SPECIALE/ Ing. Xhevair Ngjeqari : Afera me Dubain, porti i Durrësit dhe pashai i fundit

476
Sigal

Afera me Dubain duhet ti kujtoj Ramës, se portin e Durrësit, që ai po kërkon të bëj pazare në selinë e Kryeministrisë ku rehatohet ‘Mini Shengeni, dhe bulevardin që po e shkul për të mbjell shkurre, e kanë projektuar dhe ndërtuar djersa dhe gjaku i popullit italian, pa i kërkuar asnjë m2 tokë shqiptarëve. Prandaj do të ishte e udhës të hiqte dorë nga biznesi me pasuritë e vendit, se po trash litarin e zullumit. Me 100 ha ose 1 milionë m2 tokë bregdetare kompania ”EMAAR” ndërton ‘Monte Karlon’ e saj prIvate në qendër të Durrësit, dhe vetëm duke shitur 1/10 e pronës , ajo likuidon investimin e 2 miliardë dollarëve. Prandaj manjati arab po punon natë e ditë, për të mbyllur marrëveshjen , sepse do të shpallet pronar dhe invesitor strategjik, pa derdhur asnjë pikë djersë në vendin e shqiponjave.

MBI AFERËN ME DUBAIN

  1. Drejtuesit e shtetit shqiptar para të huajve humbasin identitetin dhe shesin pasuritë kombëtare. Të paktën 100 vitet e fundit, vendi ka lënguar nga drejtime që si gjenerator kanë pasionet e partive, pa asnjë program apo strategji afatgjatë zhvillimi, pa asnjë bosht apo perspektivë ekonomike.
  2. Më datën 3 dhjetor sheriati i Kuvendit me një të zhgaravitur të lapsit, i jep të drejtën ligjore shtetit, (pa informuar opinionin) , që të gjitha projektet që kërkojnë të realizojnë Emiratet e Bashkuara në Shqipëri , t’i përjashtojë nga prokurimi publik. Këto kopetenca fuqiplotë i marrin vetëm ‘Gadafët’ e vendeve të varfëra , sepse mbretëritë e Europës i kanë të ndaluara me ligj, pale nga kryeministrat sezonal të saj.
  3. Sipas informacioneve, baza e marrëveshjes, është që qeveria do t’u falë arabëve, Portin e Durrësit dhe 100 hektarë tokë përreth, pa llogaritur sipërfaqen detare rreth saj. Në këmbim që grupi ‘Emaar’ të investojë 2 miliardë dollarë për të ndërtuar komplekset e marinave turistike. Ndërsa porti i ri i mallrave do të ndërtohet në Porto Romano dhe jo nga kompania arabe, por me paratë e shqiptarëve. Duke harruar që porti Durrësit është pasuri kombëtare strategjike dhe ndryshimet e pronësisë dhe destinacionit bëhen me miratimet gjithë përfshirëse dhe popullore. Ashtu si korridori i vetëshpallur Blu, Milot–Fier edhe afera e ‘Emaar Yachtit’ ,nuk do të realizohen.

MBI EMIRATET E BASHKUARA(EAU)

  1. Emiratet e Bashkuara me një popullsi 4 707 307 banorë dhe territor 83 600 km2, me kryeqytet Abu Dhabin, kanë krijuar si një tip federate, duke ruajtur trashëgiminë ose sulltanllëkun. Dubai radhitet i dyti në shtatë federatat e E.U.Arabe me popullsi 1 722 000 banorë, si qytet 1 354 000 banorë, ndërsa si territor gjendet në bregun e perëndimor të detit Gjirit Persik, duke siguruar rreth 75 km vijë bregdetare brenda detit Gjirit dhe jashtë Ngushticës Hormuzit , në Gjirin e Omanit .
  2. Si pozicion gjeografik. UAE ( Dubai ) ngjason me bregdetin e Adriatikut shqiptar. Ata gjenden në krye të Ngushticës së Hormuzit, ndërsa ne në qoshe të Ngushticës Otrantos. Ata kanë shfrytëzuar në maksimum pozicionin gjeografik. Mbi bazën e një masterplani me fillesë në vitet 1952, ndërtuan portin Mina Rashid, i cili në vitet 1972 ka arritur të përpunojë 1,5 milionë konteiner dhe falë rikonstruksioneve mund të ankorojnë deri në 4 kroçiera njëherësh, njëkohësisht përpunon të gjitha kategoritë anijeve. Vitet e fundit i kanë shtuar dhe tre Doke (Dry Doks) të riparimit dhe prodhimit anijeve . Vetëm sipërfaqja e dokeve është 200 ha ose 1,36 herë më e madhe se i gjithë porti Durrësit. Ndërsa për të plotësuar nevojat tranzitit të mallrave, masterplani i viteve (1972-1980– 2030)ka në proces ndërtimin e mega portit ‘Jebel Ali’, i cili parashikohet të përpunojë mbi 19 milionë kontener. Duke kthyer Dubain qendrën më të madhe të përpunimit mallrave portuale për gjithë vendet e gjirit Persik. Ndërhyrjet në rikostruksionin e portit ‘Mina Rashid’ u kryen pasi u ndërtua porti mallrave Jebel Ali.
  3. Dubai për të hidrourbanizuar shkretëtirën bregdetare , është futur në det 7-10km për një gjatësi 50-70 km. Duke ndërtuar në pasqyrën detare vepra arti urbane dhe turistike. Të gjitha janë realizuar me paratë e nëntokës. Ndërsa shërbimet janë dhënë me nën sipërmarrje konçesionare. Aftësia për të investuar në dy projekte euro-botërore ishte zgjedhja e duhur për të vitalizuar shkretëtirën bregdetare të Dubait. Tashmë ata kanë fituar përvojë nga realizimet dhe kërkojnë ekspasionin në vendet e prapambetura të natyrës shqiptare.

