Sevo Tarifa: Fisi “Haxhiaj” nga Progonati i Kurveleshit me 23 partizanë të LANÇ që luftuan për vatanë!

343
Sigal

Familja patriotike nga Progonati i Kurveleshit vetëm në Brigadat e III, VI dhe XII Sulmuese kishte 11 partizanë.  Një togë kompakte, secili me pushkë, e yll në ballë, me sy shqiponje, më i madhi 30 vjeç, më i vogli 15.

Fisi  “Haxhiaj” me 23 partizanë antifashistë që luftuan me armë për vatanë !

Nga Sevo Tarifa

Ç’do të ndodhte sikur atdhetarët e vërtetë shqiptarë të mos luftonin me amë kundër fashizmit italian, që na sulmoi e na pushtoi? Në Mëmëdheun tonë të dashur do të sundonte fashizmi. Por shpejt u dëgjua thirrja luftarake: “Ngrihuni, bini, na pushtoi Musolini!”! “Në mos kini armë, gjeni, ia rrëmbeni atij qeni”! Dhe bijtë e popullit brofën në këmbë…Shpërtheu dhe triumfoi Lufta Antifashiste Nacioal-cclrimtare! U çliruam me armë, me gjak nga fashistët, nazistët dhe kolaboracionistët ballisto-zogistë! Po ta konsideronim fashizmin “Popullor, pa armë, pa uniformë”, sipas disa “dijetarëve akademikë”(!?!), do të vazhdonim të ishim të pushtuar, të gjunjëzuar, të nënshtruar, të skllavwruar! 70 mijë partizanë! 28 mijë dëshmorë! Po le të shohim vetëm “çeçot” e një fisi, në mijëra fise tw tjerë. Është fisi “Haxhiaj” në Progonat të Kurveleshit: me 11 partizanë në Brigadat e VI, III e XII Sulmuese, me 12 territorialë. Një togë kompakte. Secili me pushkë. Me yll në ballë. Me këmbë sorkadhi. Me hap ushtari. Me sy shqiponje. Më i madhi 30 vjeç, më i vogli 15. Fis fisnik. Me shpirt sulmues. Trima të njohur në Kurvelesh, në Labëri dhe më gjerë.

Dalipi kishte një dëshirë: ta kapte armikun me duar!

Apo s’ishte i fuqishëm! I guximshëm. Sy patrembur. E njoha në luftë e sipër. E pashë si luftonte. Ishte trupmadh. I fortë fizikisht. Me sy të mëdhenj Me zë të lartë. Në sup me “mauzer”, të cilin e përdorte me lehtësi si të ishte revole. I pari luftëtar, me të cilin fjeta natën e parë që dola partizan. Orët e para të mbrwmjes i kaluam në Kalanë e Kardhiqit, me biseda për Ali Pashën, me episode dhe humor partizan, me këngë. Roja me parullën “Drapër dhe çekan”, kundra parulla “Vdekje fashizmit”! Pastruam armët. Dalipi e zbërtheu, e pastroi dhe e mbërtheu i pari “Mauzerin” e tij. U gdhimë në shtëpinë e Resul Llogos. Në mur varur pushka “Belgjik” e  babait të tij. Eh, çfarë luftëtar ishte Dalipi! S’donte t’ia dinte se kishte përpara armikun. “Perëndia” e tij ishte trimëria. Karakteristikë- gjakftohtësia. Shpirti-mirësia. Thirrja “Para partizanë”- krenaria. Mendja- te sulmi. Bukuria-thjeshësia. Kur fliste asnjë fjalë për vete. Tregonte për shokët. Me duar në qafë të tyre. Në sulm i pari. Trimërinë e tij në luftë duhet t’ia nxirrje me pyetje, si me “çengel” dhe ato që tregonte, të mahnitnin! Do të dëgjoja nga shokët për akte trimërie të Dalipit. Atë mbremje mësova se Dalipi kishte qejf që në luftë fashistin dhe nazistin jo t’i vriste, por t’i kapte nga palltoja të gjallë, pastaj “do bënte si ta shihte…”! Më vonë do të lexoja edhe kujtime të bashkëluftëtarëve të tij, njëri prej të cilëve shkruante:

“Ecnim xhadesë që kalon kudo buzë detit. Deti sot ka marrë një pamje të veçantë. Kjo pamje magjeps edhe ata që i kanë rënë rreth e qark lëmshit të dheut. Nëpër këtë panoramë magjepse unë dhe komandanti i kompanisë, Dalip Haxhiaj, shkuam në drejtim të Himarës për të marrë takim me patrullën tonë. Por tek hidhnim çape në drejtim të një muri, në anë të xhadesë, vështrimi ynë ndeshi tek tyta e një mitralozi dhe te ushtari nazist, që na kishte marrë në shenjë. Nuk ishim më larg se pesëdhjetë metra. U ndodhëm përballë me vdekjen. Dalipi eci një kohë nëpër plumba. Krismat bënë që kompania të hidhej në sulm. Nazistët që kishin zbarkuar natën, u tërhoqën në panik”.

