Si e priti Gjirokastra Avni Rustemin pas ekzekutimit të Esat Pash Toptanit

472
Sigal

Zbardhen dokumentat e arkivës së Stambollit: Heronjtë si Avniu, vullnetar i Luftës së Vlorës lindin në një shekull. Bashkimi me çtën e Çerçiz Topullit, gjykimi në Paris, udhëtimi drejt Gjirokastrës, aksidenti në Tepelenë, deklarata për Toptanin dhe atentati ndaj Zogut në Parlament. Ngjarjet që lidhen me numri 13 të Avniut dhe vrasja e tij e dytë në 2021 për “harresën” e 2 krismave ne Paris

Heronjtë lindin në një shekull. Ishte e thënë që Avni Rustemi kishte lindur me atë detyrë të shenjtë. Ai pati fatin e bardhë të zhdukë frikën e zezë. Si ju bashkua çetës së Çerciz Topullit, udhëtimi nga Vlora drejt Gjirokastrës, aksidenti në Tepelenë, darka zyrtare, pengu për vrasjen e Zogut

 Si e priti Gjirokastra pas daljes nga burgu, Avni Rustemin, vullnetarin e Luftës së Vlorës dhe atentatorin e tradhëtarit  Esat Pasha

Përgatiti : Ilirjan Lluri

1-Zbardhen dokumentat e arkivës së Stambollit mbi shënimet e  botuesit të gazetës kombëtare “DRITA”, Veli Hashorva, mik  i Avni Rustemit , për çetën e Çerciz Topullit, dy krismat e Parisit, në pritjen dhe shoqërimin pas daljes nga burgu,  gjatë periudhës si deputet, për  atentatin në parlament mbi Ahmet Zogun deri në vrasjen e Avniut.

2- Ngjarjet që lidhen me numri 13 të Avniut dhe vrasja e dytë e Avni Rustemit në vitin 2021 kur po “harrohen” qëllimisht 2 krismat në Paris.

Numri 13 dhe Avni Rustemi

I njohur si numur “ters”, numri 13 nuk ishte i tillë për Avni Rustemin.

13 Qershor ishte data e atentatit.

13.00 ishte ora kur ai shtiu mbi Esat Pashë Toptanin.

13 ditë kishte që kishte mbritur në Paris.

13 anëtarë kishte juria që i dha pafajësinë.

100 vjet – Mbërritja e Avni Rustemit në Gjirokastër pas marrjes së pafajësisë në Francë

100 vjet – Shfaqja e dramës “SHAHJA” e Veli Hashorvës dedikuar A. Rustemit

100 vjet – Krijimi i Federatës së Madhe “Atdheu”

Heronjtë lindin në një shekull. Ishte e thënë që Avni Rustemi kishte lindur me atë detyrë të shenjtë. Ai pati fatin e bardhë të zhduk frikën e zezë.

Kështu do të shkruante Veli Hashorva pas dy krismave të Parisit në mesditën e 13 Qershorit 1920, ku u “shtri” përdhe ana e zezë e fatit të Shqipërisë. Vlerësimin e tij për aktin e Avni Rustemit ai e mbyllte me fjalët:

“I dashuri Avni, s’kam si t’ju mburr veçse t’ju përunjem botërisht, duke e çmuar atdhetarinë tuaj, që ju fali atë guxim dhe lartësove emrin shqiptar përpara botës”.

Por koha do të tregonte se gazetari i njohur, po mendonte për ta surprizuar patriotin e shquar, kur ai të kthehej në atdhe, në Gjirokastër dhe vendlindjen e tij Libohovë. Pavarësisht telegrameve të shumta, nisur nga qytetet e Shqipërisë drejt gjyqësorit francez për lirimin e tij, askush nuk e mendonte kaq të shpejtë kthimin e Avniut në atdhe.

