Viktor Bakillari: Moikom Zeqo, ai i dijshmi aq i madh

823
Sigal

Fliste për letërsinë frënge dhe për autorët bashkëkohorë të saj, a thua se ia kishte kushtuar karrierën letërsisë frënge

I dijshmi i madh Moikom Zeqo iku më 15 qershor 2020, në moshën 71- vjeçare.

Fjetjen e nisi fillimjave. Ishte e hënë.

Shkaku gjumit të madh: Leucemia akute.

U përcoll me nderime të mëdha edhe nga miq e shokë më 20 qershor nga qendra e Tiranës, nga Muzeu Historik Kombëtar.

Ishte Libohovit, ishte Durrsak, ishte Tiranas, Prishtinas, Ulqinak, Shkupjan, SHQIPTAR!

Materiale lidhur me jetën e tij veprimtarinë e Moikomit ka pafund.

Miq e shokë ai ka pasur që nga Shkupi në Durrës, që nga Gjinokastra në Preshevë, që nga Skrapari në Kalabri.

Ishte njohës i rrallë i muzeologjisë, arkeologjike, pikturës, letërsisë, historisë…

Po më tepër se sa të flas për veprën e Moikomit (ka shumë të tjerë që mund ta kryejnë këtë punë shumë më mirë se unë), po mjaftohem duke sjellë nja dy thagma-rrëfenja që më kanë ndodhur me të.

Kemi qenë miq!

Njohja dhe miqësia ime me të nuk ka qenë pjekallarthi.

Fillimisht e kam njohur nëpërmjet miqve të tij, Xhevahir Spahiut e Fisnik Sinës.

Më vonë u shokësuam.

Eh, sa më shikonte, më thërriste me zë të lartë: Viktor, o djalë! – pa pyetur për këmbësorët rreth e kokorreth – duke e shoqëruar të thirrmën me ngritjen dhe shpalosjen e krahut të djathtë përpjetë! …

Fillimisht, më vinte rëndë kur më thërriste, ndonjëherë dhe që nga ana tjetër e trotuarit të rrugës.

U afrova njëherë dhe i thashë.

-O Moikom i dashur, Mos më thirr ashtu në rrugë se …

M’u hakërrye me ton gjysmëserioz: -Jam në Atdheun tim; do bërtas sa të dua e do t’i thërras me sa zë kam në kokë ata që i dua… Hajde pimë një kafe … Ishte bujar në tryezë …

E pat sjellë rasti disa herë që të takoheshm me të dhe me miq të përbashkët dhe të pinim kafe.

Tryeza kur uleshe me të gumëzhinte nga biseda nga më të larmishmet. Sigurisht, ai i jepte tonin bisedës.

Në fakt, ishte pak e sikletshme të uleshe me të, sepse me erudicionin poliedrik që e karakterizonte që nga lashtësia gjer në fillimvitin 2020, ai të patakste.

U ulëm njëherë në kafene.

Më fliste për letërsinë frënge dhe për autorët bashkëkohorë të saj a thua se ia kishte kushtuar karrierën letërsisë frënge.

***

Kisha përkthyer nga frëngjishtja një libër të një sorbonisti grek (Prof. Jean G. Kersopoulos “Kronologji shqiptare” (Chronologie albanaise): Fakte historike, politike, ekonomike, të dhëna statistikore etj. që nga shek. IV para J.Kr. deri në vitin 1937.)

Duke qenë se historia e lashtësisë së Shqiptarëve ishte dhimbka e Moikomit, ma kërkoi që ta redaktonte dhe ta shoqëronte me parathënie.

Pranova me kënaqësi. Ia dhashë.

***

Vitet e fundit u rrokullisën ndryshkshëm për Moikomin.

Para disa vitesh marrim vesh lajmin e keq për sëmundjen e tij. Leucemi akute.

E takoj njëherë në udhë. Kishte blerë nja tre-katër libra e po kthehej në shtëpi.

Më thirri siç e kishte zakon nga ana tjetër e trotuarit: -Viktor, o djalë!

Iu afrova. E përqafova .

– Hë, mor Moikom!?

Më foli hapur dhe i tronditur dhe pa eufemizma: -Keq Viktor! … Shumë keq! … Kancer në gjak! …

– I dashur Moikom – ia pres duke e përqafuar. Mos u dorëzo. Mjekësia ka përparuar shumë. Ti je dru i thantë, ty të kemi si ky rrapi që kemi këtu – i thashë – dhe preka rrapin.

-Mjekët, -i dashur Viktor,- më kanë thënë se kjo ligështi agresive, në rastin më të mirë, të shkurton jetën 7 deri 11 vjet.

U mendova vetëtimthi, kruajta pak tëmthin dhe i thashë:

– Moikom i dashur. Përse mërzitesh. Ti do të jetoje 110 -vjet. Se do të të shkurtohen 10, nuk është ndonjë humbje e madhe për ty. Për ne po, po për ty, jo! Prapë qindëshin do ta kapësh.

Më hodhi duart në qafë e më përqafoi përzemërsisht.  -Më bëjnë mirë fjalët e tua, -vijoi…

***

Para disa muajsh e takoj në një nga urat e Lanës. Ishte tukequr.  Më vuri dorën e majtë mbi zemër.  Qëndroi kështu mbi pesë sekonda, a thua për të marrë energji shëruese prej meje, duke folur e pyetur…- S’ndjehem mirë, Viktor – më tha-, po vazhdoj punoj shumë… shumë… Më kanë mbetur shumë punë pa mbaruar … Kam shumë projekte të tjera në kokë…Para nja një muaji, tek po rregulloja bibliotekën, gjeta edhe librin e profesorit grek që ke përkthyer e ma ke dhënë për ta redaktuar … E shfletova … shumë interesant … do të ulem ndonjë ditë e do ta redaktoj e do të shkruaj me kënaqësi…

***

Prej 3-4 muajsh u mbyllëm nga Covid-19-a.

***

Në 15 qershor marrim vesh lajmin e mynxyrshëm …

***

Moikomi iku …

Moikomi na la …

Trupin këtu poshtë,

Shpirti? Në Qiell-là’…