Xhafer Korro: Një tufë me lule mbi varrin e të madhit Fan Stilian Noli

21
Sigal

Telegraf.al / Kur mendoja se do të shkoja në Boston, m’u reshtuan si papritur në kujtesë fjalët e paharruara të profesorit tim të dashur, shkrimtarit të madh, i ndritë shpirti, Petro Marko, i cili për Fan Stilian Nolin thoshte: “Noli është polieder i Kulturës dhe Artit të Kombit tonë. Puna e tij e madhe për çështjen e Atdheut  dhe Kombit lidhet me qytetin e Bostonit. Kur themi Noli nënkuptojmë Bostonin, ku ai punoi për një kohë të gjatë dhe bashkë me shokët krijuan dhe drejtuan shoqërinë “Vatra”, që lëshoi xixa lirie e demokacie për Shqipërinë.”

Gjyshi im që kishte punuar në SHBA dhe kishte qenë anëtar i shoqërisë “Vatra” fliste me admirim për Nolin. Ai shprehej: “Noli ishte një burrë trupshkurtër, jo shumë i pashëm, por ishte ciceron, orator që nuk e kishte shokun. Ai me fjalimet e tij, i linte gojëhapur ata që e dëgjonin, bile dhe kundërshtaët.

Noli ka lindur në Ibrik Tepe në pjesën Aziatike të Turqisë., në vitin 1982, por origjina e familjes së tij ishte nga fshati Qytezë i Ersekës në qarkun e Korçës.

Mua m’u kujtua porosia dhe amaneti i gjyshit se: -Kur të rritesh nëse të vjen mundësia shko të vizitosh në Boston, varrin e Fan Nolit. Shko dhe vizito Ndërtesën e shoqërisë ”Vatra”, si dhe Kishën Orthodokse Shqiptare që ka themeluar Noli. Vizito dhe vendin ku kam punuar unë.

I kujtova të gjitha këto dhe vendosa të shpije një tufë me lule nga fshati Qytezë, vendindja e prindërve të Fan Nolit. Gjatë viteve kur mësoja në shkollën  pedagogjike kisha patur një shok që ishte nga ky fshat. Një ditë e marr në telefon dhe i them se dua një tufë me lule nga qyteza se do ta vendos në varrin e Fan Nolit. Pas tre ditësh më merr miku në telefon dhe më njofton se lulet i ke gati! Ditën tjetër nisem me autobuz pën në Ersekë. I afrohemi qytetit të Përmetit, dhe nga autobuzi që ishte duke ecur, nëpërmjet xhamave, dukej një bukuri përrallore. I afohemi qytetit dhe mua më duket sikur dëgjoj klarinetën e Laver Bariut, i cili dilte mbi gur, afër të cilit kishte shtëpinë dhe i binte me pasion. Autobuzi le Përmetin dhe ecën drejt qytetit të Leskovikut… Kalojmë

dhe shumë kthesa dhe ja arritëm në Leskovik! Shikojmë bukurinë e këtij qyteti, në qendër të të cilit është rrapi shekullor, por ndjen dhe ngrohtësi nga ajri i freskët. Qyteti i Leskovikut na kujton këngëtarët dhe instrumentistët e talentuar të klarinetës si Vangjel Leskoviqarin me shokë, që u bënë me nam jo vetëm brenda, por dhe jashtë Shqipërisë.

… Leskovik po fryn një erë, dilni hapni penxheretë! Autobuzi merr rrugën në zbritje mes kthesave për në qytet.

Sa dola nga autobuzi pashë se miku im më kishte zënë pritë. Më përqafoi me mall të shtuar gjatë tridhjetë viteve që nuk ishim takuar fizikisht se lidhjet i kishim të vazhdueshme me letra dhe telefonata. Në qytet frynte një erë e fortë dhe e freskët, por megjithatë gumëzhinte nga kolonjarët. Folëm për kolonjarët si popull punëtor, të dashur, me kulturë të lashtë arsimdashës dhe patriotë të flaktë si Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Sali Butka etj. Më pas filluam të ecim për në fshatin Qytezë. Në mbrëmje arritëm në fshat.

Në shtëpinë e mikut ishin mbledhur burra dhe gra të fisit të tyre për të na përshëndetur dhe uruar mirseardhjen. Na shtruan një darkë me gjithë të mirat e sofrës kolonjare. Në mëngjes, kafen e pimë në oborr duke vështruar dhe bukuritë përreth fshatit. Dhe erdhi dhe çasti i shumpritur! Do të shkonim atje tek banesa ku kishin jetuar prindërit e Fan Nolit. Mblodhëm lule në atë vend ku kishte banuar familja e Nolajve. Bëmë dy tufa të mëdha me lule dhe u kthyem te shtëpia mikpritëse. Tek miku në fshatin Qytezë ndenja dy ditë. Ditën e tretë miku im, më shoqëroi deri në qytetin e Ersekës. Hipa autobuzit për në Korçë, sepse të pasnesërmen do të nisesha për në Amerikë. Ditën tjetër u nisa për në Tiranë ku arrita para drekës. U vendosa në një hotel tepër të rehatshëm dhe u çlodha mirë mbas udhëtimeve që kisha bërë gjatë këtyre ditëve. Në mbrëmje sistemova me kujdes lulet duke i vendosur në një enë qelqi.

Të nesërmen u nisa me avion nga Tirana në Romë dhe më pas në Boston.

U çudit motra që jetonte në Boston dhe më tha: “Na paske sjellë dhe lule nga Shqipëria? Po ne jemi gjallë o vëlla!”

Jo moj motër e dashur jo! Këto lule kam për t’i vendosur në varrin e të madhit Fan Noli. Ti e di që gjyshi ynë ka punuar me Nolin këtu në Boston dhe ai ma kishte lënë amanet që të sillja një tufë me lule. Dhe ja tani erdhi rasti të plotësoj amanetin e gjyshit.

Të nesërmen me ndihmën e nipit tim, vajta tek varri i Nolit mbasi kryem të gjitha rregullat e kontrollit dhe të sigurisë për raste të tilla, e vendos kurorën me lule. Amaneti u krye, por edhe dëshira ime për të nderuar Nolin u krye!

Dhe më dukej sikur dëgjoja Nolin që më thoshte: “Faleminderit o djalë (shqiptar) që më solle freski nga Qyteza ime e dashur, nga fshati i origjinës time dhe nga Shqipëria!” Zemra më gufonte nga gëzimi që realizova një amanet dhe një dëshirë si një qytetar i thjeshtë nga Shqipëria për këtë figurë të ndritur të patriotizmit, politikanit, shkrimtarit dhe përkthyesit të madh me të cilin krenohet Shqipëria.

Ditën tjetër shkova atje ku kishte  punuar gjyshi im. vendosa tufën tjetër të luleve në shenjë dashurie dhe respekti për të, i cili më brumosi me dashurinë për Fan Nolin dhe Shqipërinë. Vizitova dhe ndërtesën e shoqërisë ”Vatra”, si dhe Kishën Orthodokse Shqiptare që i ka themeluar Noli.