Skandali i plehrave të Shqipërisë/ Ministri Arben Ahmetaj, “truri” që thuri rrjetën e koncesioneve korruptiv të inceneratorëve. Ja denoncimi

93

 

Fijet pas Sharrës

Zona e trajtimit të mbetjeve në Elbasan u inaugurua me një ceremoni masive në prill 2017 dhe një podium u vendos poshtë barkut të hapur të inceneratorit. Mbi të u ngjit kryeministri Edi Rama, i cili e mburri impiantin si një transformim që do t’i jepte fund “masakrës ekologjike” të trajtimit të mbetjeve në Shqipëri. Rama gjithashtu nuk i kurseu vlerësimet për dy anëtarët e kabinetit qeveritar, ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe atë të Financave, Arben Ahmetaj. “I jam mirënjohës ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Financave, që ndonëse gjirokastrit, e zgjidhi deri në fund qesen…,” tha Rama nga podiumi. Në qëndrimet e tij publike, ministri Ahmetaj ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë rol dhe nuk ka firmosur asnjërën prej kontratave koncesionare të trajtimit të mbetjeve urbane. Por ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka i tha “BIRN” se këto kontrata ishin produkt i disa institucioneve në qeveri dhe në pushtet lokal. “Me këto projekte kanë punuar 3-4 institucione, është përfshirë bashkia Elbasan, Ministria e Mjedisit dhe disa ministri të tjera. Pastaj për përllogaritjen e kostove dhe pagesave, negociatat kanë kaluar mes kompanisë në Ministrisë së Financave,”- tha Koka, duke iu referuar koncesionit të parë të Elbasanit. Inaugurimi me “tapet të kuq” i inceneratorit të Elbasanit ndodhi në kohën kur qeveria ishte në shenjestër të akuzave për koncesionin e dytë të Fierit dhe po bëhej gati për një kontratë shumëfish më të madhe. Më 31 gusht 2017, ministri i Mjedisit, Lefter Koka firmosi edhe koncesionin e tretë të Tiranës në favor të “Integrated Energy” B.V – një kompani e regjistruar në Amsterdam të Holandës. Kompanitë e regjistruara në regjime fiskale si Holanda, me drejtorë të emëruar dhe në formë trusti, shërbejnë për të fshehur identitetin e përfituesve fundorë të një biznesi. Fituesja e koncesionit të Tiranës, “Integrated Energy” B.V u prezantua në Shqipëri si partnere e “Integrated Technology Services”, “Energy Recuperator” dhe prodhuesit ndërkombëtar të impianteve, “Paul Ëurth” –tre kompanitë që kishin ndërtuar më parë inceneratorin e Elbasanit. Edhe pse pati një tranzicion të shpeshtë drejtorësh në bordin e kompanisë në Holandë, kjo nuk i trazoi ujërat në operacionet e kompanisë bijë në Tiranë, “Integrated Energy” B.V SPV. Të dhëna që tregojnë se koncesionari i Tiranës menaxhohet në prapavijë nga i njëjti grup juristësh dhe ekonomistësh të rinj, të cilët kanë punuar më parë për zonat e trajtimit të mbetjeve në Elbasan dhe Fier. Ata i bashkon gjithashtu një historik punësimi me kompaninë “Integrated Technology Services”. Mirel Mërtiri është edhe zyrtarisht i lidhur me “Integrated Technology Services”, pasi emri i tij figuron në listë-pagesat e kompanisë të paktën deri në mars 2019. Ish-ministri Koka u pyet për aksionerët e kompanisë “Integrated Energy” B.V në Holandë dhe tha se ata janë investitorë të huaj. Por ai nuk e mohoi një rol të Mërtirit në zonën e trajtimit të mbetjeve në Sharrë. “Të gjitha prokurimet po t’i shohësh, kur vijnë kompani të huaja, kanë edhe një partner lokal,”- tha Koka në një bisedë telefonike me “BIRN”.