Si e priti Gjirokastra, vullnetarin e parë të Luftës së Vlorës

Njoftimi se Avniu, i njohur ndryshe si “Vullnetari i parë i Luftës së Vlorës” do të vinte në Gjirokastër, u shoqërua me një sërë masash. Një automobil special, i stolisur me dafina e me flamurë u nis drejt Tepelenës në orën dy pasdreke të datës 3 Janar. Në delegacionin që do të priste Avniun që vinte nga Vlora, ishin Kryetari i bashkisë, Javer Hurshiti, vëllai i Bajos dhe Çerçizit, Kapo Topulli dhe botuesi i gazetës kombëtare “DRITA”, Veli Hashorva. Që të tre patriotë të njohur, që të tre vullnetarë të Luftës së Vlorës.

Aksidenti

Pritja e Avni Rustemit u shoqërua nga një gjendje ankthi, sepse megjithëse ora po shkonte 7 e mbrëmjes, ai ende nuk po mbërrinte në Tepelenë. Një letër e dërguar nga Turani sqaroi gjithçka. Makina e tij ishte përfshirë në një aksident të rrezikshëm në Dukaj. I shpëtuar pa pasoja prej tij, por i mbetur pa makinë, Avniu kishte shkuar në Teqenë e Turanit. Një automobil u nis drejt tij, tjetri udhëtoi për në Subash.

Darka zyrtare – deklarata e Avniut për Esat Pashën

Avni Rustemi mbërriti në Gjirokastër në 10.30 të mbrëmjes. Për nder të tij ishte organizuar një banket në sallën e Bashkisë së qytetit. Sipas përshtypjeve të gazetarit, vrasja e Esatit, vuajtjet dhe burgu, nuk i kishin bërë asnjë përshtypje Avniut, madje gjatë darkës kishte deklaruar se:

  • Pas vrasjes, nuk e kam parë ndonjëherë në ëndërr Esatin. Në mëngjesin e datës 4 Janar, Avniu priti urimet e popullit në Bashkinë e qytetit dhe një ditë më vonë u nis drejt Libohovës, ku e prisnin prindërit dhe bashkëfshatarët e tij.

Shfaqje teatri për nder të ardhjes së Avniut

Në 12 Dhjetor të 1920 ishte krijuar në qytet shfaqjet e para shoqëri teatrore me emrin ”Gjinokastra”. Surpriza e organizimit të një shfaqe për nder të Avniut, u shoqërua nga surpriza e prezantimit të Veliut tek bashkëqytetarët e tij njëkohësisht si; autor, regjisor dhe aktor. Drama e shkruar titullohej “SHAHJA” dhe vetë autori interpretoi rolin kryesor, personazhin e Beut. Në njoftimin e shfaqjes nënvizohej fakti se; libri (drama) i dedikohej heroit kombëtar Avni Rustemi, i cili atë ditë do të ishte në sallë. Kështu edhe ngjau. Në krah të tij ndodheshin, Sulejman Delvina, kryetari i bashkisë Javer Hurshiti dhe prefekti Kol Tromara. Drama u shfaq në sallën e shkollës së lagjes “Varrosh” në 22 Janar 1921.

“Dy krisma në Paris” në dramaturgjinë shqiptare

Vetëm gjashtëdhjetë vjet pas kësaj surprize, do të shkruhej një dramë, ngjarja kryesore e së cilës ishte akti patriotik i Avni Rustemit. Dramaturgët e njohur, Sheri Mita dhe Pëllumb Kulla i dhanë jetë në vitin 1980 dramës me titull ; “Dy krisma në Paris”. Nga të gjitha krismat që shqiptarët zbrazën nga pushkët e tyre për mbijetesë në rrjedhat e ndryshme të historisë, krismat e kobures së vogël të Avniut në Paris, janë simboli i shënjimit në mënyrë të pakthyeshme të së ardhmes së Kombit Shqiptar; të sotmes tonë.

Numri 13 dhe Avni Rustemi

I njohur si numur “ters”, numri 13 nuk ishte i tillë për Avni Rustemin.

13 Qershor ishte data e atentatit.

13.00 ishte ora kur ai shtiu mbi Esat Pashë Toptanin.

13 ditë kishte që kishte mbritur në Paris.

