Xhevat Lluri: Si u lidh Sevo Tarifa me LANÇ, kariera, rrapi në Mashkullor dhe heroi Çerçiz Topulli

521
Sigal

 INTERVISTË ME VETERANIN E LANÇ DHE PUBLICISTIN  SEVO TARIFA:

 -Mashkullora fshati im ka histori lavdie për patriotizmin

-E shihja si një tempull hyjnor rrapin e Çerçiz Topullit

-PKSH më lidhi me luftën dhe unë pas çlirimit shërbeva në gjithë Shqipërinë

-Lufta N-Ç është më heroikja dhe më e lavdishmja e popullit shqiptar

Intervistoi Xhevat Lluri    

Shoku Sevo, ju po hyni në 94 vjetorin e lindjes. Me që jemi nga e njëjta krahinë, ne kemi zakone të përbashkëta dhe pak a shumë në përgjithësi e njohim njëri-tjetrin. Kam lexuar edhe nga librat e shkrimet e tua, disa prej të cilave janë edhe të jetën së vegjëlisë. Jo për kërshëri, por mendoj se ka interes për të treguar edhe disa detaje më të drejtpërdrejta, nga jeta, puna dhe kontributi juaj. Me këtë rast, a do të pranonit një intervistë të tillë në kuadrin e çështjeve sociale në fillimet e jetës, po edhe diçka nëpër vite?

Pse jo? Kërkesa është normale, dashamirëse, në thelb për përvojë nga një shok që po i afrohet shekullit. Por  do të doja një “sqarim”: mos ti, shoku Xhevat do të “hakmerresh” që unë kam botuar 3-4 portrete për pjesëtarë të familjes “Lluri”? Nuk kam kundërshtim për këtë intervistë, por me një kusht: përgjigjet e pyetjeve, meqë janë personale të karakter social, do të parapëlqeja të mos shoqërohen me koment.

    Të jap falën. Ja, po filloj me pyetjen e parë: Emrin tuaj e kam lexuar herë “Sevo”, herë “Rapo”! Kini dy emra, apo ky i dyti është ndonjë pseudonim?

     Emri im i vërtetë dhe i vetëm është “Sevo”. Kam emrin e gjyshit, që nuk e kam njohur fare. Ai kishte ikur në Argjentinë që kur unë ende s’kisha lindur dhe atje u shua. E kishte lënë porosi, që “po të jetë djalë, t’i vihet emri im”! Kështu ishte zakoni, i cili pak a shumë vazhdon edhe sot, nipi merr emrin gjyshit që ky të kujtohet nga brezi në brez. Siç do të merrja vesh kur u rrita, ky emër nuk kaloi pa diskutime në fshatlindjen Mashkullorë. Burra të fshatit flisnin:“Sa mirë që iu vu emri i gjyshit”! “Kur ta dëgjojë ai këtë, do gëzojë”.”Unë di që emri i gjyshit nuk ngrihet kur ai është gjallë”.“Derisa është “prapa diellit”, në kurbet, zëre se ai i vdekur është! etj.

Kaloi një vit. Fillova të eci këmba-doras. Shkoja në dy dhomat që kishte shtëpia, nga odaja në baltore. Fillova të hedh hapat e parë. Kur u bëra 2 vjeç, më morën në duar dhe shkuam në qytetin e Gjirokastrës, ku dolën në fotografi në shenjë kujtimi nga vitet e fëmijërisë, të cilën ua dërguam babait e gjyshit, se ky i fundit kishte shkuar në “kurbet” më parë, ende pa lindur unë. Kur e morën gëzuan për djalin dhe nipin…

Por unë u sëmura. Kisha temperaturë të lartë. Trupi më dridhej. Oreksi më iku. Mjek e infermier fshati s’ kishte. Rolin e tyre e luante  ndonjë “pathua”, siç ishte një grua në fshat që “më vizitoi” dhe tha se “Ka shpretkën të zmadhuar! Që të shërohet djali, sillni një shpretkë derri që unë ta mbërthej me një gozhdë në mur”. Dhe kështu djali do bëhet mirë”. Nëna ime  “çau e ndau” sa e gjeti dhe e bleu si “frengu pulën” këtë shpretkë, të cilën ajo “mjeke” ne sy të nënës e “mbërtheu në mur”! I dha dhe një këshillë si “ilaç”: “Çdo mëngjes do t’i jepni djalit esëll një filxhan me uthull e me hudhra të përziera!”. Unë dëgjoja, po s’kuptoja. U sëmura dhe më keq…

   Po pastaj si u veprua për shëndet  të mirë në fillim të jetës?

