Thoma Goga: Vetes ja rritën “BABËZISHT”, populli ha “VARFËRISHT”…

102
Sigal

Na hëngri fjala “mesatare – mesatare”… Kjo ndodhte “në kohën tonë”, sepse nashti ka deputetë e ministra pa shkollë fare.

-Si tallen deputetët: Çdo familje shqiptare konsumon në javë “mesatarisht” 2 kg mish…

– Ata “ustallarët” e mesatares, siç duket kanë pyetur ndonjë bos që ha 4 kg mish në javë.

Eh, moj mesatare- mesatare!…Kjo punë e mesatares na hyri në gjak që kur ishim në shkollë. Prindërit dhe mësuesit na thoshin: “Mësoni që ta keni të lartë mesataren”. Sepse mbi këtë bazë fitoje të drejtën e studimit për shkollë të lartë, ose për të zënë një vend pune të mirë, për të bërë karrierë lart e më lart. Kështu “mesatarja” u bë kriter bazë për të zgjedhur më të mirët në çdo fushë të jetës. Mesatarja na dilte edhe në ëndërr. Eh, moj mesatare, mesatare!…

Kjo ishte tema e diskutimit edhe sot në lokalin tonë, ku bashkë me “kundërshtarin tim” Selim rrufisim “shqeton” tonë.

– Sa e ke nxjerrë mesataren ti Selim?

– Unë isha më i miri klasës, po ma nxorrën 7,- tha ai.

-Pse?- pyeta seriozisht.

– Sepse unë isha “kulak” e nuk lejohej ta kisha më të lartë…E ç’e doja më lartë! Unë në kooperativë do punoja me kazëm e lopatë…

 

Nejse. E kuptova ku e vërviti llafin miku im Selim. Ndaj debatin “e zbytha” në kapitullin “haberet e ditës”.

– I ndoqe lajmet e fundit mbrëmë në televizor? Po flitet shumë se do kthejnë prapë kriterin që quhet “me-sa-ta-re”. Kush ta ketë më të lartë, do bëj më lartë. Si atëherë, të kujtonet?! Shkurt, kësaj i thonë “të shkojë haka te i zoti”. Apo as nashti nuk të intereson mesatarja?!

– Ça llafos ti ‘re?! Po si do zgjidhen specialistët, se këta po e heqin fare konkursin? Ku është meritokracia? Apo e zëvendësojnë me “shkërdhatokracinë”?

– Pusho re, kulaku derrit! Heqin “meritokracinë” dhe vendosin “mesataren”. Këto punë i di qeveria…

– Lëna o Çome, mos më nga,- ma ktheu Selimi.- Na hëngri fjala “mesatare – mesatare”. Kjo ndodhte “në kohën tonë”. Nashti ka deputetë e ministra pa shkollë fare!

– Ja ku më dole në shteg. Ta dish ti o miku im, mesatarja në kohën e sotme po përdoret shumë edhe nga ca si biçim “studimesh”, – fillova të shpjegoj unë.- Ka institute që drejtohen nga “ustallarë”. Ata nxjerrin “mesataren” e rritjes së rrogave, “mesataren” e rritjes së mirëqenies, të punësimit, mesataren e rritjes së turizmit, të konsumit të ushqimit, etj. etj.

– Ça llafos ti ‘re?!- më ndërpriste Selimi. – Me një fjalë, na mbyti “mesatarishtja”.

– Dhe me “gjuhën” e tyre flasin ca palo politikanë që t’i mbushin mendjen popullit, se sot po jetojmë më mirë nga dje dhe nesër do jetojmë më mirë se sot.

Selimi bënte sikur dëgjonte me vëmendje. Tundte kokën dhe hera-herës rrufiste kafenë. Ndërsa unë dërdëllisja t’i “mbushja” mendjen mikut tim.

– E dëgjove dje atë haberin më interesant?! Çdo familje shqiptare konsumon në javë “mesatarisht” 2 kg mish…

– Ça llafos ti ‘re?! Të jetë e vërtetë?! Mos është ndonjë lajthitje! “Tolloni” im rrallë është 1 kg mish në muaj,- ma ktheu miku im,- pensionisti Selim.

– Jo, jo. Nuk është lajthitje fare. Edhe këtu kanë vënë “në punë” atë që quhet “mesatare”,-vazhdoja dërdëllisjen unë.- Ata “ustallarët” e mesatares, siç duket kanë pyetur ndonjë bos që ha 4 kg mish në javë. Kurse ti nuk ke ngrënë asnjë gram. Po të pjesëtosh 4 kg për 2 persona, i bie që “mesatarisht” edhe ti ke ngrënë 2 kg në javë. Ka “ustallarë” sot, babam!

– Ça llafos ti ‘re?! Pse kështu bëhen këto “studime”? -ngriti zërin Selimi. – Me një fjalë, kur ha ai “bosi” 4 kg mish, i bie që unë të ha 2 kg “mesatarishte”, jo mish. Domethënë, nashti që u rrit dyfish rroga e Presidentit dhe deputetëve, gjysma e përqindjes më takon mua. Sipas këtij hesapi, njëfish më është ngritur dhe mua “mesatarisht”. Kështu thua zotrote?! Hajde studime, hajde!…

– Shko ‘re “kulaku” derrit e merr pensionin! Thuaj “Faleminderit qeverisë”, që ta ka ngritur edhe ty “mesatarisht” sa një qofte me mish…,- hodha unë një shashkë.

