Specialisti Fadil Kepi: Ligji i ri për pensionet suplementare të minatorëve të nëntokës, të naftës, gazit dhe atyre në metalurgji

1658
Sigal

Kushtet që duhen plotësuar për të dalë në Pension të pjesshëm dhe në atë suplementar. Pensioni për mësuesit, edukatorët e kopshteve, vjetërsia në punë, vitet e ushtrisë dhe ato të punës nëntokë

Nga data 5 korrik ka hyrë në fuqi ligji për pensionet suplementare për punonjësit e nëntokës i cili në shtator 2019 do të fillojë të zbatohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore në shkallë vendi

Minatorët e nëntokës që përfitojnë pension suplementar

Pyetje

Një pensionist nga Kamza shkruan: Në vitin 2017 dola në pension të plotë 65 vjeç, mbasi kisha 36 vjet punë të siguruara gjithsej, dhe nga këto 7 vjet punë në minierën e Cerrujës të rrethi të Burrelit, nëntokë. Pyes, a përfitoj pension suplementar sipas ligjit të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë kohët e fundit?

 Përgjigje

Bazuar në ligjin 29, datë 23 maj të këtij viti, botuar në fletoren zyrtare 88, i cili ka hyrë në fuqi nga data 5 korrik për pensionet suplementare të minatorëve të nëntokës, të punonjësve që kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit dhe atyre që kanë punuar në metalurgji, të cilët kanë dalë në pension pleqërie dhe kanë punuar 6 vjet e më shumë në minierë në nëntokë do të përfitojnë 1% për çdo vit pune të punuar në nëntokë, pra 6%. Meqenëse ju keni punuar 7 vjet në minierë në nëntokë do të merrni 7% pension suplementar. Në muajin shtator të këtij viti, parashikohet që ligji i mësipërm të fillojë të zbatohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore në shkallë vendi. Nga data 5 korrik ju keni të drejtë që me librezën e pensionit të paraqiteni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore Kamëz dhe të bëni kërkesë për pension suplementar.

 Llogaritja e viteve të punës për pension të plotë

Pyetje

 

  1. Luan Memiaj nga Tirana në mesazhin e tij sqaron: Jam i datëlindjes 28 tetor 1955 dhe kam punuar i siguruar gjithsej rreth 38 vjet punë, përfshirë dhe kohën që kam qenë ushtar. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit e sa vite pune duhen për pension të plotë?

 Përgjigje

Ju do të dilni në pension 65 vjeç, më 20 tetor të vitit 2020, dhe për pension të plotë duhen 37 vjet punë të siguruara. Sipas ligjit të sigurimeve shoqërore, sa më shumë vite pune të siguruara të keni aq më i lartë del pensioni. Për dokumentet që duhen plotësuar dhe procedurat që ndiqen mund të sqaroheni në agjencinë e sigurimeve shoqërore ku banoni.

Sigurimet vullnetare për emigrantët

Pyetje

Zonja Antoneta nga Gjirokastra me banim në Greqi shkruan: Jam e datëlindjes 6 mars 1962 dhe kam punuar 13,5 vjet punë gjithsej në Shqipëri. Pyes, kur dal në pension, sa vite pune të siguruara duhen, a mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar periudhat e siguruara? Sa lekë duhet të paguaj dhe a njihen vitet e punës që kam punuar e siguruar në Greqi për pension në vendin tonë?

 Përgjigje

Ju do të dilni në pension 61 vjeçe e 6 muaj më 6 shtator 2023, dhe për pension kërkohen 15 deri 38 vjet punë të siguruara nga mosha 16 vjeçe. Meqenëse ju keni më pak se minimumi prej 15 vjet punë ju rekomandoj të bëni sigurime vullnetare para plotësimit të moshës së pensionit, të paktën edhe 1,5 vjet duke paguar 67.392 lekë në vit ose 5.616 lekë në muaj. Në qoftë se ju paguani paradhënie këtë vit për vitin 2020 shumës vjetore i bëhet zbritje 6%, ose 4.040 lekë në në vit, po kështu mund të veproni edhe në vitin 2020 për vitin 2021 e kështu me radhë. Sqarime më të hollësishme për procedurën që duhet të ndiqni mund të merrni në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Gjirokastër duke paraqitur librezën e punës dhe kartën e identitetit. Për periudhat që keni punuar të siguruara në Greqi nuk njësohen me ato të punuar në vendin tonë, por mund të merrni pension sipas legjislacionit grek të sigurimeve shoqërore.

 Mosha e daljes në pension për gratë

Pyetje

Zonja Margarita nga Librazhdi në letrën e saj shkruan: Jam e datëlindjes 5 shkurt 1964 dhe aktualisht kam 34 vjet punë të siguruara. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit dhe sa vite pune duhen për pension të plotë?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension 61 vjeçe e 10 muaj më 5 dhjetor 2025 dhe për pension të plotë duhen 38 vjet e 8 muaj. Me vitet e punës që keni do të përfitoni pension të pjesshëm rreth 90% të pensionit të plotë, por me dëshirën tuaj mund të bëni sigurime vullnetare duke paguar 67.392 lekë në vit dhe nëse keni tokë sipas ligjit bëni sigurime si e vetëpunësuar në bujqësi, mbasi kuotat janë më të ulëta. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në agjencinë e sigurimeve shoqërore në Librazhd ose drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore Elbasan.

Mosha e daljes në pension për arsimtaret

Pyetje

Një mësuese nga Burreli shkruan: Jam e datëlindjes 30 mars 1959. Mbas mbarimit të Universitetit kam 35 vjet punë të siguruara në shkollë publike. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit sa vite pune duhen për pension të plotë dhe a ma takon shpërblim?

 Përgjigje

 Ju do të dilni në pension 61 vjeçe më 30.3.2020 dhe për pension të plotë do t’ju kërkohen 37 vjet punë të siguruara përfshi dhe periudhën e studimeve të larta të dokumentuar me fotokopje e diplomës së noterizuar. Para daljes së pensioni do të përfitoni lejen e zakonshme për periudhën që do të punoni gjatë vitit që vjen dhe deri një rrogë mujore shpërblim. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore në Peshkopi nga varet agjencia e sigurimeve shoqërore në rrethin e Matit.

Minatorët që përfitojnë pension suplementar

Pyetje

Durim Kola nga Burreli në letrën e tij sqaron: Më 30 maj të këtij viti plotësova moshën 54 vjeç dhe kam gjithsej 31 vjet punë të siguruara nga të cilat 13 vjet në minierë në nëntokë. Pyes, kur e plotësoj moshën për pension të plotë dhe a do të përfitoj pension suplementar?

 Përgjigje

Sipas ligjit nr.150/2014, minatorët e nëntokës dalin në pension të plotë 55 vjeç kur kanë gjithsej mbi 30 vjet punë të siguruara në vendin tonë nga mosha 16 vjeç dhe nga këto 13 vjet e 6 muaj në minierë në nëntokë. Pra ju do të dilni në pension më 30 maj të vitit 2020 dhe sipas ligjit të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë më 23.05.2019, për çdo vit të punuar në minierë në nëntokë do të përfitoni pension suplementar 1% shtesë mbi pension, ose 13,5% gjithsej. Dokumentet për pension dhe kompensim të energjisë elektrike do t’i dërgoni në agjencinë e sigurimeve shoqërore në Mat, e cila ia dërgon drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore në Peshkopi për caktimin e pensionit.