13 anëtarë kishte juria që i dha pafajësinë.

Veli Hashorva – dëshmitar i atentatit ndaj Zogut

Ditën që Zogut ju bë atentat në parlament, Veli Hashorva qëndronte në tavolinë me Avni Rustemin. Madje kur deputetët, nga restoranti ku qëndronin u nisën drejt sallës së parlamentit, me Veli Hashorvën dhe Avni Rustemin u bashkua edhe Bahri Omari. Krismat e armës së Beqir Valterit mbi Zogun, tronditën sallën e Parlamentit shiptar. Po Valteri, nuk kishte saktësinë dhe qetësinë e Avniut. Ahmet Zogu shpëtoi.

Çerçiz Topulli dhe vëllezërit Rustemi

Në Mars të vitit 1908 Avniu 13 vjeçar braktisi shkollën në Janinë, për tu bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit. Por ishte i pafat, sepse ndërkohë që ai shkoi në Kardhiq, ajo po luftonte për të çarë rrethimin në Mashkullorë. Në 18 Mars ushtria e arrestoi dhe e ktheu përsëri, në Janinë. Dy muaj më vonë me çetën e Çerçizit, u bashkua vëllai i tij, 25 vjeçari Fejzo Rustemi, i cili mori përsipër që i veshur si hoxhë të vriste Allaj Pashën në Delvinë, por aksioni nuk u realizua dot.

Vëllezërit Rustemi plotësues të njëri-tjetrit

  • Avniu ëndërronte të bashkohej me çetën e Çerçizit, por realitet e bëri vëllai i tij Fejzo.
  • Fejzo nuk e vrau dot Allaj Pashën në 1908, ndërkohë që Avniu vrau Esat Pashën në 1920.

Pse Avni Rustemi nuk e vrau Ahmet Zogun

Dymbëdhjetë vjet pas ëndrrës për të qenë në krah të Çerçizit, ai do të shtinte i vetëm dy herë mbi Esat Pashën në mes të Parisit. Po kjo vrasje nuk e kishte bindur Avni Rustemin, se të gjitha pengesat ishin larguar nga rruga e shpëtimit të Shqipërisë. Në kujtimet e tij Veli Hashorva pohon se: “Dukej se Avniu e kish vendosur me vete se Zogu duhej zhdukur për të mirë të Atdheut. Ai një ditë më pat thënë: “Po të mos kisha vrarë Esat Toptanin, vetë do t’ja drejtoja koburren Ahmet Zogut”. Ai nuk e dëshironte një vrasje të dytë, që të mos quhej vrasës profesionist.

Kush ishte Avni Rustemi sipas Veli Hashorvës ?

Gati 50 vjet pas shkrimit të dramës “SHAHJA”, Veli Hashorva tashmë nga emigrimi i tij i gjatë në Stamboll dërgonte këtë portretizim të Avniut përmes kujtimeve të tij, arkivuar në AQSH në vitin 1973: “Ai ka qenë një djalë trim me karakter, guximtar që nuk i trëmbesh syri. Gjithnjë kryelartë, i drejtë, mik i mirë për shokët, serioz kur duhesh, nuk e kursente fjalën. Dukesh i qetë, po brënda i ziente kazani. Ish kundër bejlerëve, po nuk i shfaqi kurrë mendimet politike”.

Humbja e dorëshkrimit të dramës “Shahja”

Në kuadër të 100 vjetorit të shfaqjes së dramës “SHAHJA”, më duhet të pohoj me kënaqësi se kjo ishte e para vepër dramatike e një autori gjirokastrit, ashtu si duhet të pohoj me keqardhje se deri më sot, nuk kemi rënë dot në gjurmët e tekstit të saj. Autori ja besoi shtypjen e dramës Vangjel Koçës, n/sekretar në prefekturën e qytetit. Por që nga ajo kohë e deri më sot, as kopja e shtypur dhe as dorëshkrimi nuk janë gjetur dot. Rëndësia e shfaqjes së dramës “SHAHJA” 100 vjet më parë, nuk qëndron vetëm në faktin se ajo i dedikohej patriotit Avni Rustemi, por edhe sepse:

