Ylli Meçe: LANÇ, epopeja e lavdishme e shqipërisë. Me lyrën e Mithatit, kryeministri le të lyejë veten

842
Sigal

Ylli Meçe: LANÇ është gur prove midis atdhetarëve dhe pseudoatdhetarëve

Me bojën dhe lyrën e Mithat Frashërit, Edi Rama le të lyejë veten e vet

Ylli Meçe, ish ushtarak në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se LANÇ mbetet Epopeja më e lavdishme e Historisë së Shqipërisë, edhe pse e udhëhoqi PKSH. Ndërsa Balli Kombëtar ka bashkëpunuar me Fashizmin, që në ditën e parë të pushtimit në 1939 dhe tradhëtia e tyre nuk mund të rehabilitohet kurrë. Ylli Meçe e quan turp të madh vlerësimin që kryeministri Rama i bëri Mit’hat Frashërit në ceremoninë shtetërore të rivarrimit të tij në Tiranë.

-Zoti  Meçe, cili është vlerësimi juaj për LANÇ dhe 5 Majin, Dita e Dëshmorëve?

 Qëndrimi ndaj kësaj epopeje nga më të madhërishmet të popullit tonë, ka qenë dhe është njëkohësisht, si një gur prove, midis atdhetarëve të vërtetë dhe pseudoatdhetarëve. Fakti që këtë luftë e udhëhoqi PKSH-ja me komandant Enver Hoxhën, nuk ia ul aspak dhe asnjë grimë vlerat. Edhe nëse do të tundeshin të gjitha malet, e bashkë me ta dhe i gjithë reaksioni klasik i Ballit Kombëtar të Lumo Skëndos bashkë me “Legalistët” e Rrem Bajraktarit që i mori lumi, bile sëbashku dhe me këta ballistët e rinj me atlete sportive e kravatë, por pa qylaf në kokë të Edi Ramës, kjo Epope e LANÇ ngelet në këmbë, si mali i Tomorrit nga ku duhet të falemi të gjithë shqiptarët e ndershëm. Nëse kushtet historike nxorën në skenë PKSH-në, si ideatore, organizuese dhe drejtuese të kësaj lufte, kjo nuk ishte rastësi, sepse ishte e vetmja forcë politike, e cila e mori përsipër këtë mision dhe e çoi deri në fund. PKSH vuri në jetë dhe direktivat e Fuqive të Mëdha URSS Angli e Amerikë, për organizimin e luftës pa kompromis dhe krijimin e një Fronti të përbashkët popullor, kundër nazi-fashizmit “Pa dallim feje-krahine- ideje”. Nëse ballisto-zogistët e braktisën Frontin Nacional-Çlirimtar, ata jo vetëm dëshmuan se nuk dëshironin ta luftonin armikun, por dhanë dhe prova të mjaftueshme bashkëpunimi me ta. Eshtë faj i vetë tradhëtarëve, që u larguan nga lufta çlirimtare e popullit kundër fashinazizmit për të çliruar Shqipëinë.  Më 17 dhjetor të vitit 1942, Anglia, por dhe më 18 dhjetor SHBA dhe Bashkimi Sovjetik, me anë të Ministrave të Jashtëm Iden Hill dhe Molotov, deklaruan botërisht se njihnin me konsideratë dhe admirim Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar kundër pushtuesve fashistë, se dëshironin të shihnin Shqipërinë të çliruar nga zgjedha italiane dhe të pavarur, se pas lufte do të respektonin lirinë dhe pavarësinë e saj.
– Pra me këtë doni të thoni se ballisto-zogistët nuk luftuan për Shqipërinë në Luftën e Dytë Botërore?
– Ata donin apo nuk donin u bënë aktorë të luftës, por ngelën thjesht figurantë, sepse lufta e tyre ishte sikur të jetonin në paqe, por përpara se të shkojmë te këto prova, vërejmë se fill pas pushtimit, një përfaqësi e këtyre ”Baballarëve” të Kombit, më 16 prill 1939, me vendim të Asamblesë Kushtetuese (që në shtator të 43-shit po kjo Asamble tradhëtare, do qëllohej me top nga partizanët) do t’i çonin në Romë “Kurorën e Skënderbeut” Mbretit të Italisë, duke e poshtëruar në mënyrën më të turpshme popullin shqiptar, por edhe lavdinë e tij shekullore përpara armikut pushtues. Ishin pikërisht po ata që organizuan edhe pritjen e tij në Tiranë, të tij bashkë me Vërlacin, i cili shoqëronte Mbretin e përbashkët, i cili më 17 maj 1941 u prit me plumba nga i riu Vasil Laçi. Atentati i këtij djaloshi  ishin vazhdimësi e krismave të Mujo Ulqinkut, që i hodhi tre herë në det italianët fashistë. Të mos harrojmë, se plumbat kundër armikut dolën prej grykës së pushkës, para se të formohej PKSH-ja, por ja që çuditërisht “Ajka e Kombit” dhe pa PKSH-në, në skenën politik të asaj kohe, na u gjend në krah të fashizmit. Kjo nuk është rastësi, apo vetëm fenomen shqiptar, sepse ka patur edhe vende të tjera, të cilat mbas pushtimit u lidhën ngushtë me armikun, sikurse ishin “çetnikët”-serbë, “ustashët”-kroatë, “Ede” e Greqisë, Hortistat e Hungarisë e deri te “Kuislingu” i Norvegjisë