INJORANCA APO PADITURIA SHQIPTARE

  1. Ndërsa Shqipëria, në qoshe të gjirit Otrantos, me aftësitë natyrale portuale për të furnizuar gjithë Ballkanin , jo vetëm nuk ka asnjë master plan për rritjen e kapaciteteve portuale, por edhe ato pak mallra që përpunoheshin në Vlorë dhe Shëngjin, nuk kryhen më. Aftësitë portuale sa vin e zvogëlohen dhe sot ne përpunojmë aq mallra sa realizohen në portin e Barit në Malin e Zi. Në pritje të ndonjë ndërtimi portual, na del në skenë dhe invesitori strategjik Muhammed EMAAR-,i cili do të jahtizojë portin e Durrësit pa prezantuar më parë portin e përpunimit mallrave. Porti Durrësit pas reth 100 vjet, mezi arriti të përpunojë 4 milionë ton mallnë vit.
  2. Vetëm një komunitet i paditur që nuk ka një plan për zhvillimin e kapaciteteve portuale dhe nuk di vlerën ekonomike të pozicionit gjeografik të vendit të tij, nuk di që është shtet port dhe koridor tranziti , por porte nuk ka. Kjo vjen se ka 100 vjet që udhëhiqet nga instiktet e pashallarëve . Në vend që nga Dubai të marrin eksperiencat e rritjes së kapaciteteve portuale të mallrave, na sjellin stoqet e jahteve, që nuk janë dhe asnjëherë nuk do të jenë prioritete të ekonomisë turistike. S ipas statistikave sa herë ngrihen dhe ulen mallra në porte, prodhohet para, punësim dhe të ardhura për popullin. Ndërsa jahtet okupojnë 6,5- deri 15% në një flotiljes turistike. Ata nuk janë kryesor në aktivitetin turistik.

 PROJEKTET QË MUND TË REALIZOHEN NË GJIRIN DHE PORTIN E DURRËSIT

  1. Presidenti i kompanisë së niveleve botërore “EMAAR” në fushën imobiliare Muhammed El Alabbar ,foli me pasion për marrëveshjen me shtetin shqiptar, duke premtuar se në Durrës do të ndërtohet marina turistike me bazë jahtesh nga më të mëdhatë në Mesdhe. Pa dyshuar në aftësitë menaxhuese, edhe pse mbrapa kompanisë fshihet Sheiku dhe shtetari e EAU, Mohammed bin Rashid Al Maktoum ose burri i 7 grave dhe 23 kalamajve, i mbiquajtur Big Mo, ose mjeshtri që i bën të gjitha. Ne jemi të nderuar që El Alabari kërkon të investojë në Shqipëri.
  2. Por duhet ti kujtojmë manjatit arab, se në vendin e përzgjedhur nuk ndërtohet as më e madhja as më e mesmja Marinë Turistike e Mesdheut. Marinat turistike ndërtohen në hapësira djerra bregdetare, mundësisht ligatinore, si në deltën e Bunës, Matit, Patogut, në deltën e Erzenit, Divjakës, Semanit. Ndërsa vendi më i përshtatshëm për kompleksin Marinave turistike dhe perspektivën e Durrësit të Ri, është lidhja me kanal detar, e Porto Romanos me Urën e Dajlanit me gjatësi 11km, dhe kosto 200 milionë euro. I cili mund të quhet Water Fronti urban i Durrësit, i ngjashëm me atë Dubait. Duke vitalizuar e urbanizuar terrenet e ligatinore të kënetës dhe duke ndërtuar shumë porte e marina turistike, që do kënaqte ‘EMAAR Yachtin’ dhe ‘Salep Pashain ‘e vendit të shqiponjave.
  3. Kjo vepër hidro-urbane e niveleve botërore do të nderonte me nga një bust, në hyrje/dalje, presidentin e Emmar-it dhe babuçin e 23 kalamajve Sheikun Maktoum. Kanali detar do të realizonte simbolikën e kthimit të Durrësit në ishull, dhe kalimin e strehimin e anijeve e yacheve turistike, me kosto të ulët ndërtimore nga Porto Romano në Urën e Dajlanit. Duke kursyer anijeve edhe11km rrugë në det të hapur . Për kanalin detar në kënetë dhe rikostruksionin e portit Durrësit, ka një studim në botimin Mesdheu-Adriatiku dhe Projektimi Porteve.