Selimi, që ma njeh mirë gjuhën, qeshi. Tundi kokën dhe psherëtiu:

– Eh, moj mesatare, mesatare! S’m’u ndave që s’m’u ndave! Kur ishim në kooperativë më çove me lopatë. Nashti në demokraci ma ke ngritur “mesatarisht” sa një qofte në pjatë…

 

(TH.G.)         

 

Box

Deputetët përfituan rritjen më të madhe të pagave me 98%

Me votën e 95 deputetëve, edhe pse Kryeministri Rama u shpreh kundër për t’u bërë tani, u miratua me shumicë të cilësuar në Kuvend rritja e pagës për institucionet kushtetuese duke filluar me Presidentin e Republikës, qeveritarët, deputetët etj. Ligji parashikon dyfishim të pagës për këto kategori. Ndërkohë që vetëm 3 ishin kundër votat për të tre projektligjet që u çuan sot në seancën plenare për hierarkinë e re të pagave. Me 97 vota është miratuar ligji për pagat në administratë, ndërkohë që 93 vota ishin pro për ndryshimet në ligjin për “statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve”, që rrit pagat e tyre. Vetëm ky ligj i fundit kërkonte shumicë të cilësuar.  Pagat e reja do të jenë në fuqi që prej 1 prillit, ndërkohë që është marrë pëlqimi i presidentit që ligjet të dekretohen sa më shpejt. Projektligji që flet për pagat në administratë parashikon rritje të kompetencave të Këshillit të Ministrave në caktimin e pagave në sektorin publik, ndërkohë që u përcaktuar dhe skema e re e rritjes së pagave për administratën publike me referencë pagën e presidentit, si më e larta. Miratimi i ligjit të fundit erdhi prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që kërkonte rivendosjen e hierarkisë së pagave.

Rritja e pagave për ministrat dhe deputetët u bë me propozim të vetë deputetëve nga mazhoranca dhe opozita gjatë diskutimit të projektligjit në komisionet parlamentare. Ndërkohë që Qeveria kërkonte, ashtu siç edhe Kryemninistri tha sot se rritja për deputetët dhe anëtarët e Qeverisë të bëhej në një moment të dytë. Kreu i qeverisë nuk mori pjesë në votim. Nga ana e ligjvënësve vetëm 3 ishin ata që votuan kundër si Petrit Doda, Bujar Leskaj dhe Dashnor Sula, me këtë të fundit që e quajti rritjen të lartë dhe të pajustifikueshme.

Reforma e pagave e nisur nga qeveria duket se fillimisht do të japë efektin më të madh tek paga e funksionarëve të lartë dhe më pas në kategoritë e tjera të punonjësve publikë. Me ndryshimet e fundit që iu bënë ligjit të pagave, deputetët përfituan rritjen më të madhe me 98%, ndërsa pas tyre vijnë ministrat me 82%.  Rritje me 72% pësoi edhe kryeministri, ndërsa presidenti me 65%. Edhe për punonjësit e tjerë të administratës fillon një rritje e përgjithshme nga 10 – 35 mijë lekë. Në paketën e saj ambicioze prej 38 miliardë lekësh qeveria premton se deri do t’i dyfishojë pagat për sektorë. Sa i përket pensionistëve, qeveria ka premtuar vetëm indeksimin në tetor dhe nuk ka parashikuar më bonuse.

Në fjalën e tij në seancën e sotme plenare, Kreu i qeverisë Rama argumentoi se me reformën e pagave, Shqipëria do të ngjitet në nivelin e lartë të rajonit për pagat. Në përgjigje për opozitën përmend një shprehje të At Gjergj Fishtës.

“Të tjerat janë dokrra hini. Të njëjta dokrra që kemi dëgjuar qysh kur kemi filluar punën dhe qysh kur i kemi filluar këto përpjekje. Ne i hapim rrugë një procesi që në prillin e ardhshëm na çon në 900 euro pagë mesatare. Sipas të gjitha gjasave me këtë parashikim ne ngjitemi në nivelin e lartë të rajonit.”, tha Rama.

Kryeministri artikuloi se PS e kishte në plan prej kohësh këtë reformë por u pengua nga faktorë që nuk ishin parashikuar si tërmeti, pandemia dhe lufta. Sipas tij, nuk duhet të ketë debat për këtë çështje pasi thotë se qeveria po bën rritjen më të lartë historike të pagave.

Për rritjen e pagave të deputetëve dhe ministrave, argumentoi se në asnjë vend të botës nuk ka prokurorë e mësues që paguhen më shumë se ligjvënësit. Po ashtu, u ndal edhe te deputeti Dashnor Sula, i cili qëndroi në të njëjtën linjë me Jorida Tabakun e Gazment Bardhin se administrata e meriton rritjen e pagave por është e vonuar.