Sot dita ndërkombëtare e PAK/ Maksim Rushi: Rëndësia e 3 dhjetorit dhe thirrja ndaj qeverisë për reflektim. Fondi për invalidët në drejtim të paditur

Nga Maksim Rushi, (Kryetar Kombëtar i Shoqatës Shqiptare të Personave me Aftësi Ndryshe)

Rëndësia e 3 Dhjetori, thirrja ndaj qeverisë për reflektim

Sigal

Këtë 3 Dhjetor- në “Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar”, i bëjmë apel qeverisë shqiptare: “Mjaft me propagandë false dhe premtime boshe, hartoni politika reale, lehtësuese dhe efikase për jetën e PAK”

Nuk u krijua asnjë standard i ri profesional, nuk u akordua asnjë pagesë, nuk u siguruan as sigurimet shoqërore e shëndetësore që premtuan se do të mbuloheshin. Për 18 mijë familjet e përmendura nga ministrja, jeta vazhdoi pa asnjë ndryshim. Kujdestarët familjarë vazhdojnë të mbajnë mbi shpatulla një barrë të jashtëzakonshme, pa përkrahje nga shteti dhe shpesh në kushte skajshmërisht të vështira ekonomike e psikologjike.

Më 3 Dhjetor, bota ndalet për të reflektuar mbi një prej çështjeve më themelore të drejtësisë shoqërore: të drejtat, dinjitetin dhe mirëqenien e personave me aftësi të kufizuara. Që prej vitit 1992, kjo ditë është shndërruar në një thirrje globale për ndërgjegjësim, përfshirje dhe solidaritet ndaj një komuniteti që historikisht është lënë në hije. 3 Dhjetori nuk është një datë simbolike që e kalojmë me aktivitete rutinë, por një ditë për të matur ndërgjegjen e shoqërisë, për të rishikuar përgjegjësitë institucionale, për të vlerësuar progresin real — dhe për të pranuar problematikat e mprehta që ende ekzistojnë.

Por në Shqipëri, kjo ditë është edhe një test: një pasqyrë e qartë mes asaj çka thuhet dhe asaj çka jetojnë çdo ditë personat me aftësi të kufizuara. Nëse dëshironi të shihni vendin tonë me ngjyrat më optimiste, të besoni se jemi vendi me rritjen ekonomike më të madhe në rajon, me turizëm të lulëzuar dhe me qytetarë të lumtur e plot shpresë, mjafton të vendosni syzet me të cilat qeveria sheh realitetin. Por nëse kërkoni të prekni të vërtetën, të kuptoni çfarë fshihet pas statistikave dhe deklaratave triumfaliste, atëherë përpiquni të jetoni 24 orë ashtu siç jeton një person me aftësi të kufizuara në Shqipëri.

Nuk e bëj këtë krahasim për efekt dramatik, por sepse sot, më shumë se asnjëherë, mesazhi qeveritar i zhvillimit të pandalshëm bën dhimbshëm kontrast me përditshmërinë e mijëra njerëzve. Ndërsa personat me pushtet politik e ekonomik punojnë në zyrat e tyre të ngrohta e komode, shumë persona me aftësi të kufizuara presin ndihmën e radhës për të blerë një grusht ilaçe, për të paguar një faturë energjie, apo për të siguruar një vakt modest për familjen. Ndërsa pushtetarët tanë vazhdojnë të pashqetësuar të firmosin tendera miliona euroshe, familjet e personave më aftësi ndryshe, nuk mund të përfshijnë në buxhetin e tyre as blerjen më minimale. Ndërsa zyrtarët lëvizin me automjete luksoze, shumë persona me aftësi të kufizuara nuk mund të paguajnë as biletën e autobusit që do t’i çonte në një vizitë tek mjeku.

Edhe më e rëndë është padrejtësia institucionale. Pagesat minimale të aftësisë së kufizuar ndërpriten pa shpjegim, shpesh nën firmat e komisioneve të KMCAP-it, ku vendimet merren me ftohtësi, pa ndjeshmëri dhe pa përgjegjësi morale. Ndërkohë që flitet për reforma dhe standarde europiane, familjet e prekura nga aftësia e kufizuar jetojnë me frikën e ditës së nesërme dhe me pasigurinë e pagesave që u takojnë me ligj.

Është viti i disatë ky, ku qeveria e diskriminon kategorinë e personave me aftësi të kufizuar duke mos i përfshirë në bonusin e fundvitit, e madje as në pranverë të 2025 kjo shtresë nuk e morri bonusin. Ndërkohë që PAK në Shqipëri janë 10 fish më pak se pensionistët, qeveria asnjëherë nuk i mbështet, por mundohet të zhvatë prej tyre.

