Thanas L. Gjika: Kisha e Shën Gjergjit monument dallies i Korçës

305
Sigal

Kisha e Shën Gjergjit u krijua në qytetin e Korçës me ndihmën financiare të testamentit që kishte lënë biznesmeni korçar i Rumanisë, Anastas Avramidh Lakçe (1821-1890). Sulltan Hamiti e dha lejen e ndërtimit të kësaj kishe me disa vjet vonesë dhe pasi filluan punimet, ai i ndërpreu ato disa herë. Punimet për ndërtimin e saj u kryen prej ustallarëve vendës duke përdorur gurë të skalitur, të cilët në dy breza ishin të lidhur mirë me kllapa mashkull-femër, sepse në atë kohë ende tek ne nuk përdoreshin brezat e betonit. Gurët e saj në ngjyrë gri të çelur u nxorrën nga i njëjti madem prej të cilit ishin nxjerrë e krijuar edhe shumë gurë të skalitur e shtylla zbukurimi për ndërtime të mëparshme, si dhe më vonë u përdorën për ndërtimin e Bankës së Shtetit Shqiptar në vitin 1928. Nuk dihet nëse projekti ishte krijuar prej ndonjë arkitekti vendës, apo ishte përmirësim në rrugë praktike i projekteve të kishave të vjetra shqiptare prej ndonjë kryeustai. Deri sot nuk dihen emrat e ustallarëve, as emri i kryeustait, që drejtoi punimet dhe as emri i arkitektit projektues. Ndoshta emrat e tyre mund të kenë qenë shënuar në kodikun e kishës, i cili nuk dihet ku përfundoi pas vitit 1967, viti i mbylljes së kishave, xhamive, teqeve dhe institucioneve fetare.

Në pjesën e jashtme të ndërtesës, në të majtë të dhomës së shenjtë (ajodhimës) ustallarët ndërtuan varrin ku u vendos trupi i balsamosur i dhuruesit, të ndjerit A. A. Lakçe, që u soll nga Bukureshti. Arkëmorti ishte i mbuluar me xham të trashë që mund të lejonte shikimin e fytyrës dhe trupit të balsamosur pasi zbrisje disa shkallë.

Kupola e kishës që ndriçonte nga lart sallën kishte formën e rrumbullakët dhe dimensionet e kupolave të vjetra shqiptare të trashëguara nga koha e hershme e krijimit të kishave Bizantine. Lartësia e kupolës ishte afërsisht sa një e treta e lartësisë së godinës, kurse diametri i saj ishte sa një e katërta e gjerësisë së sallës së kishës. Kjo kupolë ashtu si kupola e Kishës së Shën Marisë e Labovës së Kryqit e ndërtuar në shek VI mbas Kr. kishte lartësi e gjerësi mesatare. Ajo nuk ishte e ulët dhe e gjerë si kupolat e kishave greke dhe as e lartë si kupolat e kishave rumune, serbe e ruse (kishat ruse i kanë kupolat edhe më të larta e më të ngushta se kupolat e kishave rumune e serbe, prandaj kanë nga dy ose tri kupola).

Punimet për ndërtimin e kishës së Shën Gjergjit vijuan gjatë viteve 1899-1905, sepse sundimtari turk, për të penguar e për të marrë ryshfete i dërgonte letra Sulltanit me ankesën: “Kaurët e qytetit nuk po krijojnë një kishë, po një kala për të na luftuar”. Pasi paguheshin pare të tjera tek Sulltani e tek sundimtari turk i Korçës punimet rifillonin, e më pas ndërpriteshin, e pas ryshfetesh të tjerë, rifillonin, derisa përfunduan më 1905. Inagurimi i saj u organizua në qershor të vitit 1905. Këtë datë ma ka thënë nëna ime (Meropi), së cilës ia kishin thënë nëna dhe gjyshja e saj, se kishte lindur ditën kur u inagurua (sinaps) Kisha e Shën Gjergjit, më e madhja kishë e Ballkanit, që kishte mbetur ende nën sundimin e Perandorisë Turke.

Hulumtuesi i veprave të ikonografëve dardharë, Z. Arian Çika, më sqaroi se punën artistike për kompletimin e mureve të kishës së Shën Gjergjit me piktura murale dhe ikona të artit biznatin e pati drejtuar ikonografi i talentuar dardhar Vangjel Zengo. Nën drejtimin e tij punuan dhe vëllezërit e tij bashkë me ikonografin tjetër të talentuar, bashkëfshatarin, Pandi Gjino dhe me disa të tjerë.

