Si qeveria e Mustafa Krujës joshi Myslim Pezën për të kaluar në Partinë Fashiste

283
Sigal

Gazeta Telegraf

Më 3 dhjetor të vitit 1941, u krijua qeveria shqiptare me kryeministër dhe ministër të Punëve të Brendshme Mustafa Krujën. Qeverisja e tij zgjati deri më 4 janar të vitit 1943. Në përbërje të kabinetit ishin, Jup Kazazi-Ministër i Partisë Fashiste Shqiptare, Hasan Dosti-Ministër i Drejtësisë, Shuk Gurakuqi-Ministër i Financave, Iljaz Agushi-Ministër i Punëve Botore, Dhimitër Berati-Ministër i Kulturës Popullore, Fuat Dibra-Ministër i Ekonomisë kombëtare dhe Dr. Tahir Shtylla-Ministër i tokave të çliruara. Qeveria e Mustafa Krujës me ndihmesën e dhënë nga Musolini u përpoq për t’i dhënë shqiptarëve një reagim më liberal dhe më autonom. Kështu shqiptarëve ju kthye flamuri i mëparshëm, duke ju hequr atij kurorën e Savojës dhe Fashiot e liktorit; u liruan nga internimi e burgu një numër i madh antifashistësh; u shpall amnisti për çetat që vepronin kundër italianëve, u ripërtëri xhandarmëria shqiptare, u vendosën lidhje me disa nga udhëheqësit e çetave, shumë prej të cilëve ai kishte patur marrëdhënie me ta që në vitet e para të veprimtarisë antizogiste. Mundi t’i bëjë për vete të paktën përkohësisht disa nga udhëheqësit e çetave, përfshi këtu dhe Myslim Pezën, i cili pranoi një amnisti të plotë dhe të drejtën për të lëvizur lirisht. Megjithatë Myslim Peza nuk pranoi të vijë në Tiranë për të marrë ndihmën e premtuar në të holla, për shkak të mosbesimit që kishte ndaj autoriteteve italiane. Këto suksese të qeverisë së Krujës qenë të përkohshme, shumë prej premtimeve të tija mbetën në mes të rrugës, kështu shumë antifashistë që u liruan nga internimet në Itali u bashkuan me grupet e rezistencës, dolën në mal, gjendja në vend u keqësua më tej etj. Po megjithatë deri në fund të vitit 1941 në Shqipëri nuk qe zhvilluar një lëvizje me të vërtetë mbarëkombëtare dhe kjo nisi të zhvillohej më në fund nga përpjekjet e lëvizjes komuniste e përafërt me lëvizjen e qëndresës kombëtare. Në fjalën e mbajtur në Pejë, më 29 qershor 1942, përshkruan brengat shpirtërore të atyre viteve të gjata e rrëfehet para kosovarëve për bindjet e tij politike. “Si shqiptar do të kishem fluturue këtu qysh ditën e parë qi ora e pavdekshme e fisit arbnuer deshti me ia kthye tekembramja këto vise të bekueme prej të Madhit Zot atij qi i përkasin: Kombit shqiptar. Si Mustafa Kruja, qi s’ka bâ punë të madhe për tokën e shênjtë e për popullin vigan të kësaj Kosove, por në mos tjetër i ka kjajtë në zêmër të vet me lot gjakut për 30 vjet rrjesht robnín e saj, mundimet e salvimet e përgjakshme të bijve të saj. Ndonse larg, kam rrnue shpirtnisht me ju, ndërmjet jush. Ka pasun shqiptarë, shokë të mij sërbofila, qi më kanë ngjitun vulën e zezë të tradhtís, sepse kam diftue sympathí për Italín, bashkë me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, me Dervish Mitrovicën e sa e sa kosovarë tjerë. Po! Nuk e mohoj. Krejt sympathija e eme, mâ e sinqerta, ka qênë për Italín, ka qênë për Romën sikurse vijon me qênë edhe sod. Sepse ka qênë e âsht nji sympathí qi i ka rrânjët në dashunín t’eme pa kufì për Kosovën shqiptare, për Kosovën kreshnike, për Kosovën e martirizueme. Nuk mujshem e nuk mundem me dashtun sërbín, Beligradin, xhelatët e vllazënve të mij kosovarë. Qe pse jam kenë, jam e do të des italofil. Italofil jo për interesë personale, por për nji ideal, italofil pa pallate e pa çifliqe. E sod qi Kosova âsht bâ shqiptare, sod qi Kosova s’âsht ma ‘juzhna Srbija’ as ‘Metohija’, por quhet Prefektura e Prishtinës, Prefektura e Prizrenit, Prefektura e Pejës e Mbretnìs Shqiptare, bash në saje të bashkimit të shtetit t’onë me italín fashiste, sod un krenohem për italofilín t’eme, edhe në qoftë se nuk kuqen ndopak ata qi këtë italofilí e kanë vulosun për tradhtí. Për nji njeri qi s’ka tjetër ambicje posë realizimit të nji ideali, s’ka kënaqësì mâ të madhe se me e pà kët ideal të vërtetuem”.