U gjend një “ilaç tjetër:“T’i’ndërojmë emrin që djalin “të mos e hanë më sy” dhe “të bëhet jetëgjatë”! Dhe familja besoi se më kishin djalë të vetëm dhe s’dihet çfarë mund të ndodh, “larg qoftë”! Kaq u desh dhe emri nga “Sevo” u bë “Rrapi”, me dëshirën që të rrojë sa rrapi historik i fshatit?! Dhe unë u bëra me dy emra, paçka se këtë emër të ri nuk e doja. Kur dikush më thërriste “Rrapi” nuk e ktheja kokën e nuk përgjigjesha. Kur më thërrisnin “Sevo”, përgjigjesha menjëherë. Me qëllim që të më “shtonin dashurinë” për emrin e ri, në Gjirokastër më njohën me një djalë me moshë sa unë, Rrapi Karajani, nga lagjja “Çetemel”, por edhe kjo s’dha ndonjë rezultat pozitiv. Formalisht më mbeti për disa vjet emri “Rrapi”, (jo Rrapo, se thuhej që “Rrapo është emër Myslyman”)! Ndonjë i moshës time edhe sot, kur takohet me mua, më drejtohet me të qeshur: “Shoku  Zoti “Rrapo- Sevo, ç’kemi ndonjë gjë të re! Kishin gjetur belanë edhe të tjerë. Ja një dialog mids dy oficerave:

Në trotuar, te Libri Ndërkombëtar, më takoi Moisi Belli. Më tej, e priste Hasan Musabelliu. Ky e pyeti: Kishe ndonjë punë me shokun Sevo?

-Cilin Sevo, mo, ky është është Rrapoja!

-Mua do ma hedhësh ti? Unë e njoh me kohë, në punë me rininë….

     -E ke gabim, lexo librin e tij “Jetimi” dhe do ta mësosh të vërttetën,

Një ditë, në bisedë të lirë me sekretarin e parë të Gjirokastrës, Rrapo Dervishi, kur ia tregova këtë episod, ai u shqye  së qeshuri, se do të ishim të dy sekretarët “Rrapo” dhe do të ngatërroheshin edhe të tjerë! Do të ndodhte pak a shumë si në Korçë: një sekretar organizate fshati me mbiemrin “Sheqeri”, mori në telefon sekretarin e parë, në atë kohë Haki Toska, të cilit i tha: “Jam …Sheqeri” sekretari i organizatës së fshatit…”. Pa pritur, me humorin e tij të njohur,  sekretari i parë iu përgjigj: “Unë jam  Haki Piperi, kini ndonjë problem?…!” Dikush u shpreh: sheqeri ëmbëlsoi, piperi përvëloi”!

     Pas ndërrimit të emrit, a pate ndonjë përmirësim shëndetësor?

