Ylli Meçe: Popullata “shardu” e ishullit të Sardenjës me origjinë të lashtë ilire

1345
Sigal

As që e pata shkuar kurrë ndër mend se rastësisht duke duke qenë pjesë e një diskutimi të zakonshëm midis një grupi shoqëror në portalin “Gjuha Shqipe diskutime”, do të hasja befasisht në një shkrim,i cili më bëri përshtypje të madhe. Në fakt, duke zhbiruar në labirintet e internetit duke u marrë me gjuhën antike të arbëreshëve tanë në Jug të Italisë, hasa diku një material shumë interesant.
Natyrisht, sikurse gjithë të tjerët dhe unë si nga historia, ashtu dhe nga letërsia arbëreshe që kemi bërë në shkolla e dija, se arbëreshët dyndën drejt brigjeve Apenine, aty nga shek.XV i erës tonë sidomos mbas vdekjes së Skënderbeut dhe tashmë kanë 600 vjet që janë integruar në jetën e shtetit fqinj, duke ruajtur me fanatizëm të admirueshëm, gjuhën këngët vallet ritet doket zakonet veshjet popullore deri te traditat tona. Deri këtu e përsa përmenda, nuk ka shqiptar të mos i njohë këto vlera dhe të ndihet krenar, për atë çka kanë bërë e bëjnë vëllezërit tanë të një gjaku në Itali.
Kureshtarët mund të pyesin : Po atëherë cila qenka surpriza befasuese ?!..

Duke lexuar këtë material tejet interesant, të doktor Salvatore Bovore Mele, më tërhoqi vëmendjen shkrimi i tij, i cili përafron gjuhën antike të vjetër ”Arvereshu”, e cila flitet në ishullin e Sarfenjës, (Arbëreshe) me ilirishten e lashtë. Ai nuk merret shumë me historinë dhe prejardhjen tonë, sepse ajo tashmë njihet dhe është thuajse në një mëndje , por ajo që të befason është fakti se ky ing. pyjesh i laureuar në Firence në këtë fushë dhe aspak në fushën e gjuhësisë, me studimin e tij dhe pasionin e admirueshëm, na sjell një material të bollshëm, të bindshëm dhe mbërrin në përfundimin, se gjuha ilirishte dhe ajo “Arvëreshu”(e cila flitet vetëm në Sardenjë dhe në disa rajone të tjera të Mesdheut) e kanë origjinën e përbashkët, shumë më larg se Ilirishtja dhe vijnë nga pellazgët apo më tej akoma nga etruskët që kanë pasur shtrirje në Ilirinë e hershme duke përfshirë shumë zona të Ballkanit, bregdetin Dalmat dhe me shtrirje prej Egjeut e deri në Apenine. 
Shkas i këtij studimi, ka qenë një rastësi e çuditshme, ku 10-15 vite më parë si pasionant libri, ai gjen në treg një fjalor shqip-italisht e italisht-shqip, botim i vitit 1905 kur Shqipëria në atë kohë ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Ky fjalor i çuditshëm (të cilin ai e ruan si një thesar të madh) është i botuar sipas fonetikës së shqipes së folur sipas dialektit gegërishte. 
Një ditë teksa ai ndihej i lodhur i shkojnë sytë te fjalori dhe për t’u çlodhur” i hedh një sy” teksa befasohet, sepse shumë fjalë të këtij fjalori kishin një përafërsi impresionante me të folurën antike të zonës së tij në Dorgali të Sardenjës. Është për të theksuar, se”Arvereshiut” e Sardenjës ose (Shardina in arevershiu…Sardinia in arvëresh.. Sardenja in arbëresh) nuk janë prejardhës së arbëreshëve shqiptarë që u larguan në drejtim të brigjeve Apenine mbas viteve 1400 e që aktualisht jetojnë në jug të Italisë. Jo! “Arvereshiut e Shardenius”(Arbëreshet e Sardenjes) janë autoktonë në lashtësinë e tyre ilire dhe të vendosur aty shumë, shumë më përpara arbëreshëve të “Moresë” mbase 1000-1100 vjet para erës sonë. Bile, ai shkon më tej, ku bën dhe lidhjen logjike, të ishullit të Sardës apo i Shurdhahut siç njihet ndryshe mbi lumin Drin në Vaun Dejës, me ilirët e ardhur nga trevat pranë atij ishulli ( kryesisht malësorë),në një tjetër ishull duke i venë emrin “Sard “ (Sardnjë) pikërisht asaj gjuhe që flasin sardët antikë. Kështu që askujt nuk duhet t’i duket e çuditshme edhe pse nuk ka dëgjuar aq sa duhet për këtë vend që ndodhet në liqenin e Vaut të Dejës sepse nga sot e tutje do të zgjohet nga harresa.

Ja si shprehet studiuesi pasionant:
Gjuha antike sarde (e Sardenjes) quhet “arvareshu” dhe merr emrin e saj nga “Arvarè” sot Barbagia, e cila është folur rrjedhshëm deri në Mesjetë. Sot ajo është një gjuhë e përzier me strukturën latine, por jo më pak e organizuar, origjina e saj është qartësisht neo-ilire. Nëse fjalët latine do ti’ hiqnim nga sardja, (Gjuha e folur në Sardenjë) atëherë 80% e tyre që do të ngeleshin janë me origjinë ilire dhe sot ne këto ende i gjejmë në Toskët dhe Gegët e Shqipërisë. Paraardhësit e sardëve, janë të përbashkët me shqiptarët. Sardenja u latinizua me kishën latine pas largimit traumatik të kishës greke. Kisha greke mbronte “arvareshu” siç ndodh sot në Italinë Jugore, me dioqezat greke të Lungro në Kalabri dhe të Piana degli Albanesi, në Sicili. Kjo, jo për faktin se janë grekë, por se dhe vetë grekët kanë origjinë ilire.