Kisha e Shën Gjergjit ka histori jo vetëm përsa i përket ndërtimit, por edhe funksionimit dhe prishjes së saj…

Në këtë kishë u thye për herë të parë tradita e mbajtjes së meshës në gjuhën greke, traditë e imponuar gjatë shekujve prej Patrikanës së Stambollit. Në qershor të vitit 1909 në këtë kishë u mbajt mesha e parë në gjuhën shqipe, pa marrë lejë te dhespoti (peshkopi grek Jakovi), i cili pas kësaj ngjarjeje ripërsëriti urdhërin dhe mallkimet që të mos mbaheshin askund meshë në gjuhën shqipe. Atdhetarët korçarë të drejtuar prej Mihal Gramenos, Pandeli Cales etj, krijuan shoqërinë “Lidhja Orthodhokse” dhe filluan më 10 /23 korrik 1909 botimin e gazetës me të njëjtin emër. Me anën e kësaj shoqërie dhe të gazetës së saj u bënë përpjekjet për njohjen e të drejtave fetare të besimtarëve shqiptarë ortodoksë. Në këtë gazetë Mihali shkroi e botoi kërkesën që Shoqëria “Lidhja Orthodhokse” ia drejtoi Patrikut të Stambollit, Joakim i III, për t’ua njohur besimtarëve të krishterë ortodoksë shqiptarë të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në kishat e tyre. Kërkesa nuk u muarr parasysh. Ndërkohë dhespoti, peshkopi grek i Korçës, Jakovi, mundi ta pengonte mbajtjen e meshëve dhe ceremonive fetare në kishat e qytetit deri në mars të vitit 1914, kur Korça kaloi nën administrimin e qeverisë së pavarur të shtetit Shqiptar.

Në qershor të vitit 1922 në këtë kishë At Fan Noli u dorëzua Peshkop. Në janar të vitit 1931, kur ra tërmeti dy kambanoret e saj u dëmtuan dhe u puqën me njëra tjetrën. Klerikët dhe populli kishin frikë të kryenin ceremonitë fetare se mund të ndodhte shembja e kambanoreve dhe krijimi i viktimave. Atëhere usta Loni Vasil Trebicka djalë 20 vjeçar, nipi i tim eti, doli vullnetar dhe realizoi çmontimin e dy kambanoreve nga lart poshtë pa vinç duke ndërtuar skela prej druri. Ai i mbylli dy pjesët e çatisë ku ishin ngritur kambanoret, kështu që dëmtimi nuk dukej më as nga jashtë as nga brenda. Në qershor 1931 rifilloi mbajtja e meshëve dhe e ceremonive fetare në këtë kishë, gjë që vijoi deri në vitin 1967, kur “nëna parti” duke e maskuar veten prapa “Inisiativave të rinisë” shpërtheu hapur luftë kundër besimeve dhe institucioneve fetare.

Deri në vitin 1966, kur ende lejohej puna private, anës avllisë së kësaj kishe në anën e rrugës kryesore rrinin që në mëngjez ustallarë të ndryshëm, ata që nuk kishin dyqanet e tyre, si muratorë, bojaxhinj, marangozë, ndërtues pusesh uji, punëtorë për prerje pemësh, etj. Aty ishte tregu i krahut të punës. Aty shkonte dhe im atë para se të fillonte punë si murator për mirëmbajtjen e godinave dhe avllive të Ndërmarrjes Parku i Automjeteve. Qytetarët që kishin nevojë të ndreqnin çatitë, ose avllitë, ose dritaret a dyert e dëmtuara, ose të lyenin shtëpitë, ose të prisnin pemë të mëdha, a të hapnin puse, ose të punonin kopshtet e tyre, shkonin aty dhe pajtonin me mëditje (pagë ditore) ustain ose punëtorin që u nevojitej.

Për të realizuar urdhërin e “nënës parti” në vitet 1968-1969 Komiteti Ekzekutiv i Korçës prishi tre munomente fetare të qytetit: Kishën e lashtë të Shën Marisë, e cila ishte krijuar që në shek. XIII, kishë e rallë me një dhomë të nëndheshme (qimitir), Kishën e Shën Gjergjit dhe Kishën e Mitropolisë. Të tilla ndërtesa i jepnin pamje unikale qytetit të Korçës, qytet që ishte krijuar që nga koha e pushtimit bullgar (shek X-XIII). Krijimi i qytetit të Korçës vërtetohet nga emri i vet, që buron nga fjala bullgare “goricë”, nga ekzistenca e kalasë që ishte ndërtuar me gurët e lumit aty pranë dhe nga kisha Shën Mari me qimitir e ndërtuar në shek XIII. Kishë me qimitir nuk krijoheshin në fshatra, por vetëm në qytete, sepse në dhomën e nëndheshme i ruanin eshtrat e të afërmëve të tyre vetëm pasanikët e qytetit.