Aspak. Prapë sëmuresha gjithnjë e më shumë. Bashkëfshatarëve u vinte keq, se “po të pësonte gjë, shtëpia mbetej pa djalë”. Disa gra u mblodhën dhe diskutonin  se ç’duhet bërë? Vendosën që djalit t‘i vënë vath në veshin e djathtë, se “njerëzve me sy të bardhë kur ta shohin, u mbeten sytë te vathi dhe nuk do ta hanë me sy e nuk do  sëmuret prapë”! U gjend një vath kuqezi i gjatë, që tundej sa  andej-këndej kur ecja. Veshi duhej shpuar. Më kapën  e  më mbanin duar e këmbë, ndërsa unë kundërshtoja, shihja motër Melpon me gjilpërë në dorë. E kuptova dhe u ika nga duart. Më kapën.  Filluan të më “bindin” duke më sjellë aty fruta, shoqëruar me fjalë “të mira”, se “Vathi ka ngjyrat e flamurit”, “vathi në vesh të zbukuron”, “veshin e ka të shpuar edhe Mufiti”  etj.  Unë refuzoja  duke  u thënë: “Mua do ma hidhni? Mufiti ashtu ka lindur, me vesh të çarë, nuk ia kanë shpuar”. “Pse, vajzë jam unë, që të mbaj  vath në vesh, të tallen shokët me mua? Ore, çfarë keni me mua që doni të më bëni patjetër me vath?” Një herë ma ndërruat emrin, tani doni të më bëni vrimë në vesh?!” Dhe ika vrap e u fsheha. Por më gjetën dhe veshin ma shpuan!

Të nesërmen dola te shokët në lëmin e mëhallës, të cilët kur më panë me vath në vesh,  filluan ngacmimet: “Erdhi djali me vath!”. “More, djalë je ti, apo vajzë?”. Kthehesha kokulur dhe vrap në shtëpi i mbytur në lot zemërimi. I drejtohesha motrës: “Hiqmani vathin, ndryshe do pres veshin që ta heq me gjithë vesh! Shokët më shajnë se jam vajzë!”. Motra më tregonte vathët e saj, që i kishte në të dy veshët. Unë ia ktheja: “Ty të shkojnë se je vajzë, ndërsa  mua jo, se jam djalë!  Asnjë djalë në fshat nuk mban vath në vesh”! Bëra si bëra dhe u mësova me vath  në vesh. As shokëve nuk u bënte më përshtypje. Zhurma pushoi, vathi mbeti në veshin tim. për një kohë!

   Më vonë keni shkruar edhe librin  si “Jetim me baba gjallë”, si mërgoi babai e të la në bark të nënës e kur u kthye të gjeti baba me fëmijë! Gjatë asaj kohe a kishit shkëmbim letrash me të atin? Ç’mund të na thoni ndonjë detaj?

Para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore kishim korrespondencë. Më kujtohet letra e  parë që I shkrova, të cilën e ruaj, Ja teksti:

    “Beriso”, 10 tetor 1937. I dashur baba! Jam mirë dhe lus Zotin që edhe ti të jesh mirë. (Fjalët m’i diktonte nëna) Me anën e kësaj letre të puth sytë me shumë mall të zemrës. Ke të fala nga mëma, nga shorti tënd, nga Melpua dhe nga unë Sevua që shkruaj këtë letër.Babai im, pse s’na  ke dërguar ndonjë letër që të mos harrohemi, por ti eja se ne s’kemi njeri, jemi vetëm. Sivjet jam në klasë të katërt, mësoj shumë gjëra. Ke të fala nga të gjithë. Djali yt Sevo Tarifa”.

Kur e mori letrën lotoi nga gëzimi dhe ua tregonte shokëve, “m’u rrit djali dhe më shkruan vetë”. Një herë tjetër më bëri vërejtjen, që sipër të shkruaj jo Beriso, se kështu e nis letrën unë që jam këtu, kure ti do shënosh “Mashkullorë”, se andej e shkruan. Por të falet se je i vogël”. Gjithnjë letrat na i shkruante Çaçi Duli, se ky ishte i kalemit dhe ishte kthyer andej me Manifestin Komunist të Marksit, siç më ka treguar Haki Toska, me të cilin e bashkonin idealet komuniste po edhe “tifozllëku” si peshkatar. Vonë do të merrja vesh se ky bashkëfshatar modest, i varfër dhe i ndershëm, kishte lidhje e bashkëpunonte edhe me një nga komunistët e parë erindiott, Lato Brahu, që do të binte dëshmor.

Shkollën fillore e mbarove në fshatlindje. Mund të na thoni ndonjë nga kujtimet e tua si nxënës dhe pse s’vazhdove më tej dhe si e kalonit kohën e lirë ?

