Tre simbolet e Beratit, Lushnjes dhe Kuçovës nderohen me titullin “Mjeshtër i Madh”. Flasin Përparim Kovaçi, Dashnor Dume dhe Artan Bano: Vlersimi ynë, sukses për futbollin e qyteteve tona

691
Sigal

VLERËSIME/ Tre futbollistë dekorohen “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës

Ilir Meta: Janë simbole të futbollit në qytetet e tyre

Në ceremoninë e dekorimit të tre ish-futbollistëve me titullin “Mjeshtër i Madh”:  Përparim Kovaçi, Artan Bano dhe Dashnor Dume. Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta shprehu vlerësimet maksimale për kontributin e tyre në fushën e lojës dhe në bankinat e trajningut në futbollin shqiptar. “Të tre këta “Ikona” kanë diçka të përbashkët, sepse u bënë burim frymëzimi në qytetet e tyre dhe shkëlqyen në nivel kombëtar. Nuk ka qenë e lehtë, që ata të arrinin sukses, sepse në atë periudhë futbolli shqiptar dominohej nga Tirana, Partizani, Dinamo, Flamurtari e Vllaznia. Falë talentit, të tre mbetën simbole në qytetet e tyre. Kovaçi si mjeshtër në shënimin e golit, Nolja me cilësi të shkëlqyera taktiko-teknike dhe Bano si një lojtar elegant dhe me shpirt gare”.

Legjenda Përparim Kovaçi: Dekorimi im, sukses edhe i futbollit beratas

Nga Agron KAJA

Në ceremoninë e djeshme në Presidencë, gjatë dekorimit të tij “Mjeshtër i Madh”, ish-futbollisti “Legjendë” i Tomorrit Përparim Kovaçi, rrëfeu për gazetën “Telegraf” emocionet e dekorimit të tij. Më shumë se sa vlerësim personal, Kovaçi ia dedikon suksesin e tij edhe tifozërisë së Tomorrit.

Një dekorim i pritur për ju ky “Mjeshtër i Madh”?

Mendoj se është një vlerësim që më bën krenar për karrierën time, por edhe tregon se Presidenti Ilir Meta është një personalitet respektues i kësaj karriere. E falenderoj për vlerësimin, të cilin e bashkoj me tifozërinë dhe gjithë futbollin beratas.

I keni numëruar dekorimet dhe vlerësimet që u janë bërë për karrierën tuaj?

(Qesh) Natyrisht që ato janë në memorjen time si pjesa më e gjallë e karrierës sime. Unë jam vlerësuar edhe si: Mjeshtër Sporti; Mjeshtër i Merituar i Sportit; Nderi i Sportit Shqiptar; Nderi i Qytetit të Beratit; Sportisti i Shekullit në Berat; Mjeshtër i Madh; Mirënjohje për punën e suksesshme në futbollin shqiptar, nga FSHF-ja; Titulli civil nga Presidenti i Republikës për merita të veçanta në sport, dhe sot si Mjeshtër i Madh.

Sa vlen për ju kjo dekoratë, kur sot jeni në moshën 66 vjeçare?

Mendoj se nuk është mosha që e merr dekorimin. Është kontributi që unë kam dhënë në futbollin beratas dhe atë shqiptar gjatë karrierës sime. Për mua është respekt dhe moral për gjithçka.

Me këtë rast dekorimi, e sillni në kujtesë karrierën tuaj si futbollist?

Mua më vjen ndërmend karriera si një film me metrazh të gjatë, që përjetohet në çdo çast të jetës. Gjithçka që kam arritur në këtë karrierë, do të mbetet gjatë në kujtesën time, por besoj se edhe tek tifozeria e qytetit tim, të cilën e falenderoj për respektin që ka treguar e tregon për mua si futbollist i Tomorrit.

Ndërsa dekoroheni, jeni aktiv në futbollin shqiptar?

Fatkeqësisht jo. Kam disa muaj që jam shkëputur, dhe kjo për arsye shëndetësore. Nuk ndjehem mirë pa futbollin e luajtur dhe shpresoj të rikthehem sa më shpejt, natyrisht në trajningun e çdo skuadre në Berat.

