Studiues Ali Hasani: Dy lapidarë në dy qafa mali në Malzi, Kukës

113
Sigal

“Dëshmorët vdesin vetëm një herë për të mos vdekur kurrë”!

Në historinë e Luftës Nacional Çlirimtare të qarkut të Kukësit aksioni i Qafës së Mgullës, përkujtohet si aksioni i parë dhe më i madhi i çetave partizane të Malsisë Gjakovës dhe çeta “Emin Duraku” e Kosovës që vepruan me 55 efektivë në këtë territor. Partizanët pasi kaluan lumin Drinin me mjete rrethanore, u pritën bujarisht nga populli i Shikajve e Malziut për disa ditë. Objektivi i këtyre dy çetave, ka qenë shkatërrimi i plotë i autokollonës italiane që kontrollonte rrugën: Prishtinë-Prizren-Kukës-Shkodër. Aksioni partizan ishte planifikuar të kryhej në Qafë-Mgullë, në komunën Malzi të rrethit Kukës. Si pasojë e këtij aksioni janë ngritur dy lapidarë, në dy qafa mali, njëri në Qafë-Mgullë dhe tjetri në Qafë-Likmetë të Kryemadhit. Këto dy lapidarë na çojnë, në kujtimet e të kaluarës, 82 vite më parë, aty ku i kemi rrënjët tona, te liria që gëzojmë sot! Ky vlerësim qëndron, sepse çdo lapidar është një dëshmitar i heshtur i një ngjarjeje, i një akti heroik dhe i një sakrifice të madhe…, çdo lapidar i yni, është një gur në themelet e Shqipërisë sonë të re që ne po ndërtojmë sot.

Fshati Shikaj

Por duhet të theksojmë se, në mesin e qindra e mijëra lapidarëve të ngritur anë e kënd Atdheut tonë të dashur, bëjnë pjesë edhe dy lapidarët tanë, ngritur buzë rrugës automobilistike në Qafë-Mgullë dhe në Qafë- Likmetë. Të dy këto lapidarë, përkojnë me dy ngjarje të një zanafille të vetme: I pari është ngritur në përkujtim të aksionit Partizan të 15 marsit të vitit 1943, që u bë kundër forcave pushtuese të fashistëve italian dhe i dyti në nderim të 6 pistorëvë të pafajshëm që ranë dëshmorë në 16 mars 1943. Pra ka qenë ky mars, i zymtë e i rëndë, plumb nga pesha e pushtuesit fashist, por njëherit edhe një mars i gjallë dhe i zjarrtë për malësorët e veriut, ku në Malzi vloi pushk partizane për çlirimin e vendit tonë.

Në atë kohë, në Qafë-Mgullë e në dy anët e këtij segmenti, punonte një brigadë me 15-20 punëtorë nga Pista, Vrishi, Qami, Shemrija e Malziu që mirëmbanin rrugën automobilistike ku kalonte çdo ditë autokolona ushtarake italiane për patrullim.

Lapidari i Mgullës

Punëtorët bashkë me kafshatën e bukës së thatë që nxirrnin me punën e tyre, kapërdinin edhe urrejtjen për armikun që u kishte pushtuar tokën, rrugën dhe shtëpinë. Prandaj me urdhër të Shtabit të Përgjithshën të ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare, në mëngjesin e 15 marsit 1943, çeta partizane e Malësisë së Gjakovës, në bashkëpunim me një grup partizanësh të çetës “Emin Duraku” të Kosovës, mbasi zhvilluan një bisedë të shkurtër me punëtorët mirëmbajtës të kësaj rruge, u rreshtuan në pozicion luftimi që nga livadhet e Ushatit deri në qafën e Mgullës dhe prroin e Cenës. Partizanët pritën aty, derisa u njoftuan për lëvizjen e një autokolone të madhe ushtarake që lëvizte çdo dy ditë nga Prishtina në Prizren, Kukës deri në Shkodër. Nga dreka autokolona me shumë makina, mbërriti në Shënmëri. Prej saj u shkëputën tri makina të postës militare, me një oficer dhe 35 ushtarë të armatosur, të cilët e vazhduan rrugën drejt Qafë-Mgullës. Aty, që në mëngjes herët, partizanët kishin prerë disa lisa në pyll dhe i kishin kryqëzuar për të bllokuar tërësisht rrugën për kalimin e makinave. Italianët sapo e kuptuan kurthin për bllokimin e rrugës, me një të shtënë automatiku, dhanë alarmin. Ndërkohë edhe çeta partizane dha kushtrimin për realizimin e menjëhershëm të aksionit të planifikuar! Sulmi filloi me thirrjen: “Përpara partizan! Bini mbi armikun!”. U bë luftë e ashpër dhe përleshje trup me trup. Në pak minuta aksioni u krye me  sukses të plotë sukses të plotë. U dogjën 2 makina, si edhe u vranë 34 ushtarë italianë, shpëtoi vetëm një shofer. U kap posta militare, u muar gjithë municioni luftarak: 35 pushkë, 2 automatikë, 3 revole, 3 arka me fishekë, 1 arkë me bomba, u kapën ushqime, veshëmbathje e gjithçka që kishin makinat.
Lapidari në Qaf-Likmetë