Përfytyroni një fëmijë njomëzak, pa baba, që s’ka kush ta shoqëronte, edhe kur nisi shkollën fillore. Qëndron i mahnitur përpara atij rrapi madhështor para shkollës, në degët e të cilit cicëronin zogjtë si një orkestër. E kujtoj edhe sot atë ditë të gëzuar. Dhe simbolikisht meditoj një komunikim me rrapin:

– Mirëmëngjesi, o xhaxhi Rrap i madh! Kur të shoh nga shtëpia ime dukesh i vogël. Po ti qenke i madh! Sa shumë degë e fletë që ke! Dhe trungu është shumë i gjerë. Sa vjeç je?      

    – Po kush je ti, more djalë? Je nxënës shkolle? Në qoftë se po, si të quajnë, si mëson?  

– Unë jam me emrin tënd, o xhaxhi Rrap. Quhem Sevo Tarifa, por vjet më kanë vënë emrin “Rrapi”, se u sëmura dhe shtëpia  më ka djalë të vetëm, s’kam vëlla, kam vetëm një motër, ndaj nëna  donte që unë të rroj sa një rrap! Sot erdha për herë të parë në shkollë dhe po të shoh kaq afër. Sa i gëzuar që jam! O xhaxhi Rrap, meqë kemi një emër, mos jemi gjë kushërinj?

    – Oh, sa po më kënaq, o vogëlush! Ti do bëhesh nxënës i mirë e i sjellshëm. Sa bukur që ke dhe emrin tim! Po ne s’jemi vetëm. Kemi dhe shumë rrape të tjerë. Pa dil aty te muri dhe shiko poshtë në brigjet e gjelbëruar, atje ku është një ahur, pranë pyllit me emrin “Zhazha”, në përrua, sa rrape ka! Të gjithë jemi kushërinj. Kushëri të kemi edhe ty! Sa për moshën që më pyet, unë jam 200 vjeç!Ti rritu i shkolluar dhe rrofsh një shekull e i fortë si hekur!

– O, sa shumë! Do rritem unë, do rritesh edhe ti. Kushedi sa vjeç do bëhesh! Po ata rrape aty poshtë, ti i ke lindur? Po ty kush të ka lindur? Pse ata janë shumë e ti je vetëm një?

     -Ata rrape atje poshtë kanë mbirë vetë. Thonë se mua më ka mbjellë një dorë njeriu. Ata rrape janë më të vegjël se kanë mbirë më vonë. Po ata kanë një histori të bukur, që ti do ta mësosh në shkollë. Atje te ahuri që sheh, të cilit i kanë mbetur vetëm muret, ka luftuar çeta e Çerçizit kundër pushtuesve osmanë. Ai vend është skuqur me gjakun e patriotit Hajredin Tremishti, që u vra, por armiq u vranë 20 vetë! Ata lanë kockat e tyre në tokën tonë. Ishin më shumë, por u mundën, se shqiptarët janë trima, e duan shumë Atdheun. Kështu ta duash dhe ti. Armiqtë osmanë erdhën nga Janina. E thotë kënga që ngriti populli:“Nga Janina, vjen mezapi/ në Mashkullorë te rrapi”.

Po këtu ku je ti, o xhaxhi Rrap, nuk erdhën armiqtë e huaj?  Dua t’i di këto, se unë s’e kam babain që të m’i tregojë. Ty të kemi baba dhe gjysh. Të lutem më trego dhe ndonjë gjë tjetër.

    – Këtu, te rrapi, more djalë, armiqtë s’vinin dot, se rreth tij ishin fshatarët e Mashkullorës, që i kishin armët në sy. Poshtë qe çeta e Çerçiz Topullit, kështu që ata viheshin në mes të zjarrit dhe zhdukeshin shpejt. Dhe unë mbeta rrap në qendër të fshatit, përballë kam shkollën dhe xhaminë. Pa shiko aty, në trung, ka nj ë pllakë, po ti s’e lexon dot sot, me siguri do ta lexosh më vonë.

