhe Vlora në rrafshin kombëtar, prijnë në hapjen e shkollave shqipe. Duke pasur parasysh se kushtetuta xhonturke ku “lejoheshin” qe shkollat të fillonin në gjuhën shqipe ndodhi pas 10 ditësh që u hap shkolla në Vlorë dhe Kaninë. Në shtator të po këtij viti u hap një shkollë Libohovë, por se ishte një rast i rrallë që në një vend aq të vogël në ato rrethana politike të regjistroheshin 200 nxënës kundër vullnetit të pushtetit. Shkolla kishte por të gjitha ishin në gjuhën turke dhe greke. Në këtë gëzim që kishte përfshirë kombin si në Berat dhe Gjirokastër, edhe në Vlorë dhe Kaninë gjuha shqipe u nisi të mësohej ne shkollat turke të vendit. Po në këtë Ismail Qemali 1909 sikur njofton konsulli austro-hungarez, në bisedë me konsullin Grek të Vlorës theksonte nevojën e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat greke. Në këtë drejtim u arrit një rezultat meqë në shkollat ku mësimi zhvillohej në gjuhën greke, gjuha shqipe arriti të futej në programin si gjuhë e dytë në shkollën greke të Vlorës ku në vitin shkollor 1908 -1909 drejtor ishte patrioti Jani Minga. Megjithatë grekët nuk shmangeshin nga rruga e tyre shoveniste duke mos e pranuar shkronjat shqipe (në Shqipërinë e jugut përdorej alfabeti i Stambollit). Shqiptarët kërcënuan qeverinë turke se po nuk u lejua gjuha shqipe në shkollat turke, do t’i ndalojnë fëmijët e tyre edhe nga shkollat turke. Pas kongresit të Manastirit u krijuan kushte ligjore më të favorshme.

Vlora bëri një akt më të veçantë

Duke u bazuar në kushtetutën të cilën nuk e respektonin xhonturqit, klubi shqiptar i Vlorës, vendosi që shkollën fillore turke të Vlorës ta kthej në shkollë shqipe. Në atë shkollë, të gjitha lëndët mësimore do të mësoheshin në gjuhën shqipe përveç greqishtes. Një vendim i marrë “në përputhje me dëshirën e popullit”… Në bazë të kushtetutës çdo popull (komb) ka të drejtë të mësojë në gjuhën e vet amtare në shkollën fillore … prandaj ne që jemi shqiptarë shkollën që deri këtë ditë quhej “iptidaue” e emërtojmë “shkolla shqipe.”. Vendimin e dorëzuan autoriteteve lokale përfaqësues myslimanë dhe të krishterë të pesë lagjeve të Vlorës, për t’ia dërguar drejtorisë së arsimit të vilajetit të Janinës. Ja që ky gëzim nuk vazhdoi shumë.

 

Menjëherë pas Hyrjetit (Kushtetutës), nga reprezaljet e pushtetit turk, filluan t’i mbyllin shkollat

 

 

Në fillim të vit 1909 së bashku me shkollat e Tiranës dhe Gjirokastrës, u mbyll edhe shkolla e Vlorës.

Mid’hat Frashëri, njëri ndër rilindësit kryesorë të popullit shqiptar në gazetën “Liria” e Selanikut shkruan: “Nga shumë vise të Shqipërisë marrim lajme se turqit e rinj po kundërshtojnë shqiptarët dhe duan t’i ndalojnë të mësojnë gjuhën e tyre… ato që po shkruajmë dhe që dëgjojmë janë të vërteta”.