E keni një peng të karrierës suaj si futbollist?

Unë kam arritur gjithçka në karrierën time si futbollist, por peng më ka mbetur aktivizimi me Kombëtaren. Jam grumbulluar disa herë, kam shënuar gola me këtë fanelë vetëm në miqësore, ndërsa nuk munda t’i bind drejtuesit e atëhershëm që të më bënin pjesë edhe në ndeshje zyrtare.

Tomorrin dhe futbollin shqiptar sot, si i përshkruan?

Futbolli sot është në progres. Ka shumë ndryshime cilësore në raport me kohën që unë luajta, por në dallim nga ajo kohë mungon shpirti i garës dhe respekti për fanelën. Tomori është në garë me kohën, pasi në vitin 2023 do të festojë 100-vjetorin e krijimit dhe e ka si objektiv ta festojë si pjesë e elitës.

Do jetë dekorimi i fundit ky për ju?

Nuk i dihet, jeta vazhdon dhe dekorimet e vlerësimet do të vijnë për sa kohë që shtetin shqiptar ta drejtojnë njerëz me vizion edhe për sportin, sikundër sot Presidenti Ilir Meta.

natyrisht që dekorimet e medaljet janë në memorrjen time si pjesa më e gjallë e karrierës sime. Unë jam vlerësuar e respektuar si futbollist dhe gjithçka që kam arritur në këtë karrierë do të mbetet gjatë në kujtesën time

KOLEGU

Agim Matrapazi: Me Rimin, loja fillonte 1-0

I pranishëm në ceremoninë e dekorimit të Përparim Kovaçit nga Presidenti i Republikës, ish-futbollisti e kapiteni i Tomorrit e bashkëlojtar me të, Agim Matrapazi (Pele), deklaron midis të tjerave edhe një fakt interesant, që e lartëson figurën e Kovaçit si golashënues. “Kovaçi është një nga futbollistët më të mëdhenj të historisë në futbollin beratas. Kam patur fatin të luaj krah tij dhe e kujtoj si një futbollist me shumë pasion në lojë. Me Rimin në përbërje, çdo ndeshje për Tomorrin niste me rezultatin 1-0. Në çdo ndeshje ku ai ka luajtur e ka treguar këtë të veçantë, dhe me të drejtë vlerësohet si një lojtar idhull për gjithë brezat e futbollit beratas”.

EMOCIONE

 Dashnor Dume: Naftëtari, zemra e këtij vlerësimi.

Pas dekorimit nga Presidenti i Republikës si “Mjeshtër i Madh”, ish-futbollisti kuçovar Dashnor Dume u shpreh se karriera e tij një ditë do të vlerësohej me këtë çmim. Ndërsa tregon se bazat e këtij suksesi kanë nisur me Naftëtarin, dhe po me të janë mbyllur: “E nisa futbollin me Naftëtarin, dhe po aty e mbylla. Karriera ime ishte e gjatë në kohë për gati dy dekada, brenda dhe jashtë Shqipërisë, por Naftëtarin e quaj zemra e karrierës. Jam i lumtur dhe e respektoj Presidentin Meta, pasi me dekorimin tim ai i ka dhënë një dekoratë edhe futbollit kuçovar”.

Artan Bano: Është dekoruar futbolli lushnjar.

Për Artan Banon, dekorimi “Mjeshtër i Madh” mbetet si një domethënie për atë çka ai ka arritur, kryesisht me fanelën e Lushnjes. Respekt dhe krenari, kështu do të mbetet për Banon ky dekorim: “Natyrisht që jam krenar sot me këtë dekorim nga Presidenti Ilir Meta. Të jesh Mjeshtër i Madh në futbollin shqiptar, është respekt e vlerësim për karrierën. Por edhe krenari, sepse sot më duket se djersa e mundi im në fushën e lojës i kanë lënë gjurmët e mira. Dhe me këtë dekoratë, e them me krenari se Presidenti ka dekoruar njëherësh edhe futbollin lushnjar”.