– Jo xhaxhi Rrap, unë që tani di të lexoj, se më ka mësuar motra, që është e shkëlqyer në mësime. Ja, ta këndoj vetë? “Te Rrapi në Mashkullorë/ foli Çerçizi me gojë:/ lëri djemtë e mi të shkojnë/ se ju skuq, ju bëj me bojë”…Sa këngë e bukur! Ta them përmendsh? Do t’ia përsëris dhe mësuesit. Do t’i lutem që ndonjë ditë të vemi si shkollë atje ku është ahuri, ku ka luftuar me dyfek Çerçizi me shokë. Edhe unë e kam qejf dyfekun. Kam bërë vetë një me dërrasë, po ky nuk kërcet dhe nuk i vret armiqtë.

    -Domethënë, je patriot i vogël?.Tani, si më i madh që jam, dua t’ju jap një këshillë, të gjithë juve, nxënësve: kur luani këtu në këtë shesh, i bini fort topit dhe ky shkon përpjetë e më rrëzon fletët. Kini kujdes, se po të mbetem unë pa fletë, s’dukem i bukur! Fletët e mia bien vetë, në vjeshtë, por jo të rrëzohen me top e të thyen degë. Ua thuaj këtë dhe shokëve. Në degët e mia lart, qëndrojnë zogj, këtu poshtë në shesh jeni ju, po edhe ju si zogj jeni. Kur është festë dhe visheni me rroba të bukura, dukeni si kanarina…

-Po ju, o Rrap i madh, keni festë? Kur e keni?

   – Kam, si s’kam. Festa ime është më 18 mars të çdo viti. Kjo është dita kur luftoi dhe fitoi çeta e Çerçiz Topullit kundër armiqve të huaj. Këtë ditë këtu vijnë shumë të rinj nga Gjirokastra dhe nga fshatra të tjerë. Vjen tërë fshati juaj dhe të gjithë festojnë, kërcejnë e hedhin valle. Tani që ti erdhe në shkollë dhe do rritesh, do ta shikosh sa bukur bëhet kjo festë. Këtu ku jam unë dhe atje poshtë te rrapet e te ahuri, mbushen kodrat dhe sheshet me njerëz, që kujtojnë trimat e çetës së Çerçizit, tregojnë si kanë luftuar ata për Mëmëdhenë. Me këtë rast do të të jap një lajm të bardhë: vitin që vjen, në sheshin e Gjirokastrës, do  ngrihet një monument. Për Çerçiz Topullin, që e ka bërë një skulptor nga anët tona, Odise Paskali. Thuaju edhe shokëve që ta shohin…!

    – Do ta shohim të gjithë, xhaxhi Rrap! Faleminderit për të gjitha këto gjëra të bukura që më tregove. Të jap fjalën se, sa herë  do të vij në shkollë, në çdo mëngjes do të të përshëndes me dashuri e me nderim, si një njeri të dashur të familjes!

    Dhe pastaj hyra në klasë dhe mbarova shkollën fillore me të gjitha pesa, nota më e lartë e asaj kohe!  Duke u rritur kuptoja më mirë tërë madhështinë dhe historinë e fshatlindjes dhe të rrapit në qendër të tij, vrasjen e Bimbashit turk nga Bajram Ligu prongjot e Hito Labi nga Lekdushi, luftën e çetës së Çerçiz Topullit te ahuri e rrapet e Zhazhës, atdhetarinë e zjarrtë të Mashkullorës e të gjithë krahinës së Kardhiqit, për të cilat më vonë edhe do të shkruaja.