Derisa gazeta “Dielli” e Bostonit shkruan: “Punët e Vlorës po venë zi e ma zi”. Shënon faktet se shumë patriotë u arrestuan si dhe shumë të tjerë u arratisën në male dhe ca ikën në Itali, ndërsa komiteti xhonturk shpallte vetin të paanshëm në këtë punë, misionarët fanatikë të islamit otoman për të penguar shkollën dhe gjuhën shqipe, kishte shpërndarë në të gjitha format si: hoxhë, policë, ushtarakë dhe nëpunës civil. Aleksandër Xhuvani shkruante në verë të vitit 1909 se “Turqit e rinj po i ndjekin me sistem shqiptarët atdhetarë, tue u përpjekun ta shuajnë fare shqiptarizmin”. Një lajm i tillë për mbylljen e shkollës së Vlorës jepet edhe me 15 qershor në gazetën “Dielli”. Ndër pesë qendrat kryesore të Jugut të Shqipërisë, ku xhonturqit bënin represaliet kundër shkollës shqipe ishte edhe Vlora.

Pas Kongresit të Elbasanit filloi një valë e re për hapjen e shkollave shqipe

Derisa para një viti konsulli italian në Vlorë shkollën shqipe e kishte konstatuar jo kushtetuese, tani ndryshoi qëndrimin për të drejtën e edukimit të shqiptarëve në gjuhën amtare. Madje ai i dhuroi shkollës një sasi bankash dhe futi në shkollën italiane të Vlorës mësimin e gjuhës shqipe. Duke parë se qeveria xhonturke nuk ka ndërmend të hapë shkolla në gjuhën shqipe dhe nëse i hapë në plan ka shkollat shqipe me alfabet arab, intelektualët e kohës me në krye Mid’hat Frashërin shpejtuan të mbanin një Kongres në Elbasan. Ky organizim së bashku me Kongresin e Dytë të Manastirit, kishte për qëllim t’i kundërvihet Kongresit të Dibrës nga xhonturqit. Ishte kongresi i pasuksesshëm megjithatë jo pa ndikim që të merrej vendim për alfabetin arab në përdorim për gjuhën shqipe. Në këtë kongres nuk kishte përfaqësues nga Vlora. Na bën me dije se acarimi i turqve të rinj me figurat patriotike të Vlorës ishin në një pikë vlimi. Kjo i ndodhi edhe Shkodrës natyrisht, se në Kongres u diskutua edhe për reprezaljet e pushtetit turk ndaj intelektualëve të Vlorës që ishin në shërbim të shkollës shqipe.

Vlen të theksohet se aktivistët vlonjatë arritën në Elbasan një ditë më herët nëpër rrugë ilegale por organizatorët e Elbasanit i njoftuan se duhet të largoheshin ngaqë ishin në listat e të kërkuarve dhe se në rast ndërhyrjeje të xhandarmërisë turke në Kongres, të mos kenë alibi të ngrenë ndonjë padi edhe për organizatorët si “bashkëpunëtorë të elementit turbullues” gjë që vlonjatët me mirëkuptim u larguan po fshehtas nga Elbasani. Shoqëria “Përparimi” e Korçës ishte e caktuar nga Kongresi i Elbasanit për të bërë organizimin dhe financimin e shkollave shqipe në gjithë Shqipërinë, kuptohet me kontributet vullnetare të shoqërive dhe patriotëve të kamur. Në këtë aksion, Kanina dhe Vlora atë e ndihmuan në mënyrë individuale. Por Kanina dhe Vlora në krahasim me qytetet e tjera, bënë edhe një hap më përpara. Përveç shumës në të holla, ato u morën vesh që shoqërinë “Përparimi” ta ndihmojnë për çdo vit një shumë të caktuar në përputhje me prodhimin e vajit (të ullirit), që do të prodhonin.

Në fund të vitit shkollor 1909 – 1910 u çelën shumë shkolla në jugun e Shqipërisë.

