Të vërtetat e pathëna të Flamurit të Pavarësisë

1524
Sigal

Flamurin Kombëtar që u ngrit në Vlorë e sollën delegatët e Durrësit. Si mbrriti në Shqipëri nga Don Aladro dhe Princ Gjika. Shënimet nga Eqerem Vlora, qëndistarja Marigo Pozio, ardhja e Ismail Qemalit në Durrës, udhëtimi drejt Vlorës, pritja dhe çfarë u deklaroi delegatëve

Flamurin që u ngrit në Vlorë e sollën delegatët e Durrësit. Flamuri kombëtar hyri në Shqipëri nga don Aladro dhe princ Gjika

Për herë të parë, të vërtetat e pathëna të Flamurit të Pavarësisë


Nga Vepror Hasani

Nuk kishte më kohë. Pas një mbledhjeje të rrufeshme në Bukuresht të Rumanisë u nisën drejt Shqipërisë. Printe Ismail Qemali bej Vlora! Krah tij qëndronin Luigj Gurakuqi, Pandeli Cale, Habdi Toptani, Dh. Zografi, Spiridon llo, Imzot N. Kacori etj. Të gjithë ishin të emocionuar. Gjendeshin pranë një akti madhor. Shqipëria do të shpallej e pavarur. Flamuri do të ngrihej në një nga qytet e mëdhenj të Shqipërisë, ende nuk dihej saktësisht cili do të ishte qyteti që do ta kishte atë fat. Shpesh duket sikur gjërat janë të shkruara. Ata që u nisën drejt atdheut, ishin misionarët e realizimit të saj. Gjithçka ishte bërë gati. Në valixhet e tyre gjendej edhe Flamuri i Pavarësisë. Pa flamurin e qëndisur kuq e zi nuk mund të shkonin asgjëkund, ashtu siç nuk mund të shkohet në dasmë pa gjetur më parë nusen. Flamuri shqiptar kishte ekzistuar vazhdimisht, ai gjendej gjithnjë diku. Faik Konica e kishte vendosur shqiponjën në faqen e parë të gazetës “Albania”. Edhe për mbledhjen e Bukureshtit u përgatit një flamur kuq e zi. “Në rasë të kësaj mbledhjeje kolonia shqyptare e Bukureshtit goditi edhe një flamur të ri të mëndafshtë, iniciativën e të cilit e kishin marrë zotërinjtë Asdren e Daniel Zografi”. (Revista Leka 1937, nr. 8-10, f. 419). Por për shpalljen e pavarësisë kërkohej një flamur i veçantë, më i bukur se kurrë ndonjëherë, i qëndisur me fije ari dhe shqiponjë dykrenare, që kur të shpalosej në ajër, flladi i saj të ndihej në çdo familje shqiptari. Flamurin kombëtar e sollën në atdhe don Aladro me princ Gjikën, dy adhurues të mëdhenj të Shqipërisë.

Dona Aladro dhe princ Gjika edhe në Korçë

 

Don Aladro dhe princ Gjika ishin të njohur edhe në Korçë, së paku që nga viti 1901; ndihmonin me të holla mësonjëtoren e parë shqipe. Kur shkolla rrezikoi të mbyllej nga qeveria turke, drejtori i saj Nuçi Naçi mori të gjitha masat që në shkollë mos gjendej asgjë e dyshimtë: “U-muarë masa të forta atëherë nga z. Nuçi që në kohën kur të bastiseshe shkolla ose shtëpij’ e tij, të mos gjendeshin gjëra të arësyeshme për mbyllje të shkollës. Dyshemeja e direksisë (drejtorisë) së shkollës u-bë depo e vivllavet që ndiqeshin prej qeverisë turke, e gazetavet si edhe e çdo farë dokumenti që munt të shkaktonte mbylljen edhe burgimin, me zbulim të mfshehtësivet që kishte shkolla edhe që nuku duhej t’i dinte qeverija turke. Letërkëmbimet e direktorit me Princ Aladron, me Princ Gjikën, me Lumo Skëndon e me të gjitha shoqëritë, u mfshehnë në atë dysheme ku vetëm Nuçi e dinte mfshetësirën. Fjalimet në treg ose në kafene të Naçit me miqt’ e ditur’ shqiptarë u-prenë; çdo pjekje bënesh netëve në vise të shënuarë, që prej një a dy dit më parë. Ndihmat që mblidheshin në Korçë u-prenë, po Naçi gjeti burime të tjerë: Aladrua i dërgoi 1,000 fr. ari, Gjika 500, edhe 1,000 i dërgoi i ndjeri Vasil Terpo, kështu që financiarisht ishte siguruar çelja e vitit shkollar 1901-1902”. (“Diturija”, v. 1927, nr. 5, f. 174). Nuk është çudi që edhe shqiponja e gdhendur prej atdhetarit korçar Abedin Tyxhari të ketë pasur si model shqiponjën e don Aladros dhe princ Gjikës, pasi janë tepër të ngjashme, me atë model shtëpia e tyxharëve qëndisi shumë flamuj.