Për demagogji regjimi komunist i justifikoi barbarizmat e veta antifetare me disa veprime mashtruese: Prishjen e kishës së lashtë shtatëshekullore e justifikoi me nevojën e shpërnguljes së vorrezave jashtë qytetit në pjesën lindore dhe me krijimin e Kombinatit të Trikotazhit e të një lulishteje te vendi i vorrezave dhe i kishës së Shën Marisë. Prishjen e Kishës madhështore të Shën Gjergjit e justifikoi me nevojën e krijimit të një biblioteke të re në qytet. Prishjen e kambanoreve dhe të kupolës së kishës së Mitropolisë e justifikoi me nevojën për ta përshtatur godinën e kishës, si godinë për Muzeun e Artit Mesjetar. Kurse prishjen e godinës gjashtëkatëshe, më të lartën e qytetit, që kishte formë vapori, “godinë me arkitekturë borgjeze”, e justifikoi me nevojën e hapjes së sheshit të ndërtimit të godinës së Komitetit të Partisë së Rrethit. Prishja e këtyre monumenteve, simbole të qytetit, kur kishte vende të tjerë për ndërtimin e objekteve të rinj për zhvillimin industrial dhe kulturor, ishte tregues i mendjeshkurtësisë së sistemit diktatorial. Ai sistem totalitar luftoi të imponohej si sistemi shoqëror më i përsosur, që u dha formën e vet socialiste qyteteve shqiptare, pra edhe qyteteve si Shkodra e Korça, që kishin marrë formën e tyre gjatë historisë shumë shekullore.

Arkitekti i talentuar Petraq Kolevica, i cili mori përsipër krijimin e projektit të bibliotekës së re të qytetit, pati kurajon, që sallën e madhe të leximit dhe sallën shkencore që i vendosi në katin e dytë, t’i krijonte me mure pa dritare. Ndriçimin e tyre ai e siguroi me dritare në tavan, për të krijuar idenë e ardhjes së dritës nga qielli, si vinte nga kupola e dikurshme e kishës që kishte qenë në atë vend.

Mirëpo Ing. Spiro Koleka, Zv/Kryeministër i RPSH, gjatë një vizite në Korçë, kur kaloi në bulevard dhe pa godinën me dritare në katin e parë, por pa dritare në katin e dytë, ulëriu dhe tha se kjo godinë ishte shprehje e “qafleshëve” në arkitekturë. Ishte koha kur Mehmet Shehu, Kryeministri i vendit, kishte dalë me gërshërë në dorë në bulevardin e Tiranës dhe u priste flokët e pantallonat djemve, që mbanin flokët e gjatë e pandallona të ngushta bluxhins. Kështu dhe Zv/Kryeministri, për të qenë në unison me Kryeministrin dha urdhër që të hapeshin dritare të mëdha edhe në katin e dytë të godinës. Urdhëri i tij u zbatua dhe arkitektura e biblioketës së re u shëmtua, duke ia prishur të veçantën e saj.

Prishjet e këtyre tre monumenteve madhështorë të qytetit të Korçës, bashkë me prishjen e pallatit në formë vapori të familjes Çekani, përbëjnë disa nga masakrat më të mëdha të diktaturës komuniste në fushën e trashëgimisë së arkitekturës dhe të kulturës në plan kombëtar. Shëmbeshin monumentet e kohëve të lashta dhe monumentet e kohës së Rilindjes Kombëtare, të krijuar me ndihmat e mirëbërësve shqiptarë. Nuk merrej parasysh dëmi ekonomik e ai i trashëgimisë, mjaftonte që të krijohej ideja se “nëna parti” ishte arkitektja e vetme shpirtërore dhe materiale për krijimin e Shqipërisë së re dhe të njeriut të ri.

Mbas vitit 1992, Mitropolia e Shenjtë e qytetit të Korçës e drejtuar prej bariut të mirë, Peshkopit Joan, në bashkëpunim me besimtarët e qytetit ndërmori nismën e rindërtimit të Kishës së vogël të Shën Marisë bashkë me një dhomë të nëndheshme te lulishtja pranë vendit ku kishte qenë kisha e lashtë. Kurse tani, para një viti, po ky institucion fetar mori vendim për kthimin në identitet të kishës së Mitropilisë dhe kalimin e ikonave të Muzeut të Artit Mesjetar në një godinë tjetër. Për ta realizuar si duhet këtë nismë u hap fushata për mbledhjen e ndihmave financiare në rrugë vullnetare prej qytetarëve. E përshëndeta dhe unë këtë nismë duke dhënë ndihmesën time modeste.

Shpresoj se deri sot populli i Korçës e ka mbledhur shumën e nevojshme për rikthimin e Kishës së Mitropolisë në identitet.

Ndërkohë realizimi i nismës së mërgimtarëve dardharë në SHBA, të cilët nën kujdesin e Z. Franklin Zdruli, grumbulluan shumën e nevojshme për ndreqjen dhe rikonstruksionin e Kishës së Shën Gjergjit në fshatin Dardhë të Korçës, më jep kurajën të shpreh mendimin që ne, mbi dhjetëmijë kryefamiljarë korçarë të shpërngulur në SHBA, të bashkuar pa dallim fetar, nën kujdesin e Federatës Panshqiptare VATRA e në marrëveshje me Mitropolinë e Shenjtë të Korçës, të hapim një fushatë për të mbledhur ndihmat e nevojshme për rikrijimin e kishës madhështore të Shën Gjergjit. Kjo dhuratë, që ia fali një mërgimtar i vetëm qytetit të lindjes, por që ia shkatërroi diktatura komuniste, nuk duhet t’i mungojë Korçës Plakë si i ka munguar prej më se 50 vjetësh.