Vjedhja e 3 mln eurove/ Skandali me kompaninë “ADEX”, nxjerrë zbuluar edhe futjen e mallrave, pa doganë dhe pa fatura tatimore. Shuma prej 3 mln euro është vetëm maja e evazionit fiskal

123
Sigal

Kjo do të thotë se “ADEX” ka futur mallra, të cilat mund të jenë pa fatura tatimore, pa doganë të paguar dhe skandali i 3 milionë eurove me një qytetare, që kishte abuzuar është shumë më pak sesa gjithçka ndodh çdo ditë me kompanitë e postave.

Dje Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Alma Beqirin.

Policia e Korçës bëri me dije se kishte arrestuar shtetasen A.B., e cila për rreth dy vite, duke punuar nëpërmjet një poste private, kishte mundur të siguronte rreth 3 milionë euro për veten e saj. Këto para, sipas skemës që pretendon policia, ishin një mashtrim, që bëheshin nga kjo punonjëse e postës “ADEX”. Në fakt, burime zyrtare i thanë CNA se dyshohet që subjekti “ADEX” të jetë i përfshirë vetë në një skandal edhe më të madh sesa një punonjëse e tij.

Ndoshta hetimet do të zbardhin më thellë, por ajo që duket është se institucionet tatimore dhe doganore shqiptare, nën hundën e tyre, kanë pasur një kompani, e cila ka mbështetur importin paralel.

 

Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë se “ADEX” ka futur mallra, të cilat mund të jenë pa fatura tatimore, pa doganë të paguar dhe skandali i 3 milionë eurove me një qytetare, që kishte abuzuar është shumë më pak sesa gjithçka ndodh çdo ditë me kompanitë e postave. Sipas të dhënave të hetuara nga Tatimet, por edhe atyre që tashmë ka në dorë policia, dhjetëra qytetarë nuk figurojnë të kenë dokumentet zyrtare për transportet e bëra dhe për vlerat e vërteta të këtyre mallrave, që ata kanë transportuar.

Pra, kompania ka favorizuar shumë nga kompanitë, të cilat punojnë në të zezë, që do të thotë se nga ana tjetër është favorizuar konkurrenca në të zezë dhe evazioni fiskal.

Duke qenë se shumë persona kanë raportuar abuzime me këtë kompani, apo me personelin e saj, një problematikë që ka lindur është fakti se atyre i mungojnë dokumentet me vlerën e vërtetë.

Pra, një furnizim që mund të ketë qenë 10 milionë lekë të rinj, figuron të jetë vetëm 2, 3 apo 1 milion lekë të rinj, vlera të cilat janë 10 herë më pak sesa realiteti.

Në këto vlera janë shmangur TVSH-ja, janë shmangur tatimet, apo nga ana tjetër nuk deklarohet fare xhiroja në total dhe kryhet një evazion i madh duke përdorur kompanitë si “ADEX”, apo firmat e tjera postare, që në vetvete janë kthyer në një problematikë për Tatimet dhe Doganat, por edhe për konkurrencën e bizneseve.

Kjo, pasi në vetvete kompanitë postare, të cilat bëjnë transportin për biznese të ndryshme, fshehin shifrat reale, ku në një efekt zinxhir fshihen të dhënat që paguhen në Tatime, TVSH-ja, tatimi mbi të ardhurat, etj., duke krijuar kështu një treg të zi, një fiktivitet që nuk fillon dhe nuk përfundon vetëm me “ADEX”-in që është zbuluar me qytetaren korçare A.B.

Vetë fakti që abuzimi i punonjëses së arrestuar ka zgjatur kaq shumë, përforcon dyshimet se kompania vetë favorizon informalitetin, fshehjen e sasive dhe vlerave monetare të mallrave që transporton dhe shpërndan.

Nga ana tjetër, janë me dhjetëra dhe qindra qytetarë, të cilët pretendojnë për problematika jo vetëm me kompaninë “ADEX”, por edhe me posta të tjera, ku shpesh përfshihen në atë që më lart e quajtëm evazion fiskal, fshehje të të ardhurave, që mund të shkojë deri në pastrimin e parave nga kompani dhe individë të caktuar, të ndihmuar këto nëpërmjet postave, si në rastin e “ADEX” dhe punonjëses së arrestuar.