Dhe më poshtë: Pellazgët, ilirët, arborët, albanët, arvanitët, arnautët, shqiptarët … emra të çuditshëm: për të përcaktuar një popull të vetëm, apo banorë të ndryshëm të së njëjtës zonë? Të jenë vetëm shqiptarët, që janë përfshirë në kufijtë që njohim sot, është e pamundur. Me të vërtetë duket pothuajse e sigurt, se ilirët erdhën nga veriu dhe shkuan në jug, duke përfshirë edhe atë që është Shqipëria e sotme. Për më tepër – dhe kjo është konstatuar – ilirët ishin të parët që hynë në Epokën e Hekurit, në drejtim të vitit 1.100 para Krishtit dhe për këtë arsye ishte një qytetërim absolutisht i evoluar. Pushtimet e tyre dhe forca e tyre janë për rrjedhojë edhe për shkak të përdorimit të një metali revolucionar për kohën. Dhe kështu ishte e lehtë për ata që të depërtonin madje edhe në Italinë veriore shumë kohë para Celts/keltëve dhe të vendoseshin në Veneto dhe në brigjet e Adriatikut.(S. B)

Duke qenë se këto pohime të çojnë në përfundime dhe rrjedhime logjike, atëherë në mënyrë të natyrshme kuptohet që ilirët si popuj bregdetarë i kanë dhënë tonin dhe dinamikën jetës në shumë rajone të Mesdheut dhe duke u nisur nga këto përfundime, kërkova të lidhesha direkt me dott. Salvatore Bovoren, ftesë që ai e priti me kënaqësi të madhe dhe mbi këtë bazë filluam bashkëpunimin. Unë personalisht nuk kam asnjë meritë në këtë punë, përveç bërjes me dije se përtej gadishullit Apenin një admirues i Shqipërisë dhe shqiptarëve, mbërrin në përfundimin se gjuha antike ose “protosarde” sikurse shprehet ai në mënyrë të padiskutueshme është “motër me ilirishten” Në punimin e tij të përfunduar në formë “dispense”, ai nuk merret vetëm me ngjashmërinë e fjalëve Shardu in Arvëreshu (Sarde në shqip), por ai merret dhe me morfologjinë dhe evoluimin e tyre duke marrë si bazë dhe metodën e krahasimit. Gjithashtu duhet theksuar, se mbase as vetë ndoshta autoriteteve italiane nuk u ka interesuar që të bëhej e ditur prejardhja e Sardëve të Sardenjës. Për të shuar disi dhe kureshtjen e lexuesit, po radhitim disa fjalë që këtë janë shumë, shumë më pak se qindra të tilla, të cilat përdoren edhe sot pikërisht në ato zona, ku gjuha, tradita, zakonet e vjetra ruhen ende me fanatizëm:
dillu=diell….shtega=shteg, rrugë….falamindra=faleminderit….nd= në (ndë)…….gjitë=gjithë……gjita shenda=gjithë sendet…….. i shpiridhiu= ik …..( fjalë fyese)….troka=toka…..dridhora=(mund të jetë drithëra, dridhura ose dhe dritë?) mos= mos ….janu=jonë (tonat, tanët) ……..es’hte= është….pikau = pika…..pej= nga, prej…….

Por tashmë me këtë zbulim lind pyetja:

Kush i detyroi ilirët e lashtë të kërkonin shtrirje të gjerë në Mesdhe?

Përveç Pirros së Epirit, i cili aty nga vitet 260-275 p.e.r. bëri fushatë dhe u ndesh me romakët e ma kartagjenasit nga historia nuk kemi të dhëna të tjera, të paktën deri aty nga shek. XV ku Skënderbeu u shkoi në ndihmë venecianëve dhe mbretit të Napolit.
Pse erdhën ilirët në Sardenjë e kush i detyroi ata? Mos vallë u ndeshën ashpër fiset ilire me njëri tjetrin, (sikurse u ndesh dhe Pompeu me Çezarin nga ku pala humbëse braktisi trojet dhe u shpërngul? Apo ilirët, si popuj bregdetarë pushtuan zona të ndryshme në brigjet e Mesdheut?!

Kjo e pyetje të tjera kërkojnë zgjidhjen e enigmës.
Është detyrë jo vetëm e historianëve tanë dhe instituteve të historisë, atyre të gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë etj., etj., por dhe qendrave universitare të studimit të merren seriozisht me këtë çështje sa interesante aq dhe befasuese. Në atë ishull janë të vendosur “xhaxhallarët tanë stërgjyshërit ilirë”, të cilët, jo vetëm në traditat e punimit të arave e sidomos dhe atë të blegtorisë, por dhe në kostumet popullore, në disa doke e zakone apo dhe në këngë. Përpara se të ekzistonte Greqia, apo të ëndërrohej për një Romë, malësori shqiptar, i quajtur gjatë historisë në mënyra të ndryshme si, pellazg, ilir e maqedonas, ngjiste malet shqiptare. Ai u ngjit, e u ngjit, dhe u strehua natën e gjeti prehje. E nëpërmjet mësimeve më kryesore e të mprehta të nevojave krijoi racën, gjakun, forcën dhe urtësinë e tij.