  • Me këtë shfaqe teatrore nisi një ceremonial i ri i pritjes dhe i nderimit të personaliteteve në Gjirokastër, larg paradave të zakonta ushtarake që zhvilloheshin deri në atë kohë.
  • Pas botimit të gazetës Kombëtare “DRITA”, të parës gazetë në gjuhën shqipe në Gjirokastër, Veli Hashorva jepte një tjetër sinjal drejt emancipimit dhe civilizimit të shoqërisë gjirokatrite, përmes artit teatral.
  • Me këtë shfaqe u celebrua shoqata e parë teatrore, që ishte pagëzuar me emrin e vetë qytetit, “Gjinokastra”

Paaftësi, gabim, apo “atentat” i memories historike

I dëshiruar për të ndjerë përsëri afër dy personalitete me veprimtari të spikatur patriotike për fatet e kombit, nga Gjirokastra e Veliut, rrugëtova drejt Libohovës së Avniut. Ashtu si nuk e prisja, rrugëtimi im u shoqërua nga një surprizë e pakëndshme. Mbi një tabelë të re informative për jetën e Avni Rustemit, ai cilësohej gabimisht si antar i çetës së Çerçizit, ndërkohë që nuk pëmendeshin; Dy krismat në Paris. I shpëtuar mrekullisht nga aksidenti automobilistik i 100 vjetëve më parë, akti i tij patriotik është përfshirë në një “aksident” 100 vjet më vonë. Shkak mund të jetë paaftësia profesionale, një gabim njerëzor, por edhe një “atentat” i qëllimshëm ndaj memories sonë historike. Dhe kjo ndodh në vitin 2021 kur mbushen plot 100 vjet nga një ngjarje tjetër me rëndësi Kombëtare; Themelimi i Federatës së Madhe “Atdheu”, ku Avniu ,i cili u zgjodh edhe Kryetar Nderi i saj, ishte përfaqësues në 4 qytete; Vlorë, Përmet, Gramsh dhe Tepelenë kurse Veli Hashorva ishte përfaqësues i shoqatës “Drita” të Gjirokastrës. Qesha hidhur teksa po i jepja të drejtë intelektualit Hashorva, i cili duket sikur e kishte parashikuar këtë model qëndrimi në kujtimet e tij teksa pohonte se: “I huaji (jo ne) dhe historia do e ngrërë atë në vendin që e meriton”.

Për herë të parë mendova se humbja e tekstit të dramës ”SHAHJA” nuk mund të kishte një fajtor real. Ngjante më shumë si një trill i rrethanave. Dukej sikur vetë “Fati” e kishte lënë shtegun të hapur, për dramat e reja që mund të shkruheshin në të ardhmen në këtë vend, jo më për veprat e heronjve, po për qëndrimet vrastare (me apo pa qëllim), ndaj akteve të tyre heroike dhe bashkë me to, ndaj vetë historisë tonë kombëtare.

Nuk e di sa mund të zgjaste tek unë ndjenja e trishtimit që më pushtoi pas leximit të asaj tabele, nëse nga larg nuk do dëgjohej zëri i mrekullueshëm i një këngëtari të njohur të polifonisë libohovite, Xhevahirit, i cili sa herë që mblidhej me Edin, Fredin e Sokolin, do t’ja merrte patjetër një kënge vënçe (labe) që i kushtohej Avniut:

Kur atdheu po coptohej

Dhe kish humbur ç’fardo shpresë

Kur dhe kombi ish përfytur

Përpëlitej si një shpesë

 

Kur vullneti kombëtar

Ish i shembur, i dërmuar

Del gjahtori, shkrep mbi djallin

Befas shkrepet drit’ e shquar

Edhe qindra tabela të tilla mendova, nuk e ç’bëjnë dot të vërtetën që vjen përmes këngës së popullit.

tur në kujtimet e Veli Hashorvës dhe Mihal Gramenos