Eqerem Vlora: Flamurin e mora nga don Aladro

 

Edhe “Bejlerët e Vlorës thoshin se flamurin ua kishte dhuruar don Aladro Kastrioti…” (“Marigo Posio” Zeko Braho, Tiranë 1990, f. 19). Madje, pretendimi i tyre ishte se kishin qenë ata që që ia kishin dorëzuar Ismail Qemalit. Mirëpo Eqerem bej Vlora, biri i Syrja bej Vlorës, zbulon një të vërtetë tjetër: “Në vjeshtën e vitit 1909, gjendesha në Paris. Këtu pata rastin të takohem me të ndjerin Don Aleandro, i cili me ndjenjat e lavdërueshme filoshqiptare që kish, ndiqte edhe fantazinë e mbretërimit të tij në Shqipëri. Bashkë me mua ishte edhe Eqerem bej Libohova. Në rast të një gostie që na dha Don Aleandro na fali të dyve një Flamur kombëtar, edhe na tha që sigurisht këto flamurë do të ngrihen ndonjë ditë në Shqipërinë e lirë. Flamurin që më përkiste mua e ruajta dhe e mbajta për vehte. Në gusht 1912 kur erdha në Shqipëri, e solla dhe e mbajta në kokën e shtratit tim. Kurse në vjeshtë 1912, kur dolën andarët e Greqisë në Himarë, shkova me vetdashësit e Labërisë, në ato Malësitë për t’iu bërë ballë. Kështu nuk u gjenda dot në Vlorë më 28/XI/1912. Atë ditë u kërkua për t’u ngritur një flamur. Po meqë nuk kish njeri në Vlorë flamur kombëtar, Z. Hydai Myftiu (sot mësues në shkollën italiane në Vlorë) shkoi me vrap në shtëpinë time. Ky flamur, pasi u përdor për disa ditë, iu dorëzua znjs. Mehmet Ali Pasha Delvinës, e cila banonte në atë kohë në shtëpinë time”. (Marrë nga Syrja bej Vlora “Kujtime nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës). Më pas, qeveria vorioepiriote e Delvinës e gjeti flamurin në shtëpinë e Mehmet Ali Pashë Delvinës edhe e dogji.

Edhe në Veri, flamurë të Aladros dhe të Gjikës

 

“Që prej vjetës 1900 deri në vj.1914 flamuri,- të thuesh, i panjoftun prej shumicës së shqyptarve, – depërton nëpër fusha e nëpër male e shikjohet me nderim e ruhet me kujdes. Aladro-ja në njënën anë e Princ Gjika në tjetrën, tuj ba propagandë gjatë kësaj kohe me agjenta të vet, njallin dishirin për liri e dashtnin për flamur. Shpija e Lecit të Pashko Shkjezit në Kotorr bahet qandër përpjekjesh për shqyptarë. Aty gjen atdhetari, përbujtje (mikpritje) e pëkrahje. Aty, posaçe (posaçërisht) Aladroja, depoziton flamuj, dhanti, armë e municjone, e Leci, tuj vu në rrezik vedin e pasunin e vet, u rrin gati shqyptarve me gjithshka, tuj mbajtë korrispondencë të padame (të vazhdueshme) me atdhetarët e vërtetë mbrenda e jashtë Shqypnijet. Veprimi i palodhshëm i Aladros e i Princ Gjikës bani që shqyptarët ta ndjeshin vedin moralisht e fizikisht të fortë për me i ba ballë anmikut të 500- vjetëve”. (Hylli i Dritës”, nanduer 1937, nr.11, f.517). Dhe që nga ai çast flamuri shqiptar u pa në gryka malesh, në lugina, përrenj e fusha betejash. Luftëtarët përuleshin para tij të malluar, drithëroheshin, e puthnin, lotonin dhe thërisnin: “Rroftë Shqipëria!” Tashmë askush nuk do t’i ndalte dot më shqiptarët. Në vitin 1902 atdhetarët shqiptarë të Parisit morën përsipër përhapjen e flamurit kombëtar në Shqipëri. Në mbledhje mori pjesë edhe Dom Ndoc Nikaj, prej andej u kthye bashkë me Mark Çetën me qëllim përhapjen e flamujve në veri të Shqipërisë. Nikaj solli edhe dy flamuj të mëdhenj.