– Cila shtresë e shoqërisë shqiptare ish e predispozuar për bashkëpunim me fashizmin? Mos vallë kjo ish dëshirë vetëm e Mithat Frashëri, Abaz Ermenjit, Safet Butkës Nuredin Vlorës, Ali Këlcyrës, Xhafer Devës apo ndonjë tjetri?
Jo kurrësesi jo, sepse, të gjithë të sipërpërmendurit, dhe karvani i “Ajkës së Kombit” ishin derë bejlerësh dhe agallarësh. Në fakt, ata nuk ishin për “Luftë”, por për “Paqe” me armikun, sepse si te Italia, ashtu dhe Gjermania, kjo shtresë shikonte interesat e tyre ekonomike, zgjerimet e marrëdhënieve tregtare, duke e parë armikun, si mik si një shans që u jepej për fitime dhe rritje të pasurisë së tyre. Në dokumentin e parë të tradhëtisë zyrtare të “Ballit” i cili njihet në histori si ”Protokolli Dalmazzo-Këlcyra” në mars-të vitit 1943, vërejmë një akt tipik kompromisi dhe “Paqe” me pushtuesit. Ky dokument, i firmosur e vulosur në të zezë, do të ngelet përjetësisht i stampuar si e zeza e tyre, që do t’i ndjekë nga pas historikisht. Thelbin e këtij dokumenti, e përshkon ideja dhe misioni mbështetës që merr përsipër “Balli Kombëtar” i cili e siguron gjeneralin fashist Dalmazzo se ata ( ballistët) angazhohen seriozisht dh se asgjë nuk do t’u ndodhë fashistëve, veçanërisht në zonat e Jugut të Shqipërisë. Aktin tjetër po aq të turpshëm, do ta lëshonte në qarkoren e tij, “Partioti i kafeneve Kursal” Mithat Frashëri, do të udhëzonte të gjitha strukturat e Ballit që të mos angazhoheshin aspak në luftë me gjermanin, deri në një urdhër të dytë i cili nuk doli kurrë. Kështu është puna e “Ballit”, bile ajo që bën të mendohet çdo studjues i cili është futur në analet e historisë së pushtimeve nazi-fashiste dhe luftën në përgjithësi, është pyetja, në formën e kureshtjes: Çfarë formacionesh luftarake patën ballistët gjatë lufte ? Sa dëshmorë ka Balli dhe a ka pat ndonjë ballist ilegal, që t’u bënte atentate fashistëve italiane, atyre gjermanë, apo edhe të ndonjë spiuni a bashkëpuntori me armikun sikurse bënin grupet ilegal të Tiranës dhe qyteve të tjera? A gjenden dokumenta, ku gjermanët apo italianët të kenë ndërmarrë operacione luftarake sikurse ndërmorën në operacionin e Dimrit dhe atë të Qershorit 1944 kundër partizanëve? Pra a të ketë të tilla fakte dhe dokumenta historike dhe kundër ballistëve e legalistëve që armiku të ketë ndërmarë kundër tyre? A ka patur ballistë e legallistë të pushkatuar, apo internuar në kampe përqëndrimi nga nazistët? Nëse LANÇ në fund të saj kish gati 50.000 partizane, nga bijat më të mira e më atdhetare të këtij populli, po “Ballisto-zogistat” sa kishin?  Paradokset janë të tilla, sa që ata që nuk hodhën asnjë pushkë sëbashku me pinjollët e tyre të sotëm, kërkojnë të rishikojë historinë. Por Historia është e tillë që ajo flet vet dhe nuk është e shkruar me penë nga komunistët, por me gjakun e 28 mijë dëshmorëve, komunistët ishin në ballë të kësaj lufte teksa Balli nuk qëndroi as në bisht të saj Sot bijtë plangprishës, që nuk e kanë për gjë të emëtojnë valë drithëruese tradhëtie, po shkelin mbi gjakun e të rënëve. Disa po merren me datat duke i falsifikuar , disa minimizojnë aktet hroike të bijve tanë të lavdishëm ngaqë kanë patur Komandant Enverin. Disa të tjerë kriminelët i shpallin heronj dhe heronjtë kriminela që kanë bërë “ një mijë e një të zeza” ndaj këtij populli dhe në disa bodrume më të errta se ato të inkuzicionit katolik po projektohen e hartohen lista nga ku rezultojnë 265 heretikë kriminelë komunistë