Sa për kohën e lirë në pushime dhe pas shkollës, si e kaluam se çfarë të tregoj.   Pas mbarimit të shkollës, çfarë bënit, si e kalonit kohën? Kohën e kalonim me variacione: punë shtëpie, loje me “top lecke”, me pllaka, “grop argjëndi”, ‘Top muri”,“Kala dibrançe”, mundje; më 7 prill mblodhën fletushka fashiste që u hodhën nga qielli me avionë nëpër fshat, të cilat ia dorëzuam mësuesit. Ishin fletushka mashtruese, që po ta dinin pushtuesit se përse do të përdoreshin nga shqiptarët, nuk do t’i hidhnin fare…! Ditët e  tjera, fëmijët shkonin në fushë e në mal, pas baballarëve, si bujq e barinj të vegjël. Unë që s’kisha baba e të shkoja pas tij, u bëra “bari” për të ruajtur katër kecërit e shtëpisë, disa herë edhe dhitë e lopët e fshatit, por mendjen e kisha të vazhdoja shkollën më lartë.  Dhe shkova me kokën time në shtatëvjeçaren “Drita” të qytetit, kur mësuesi Sedat Asllani pa dëftesën time, u pranova menjëherë. Por më kot:  Të nesërmen erdhi një kushëri i parë i babait  dhe më hoqi nga shkolla, duke më ndukur veshin me fjalët: “ku vete ti, mor “jezit”, kush do punojë për të mbajtur familjen? …”! Dhe unë 11 vjeçari u punësova në mirëmbajtjen e rrugës me dy lekë ditën e gjysmë buke gruri, pastaj  shërbëtor në familje në Gjirokastër, Vlorë e Tiranë, me 30 lekë në muaj, fjetje e ushqim; më vonë kamerier, gështënjapekës e cigareshitës; shokët me humor shoqëror më quanin “burrë i vogël”! U desh lufta çlirimtare dhe pushteti popullor, që të bëhesha edhe unë jo me një, por me “disa” shkolla të larta”: Universitetin e Tiranës me korrespondencë, Shkollën e Lartë të Partisë, Shkollën Qendrore të Komsomolit ne ish Bashkimin Sovjetik  me shkëputje nga puna, “shkollën” 20 Vjeçare profesioniste të Rinisë” në katër qarqe e rrethe, “Shkollën” 24 vjeçare profesionale të Partisë në Gjirokastër e në Qendër…

        Po ajo “letra me gjak”që shkrove dhe ia dërgove babait, si është historia e saj?

     Në fshat ishte hapur fjala se “kurbetlliut po t’i shkruhet një letër me gjakun e lakuriqit të natës”, kthehet në vendlindje! Unë isha 10 vjeç dhe e hëngra këtë dëngël. E shkrova letrën. Zogj nate fluturonin, por hajt të kapje ndonjë prej tyre! Një mbrëmje, deri vonë, një grup të rinjsh e bisedonin çështjen dhe u vunë në garë “Kush do ta zërë këtë zog”! Dhanë e morën disa net duke kërkuar. E kapi Kiço Ndreu,  por u tremb nga sqepi i tij dhe e lëshoi. Më në fund e kapi zogun Jorgji Puci, që ishte më i shkathti dhe më i forti fizikisht. Rreth tij u mblodhën shokët dhe në dritën e hënës shikonin  lakuriqin e natës. Njëri i mbylli sqepin, tjetri i hapte krahët, i shihte  këmbët. Njëri tha: kujdes se ju gërvisht me sqep e me thonj! Tjetri iu përgjigj: or. le ta sjell xha Janon gjaku i këtij zogu, pa le të na gërvishti të gjithëve!  Ndërkaq zogut iu hoq koka. Pikat e gjakut po mblidheshin në një filxhan kafeje. Dhe letra u shkrua e iu dërgua të mërguarit, ku ndër të tjera i nënvizohet:

Si u kap ky zog nate dhe pse u shkrua me gjakun e tij “se kjo do na sjellë xha Janon”.(këto fjalë të fundit u shkruan me gjakun e kuq të zogut)  me të marrë letrën, babai u takua me shokë të mërguar. Filluan diskutimet: “Ore, ku u ka vajtur mendja, – thoshte Rifat Baxhaku!” Mor po si e kanë zënë natën,-përdigjesh Ngjelo Pesha”.” Kur të zë halli, të mëson vetë,- shprehej Mitro Rrapi,etj. Dhe prit Jano e Jano s’ka. Tani bisedohej në fshat nga dërgohej letra: “S’qenka gjë edhe gjaku i lakuriqit të natës. Besim i kotë.

 

 

Nesër do të lexoni|:

Pa Partinë dhe Enver Hoxhën nuk do të isha ky që jam

-Si më ngarkuan detyrën për ndjekjen e botimit të veprave të Enver Hoxhës