Violeta Veli: Ditë pas dite në oborrin e një shkolle

207
Sigal

Violeta Veli

Mësuese në pension

Profesionin e kam dashuruar dhe puna ime pasionante më ka bërë shumë të ndjeshme ndaj problemeve të arsimit. Me ndryshimin e sistemit kanë lindur problematika sociale të pashmangshme. Dikur fëmijë të vegjël, “me çelës në qafë”, që iknin e ktheheshin vetë nga shkolla, sot fëmijë të shoqëruar nga prindër e gjyshër që i çojnë dhe i marrin nga shkolla. Shpesh shoh prindër që enden me minuta e ndoshta me orë të tëra në trafikun e Tiranës duke çuar fëmijët nga periferia drejt shkollave të qendrës me mendimin se këto shkolla janë më të mira dhe me mësues më të zgjedhur. Ata e zgjedhin periferinë për të jetuar në qetësinë dhe ajrin e pastër, por nuk e preferojnë për të shkolluar fëmijët e tyre në shkollat periferike. Pikërisht për një nga këto shkolla në mes të qetësisë, dua të përcjell emocionet e mia dhe unë sot. Një shkollë me një komunitet autokton nga shtresa të thjeshta shoqërore, ku përcillet vetëm dashuri dhe mirësi, është shkolla “IBRAHIM BRAHJA” në Saukun e Vjetër. Prej një jete kam hyrë e dalë nëpër oborre shkollash, në qytetin e Tiranës, aqsa më dukej sikur çdo oborr shkolle, mbartte, ushqente dhe fiksonte ditët, muajt dhe vitet e jetës sime. Isha mësuese, përherë mes nxënësve, përherë pranë tyre. Sot jam një ish-mësuese, një pensioniste që përditë ndodhem në oborrin e një shkolle, por tashmë nuk rend drejt saj për të hyrë në klasë për mësimdhënie. Jo, shkoj të pres të dalë nga mësimi nipin, Matiasin tim të shtrenjtë. E, teksa pres të bjerë zilja e të dalin nxënësit nga klasa, mua ish-mësueses më bën përshtypje shumëçka. Kjo shkollë 9-vjeçare, që ndodhet në Sauk është një model i përkryer i organizimit, i rregullit, i dashurisë për dijen, por njëherazi edhe për vlerat e vërteta njerëzore. Gjithçka, në oborrin e kësaj shkolle është në përpikmërinë e pastërtisë dhe të rregullit që duhet të mbartë një shkollë që ka mision të përhapë dijen, por edhe të ushqejë dashurinë për njëri-tjetrin. Duket që është një shkollë me vizion të qartë për të ardhmen, një shkollë me të gjitha standartet për “të konkuruar” çdo shkollë tjetër të kryeqytetit. Sa emocion marr çdo ditë në oborrin e kësaj shkolle! Asnjëherë nuk i shoh këta vogëlushë të dalin vetëm, krah tyre përherë është mësuesja, që i shoqëron deri në hyrjen e oborrit të shkollës, një kujdes dhe përkushtim i rrallë derisa ata takohen me të afërmit që i presin. Është e habitshme sesi fëmijët e kësaj shkolle, dalin duke ecur pranë njëri-tjetrit, pa rendur kush të dalë më parë, e ashtu me gjallërinë dhe shpërthimin e tyre, vijnë drejt meje, bashkë me Matiasin dorë për dore, më rrethojnë, më flasin dhe unë befas futem në botën e tyre dhe marr, por edhe jap veç dashuri mes këtyre vogëlushëve, që i shoh përditë, i dëgjoj përditë dhe pres më kënaqësi të bjerë zilja dhe ata të rendin për të ardhur të gjithë së bashku tek unë. Një ditë tregon dhe flet njëri prej tyre, është Erdi. Ditën tjetër është Albani, më pas personazhi i ditës është Angera, një tjetër ditë është mësuese Keti e klasës së dytë, që me shumë dashuri dhe përkujdesje, kultivon tek nxënësit vlera të larta qytetare dhe njerëzore, se si ta duan, ta respektojnë dhe ta ndihmojnë njëri-tjetrin. Është kënaqësi kur shikon një oborr të mbushur plot me nxënës në aktivitete të ndryshme edukative të shkollës dhe mes tyre mësuesit, që janë gjithmonë në krye të detyrës duke i orientuar dhe udhëhequr nxënësit e tyre. Të bën përshtypje edhe mënyra e komunikimit të mësuesve, gjithmonë të buzëqeshur, dashamirës, që përcjellin në botën e brendshme të këtyre fëmijëve dhemshuri, ndjeshmëri dhe afrimitet, që i bëjnë fëmijët më të çlirët dhe më të edukuar. Sa herë që kaloj para shkollës ose brenda oborrit të saj nuk kam dëgjuar asnjëherë nga këta fëmijë fjalë jo të hijshme, sic dëgjoj ndonjëherë në rrugicat brenda qytetit. Në oborrin e shkollës nuk di të kem parë një herë një fije shkrepëse të hedhur për tokë. Do të doja të ndaja me ju  një ndodhi të vogël, por që përcjell një mesazh të madh. Një ditë, kur dolëm nga shkolla me nipin, na humbën syzet e tij. E vumë re kur po afroheshim afër shtëpisë. Pamë rreth e qark tek rrugica pranë, por nuk i gjetëm. Nuk u kthyem për të pare në shkollë. U mërzita pak, por nuk e di pse kisha një parandjenjë që syzet do gjendeshin. Dhe kështu ndodhi…Të nesërmen në mëngjes mora vesh që syzet ishin dorëzuar në Drejtorinë e shkollës nga një djalë i klasës së tetë. Ky gjest është treguesi më i mirë i vlerave të larta që kultivon kjo shkollë tek nxënësit e saj. Çelësi i suksesit në shkollë është komunikimi. Këtë komunikim e gjejmë tek marrëdhëniet e shkëlqyera që ka ndërtuar me energjinë e saj pozitive drejtoresha e shkollës Meri Musa me stafin pedagogjik, personelin ndihmës, nxënësit dhe komunitetin e prindërve. Puna e palodhur dhe përkushtimi duket dita ditës në vijueshmërinë e suksesshme të procesit mësimor dhe edukativ të kësaj shkolle. E kështu, nga dita në ditë, teksa pres, aty në oborr, hyj në bashkëbisedim me ambjentin e shkollës, me hapat e vogëlushëve që hyjnë e dalin në të, por, që në një të nesërme do të jenë krejt ndryshe, më të rritur, më të maturuar dhe kjo shkollë, ky oborr do të mbledhë e do të mbajë të gjalla kujtimet, zërat, hapat dhe vitet e tyre të brishta. Prej një jete, kam përcjellë më qindra e me qindra nxënës nga një klasë në tjetrën derisa kanë dalë në jetë, ku hedhin hapat e tyre. Ata janë gjithkund, por janë edhe në kujtesën dhe zemrën time. Por çuditërisht, zemra qënka një glob i madh, që hapet dhe mbledh dashuri të reja, siç janë këta vogëlushë që vijnë ditë pas dite, si zogj me cicërima drejt meje, këtu, në oborrin e shkollës “Ibrahim Brahja”, në Saukun e Vjetër.

 

Bashkangjitur po ju dërgoj edhe disa foto të shkollës…