Në këtë 3 Dhjetor, ndërsa shumë vende të botës flasin për përfshirje, edukim gjithëpërfshirës, punësim me mbështetje, akses në shërbime dhe barazi të plotë, Shqipëria vazhdon të përballet me realitete të trishta: diskriminim, izolim, mungesë shërbimesh dhe barrierash të çdo lloji arkitektonike, institucionale, ekonomike dhe emocionale. Shërbimet sociale janë të pakta dhe të dobëta; shërbimet shëndetësore shpesh të paarritshme; arsimi për fëmijët me aftësi ndryshe nuk është ende i garantuar; ndërsa punësimi i personave me aftësi të kufizuara mbetet më shumë përjashtim sesa rregull.

Prandaj 3 Dhjetori nuk duhet të jetë thjesht dhe vetëm ditë simbolike, por ndërgjegjësim. Nuk duhet të jetë dekor, por pasqyrë. Nuk duhet të jetë ceremoni, por angazhim i vërtetë.

Kjo ditë duhet të na bëjë të pyesim veten: si trajtohen realisht personat me aftësi të kufizuara në vendin tonë? A po u garantojmë të drejtat që u njohim me ligj? A po ndërtojmë politika që respektojnë dinjitetin e tyre? A po i dëgjojmë, apo thjesht flasim në emrin e tyre?

Ne nuk do ndalemi kurrësesi, sot ashtu sikurse vite me rradhë, përmes pasqyrës mediatike më të pastër dhe të papërlyer, siç është gazeta Telegraf, të bëjmë apel ndaj shoqërisë, institucioneve shtetërore, kryeministrit të vendit, ministrive përgjegjëse, dhe çdo aktori publik: të tregojnë më shumë transparencë, përgjegjësi dhe ndjeshmëri. Të hartojnë politika reale, jo propagandë. Të mbrojnë, jo të presin. Të përfshijnë, jo të margjinalizojnë.

Sepse 3 Dhjetori është pikërisht kjo: një thirrje universale që na kujton se dinjiteti njerëzor nuk është privilegj i disa njerëzve, por e drejtë themelore e të gjithëve.

Ku përfundoi fondi i akorduar në buxhetin e vitit 2025, ndaj aftësisë së kufizuar, e cila nuk përfitoi asnjë nga premtimet e një viti më parë?

Në këtë sfond të vështirësive të përditshme, bie veçanërisht në sy edhe hendeku mes asaj që deklarohet publikisht dhe asaj që realizohet në praktikë. Jo më larg se një vit më parë, kur po diskutohej për miratim nga parlamenti, buxheti i vitit 2025, ish-ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e trumpetoi me zë të lartë një nismë për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, për ndihmësat personalë të personave me aftësi ndryshe të grupit të parë. “Janë plot 18 mijë kujdestarë personal,” deklaroi ajo, “për të cilët MSHMS është duke punuar për të lansuar figurat e reja profesionale. Figura e ndihmësit personal apo e kujdestarit personal është një figure, të cilën së bashku me asistencën dhe projektet e BE jemi duke punuar për ta lansuar si një figurë profesionale, e cila përveç aftësimit, trajtimit, do duhet të mbështeten financiarisht për pagën dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.”

Premtimet tingëllonin të mëdha, moderne, europiane. Por asgjë nga këto nuk u pa të bëhej realitet. Asnjë prej këtyre figurave të shumëpërfolura nuk u fut në sistemin publik. Nuk u krijua asnjë standard i ri profesional, nuk u akordua asnjë pagesë, nuk u siguruan as sigurimet shoqërore e shëndetësore që premtuan se do të mbuloheshin. Për 18 mijë familjet e përmendura nga ministrja, jeta vazhdoi pa asnjë ndryshim. Kujdestarët familjarë vazhdojnë të mbajnë mbi shpatulla një barrë të jashtëzakonshme, pa përkrahje nga shteti dhe shpesh në kushte skajshmërisht të vështira ekonomike e psikologjike.

Këto deklarata të pambajtura nuk janë thjesht lapsuse politike. Ato janë premtime të dhëna një komuniteti që varet nga ndihma institucionale për të jetuar me dinjitet. Kur premton hope të reja, Por pastaj nuk e hap asnjë derë, institucioni jo vetëm zhgënjen, por dëmton realisht jetën e mijëra personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre. Ndaj dhe këto raste nuk duhen harruar, sepse ato janë pjesë e problemit: shumë fjalë, pak vepra; shumë nisma në letër, asnjë zbatim në terren. Lind pyetja: Ky fond i akorduar nga buxheti i 2025, i cili kurrë nuk u bë realitet, për çfarë u premtua, mos vallë edhe ky fond ka përfunduar në duart e hajdutëve të veshur me pushtet? Kur bëhet fjalë për shtresën e personave me aftësi ndryshe, vetë Bashkimi Europian është i ndjeshëm dhe i gatshëm të kontriubojë, mos rezervohet për të dhënë fonde, por abuzimi i bërë haptazi ndaj këtij komuniteti njerëzish ku prej vitesh trajtohen me lëmosha, nuk justifikon dhe nuk lejon transparencë me fondet publike të cilat projektohen për këto grupe të margjinalizuar individësh dhe përfundojnë në ujqërit e panginjur, të gatshëm të shqyejnë çdo gjë në emër të pangopësisë së tyre që nuk njeh kufij.