Qëndistarja Marigo Pozio

 

Tashmë flamujt e don Aladros dhe të princ Gjikës gjendeshin kudo; në jug e në veri. Më pas, për përgatitjen e flamurit të pavarësisë u përmend edhe emri i qëndistares Marigo Pozio, por rrëfimet e treguara për të mbetën jo bindëse, sepse ajo asnjëherë nuk e ka pohuar me gojën e vet. Sipas përshkrimeve të shtypit, Marigoja në vitet ’30, banonte në Vlorë, në rrugën “Justin Godard”, ishte e martuar me z. Jovan Pozio, kishin edhe një dyqan. Marigoja ishte një grua e hollë, mesatare, me vështrim të ëmbë, plot gjallëri dhe e qeshur. Ishte e shkolluar, i pëlqente të lexonte, shkruante poezi dhe botonte te gazeta “Shpresa Kombëtare”, organ i shoqërisë së grave më të njëjtin emër, krijuar në vitin 1914, ku Marigoja ishte sekretare, ndërsa zonja e Syrja bej Vlorës, kryetare. Ja disa vargje prej zonjës Pozio:

“Do vinjë prapë, do vinj

, Do vinjë vera, behari,

Bima, lulea të mbinjë,

Të marrë shpirt Shqiptari…”

Por ajo, në asnjë rast, edhe pse kishte mundësi botimi, nuk e shkroi asnjëherë me dorën e vet se flamuri që u ngrit në Vlorë nga Ismail Qemali, ishte i saj. Gjithashtu, bashkë me gratë e tjera, Marigoja ndihmoi muhaxhirët që gjetën strehë te Ullinjtë e Vlorës, por kjo shoqëri (Shpresa kombëtare) nuk e pati jetën të gjatë; me largimin e princ Vidit dhe fillimin e luftës, shoqëria u shpërnda dhe fletorja (gazeta) u mbyll, për t’u themeluar përsëri më 23 janar 1921. Me krijimin e shoqërisë u çel edhe gazeta, e cila u drejtua nga Marigo Pozio. Fundi i jetës së saj qe mjaft i dhimbshëm: “Zonja Marigo tashmë ishte mplakur dhe nuk munt të punonte më me vrullin e dikurshëm. Përveç pleqërie, sëmundjet e mjerimet familjare nuk e linin të qetë. Dy vajza dhe biri i vetëm i vdiqën nga tuberkulozi. Jovani, i shoqi zemër-bardhë, që për disa vjetë me radhë mundohej të përkrahë veprimtarinë e saj dhe të ndihmojë çështjen kombëtare, vdiq po prej kësaj sëmundjeje. Më në funt, bacilet e Koch-ut nisën të brejnë edhe mëlçinë e Zonjës Marigo. E varfër sa s’bëhet, s’kishte asnjë mjet për t’u mjekuar. Me kohë humbi edhe dritën e syve, dhe pesë a gjashtë vjet përpara, vdiq në Tiranë në një gjendje të vajtuarshme. Për varrimin e saj u përkujdes i kunati, Kristo Floqi”. (Përpjekja shqiptare, 13 janar 1938, nr. 13, f. 10).