Lidhje politike

Biznesi i madh i mbetjeve urbane i shtoi orekset dhe lidhjet politike të Mirel Mërtirit –ndërsa rrjeti i kompanive të lidhura me të u zgjerua drejt zonave “offshore”. Prej vitit 2014, njerëz të tjerë të afërt me politikën u përfshinë në marrëdhënie biznesi me Mërtirin ose me kompanitë e lidhura me të. Në qershor 2015, Mërtiri shfaqet në Maltë si drejtor i kompanisë “KL Group Ltd” –me aksionere një tjetër kompani të quajtur “KLME Holding” me seli në Seychelles. Drejtor i “KL Group LTD” kishte qenë më parë edhe Andi Beli –një emër i njohur i mesit të viteve 2000 në Shqipëri, si drejtues i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Beli rezulton prej vitesh si rezident në Maltë. Në maj 2016, emri i Mërtirit dhe i “KL Group Ltd” u ekspozua nga rrjedhja e madhe e të dhënave për industrinë offshore nga “Panama Papers”. Kompania e ndryshoi më pas emrin në “Sien Group Ltd” dhe ka gjeneruar të ardhura prej rreth 400 mijë eurosh gjatë viteve 2016-2017. Në vitin 2017, kompania “Onyx” e sekretarit aktual organizativ të Partisë Demokratike, Sahit Dollapi u kontraktua për punime elektrike në zonën e trajtimit të mbetjeve në Fier. Emri i kompanisë së Dollapit shfaqet edhe në lejen e ndërtimit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Ndërtimi i zonës së trajtimit të mbetjeve u shoqërua me protesta dhe revoltë nga banorët e fshatit Vërri –protesta të cilat u mbështetën edhe nga Partia Demokratike. I pyetur nga “BIRN”, Dollapi sqaroi se kompania e tij “Onyx” ka kryer punime elektrike me vlerë rreth 5.6 milionë lekë për impiantin e Fierit dhe se kjo nuk ka ndikuar në angazhimet e tij politike. “Punimet janë kryer në një periudhë kur unë nuk mbaja asnjë funksion në PD, në vitin 2017 dhe shkurt 2018. Jam zgjedhur sekretar organizativ në janar 2019,”- tha Dollapi. Gjatë vitit 2019, Mërtiri akuzohet se e zgjeroi ortakërinë me drejtuesit e televizionit më të madh kombëtar, “Top-Channel”.  Sipas një dokumenti të publikuar më parë nga portali “City Neës Albania”, Mërtiri, Zoto dhe Eva Blushi –bashkëshorte e drejtorit të Përgjithshëm të “Top Channel”, Ben Blushi themeluan në Sofje të Bullgarisë kompaninë “EM Capital Group AD”. Në nëntor 2019, “EM Capital Group AD” bleu 51% të aksioneve të kompanisë “Valtelina” sh.p.k në pronësi të pronares së “Top Channel”, Vjollca Hoxha, për rreth 1.2 milionë euro. I pyetur nga “BIRN” rreth akuzave të ngritura në media, Ben Blushi tha përmes përfaqësuesit të tij ligjor, se ndaj tyre ka ngritur padi për shpifje. “Pyetjet që ju i drejtoni nuk kanë asnjë interes për publikun, pasi flitet për një marrëdhënie juridiko -civile të rënë dakord midis palëve,”- tha Blushi përmes avokatit Lulzim Alushaj. “Zoti Blushi nuk ka firmosur asnjë kontratë koncesionare, asnjë marrëveshje shtetërore, asnjë dokument zyrtar, e për pasojë përfshirja e tij në këtë shkrim tuajin është tendencioz, për të spostuar vëmendjen e publikut ndaj së vërtetës,” -shtoi ai. Ndërkohë, Andi Beli ishte i paarritshëm për koment.