Po aq shqetësuese sa premtimet e pambajtura është edhe situata reale e kujdestarëve të personave me aftësi të kufizuara. Ne kërkojmë rritjen urgjente dhe të domosdoshme të pagesës së kujdestarëve personalë, sepse me 13 mijë apo 14 mijë lekë në muaj — një shumë që nuk mbulon as faturën e energjisë — askush nuk mund të afrohet të kryejë këtë punë të vështirë, të lodhshme dhe emocionalisht rraskapitëse.

Pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia bie pothuajse gjithmonë mbi familjarët. Janë ata që qëndrojnë 24 orë në 7 ditë të javës pranë personit të sëmurë, që heqin dorë nga karriera, nga jeta sociale, nga mundësitë ekonomike, për t’u përkushtuar plotësisht kujdesit të një të afërmi. Megjithatë, shteti ende nuk u njeh një pagesë dinjitoze, nuk u garanton sigurime të plota shoqërore e shëndetësore, nuk i mbështet me trajnim apo me lehtësime. Të dashur shtetarë, paga minimale e premtuar nga ju po shkon drejt 500 euro në muaj. Pse nuk i vlerësoni denjësisht këta heronj të heshtur, ndihmësa personalë që meritojnë t’i kuptoni, trajtoni dhe respektoni me mjete financiare dhe ligjore të qëndrueshme.

Kujdestari familjar është shtylla e vetme që mban mbi supe një sistem që nuk funksionon. Por kjo sakrificë e jashtëzakonshme, që shpesh kalon në heshtje dhe në hije, nuk mund të mbetet më e padukshme. Shteti duhet ta pranojë se kujdesi 24/7 është punë, është përgjegjësi, është kontribut i qenësishëm shoqëror — dhe duhet paguar si i tillë. Ndryshe, çdo fjalë për “standard europian” mbetet propagandë bosh pa asnjë lidhje me realitetin.

Vazhdon të mos zgjidhet problemi i indeksit të çmimeve për periudhën 2005-2010.

U bënë vite me radhë që ne kërkojmë, trokasim, kërkojmë sërish dhe këmbëngulim për një të drejtë që na takon me ligj. Por edhe sot, pas dy dekadash, barriera të panevojshme vazhdojnë të na ndalojnë nga përfitimi i saj. Po flasim për indeksimin e çmimeve për periudhën 60-mujore (gusht 2005 – korrik 2010), një indeksim që shteti ka detyrimin ta kthejë në trajtën e një dëmi financiar të pësuar nga personat me aftësi të kufizuara – dhe që ende nuk është shlyer.

Kjo e drejtë, e mohuar prej 20 vitesh, ka bërë që mijëra persona me aftësi ndryshe, të cilët kanë statusin e tyre prej shumë vitesh dhe përfshihen në këtë interval kohor – të detyrohen të ndjekin rrugën gjyqësore për ta marrë atë që iu takon. Këtu përfshihen 47 përqind e personave përfitues nga kategoria e PAK, që e kanë marrë këtë indeksim përmes një karvani stërmundimesh  Por kjo rrugë është e lodhshme, e kushtueshme dhe shpesh demoralizuese. Ndjekja e gjyqeve kërkon prani të avokatëve, të cilët, me të drejtën e tyre profesionale, kërkojnë përqindjen për secilin përfitues. Ndërkohë që vetë procesi zvarritet, shtyhet, komplikohet, duke e bërë edhe më të vështirë realizimin e kësaj të drejte elementare.

E gjithë kjo nuk është thjesht burokraci — është nëpërkëmbje e një komuniteti që prej shumë vitesh përballet me sfida të mëdha dhe që kërkon vetëm atë që i takon, jo më shumë. Për këtë arsye, ne i bëjmë thirrje të qartë dhe të drejtpërdrejtë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Ministrisë së Financave, të heqin të gjitha barrierat që e pengojnë këtë proces dhe të parashikojnë këtë fond në Buxhetin e vitit 2026, për 53 përqind të kësaj kategorie që nuk kanë mundur dot të marrin atë që u takon.