Për Flamurin e Marigosë flasin të tjerët

 

Mbi të gjitha, Marigo Pozio ishte qëndistare e zonja, gjithë jeta e saj kaloi mes qëndisjeve të shumta, punonte deri në orët e vona të natës, por për flamurin e saj flasin të tjerët dhe jo vetë Marigoja. Sipas Koli Rodhes, Marigo Pozio, në verën e vitit 1911, me pretekstin se do të mjekohej, shkoi në Korfuz, ku u takua me nacionalistët e kolonive shqiptare, dhe përfaqësues të shoqërisë “Besa-besën” të Amerikës. Vëllëzërit, Kola dhe Thoma Katundi, i dorëzuan znj Marigo një flamur të qëndisur në ar e në mëndafsh me gjithë shtizë dhe një shkabë të çeliktë që kishte kushtur 140 dollarë. Ngjarja mund të jetë e vërtetë, po shtiza e flamurit përse duhej?! Në vitin 1911, kur malet po mbusheshin me flamuj dhe gjithkush kontrollohej në dogana dhe udhëkryqe, nuk ishte e lehtë të sillje nga Amerika një flamur me gjithë shtizë, ashtu siç nuk ishte e lehtë as ta çoje në Vlorë me gjithë shtizë. Megjithatë, sipas Koli Rodhes, Marigoja e veshi në trup flamurin dhe e çoi në Vlorë: “Një vit më pas këtë flamur ia dhuroi Ismail Qemalit për ta ngritur më 28 nëntor në ballkonin e Xhemil Beut”. Edhe kështu mund të ketë ndodhur, por nga e dinte Marigoja që një vit më pas do të ngrihej flamuri në Vlorë, kur as vetë Ismail Qemali nuk e dinte, kur do të ndodhte pavarësia dhe në cilin qytet do të ngrihej flamuri. Megjithatë, më pas, shërbëtorja e saj pohoi tjetër gjë: “Flamuri i Amerikës që suallëm prej Korfusi i ësht dorëzuar Llambi Bimblit e Kol Rodhës, i paprekur, kur këta po niseshin për në Korçë”. (Përpjekja shqiptare, 13 janar 1938, nr. 13, f. 12).

Thina Ferra, shërbëtorja e Marigosë

 

Pas mohimit të versionit të Koli Rodhes, Kristo Floqi (kunati i Marigosë) solli një variant të dytë, sipas tij, historinë e flamurit ia kishte treguar shërbëtorja e Marigosë: “Flamuri që ngriti për të parën herë Ismail Beu – më tha zonja Thina Ferra – e ka pikturuar me bojë të zezë vetë Marigoja. Bile, këtë flamur unë vetë e kam ngrohur pranë mangallit që ta thaja sa më parë. “Shpejt, Thinë, – më thoshte e ndyera Zonjë,- pse Ismail Beu e do përtashi pas drake”. Shërbëtorja e plotëson rrëfimin e saj edhe me një sqarim tjetër: “Flamuri që bëmë ne nuk ishte krejt i kuq, por pak si i zbardhur, në bojë të specit. Po atë ditë kemi pikturuar edhe shumë flamuj të tjerë për t’ia shpërndarë popullit. Kishim edhe një shqipe të vogël që e lyenim me bojë te zezë dhe iu vulosnim qylafët e bardhë të gjithë lebërve që muarrën pjesë në manifestime”. (Përpjekja shqiptare, 13 janar 1938, nr. 13, f. 12). Por edhe ky version: “Shpejt Thinë, – më thoshte e ndyera zonjë, – pse Ismail Beu e do përtash pas darke”, nuk është bindës, sepse përpiqet të krijojë idenë sikur vetë Ismail Qemali kishte porositur Marigonë t’i pregatiste flamurin e pavarësisë, gjë që nuk është e vërtetë, sepse, siç do ta shohim më poshtë, Ismail Qemali nuk kishte ndërmend ta ngrinte flamurin në Vlorë, por në Durrës. Nuk mund të jetë e vërtetë as thënia: “Po atë ditë kemi pikturuar edhe shumë flamuj të tjerë për t’ia shpërndarë popullit”, sepse shpërndarja e flamujve kombëtarë nuk ishte kaq e lehtë kur pavarësia ende nuk kishte ndodhur dhe Shqipëria nuk njihej si shtet i pavarur. Veç kësaj, Eqerem bej Vlora, pohon se ditën që u ngrit flamuri i pavarësisë, në qytet nuk kishte asnjë flamur kombëtar, ndaj shkuan ta merrnin në shtëpinë time. Flamuri ekzistonte kryesisht nëpër çeta luftëtarësh.