Aventura afrikane

Në fillim të vitit 2018, kompania projektuese italiane “Icaria” S.r.l nisi të merrte kërkesa në rritje nga Shqipëria për një mall të rrallë dhe të kushtueshëm si impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane. Kërkesat vinin nga i njëjti burim, por Shqipëria nuk ishte destinacioni i vetëm. Deri në prill 2019, “Icaria” projektoi shtatë impiante; njërin për llogari të koncesionarit të Fierit dhe gjashtë të tjerë për koncesionarin e Tiranës “Integrated Energy” B.V SPV. Katër prej impianteve kishin destinacione të largëta si Gana në perëndim dhe Zimbabve në jug të Afrikës. Nga të shtatë projektet, përjashtim bën porosia për projektimin e një impianti të ujërave të ndotur për zonën e trajtimit të mbetjeve në Sharrë. Impianti u porosit dhe u pagua nga kompania “3DDD Sëiss Trading S.a”, me seli në Lugano të Zvicrës. Aventura afrikane e Mirel Mërtirit nisi si ekspansion i modelit shqiptar të partneritetit publik-privat në fushën e mbetjeve urbane dhe u financua nëpërmjet kompanive koncesionare – të cilat paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Ajo u lançua zyrtarisht edhe në faqen e gjuhës angleze të kompanisë “Integrated Energy” B.V – ku theksohej se projektet do të realizoheshin nëpërmjet bashkëpunimeve me qeveritë e Ganës dhe Zimbabves. Kompania  “3DDD Sëiss Trading S.a” u themelua në janar 2019 në Lugano dhe kishte si zv.president Ilir Dedjen –një emigrant 51-vjeçar me origjinë nga fshati Seferaj i Kavajës. Dedja kishte jetuar për dy dekada si tregtar në Itali dhe prej vitit 2017, zotëronte kompaninë e konsulencës “Drax Consult Sagl” në Zvicër. Rrugët e Dedjes dhe Mërtirit kryqëzohen në shtator 2018, kur Dedja  bleu kompaninë, asokohe me humbje “C.G.C”, që administrohej nga Mërtiri. Në vitin 2019, Dedja ktheu mbrapsht 70% të aksioneve të  “ITS” për një vlerë shitjeje prej 600 mijë eurosh. Republika afrikane e Ganës duket të ketë qenë zgjedhja e parë, pasi tre nga katër projektet e impianteve ishin të destinuara për kryeqytetin Akra dhe qytetet Kumasi dhe Shama. Por prej tyre nuk gjendet asnjë gjurmë. Në shkurt 2019, në hartë u fut edhe Zimbabve në jug të Afrikës, pasi koncesionari “Integrated Energy” B.V SPV porositi tek “Icaria S.r.l” një impiant me kosto ndërtimi prej 110 milionë euro për një venddepozitim mbetjesh në periferi të kryeqytetit  Harare. Sipas raportimeve mediatike në Zimbabve, “IEBV” arriti në maj 2019 të nënshkruante një memorandum mirëkuptimi me qytetin e Harares për një koncesion 30-vjeçar, por kërkesat e saj u ngritën vetullat përpjetë zyrtarëve lokalë. Kancelari i Këshillit, Hosiah Chisango citohet të ketë thënë për “All Africa” se memorandumi u prish kur përfaqësuesit e “Integrated Energy” B.V  kërkuan pagesa paraprake prej miliona dollarësh. Në gusht 2019, ofertë për biznes në Zimbabve bëri edhe kompania “Drax Consult SAGL” në pronësinë e Ilir Dedjes, e cila përfaqësohej nga Delish Nguëaya, një biznesmen lokal i lakuar për lidhje të afërta me rrethin e ngushtë familjar të presidentit Emmerson Mnangagëa. Në qershor të këtij viti, një skandal shpërtheu në Zimbabve pas ekspozimit në media se “Drax Consult Sagl” dhe “Drax International” kishin nënshkruar kontrata në vlerën 60 milionë USD, në shkelje të dyshuar të rregullave të prokurimit për furnizimin e vendit me pajisje në luftën kundër COVID-19. Afera e quajtur “Covidgate” vendosi nën akuzë për korrupsion ministrin e Shëndetësisë, Obadiah Moyo dhe disa zyrtarë të kompanisë shtetërore “NatPharm”, ndërsa biznesmeni Nguëaya u akuzua për mashtrim. Mediat në Zimbabve ngritën pikëpyetje edhe mbi rolin e presidentit Mnangagëa, pas publikimit të një fotografie nga takimi i tij me Mirel Mërtirin.  Në një reagim të rrallë për mediat, Mërtiri mohoi çdo lidhje me kompanitë “Drax” dhe skandalin e ilaçeve në Zimbabve. Edhe Ilir Dedja mohoi çdo lidhje të Mërtirit me kompanitë e tij, “Drax Consult Sagl” dhe “Drax International”,  apo me angazhimet e biznesit në Zimbabve. Në një bisedë telefonike me “BIRN”, Ilir Dedja pretendoi se kishte bërë biznes të ligjshëm në Zimbabve, përmes një studioje ligjore, pa udhëtuar asnjëherë atje dhe pa takuar asnjë politikan të nivelit të lartë. Ai pretendoi gjithashtu se kontratat për llogari të dy kompanive nuk ishin 60 milionë, por 33.7 milionë USD. “Unë kam dorëzuar 2.7 milionë USD pajisje në Zimbabve dhe jam paguar vetëm për 2 milionë USD,” -tha ai, duke shtuar se përfaqësuesit e tij ligjorë do ta ndiqnin çështjen deri në fund. Dedja pranoi se e njihte Mërtirin prej kohës së blerjes së kompanisë  “C.G.C”., me qëllimin për të ndërtuar një fabrikë qelqi në Shqipëri. Ai konfirmoi gjithashtu se kompania e tij “3DDD Sëiss Trading S.A” ka paguar projektin e impiantit të ujërave të ndotur në Sharrë, por e konsideroi këtë një marrëveshje normale biznesi. “Unë kam shumë partnerë në Europë dhe kompaninë “Icaria S.r.l” e njoh shumë mirë, sepse në Itali kam punuar për 20 vite,” -tha Dedja. “Madje për projektin nuk jam paguar ende nga zotëria [Mërtiri],”  -përfundoi ai.

(Titulli i origjinalit: Lidhjet e Arben Ahmetajt me biznesmenin në hije të inceneratorëve Nga Aleksandra Bogdani dhe Besar Likmeta)

 

SOMARIO

1

Ministri Ahmetaj ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë rol dhe nuk ka firmosur asnjërën prej kontratave koncesionare të trajtimit të mbetjeve urbane. Por ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka  tha: Për përllogaritjen e kostove dhe pagesave, negociatat kanë kaluar mes kompanisë në Ministrinë e Financave

2

Fituesja e koncesionit të Tiranës, “Integrated Energy” B.V u prezantua në Shqipëri si partnere e “Integrated Technology Services”, “Energy Recuperator” dhe prodhuesit ndërkombëtarë  të impianteve, “Paul Ëurth” –tre kompanitë që kishin ndërtuar më parë inceneratorin e Elbasanit

 

 

3

Aventura afrikane e Mirel Mërtirit nisi si ekspansion i modelit shqiptar të partneritetit publik-privat në fushën e mbetjeve urbane dhe u financua nëpërmjet kompanive koncesionare – të cilat paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Ajo u lançua zyrtarisht edhe në faqen e gjuhës angleze të kompanisë “Integrated Energy” B.V