Qëllimi i aksionit partizan u arrit plotësisht… Krismat e pushkëve u dëgjuan deri në Shënmëri e anë e kënd Malziut. Partizanët fituan dhe i gëzuan fitores së tyre, por edhe malzezët u gëzuan, sepse i përcollën vëllezërit e tyre të dy çetave partizane pa u dëmtuar asnjë prej tyre.

Aty zu fill edhe kënga jonë popullore: Ditë e marte-ditë gazepi,/ Në Malzi u ba kiameti,/ u ba kiameti për taman,/ partizanët u çuen n’kamë / ” Italinë këtu s’e lamë. ” / Pushkë e bume po kërset, / lyp shqiptari lirinë e vet/. Mbas këtij aksioni punëtorët e mirëmbajtjes së rrugës nuk u kthyen më në punë. Në mbasditen e 15 marsit një togë me ushtarë italianë u nis në kërkim të gjurmëvë të partizanëve, por ato e kishin kaluar qetësisht lumin Drin. Atëherë, u gjet preteksti se popullsia e fshatrave për rreth rrugës, kishte strehuar partizanët, prandaj u futën në fshatin Pistë. Në qendrën e fshatit Pistë, italianët mblodhën gjithë meshkujt që ndodheshin në shtëpitë e tyre. Italianët, pa asnjë arsye arrestuan dhe i vunë në rresht gjithë meshkujt duke u thënë se do të shoqëroheshin deri në Shënmëri, mbasi do t’u bëheshin vetëm disa pyetje. Për të lëvizur nga fshati Pistë për në Shënmëri, duhej kaluar nëpër pyllin e Kozhmatlit. Njëri nga të arrestuarit, më trimi, u propozoi shokëve, që me një sinjal që ai do t’u bënte, gjithë të arrestuarit e tjerë, duhej të shpërndaheshin nëpër pyll, si e vetmja rrugë e mundësi për të shpëtuar që të gjithë. Por një shqiptar që shoqëronte italianët i garantoi pistorët se nuk do t’u ndodhte asgjë! Në fakt ndodhi e kundërta.

Maja e Ushatit

Me të mbërritur në Shënmëri, 25 pistorët e arrestuar i futën në një dhomë dhe një e nga një, i rrahën dhe i torturuan barbarisht me shkopinj e kondakë pushkësh për orë të tëra. Mbas këtij “dushi të ftohtë të tipit fashist”, komanda Italiane në Prizren, urdhëroi që të ndaluarit të viheshin në makina dhe ti dërgonin në Prizren për t’i ekzekutuar. Kështu italianët të 25 pistorët e arrestuar, i hipën në makinat ushtarake dhe me të mbrritur në Qafë-Likmetë, një urdhër i dytë e anulloi të parin. Komanda italiane e Prizrenit urdhëronte që 25 pistorët të ekzekutoheshin në atë vend. Halil Hasani, njeri nga të arrestuarit, me të dëgjuar vendimin për ekzekutim, u’a përktheu shokëve të tij lajmin e zi e të kobshëm dhe i urdhëroi:  “Kur të numronte 1,2,3 të gjithë shokët duhej të hidheshin nga makinat, sepse armët e vdekjes ishin vënë përballë tyre, gati për t’i pushkatuar!” Nuk kaloi minuti dhe Halili numuroi deri në 3. Të arrestuarit, kush mundi shpejt e shpejt, kërcyen nga makinat ushtarake dhe vrapuan nëpër pyllë për të shpëtuar. Krisi pushka e mitralozi, u ndez flakë gjithë Malziu ynë. Në këto momente dramatike, të një lufte të pabarabartë, ndodhi fatkeqësia e madhe. Gjashtë nga bashkëfshatarët tanë: Avdullah Uka, Rexhë Mustafa, Idriz Dema, Sadri Rexha, Mehmet Mustafa, Daut Brahimi mbetën të vrarë në lëndinën e vogël mbuluar me barin e lulet e asaj pranvere të hidhur, aty ku sot ngrihet madhështor lapidari përkujtimor. Ata ranë dëshmorë të Atdheut, në një luftë të pa barabartë me fashistët italianë, por edhe si qëndrestarë e dëshmitarë të egërsisë dhe pabesisë së një armiku gjakatar. Këtë e thotë edhe kenga popullore: ” E dhanë jetën për liri, / për Flamurin  kuq e zi ! ”
Në nderim të dëshmorëve