Ky fond nuk është lëmoshë. Nuk është dhuratë. Nuk është mëshirë.
Është detyrim i shtetit, është e drejtë ligjore dhe është borxh ndaj një kategorie qytetarësh, që kanë pritur më shumë se mjaft. Ne kërkojmë vetëm atë që na takon. Vetëm të drejtat tona.

Vlerësimi bio-psiko-social ose mekanizmi i turpit, që përdoret si mjet për kursime në kurriz të më të pambrojturve…

Ne nuk ndalemi së bërë apel ndaj shoqërisë, institucioneve shtetërore dhe veçanërisht ministrisë përgjegjëse që të tregojnë më shumë ndjeshmëri ndaj çështjeve që prekin komunitetin e personave me aftësi të kufizuara. Kërkojmë transparencë në mënyrën si hartohen dhe zbatohen politikat për ta, kërkojmë maturi institucionale dhe zbatim të drejtë të ligjit.

Por ndërsa presim këtë përgjegjësi minimale, realiteti bëhet edhe më i rëndë. Sikur të mos mjaftonin vështirësitë e përditshme dhe fakti se trajtimi financiar asnjëherë nuk është vendosur në nivelin e minimumit jetik, sot personat me aftësi ndryshe veçanërisht ata me dëmtime fizike dhe pluridifekt, të pambuluar nga skema e sigurimeve shoqërore po përballen me ulje të papritur të kësaj pagese. Çdo muaj, pas rikomisionimit, ata zbulojnë me tronditje se 11 900 lekët e pakta që merrnin janë ulur 50 deri në 70 euro, duke mos marrë dot as 100 euro në muaj për shkak të të ashtuquajturit vlerësim bio-psiko-social.

Komisionet e ngritura në bashki, të cilat vlerësojnë aftësinë në katër kategori – të lehtë, të moderuar, të rëndë dhe shumë të rëndë – prej një projekti pilot u kthyen në mekanizëm të përhershëm, pa studim të vërtetë socio-ekonomik dhe pa transparencë. Ajo që ndodhi më pas është një padrejtësi e qartë: megjithëse gjendja shëndetësore e shumë personave është rënduar, trajtimi financiar u ul. Asnjë prej tyre nuk “është lehtësuar”. Asnjë nuk është kategorizuar më rëndë. Mekanizmi është përdorur si mjet për kursime në kurriz të më të pambrojturve.

Një vend normal, demokratik, nuk do të guxonte kurrë të prekte pagesën e aftësisë së kufizuar. Një akt i tillë do të cilësohej turp, madje një formë dhune institucionale ndaj qytetarëve më të brishtë. Asnjë kushtetutë, në asnjë shtet të varfër, apo të pasur, nuk parashikon ulje të trajtimit financiar për personat me aftësi ndryshe.

Megjithatë, qeveria “Rama” duket se nuk trembet as nga shkelja e nenit 59, germa f të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila garanton “riaftësimin shëndetësor, edukimin e specializuar dhe integrimin në shoqëri të të paaftëve, si dhe përmirësimin në vazhdimësi të kushteve të tyre të jetesës.”

A i përmirëson kushte jetese ulja e trajtimit financiar me 20 apo 50 euro në muaj? Në një shoqëri ku njerëz të shëndetshëm e me mundësi pune nuk arrijnë të mbulojnë nevojat bazë, si mund t’ia dalin me dinjitet personat me aftësi të kufizuara? Si të marrin ilaçet, ushqimet, shërbimet për mbijetesë?

Ky fakt ulërin, por zëri i tij përplaset në veshët e shurdhër të qeverisë. Ndërkohë që Shqipëria zbrazet dita-ditës, qeveria vazhdon të zbatojë politika të mbrapshta, të padrejta dhe vrastare për shpresën e qytetarëve. Dhe sa kohë që zëri ynë nuk dëgjohet, padrejtësia ndaj personave me aftësi ndryshe vetëm sa thellohet.

3 Dhjetori nuk është festë. Nuk është datë për dekorata, as për statuset plot ngjyra të institucioneve. Është pasqyra më e qartë e një shoqërie që ende nuk ka mësuar të shohë, të dëgjojë dhe të respektojë qytetarët më të pambrojtur. Sa kohë që personat me aftësi ndryshe trajtohen me ulje pagesash, me barriera, me thyerje premtimesh dhe me politika që i shtyjnë drejt varfërisë, Shqipëria nuk mund të quajë veten vend demokratik. 3 Dhjetori është një kujtesë e dhimbshme se sa shumë kemi dështuar si shtet dhe si shoqëri. Dhe derisa këtë datë ta shoqërojë drejtësia, jo hipokrizia, zëri ynë nuk do të pushojë.