PËR ÇFARË PORTESH KA NEVOJË SHQIPËRIA

  1. Porti Durrësit ka nevojë të reformohet dhe rikostrutohet, sidomos terminali pasagjerëve. Ai mund të arrijë të përpunojë deri 10 milionë pasagjerë dhe 8 milionë ton mallra në vit, duke larguar mallrat rifuxhio e ndotëse, nëpërmjet një projekti profesional. Në koston e 2 mliardëve është parashikuar dhe rikostruksioni portit Durrësit për pasagjerët dhe turistët . Por portin e Durrësit nuk mund ta kthesh vetëm për posagjerët dhe turistët pa zgjidhur më parë përpunimin mallrave. Por në asnjë program qeveritar nuk ka asnjë plan për ndërtimin e porteve tregtare të mallrave. Duke sjellë në kujtesë se Portet janë objekte strategjike në jetën e një kombi. Ato vet-ndërtohen gradualisht, por kërkojnë plane unike largpamëse 25-50-100 vjeçare dhe një zgjedhje hidro-portuale të pozicionit ndërtimit .
  2. Ndërtimi Portit natyral më të madh dhe më të thellë të Mesdheut, në bregdetin e Rërës së Hedhur , që kërkojnë amerikanët, kosovarët dhe sërbët, ndërtimi i portit Hidrokarbureve në deltën e Semanit që e kërkon gasjellësi ‘Tap’, ndërtimi i portit natyral më të thellë të Europës në gjirin e Orikumit, porti 3 mallrave përballë ose në mezin e Sazanit, janë prioritet mbi prioritet për ekonominë shqiptar edhe euro-amerikane-ballkanike…A do të dali një burrë shteti të ndërtojë një port mallrash në bregdetin shqiptar që do të siguronte të ardhurat e dyta kombëtare mbas bujqësisë.
  3. Marina turistike e Emaar Yachit nuk është as prioritet as strategji zhvillimi. Ndërsa porto Romano megjithëse është 1,4 herë më i thellë se porti i Durrësit, është konceptuar nga konçesionaii si terminal karburantesh. Ndryshimi destinacionit ka një kosto dhe kohëzgjatje. Megjithatë nuk është zgjedhja e duhur.

CILAT JANË INTERESAT E MANJATIT ARAB.

  1. Presidentit “EMAAR” Muhammed El Alabbar, i pëlqeu shumë porti dhe 100 ha tokë në teritorin portit Durrësit, i cili ka një basen ujor me thellësi mbi 10m, ndërsa yachtet nuk kërkojnë më shumë se 4m thellësi. Prona është e rethuar, e mbrojtur nga deti dhe nga korentet veriore,në det mund të shtrihet sa të dojë, me vështrim nga Jugu dhe e ventiluar nga Shiroka dhe Bora, e bonifikuar dhe furnizuar me energji, me uji, dhe rjetin komunal ,projekte alternative që të kundërshtojnë dizenjot e tij nuk ka , prandaj po punon natë e ditë sepse është shpallur pronar dhe invesitor strategjik, pa derdhur asnjë pikë djersë në vendin e shqiponjave. Jo 2 miliardë, por edhe 10 miliardë dollar janë pak për një terren urbano- bregdetar në teritorin e portit Durrësit.
  2. Me 100 ha ose 1 milionë m2 tokë bregdetare “EMAAR YACHTI “ ndërton Monte Karlon e tij private në qëndër të Durrësit dhe vetëm duke shitur 1/10 e pronës tij, ai likuidon investimin 2 miliardë. Pa llogaritur dhe sipërfaqen detare që kërkojnë yachtet, që do ta përfitojë gratis nga inercia e ndërtimit. Ai do të rikostruktojë vetëm terminalin e pasagjerëve dhe turistave, duke zgjeruar dhe zgjatur e modernizuar kalatën Perëndimore. Por kjo ka një kosto shumë modeste, sepse struktura e kalatës është gjendje. Interesat e “EMAARYachtit” janë të pa llogaritshme, prandaj po shpejton për ta mbyllur marrëveshjen. Nga pala shqiptare duhet të publikohen të gjitha llogaritjet dhe ligjet për dhënien e qoftë edhe të 1 m2 toke në portin e Durrësit apo gjetkë. Kjo do të ishte një aferë dhe një krim kombëtar. Për rikostruksionin dhe modernizimin e portit të pasagjerëve dhe turistave të portit Durrësit nuk ka nevojë të shitet pronësia e portit. Ai ndërtohet me koncesion të pastër të natyrës së aeroportit të Rinasit.
  3. Zgjidhja më e drejtë do të ishte që në fillim të qeverisjes ,të shpalleshin konkurse projektimi për rikostruksionin e portit Durrësit për përpunimin e pasagjerëve dhe mallrave të pastëra.Por mbasi u grabit kredia e përsëritur e thellimit të kanalit hyrjes në port, qeveria sezonale gjeti menjëherë një invesitor ekzotik për afera të dyshimta antiekonomike dhe antikombëtare.P ërse qeveria nuk zgjodhi eksperiencën e Dubait në ndërtimin e portit mallrave Mina Rashid dhe Jebel Ali , që u realizuan simbas një masterplani, për të kthyer bregdetin shqiptar një Roterdam të përpunimit dhe shpërndarjes mallrave Euro-Ballkanike.