Dy të arrestuar Ahmet Bajrami dhe Ukë Rexhepi, u plagosën rëndë, por edhe me plagë në trup ato mundën të largohen. Ndërsa vetëm tre prej tyre mbetën në dorën e armikut, të cilët italianët i mbajtën në burg për 7 muaj në Durrës, pa e ditur njeri se ku qëndronin ata. Dy ditë më vonë italianët i vunë zjarrin Vrishit dhe Qamit duke djegur 22 shtëpi. Ata vranë edhe Vrishtakët Shaban Halili dhe Bajram Neziri, si dhe masakruan gruan, Bejaze Pashkun.

Për aksionin e çetave partizane të 15 Marsit 1943 dhe vrasjen e 6 pistorëve në datën 16 mars 1943 kanë shkruar dhe krijuar vepra të zhanreve të ndryshme si kumtesa, artikuj, këngë, monografi, libra deri dhe projekte zotrijtë: Shefqet Hoxha, Xhavit Lashi, Xhemal Meçe, Muhamet Bela, Sami Ferizi, Ali Hasani, Ukë Sinani, Shaban Hasani, Xhelal Shuti. Muje Noka, inxhinier ka projektuar 2 lapidarët që përjetësojnë 6 qendrestarët Pistorë të Malziut.
Një vit përkujtimor në Qaf-Mgullë

Me këtë rast duhet të vlerësojmë Pistorin me të fisshëm që unë kam njohur Imer Haxhin, i cili me mbështetjen e drejtuesve kryesore të pushtetit në rrethin e Kuksit si Tahir Minxhozi e Mëhill Doçi dhe mbas 28 vitesh nga vrasja e tyre, në vitin 1972, u arrit që 6 Pistorët të shpallen Dëshmorë të Atdheut dhe veprimtarë të Luftës Nacional Çlirimtare. Por sot, një vlerësim dhe mirënjohje e veçantë shkon edhe për drejtuesin, veprimtarin e palodhur dhe studiuesin e talentuar në fushën e Albanologjisë, e sidomos të historisë për rrethin e Kukësit profesorin e nderuar Z. Xhavit Lashi. Ai është edhe përfaqësues i organizatës së Dëshmorëve të Atdheut, i cili mbas 82 vitesh rivlerësoi 6 dëshmorët pistorë me çertifikatë Mirënjohjeje në kuadër të 5 Majit 2025 në ditën e Dëshmorëve të Atdheut.
Qendra e Shënmërisë

Për vite të tëra me rradhë është përkujtuar aksioni partizan Qaf-Mgullës, si edhe vrasja e gjashtë Pistorëve. Janë bërë homazhe tek të dy lapidarët me fjalime, vendosje buqetash me lule nga bashkëfshtarë, vëllezër e motra të këtyre të fundit, por dhe nga nxënësit e shkollave të Malziut.  Veçanërisht aktivitete të herëpasherëshme janë bërë nga nxënësit e shkollës së Mesme të Përgjithshme 29-nëntori Shënmëri në lapidarin e Qaf-Mgullës. Gjithashtu, mësuesit dhe nxënësit e shkollës 8-9 vjeçare të Kryemadhit kanë organizuar aktivitete letraro-artistike të përvitshme.
Sfond nga fshati Kalimash-Kryemadh

Në mbyllje të këtij shkrimi, me rastin e 5 Majit të këtij viti, ditës së Dëshmorëve, në emër të gjithë Malzezëve të kudo gjendur dhe të stafit drejtues të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Malziu” me drejtues Z. Sali Gerën urojmë Lavdi të përjetshme 6 dëshmorëve të Atdheut nga fshati Pistë, Malzi, Kukës, familjarëve të tyre, si edhe gjithë partizanëve e dëshmorëve të Luftës Nacional çlirimtare Shqiptare. Shoqatat atdhetare-kulturore “Malziu” dhe “Luma” vlerësojnë dhe do të shpërndajnë çertifikata “Mirënjohje” për gjashtë dëshmorët e atdheut.

I përjetshëm kujtimi dhe vepra e tyre! Të rrojmë dhe ti kujtojmë!