– Ceremoninë qeveritare të rivarrimit të Mit’hat Frashërit dhe vlerësimi që i bëri kryeministri Rama, a mund të shikohet si rishikimi i Historisë?

– Rama do t’i hiqte 75 vjet më vonë, ” lyrën e tradhëtisë” e si piktor me bojën e “Tates”do të lynte veten. Tani që po na afron 5 Maji dita e dëshmorëve, nuk dihet se kujt do t’i çojnë kurora dhe më keq akoma, në 9 Maj, në ditën e fitores mbi fashizmin rrezik të parakalojnë “Ballisto-zogistat” me princin trashgimtar si fitues të luftës! Dikur në pararojë të kësaj maskarade ish Berisha, por i ia ka dorëzuar Ramës. Do të ish një turp i madh dhe do të dridhej dhe vet monumenti “Nënë Shqipëri” nëse Rama shkon e çon kurora për partizanët tanë të rënë gjatë lufte, sepse ai edhe një herë që çoi një buqetë lulesh për të rënët e 21 janarit, shumë shpejt i harroi ata katër dëshmorë që shteti i tij nuk i shpall të tillë. Rama , Berisha & CO dhe gjithë ballisto-zogistët e rinj dhe pinjollët e mërgatës së qyqeve, të përulen para bandave të diversantëve të reabilituar, të dekorojnë me atë rast edhe “Tufën” për shërbimet e veçanta antikomuniste dhe t’i bëjnë roje nderi liderit të tij shpirtëror Mithat Ballistit. Mundësisht në kokë të vendosin nga një qylaf, në mos paçin, le t’ja marrin Alimadhit apo derivatit tëcdytë të Butkajve s ata i japin veresie. Por në Varrezat e Dëshmorëve Të Kombit, me aktet e fundit, Rama ka dëshmuar se është kundër kësaj epopeje të ndritur të popullit tonë, duke përzier gjakun e kuq të tyre me ata që nuk derdhën gjak. As me zjarr e as me hekur skanë ç’i bëjnë kurrë sesi…ata që vet janë duke vdekur ! Lavdi 5 Majit ditës së dëshmorëve të Atdheut të të gjitha kohërave dhe të të gjitha trojeve tona !