Kaniniotët për mësues zgjodhën Jani Mingën, emrin e të cilit me të drejtë e mban shkolla 9-vjeçare sot në Vlorë. Jani Minga një ortodoks i papëlqyer nga autoritetet turke si dhe nga fanatikët shqiptar me ndikim, para një viti ishte caktuar mësues në Vlorë. Por i penguar nga elementet që thamë më parë. Nga kjo zvarritje e vlonjatëve, përfitoi Kanina e cila e hapi shkollën dhe pa kundërshtime pranoi J. Mingën për mësues të 60 nxënësve të regjistruar që atë vit numëronte kjo shkollë. Më 1910 arriti të çelë edhe shkolla e Vlorës “Vlorën e ngrohi dielli”, shkruante gazeta “Shqypeja e Shqypnisë”. Është për t’u theksuar se shkollat e Kaninës dhe e Vlorës ishin shembull për numrin e madh të nxënësve në krahasim me shumë qytete ku me gjithë mundin e patriotëve, për të hapur shkolla, edhe kur arrihej, prindërit hezitonin t’i dërgonin fëmijët andaj shkollat mbeteshin pa u plotësuar dhe vazhdonin me numër të vogël nxënësish. Kanina që shkollën e mëparshme e kishte në gjuhën turke “iptidaie” të cilën e financonte teqeja me të ardhurat e saj, merr për mësues një ortodoks, më parë mësues i greqishtes?! Ishte pra një hap shumë i madh për ambientin fanatik proturk dhe fanatik. Tani përveç ndihmave të teqesë, kaniniotët ndihmonin edhe vullnetarisht, shkruan konsulli austro-hungarez i Vlorës më 26 maj 1910. Po në këtë vit sikur në Durrës, Elbasan, etj., edhe në Vlorë u morën nisma për hapjen e shkollave shqipe për vajzat. Problem tjetër ishin edhe librat me të cilat merreshin klubet she shoqëritë patriotike shqiptare. Si Kanina edhe Vlora së bashku me qendrat e tjera klubeve dhe shoqërive iu kërkuan libra shqip, sidomos abetare. Tani në masë kishte filluar që mësimi të futej edhe në shkollat “idadie” turke sikur ndodhi dhe në Vlorë. Si gjithmonë, pas çdo aksioni që arrinte të bëhej një akt kombëtar, xhonturqit fillonin me dhunën e tyre kundër shqiptarëve dhe shkollave shqipe, sidomos ku nuk hiqej dorë nga alfabetin e Manastirit. Aksioneve të dhunshme të qeverisë turke sikur të gjitha qytetet e katër vilajeteve me popullsi shqiptare, edhe Vlora me Kaninën iu përgjigjën me protesta “Rroftë abc – ja shqipe!….Ne vdesim e shkronjat s‘i lëmë”, ishte parullë e gjithë shqiptarëve.

Dhuna shkoi aq larg sa në Tiranë Hafiz Ibrahim Deliut, përhapës i mësimit shqip dhe mësues i Normales së Elbasanit, dhunshëm iu hoq çallma (kapela e hoxhës), duke e akuzuar si hoxhë kaur, tradhtar i atdheut etj.

 As në gjyq Hoxha nuk u pendua për misionin e tij patriotik

Ai ishte shembulli më tipik i rezistencës shqiptare për gjuhën shqipe me alfabetin e vendimeve të Kongresit të Manastirit. Jugu i Shqipërisë i përkiste Vilajetit të Janinës. Si rrjedhojë, valiu i Janinës kishte dhënë urdhër të mbylleshin shkollat e Kaninës dhe Vlorës. Ky urdhër u zbatua me reprezalje. Musa Demi shkruan se Valiu për të shqyrtuar ankesat kundër mbylljes së shkollave shqipe, arriti në Vlorë në fillim të Gushtit. Ai kishte prekur pikën më të dobëtën, sipas tij. “…emërtimi i mësuesve kristianë është në kundërshtim me unitetin islamik”. Sipas gazetës “Liria” në një korrespodencë nga Vlora me pseudonimin “Atdhetari i vërtetë” bëhej thirrje: “Çelni shkolla o atdhetarë, që të mundim një orë e më parë t’i ndjekim dhe t’i hedhim përtej kufijve të Shqipërisë propagandat e huaja”. Ai kërkonte që këtë vit të hapeshin shkolla shqipe për djem dhe për vajzat. Ismail Qemali dërgoi në Vlorë njërin nga djemtë e tij, Et’hemin, i cili bëri një propagandë të ashpër dhe të zgjuar për përqafimin e alfabetit të Manastirit. Pasi vlonjati iu përgjigj se në mungesë të mësuesve muhamedanë zgjodhën një kristian, valiu ia ktheu, se duhet të prisnin sa të dalin kuadro nga Normalja e Elbasanit, por kishte një hile tjetër: Përse injorohen shkronjat arabe?! Gazeta “Shqypeja e Shqypënisë” shkruante për një demoralizim absolut të popullit të Vlorës. Iu ndal gazi si me thikë. Turqit e kishin mbyllur edhe klubin “Labëria”. Edhe burgjet ishin mbushur përplot patriotë. Një ditë komisari i policisë i Vlorës kishte shkuar në një dyqanin e një rrobaqepësi. Djali i ri e kishte stolisur dyqanin me gazeta dhe libra shqip, heronj shqiptarë, mësues si Papa Kristo Negovanin etj. Kryepolici i shqeu të gjitha me hidhërim vazhdoi: “Qenka fytyra firaunësh dhe kaurësh”. Shkruan gazeta në fjalë. Një vit më vonë (1911) përsëri përmendet shkolla e Kaninës. Tani arritjet ishin të kufizuara.

