Specialisti Fadil Kepi, u përgjigjet lexuesve/ Cila është baza ligjore për rillogaritjen e pensionit, sigurimet vullnetare dhe pensioni i plotë

1995
Sigal

Pyetje

Në letrën e tij një banor i Zall-Dajtit shkruan: Bashkëshortja ime në fund të muajit qershor të këtij viti plotësoi moshën e pensionit, 60 vjeçe e 10 muaj. Meqenëse banojmë në fshat, por nuk kemi marrë tokë sipas ligjit, jemi vetësiguruar si fermerë. Pyes, a njihen si periudhë pune për pension?

 Përgjigje

Në këtë rast nuk ju njihen periudha pune mbasi vetëm personat që kanë marrë tokë në pronësi sipas ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 dhe personat që kanë marrë tokë në përdorim apo kanë blerë tokë me dokumente zyrtare kanë të drejtë të bëjnë sigurime si të vetëpunësuar në bujqësi, Në këtë rast sipas vendimit të Qeverisë nr,551 datë 27.7.2016, juve ju kthehen lekët e kontributeve që keni paguar ose ju konvertohen në sigurime vullnetare. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore në Tiranë.

 Pyetje

Një pensioniste nga Tepelena në bisedë telefonike tha: Kam punuar llogaritare dhe në vitin 2016 dola në pension të plotë por nuk jam e bindur me masën e pensionit. Meqenëse pas daljes në pension, kam jetuar pranë fëmijëve jashtë vendit dhe kohët e fundit u ktheva për pushime, pyes, cila është baza ligjore dhe procedurat që duhet të ndjek për rillogaritjen e pensionit?

Përgjigje

Bazuar në nenin 86 të sigurimeve shoqërore nr.7703, datë 11.5.1993, pavarësisht se kur keni dalë në pension, ju duhet të paraqiteni në agjencinë e sigurimeve shoqërore Tepelenë me librezën e pensionit dhe ti bëni ankesë me shkrim komisionit të ankimit në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore Gjirokastër ku ndodhet dosja juaj e pensionit duke parashtruar pretendimet tuaja për masën e pensionit, datën e fillimit, vitet e punës të siguruara, pagën që keni marrë, etj. Sipas ligjit nr.104/2014, duke filluar nga data 1 janar 2015 e në vazhdim, shuma e pensionit nuk ka tavan por varet nga vitet e punës të siguruara dhe paga mesatare bruto për të marrë pension. Në vitin 2016, për pension të plotë duhej të dilnit 60 vjeçe e 4 muaj e të kishit 35 vjet e 8 muaj punë të siguruara gjithsej. Mbasi të merrni përgjigje zyrtare, nëse nuk bindeni, mund t’i bëni ankesë tjetër me postë rekomande komisionit qendror të ankimimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë dhe së fundi Gjykatës Administrative.

Pyetje

Inxhinieri z. Gjergji Kote nga Tirana shkruan: Jam i datëlindjes 21 shkurt 1953 dhe mbasi kam punuar rreth 34 vjet i siguruar gjithsej dhe nga këto 8 vjet në vitet 1999 deri 2006 në ministrinë e Energjetikës dhe vitet e fundit vazhdoj të punoj në një firmë private i licencuar, jam i interesuar të di për kushtet e daljes në pension dhe a mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës së siguruara?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e keni plotësuar më datën 21.2.2018, se për pension të plotë duheshin 36 vjet e 4 muaj punë të siguruar. Meqenëse punoni një një firmë private, ju keni të drejtë që të dilni në pension kur ta gjykoni të arsyeshme, duke dërguar dokumentet në agjencinë e sigurimeve shoqërore. Këtë vit për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara ndërsa juve ju bëhen rreth 35 vjet e 6 muaj, pra do të merrni pension të pjesshëm. Nga dita që ju keni plotësuar moshën e pensionit 65 vjeç nuk keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare. Për periudhën që keni punuar me ministrinë e energjetikës, do të përfitoni pension suplementar që llogaritet me 1,1% të pagës mesatare neto mujore për çdo vit të plotë pune sipas vërtetimit të pagës që do të marrësh në dikasterin ku keni punuar dhe do ta dërgoni në sigurimet shoqërore. Sqarime më të hollësishme për dokumentet që duhen plotësuar dhe procedurat që do të ndiqni mund t’i merrni në agjencinë e sigurimeve shoqërore.

Pyetje

Lexuesi i gazetës “Telegraf” z. Sherif nga Durrësi në mesazhin e tij trajton këtë problem: Më 20 tetor të këtij viti plotësoj moshën 61 vjeç dhe kam gjithsej 30 vjet punë të siguruara përfshi dhe 2 vjet që kam qenë ushtar. Aktualisht më ka mbaruar asistenca dhe jam pa punë. Pyes, kur dal në pension sa vite pune duhen për pension të plotë, a mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës dhe sa lekë duhet të paguaj?

 Përgjigje

Ju moshën e pensionit e plotësoni 65 vjeç, më 20.10.2023 dhe për pension të plotë duhen 38 vjet punë të siguruara në vendin tonë nga mosha 16 vjeç. Me vitet e punës që keni aktualisht do të merrni rreth 80% të pensionit të plotë. Para moshës së pensionit ju keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare duke paguar për vitet e kaluara 67.392 lekë në vit. Nëse këtë vit paguani paradhënie për vitin 2020 shumës së mësipërme i bëhet ulje 6%, baras me 4.040 lekë në vit. Po kështu mund të veproni në vitin 2020 të paguani për vitin 2021 e kështu me radhë në vitin 2022 për vitin 2023. Para se kryeni pagesën, fillimisht duhet të paraqiteni në agjencinë e sigurimeve shoqërore në Durrës, të merrni një urdhër veprimi për periudhën që do të paguani për të siguruar vullnetarisht dhe pastaj shkoni e paguani lekët në një bankë të nivelit të dytë e cila ju pajis me një kopje të mandat pagesës që duhet t’ia bashkëngjitni librezës së punës dhe një kopje banka ia dërgon sigurimeve shoqërore Durrës. Duke vepruar në këtë mënyrë në moshën 65 vjeç do t’ju bëhen 34 vjet punë dhe do të merrni 90% të pensionit të plotë.

Pyetje

Zonja Lumturi Lala nga Tirana shkruan: Jam e datëlindjes 2 prill 1959 dhe aktualisht kam punuar 44 vjet e siguruar gjithsej nga të cilat 3 vjet në ish-kooperativë bujqësore dhe 41 vjet në spital shtetëror. Pyes, kur i plotësoj kushtet për pension të plotë?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension në moshën 61 vjeçe më 2 prill 2020 dhe për pension të plotë do t’ju kërkohen 37 vjet punë të siguruara nga mosha 16 vjeçe. Vit i plotë punë në ish kooperativë quhet kur keni realizuar 230 ditë punë në vit, ose mesatarisht 20 ditë pune në muaj. Nëse në një vit keni bërë më shumë se 230 ditë pune, për shembull 240, quhet përsëri një vit pune dhe 10 ditë që keni punuar mbi 230 ditë pune nuk merren parasysh për pension. Para daljes në pension ju takon leja e zakonshme dhe deri një rrogë mujore shpërblim. Sipas ligjit, sa më shumë vite pune të kesh e siguruar aq më i lartë del pensioni. Për dokumentet që duhen plotësuar dhe afatet e dorëzimit kur ti afroheni moshës së pensionit mund ti merrni në agjencinë e sigurimeve shoqërore.