Mbajta e flamurit, e rrezikshme

Të mbaje haptas flamurin kombëtar para shpalljes së pavarësisë, nuk ishte e lehtë. Më 1904 kur në Shkodër vdiq atdhetari Zef Shirqi, djalë i ri, Kol Kodheli me shokët e vet deshi t’i hidhte flamurin sipër arkivolit, por kur kuptuan se kjo gjë ishte me rrezik, e zbukuruan me shirita kuq e zi. Në vitin 1906, kur Ded Gjo’ Luli dërgoi njerëz te Alado Kastrioti të merrnin një flamur të madh kombëtar për çetat e tij, u pa se rreziqet ishin të mëdha. U tentua disa herë, por ai që e solli ishte Preloc Preka, i cili e qepi nën astarin e jelekut. “Flamuri i Dedës kje i madh ma se 2 m. i gjatë, me tufa arit anash”. (Hylli i Dritës, 1937, nr.11, f. 518). Për ngritjen e flamurit shrytëzoheshin rastet e volitshme. Më 1908, ditën e lindjes së perandorit të Austrisë, Lec Shkjezi gjeti rastin që bashkë me flamujt e vegjël të Austrisë të vinte në ballë të shtëpisë edhe një flamur të madh kombëtar 2.5 metra të gjatë. I pari që përdori flamurin kombëtar faqe turqve (duke shfrytëzuar konjukturat politike), ishte Emz. Bernardin Shllaku. Më 8 janar 1910 u emërua ndihmës ipeshkvis i Pultit. “Në stemë të vet, qe e vënë në ballë të kishës, ku shugurohet, si edhe në derë t’ipeshkvis, ku banon e ndër vula të veta, ka të piksuem flamurin e Shqypnis me shqype dykrenshe mbë shtrojë te kuqe. Bedri Pasha, atëherë Vali i Shkodrës, iu kujtue kësaje pune e i bani vërejtje; por mas fjalëve të ndezta të prelatit të ri, s’pat shka me ba tjetër, veç i ra krahit, tuj lëvdue ndjesitë e tij komtare”. (Hylli i Dritës, 1937, nr.11, f. 519). Mbajtja e flamurit kërkonte mençuri:“Flamuri kërkohet prej të gjith kryetarve të çetave kryengritse. Mshehtas e tanë frigë punohen me kujdes e dashtni ndërmjet mureve të shpis e nën strehën e pagjët të kuvendit. Janë motrat Stigmatine, qi rreth vjetit 1910-1911 punojnë fIamujt ma në shej: atë të çetës së Dedë Gjo’ Lulit, qi kje vu në Bukoviq, atë të Gjo’ Pjetrit të Skuraj, qi kje vu në Milot, atë të Ndoc Demës, qi kje çue në Vjenë, atë qi do të ngrehej prej Hasan Riza Pashës e atë të shkollës franceskane, qi kje ngrehë në Rozafat. Edhe Marta e Pashës punon në këtë kohë nji flamur të madh e të bukur. E ruan me kujdes e me dashuri derisa nji ditë e shef tuj u shtjellë (shpalosur) në qoshkun e Bashkisë së Shkodrës me gëzim të madh të mbarë popullit. Si në Shkodër njashtu punohej prej bijve të saj edhe përtej kufijve. Në familjen e Shk. Z. Filip Nogës në Tivar qysh në vj. 1905 u punue nji flamur komtar e kje ruejte prej Z. Kosto Nogës deri në vj. 1916”. (Hylli i Dritës, 1937, nr.11, f. 520).

Nesër sot ë lexoni:

 

Ismail Qemali bej Vlora mbërrin në Durrës

Ismail Qemali drejt Vlorës

Si e priti Vlora Ismail Qemalin dhe si e sollën  Flamurin e  Pavarësisë nga Durrësi