Jeta

Lindi në Krujë më 15 mars 1887, i biri i Mehmet Merlikës (Meti i Fajës së Merlikës) dhe Hanke Corkës. Arsimin fillor e mori në shkollën e qytetit, ku mësimet konsistonin në ushtrimin e leximit të arabishtes dhe turqishtes. Pas shpërnguljes së familjes së tij për shkaqe gjaku në Durrës, vijon mësimet. Pas shpërthimit të Luftës Turko-Greke më 1897, i ati dhe i ungji thirren nën armë. Familja e tij rikthehet sërish në Krujë, ku djaloshi rifillon nxënjet me mësuesit e tij të parë të fillores dhe më pas hyn në gjimnazin e ulët (ruzhdije) të qytetit, të cilin e përfundon pas 3 vjetësh. Fryma e lëvizjes kombëtare ndjehej edhe në mjedisin krutan. Një vend i tillë ishte dhe dyqani i tregtarit Miftar Seseri, ku në kthinat e tij zhvillohej mësimi i gjuhës shqipe dhe këndimi i letërsisë kombëtare. Mustafa, që punonte aty shegert, pati mundësinë të mësonte gjuhën amtare, të lexonte letërsinë e Naimit. Ky dyqan ishte dhe ambienti i parë që ndikoi vetëdijen kombëtare shqiptare të Mustafa Merlikës dhe aty ndoshta, mbiu në shpirtin e tij dhe filizi i atdhedashurisë e shtysa për t’u angazhuar në lëvizjen kombëtare. Më 1902 me të mbaruar mejtepin e Mulla Hysenit – i ati, që ishte rreshter i trupave mbrojtëse të Esad pashë Toptanit në Janinë, e thërret të birin për t’u regjistruar me ndihmën e Esad Pashës, në gjymnazin (idadije) e Janinës. Aty adoleshenti hasi pengesat e para, dhe kuptoi mangësitë e formimit të tij shkollor të kryer në vendlindje. Fillimet e gjimnazit me atë turqishten e mësuar çalë-çalë, ishin tepër të vështira, derisa pas kritikave t’ashpra të profesorit të vet, vendosi ta mësojë me themel. Vitin e tretë të shkollës e mbaron pranë gjimnazit “Nymunei Terakki” në Stamboll. Si në Janinë edhe në Stamboll, qoftë në ambientet e shkollës, si me profesorë dhe nxënës shqiptarë, qoftë edhe jashtë saj, ai u aktivizua në rrethin e shqiptarëve të cilët përkrahnin përpjekjet kombëtare, mësimin e gjuhës shqipe dhe shpërndarjen e literaturës në shqip. Pas mbarimit të gjimnazit, duke qenë se ishte shumë i aftë në lëndët ekzakte dhe kishte dalë i pari në matematikë, Mustafai dëshironte të studionte për inxhinieri, por ndikimi dhe këmbëngulja e Esad Pashës për t’u bërë kajmekan duke studiuar në Shkollën Civile e Administratës Mbretërore “Mülkiye-i-Sehahané” (Fakulteti i Shkencave politike-administrative), prej së cilës dilnin elitat e Perandorisë Osmane, e çuan t’i bindej këtij të fundit, për të cilin kishte respekt si bamirësi i familjes Merlika. Por ai parapëlqente që shkollën ta fitonte me konkurs dhe jo me dekret të posaçëm sulltanor, që do të nënkuptonte ndërhyrjen e pashës tek rrethi i ngushtë i sulltanit. Kështu bëri, u rendit i 11-ti, në rënditjen totale të 40 fituesve, nga 200 konkurrentë që hynë gjithsej në konkurs. Edhe gjatë viteve të larta në Stamboll, ai nuk rreshti së përpjekuri në rrethin e studentëve shqiptarë, përkrahës kombëtar dhe që autor i disa shkrimeve e artikujve të botuar nën inicialet A.X. të pseudonimit «Asim Djenan» (Xhenan). Angazhimi i tij politik në lëvizjen e propagandimin e ideve kombëtare shqiptare ndër studentët e Stambollit, i kushtuan edhe përzënien e tij prej xhon-turqve nga shkolla, pas të cilit mendoi të emigronte në ShBA. Ishte koha kur lëvizja xhonturke kishte përfshi mbarë Turqinë me pretekstin e rivendosjes së Kushtetutës së 1876. Në këtë periudhë Mustafai fillon të interesohej për politikë duke shkruar artikuj të ndryshëm e duke marrë pjesë në një shoqëri revolucionare. Megjithatë, këmbëngulja e bashkëstudentëve bashkë me disa profesora dhe ndërhyrjet e disa deputetëve shqiptarë, bënë që ai të ripranohej në Mylkije, ku u laureua më 1908; e prej nga do të dalë në vitin 1910: “licencié en sciences politiques et sociales”. Më 1909 do të fejohej prej dëshirës të së ëmës me Caje Gunin.