 

Liria e popullit ishte sinonim i shkollës shqipe

Patriotët shqiptarë më 23 qershor 1911 u mblodhën në Graçë të Malit të Zi sot, ku mbajtën një kuvend të njohur si: “Kuvendi i përgjithshëm i krerëve shqiptarë”. Aty përsëri u morën vendime me 12 pika, ndër të cilat kërkohej liri e plotë të mësimit shqip. Duke pasur parasysh rrethanat tri vjeçare, në shtypin e kohës kemi një shkrim jo të konfirmuar. “Në Kaninë të Vlorës shkolla shqipe vazhdon prej tre vjetësh. Në te mësonin djem dhe vajza, të cilët kishin përparuar shumë dhe ishin bërë shumë të flaktë prej mësimeve të mësuesit Jani Minga” Vlora po ngrinte zërin për vonesën e hapjes së shkollës kur kishin kaluar 20 ditë pa ndonjë vendim për shkollat. “Ku ishin shkollat….ku do të dëgjohen të mjerët fëmijë?”. Sipas raportit të konsullit austro-hungarez në Vlerë, duke parë se qeveria nuk po reflekton, patriotët e Vlorës morën një lokal me qira nga (një ndërtesë vakëfi – pronë e xhamisë) dhe e përshtatën për shkollë shqipe. Sipas të dhënave të diplomatëve austro-hungarezë, Komiteti shqiptar i Vlorës mendonte të çelte një shkollë shqipe në Vlorë.

 

Roli i Abaz Agës nga Kanina

Në krye të këtyre përpjekjeve ishte Abaz Aga nga Kanina, i cili ishte shprehur se donim një shkollë shqipe që të përbëjë vetëm qëllimeve shqiptare por në programin e saj do të përfshiheshin edhe gjuhë të huaja për të përgatitur studentë që të studiojnë në Vjenë, njofton konsulli austro-hungarez. Nga mungesa e mjeteve u propozua edhe një bankë që të themelohej në Shkup për financimin e shkollave shqipe e cila nuk arriti të martë formë ndërsa Vlora kishte themeluar një komision për përkujdesjen financiare të shkollave dhe mësuesve. Në rastin e parë ata tubuan 1200 napolona, 600 prej të cilëve të përdoreshin për çeljen e shkollave në fshatra të Vlorës, thekson gazeta.12 Vlonjatët caktuan edhe një mbitaksë për të përballuar gjendjen e rëndë financiare të shkollave shqipe. Ata caktuan shumën prej 50 % të taksës nga ura e skelës. Një tjetër nismë ishte që tregtarët vlonjatë që merreshin me eksportin dhe importin e mallrave përmes detit, të përdornin vetëm anijet e firmës “Lojd” dhe që kjo e fundit i detyrohej shoqërisë shqiptare të paguajë 80 napolona në vit për shkollat. Kështu përfundoi odiseja e mundimshme, e dhimbshme dhe e lavdishme e kaninjotëve dhe vlonjatëve për shkollën shqipe deri me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912.