PASIONI ARABIT PËR PROJEKTIN E MARRËVESHJES

  1. Presidentit “EMAAR” po punon për projekt marrëveshjen në mënyrë shumë komode. Pasi është marrë vesh me premierin, kuptoi menjëherë që brigada e qeverisë nuk ka as projekte, as strategji për zhvillimin bregdetar, kuptoi se nuk kanë konceptet elementare të strukturave portuale, që nuk njohin as Mesdhen as Adriatikun e tyre,ndryshe nuk do ta linin portin e Durrësit në gjendje të mjerushme. Që nënkupton se teknikët e qeverisë që do firmosin marrëveshjen, janë të paditur dhe të papërgjegjshëm. Ndërsa nga termat e marrëveshjes kostatoi se nuk kanë as përgjegjësi morale e ligjore për pasuritë kombëtare. Në këto kushte hodhi bombën se do të ndërtojë Marinën e Yachteve më të madhe në Mesdhe. Kjo nuk është e vërtetë. Vetëm marina e Linjanos është disa herë më e madhe se marina e EMAAR Yachtit.

 CILI ËSHTË INTERESI SHTETI SHQIPTAR DHE DY FJALË PËR PASHAIN E FUNDIT

  1. Shteti dhe ekonomia shqiptare nuk ka asnji interes nga kjo aferë financimi . Nga ana kostruktive bëhet fjalë për është rikostruksionin dhe modernizimin e portit Durrësit , me destinacion pasagjerët dhe turistët. Duke ndarë dhe larguar njëherë e mirë përpunimin e mallrave nga porti aktual. Në parim është e drejtë. Por kjo nuk realizohet duke shitur pronën publike dhe nuk fillon nga porti turistëve por duhet të avancojë ndërtimi porteve të mallrave, sepse ata duan dekada të tëra të ndërtohen. Portet e pasagjerëve janë struktura të thjeshta portuale, përpunojnë vetëm njerëz. Ndërsa mallrat tregtare duhet të zgjidhin njëherësh, makineri paisjet, teknologjinë, magazinimin, destinacionin, mjedisin etj. Këto kërkojnë plane afatgjata , nuk janë çështje pasioni. Porto Romano e para nuk është zgjedhja e duhur dhe e dyta nuk ndërtohet shpjeguar me pasion tregtarit imobiliar EMAAR. I cili nuk njeh as Shqipërinë , as bregdetin as nevojat imediate dhe perspektive vendore.
  2. Ndryshimet në portin e Durrësit nuk realizohen, pa analizuar të gjitha alternativat e porteve tregtare, ndryshe janë pasione me kosto të lartë për fukarallëkun e ekonomisë vendore. Në arritjet e lirisë, kulturës dhe ekonomisë së Shqipërisë, aksionerët më të mëdhenj janë fqinjët latinët, gjermanët dhe interieri euro-amerikan, edhe grekët. Sofra dhe çallma që rehatojnë xhidikët e kryeministrit, janë tregtarë të lindur me parimin: “ Është më mirë të marrësh se të japësh”. Ata nuk kanë realizar ndonjë projekt në Shqipëri. Duke i kujtuar Ramës se atë portin e Durrësit që ai po kërkon të bëj pazare në selinë e Kryeministrisë ku rehatohet veziri dhe bulevardin që ai po e shkul për të mbjellë shkurre ,e kanë projektuar dhe ndërtuar djersa dhe gjaku i popullit italian , pa i kërkuar asnji hektarë tokë shqiptarëve.Prandaj është mirë të heq dorë nga pazaret se po trash litarin e zullumit, si pashai fundit i tranzicionit.