Po Rakip Haxhiaj? Biri trim i Benit dhe i Dudies, i këtij çifti dinjtoz,  me shpirt luftarak, që ai i nderoi në luftë dhe në punë. Nga respekti që kishin vëllezër e kushërinj të tij, si Mejdiu e Rustemi i thoshin “Toto”. Por  “Totoja”, u bë një partizan i njohur, luftëtar modest dhe kuadër cilësor, që i shkëlqente në duar automatiku. I dashur me shokë. Edhe unë e doja e më donte shumë, jo vetëm se ishim në të njëjtën batalion partizan, por ai ishte shpirtbardhë, masovik. mendjemprehtë. I kishe lezet fjala! Në debatin e ashpër që u zhvillua me Ismail Golemin te Rrapet e Progonatit, ku ishte dhe Rakipi u mblodhën 500-600 vetë nga gjithë fshatrat e Kurveleshit të Sipërm. Përpara se të fillonte mbledhja, një grup progonatas si Sherif Zeneli, Sadik Buzo, Rakip e Hyso Haxhiaj etj., me iniciativën e tyre, kishin ngritur një këngë dhe filluan të këndojnë aty, në mes të burrave. Kënga fillonte me vargjetplot ironi: “O Tomorr i Shqipërisë/ më i madhi i malësisë/, trego gjithë ç’ke mësuar/ dhe ç’ke parë e ke dëgjuar”. Deri këtu Ismail Golemi nuk u ndie, por më tej e dogji, kur dëgjoi vargjet: “Ballë dreqin kush e ngriti e stërviti/ kush i dha të madhe bujë/ të bënte vendin rrëmujë”, kapua i ballit protestoi dhe tha: “Balli nuk i meriton këto “nofka”!… Nga të dy këta kushërinj të parë, Dalipi e Rakipi, mësoja shumë për figurën e partizanit. Tek shpirti i tyre gjeja frymëzim. Tek trimëria e tyre merrja mësim. Tek lufta e tyre shihja guxim. Tek modestia-shembullin pozitiv.Dy njerëz fytyrëgëzuar.Zemërmirë. Dy luftëtarë sulmues. Dy atdhetarë të zjarrtë. Dy partizanë të mirënjohur. I mbaja lidhjet me ta edhe pas çlirimit. Takoheshim në “Tiranën e tiranisë, që u bë Tirana e lirisë”.  Sa keq që ata u ndanë shpejt nga jeta! I kujtoj gjithnjë me respekt e nderim.

Degë nga një pemë mbushur gjithë “lule”!

Rustem Haxiaj ishte partizan në të parin batalion, “Asim Zeneli”. Batalion me famë. Kisha dëgjuar për vjetërsinë e tij në lëvizje, si njeri i aksionit në Tiranë, punëtor në fabrikën e tullave, aktivist, trim, që vepronte nën hundën e fashizmit e të spiunëve të tij, pjesëmarrës edhe në demonstratën e Tiranës, pastaj partizan në beteja luftarake, por nuk më ishte dhënë rasti të njihesha nga afër në ato vite të zjarrta. E njoha më vonë, mësova për prindërit e tij dinjitozë, xha Sulon dhe Viton, për vëllain tjetër, Shamon. Do të njihja edhe birin e tij, Maksin, këtë jurist cilësor e luftarak edhe në vite të përzier të tranzicionit, kur si prokuror i Përgjithshëm “u përlesh” me Berishën dhe nuk bëri siç donte ky, nuk pranoi të shkelte ligjet… Lule e burrëruar, të cilit sytë i vezullojnë si yje. Bir besnik e trashëgimtar i denjë i Rustemit. I nderuar i gjithë fisit. Puna do të më njihte edhe me Mejdiun, pionierin partizan, që s’i kishte “lapë syri”, trashëgimtarin e denjë të Abazit e të Afizesë. Edhe pse i vogël, sulmues. Me sy të ndritur. Me buzëqeshje të ëmbël. U plagos në luftë, por mbeti shtyllë, gjatë luftës dhe pas çlirimit. Njeri besnik, i vendosur, vigjilent, i dashur, shokëror, familjar shembullor, gojëmbyllur, që kryente detyra të rëndësishme, me të cilin do të na lidhnin shërbime të përbashkëta civile e ushtarake.

Pas çlirimit do të njihesha edhe me vëllain e tij, Enverin, këtë kuadër të zgjuar, të punës, të gojës e të shembullit personal në punë e kudo, agronom i kualifikuar, që shkoi vullnetar e dha përvojë në Veri, i njohur deri në udhëheqjen e lartë të Partisë. Njeri me ndjenja. I respektueshëm. E mbaj mend atë ditë, kur një grup asimzenelas ia morën këngës për Hysni Kapon, i cili s’kishte shumë kohë që kishte mbyllur përgjithmonë sytë, ndërsa Enver Haxhiaj ia shkrepi të qarit, sepse  kishte shumë kujtime të bukura prej tij! E bëri grupin ta pushonte këngën, të merrtë një këngë tjetër, por Enveri s’këndonte më. Sa njerëzor ishte Enver Haxhia! Sa i aftë në detyrën e agronom specialistit. Një model në blegtori e në bujqësi. Po xha Hysoja? Dallohej për ndershmër, urtësi, mirësjellje, për zë të ulët, që s’dinte kurrë të fliste me inat. Në buzëqeshjen e tij shikohej përzemërsi e gjakftohtësi. Në fjalën e tij të ngrohtë- dashamirësi. Edhe kur të shikonte në sy, kishte ëmbëlsi. E donin shumë xha Hyson. E kishin zgjedhur për shumë vite kryetar të kooperativës në fshatin e ri “Asim Zeneli”. Ta shikoje, s’ta merrte mendja se qe kryetar, sepse ishte i thjeshtë dhe fjalëpak, por punëshumë. Njeri që respektohej nga të gjithë. I drejtë. Vitet e fundit të jetës i kaloi në Tiranë. Po ku ishte mësuar të rrinte në qytet, pa punë në pension? Ai s’mund të qëndronte pa dëgjuar këmborën e dashit, fyellin e bariut. Nuk duronte  dot pa u ngjitur si djalë i ri Malit Çajup  e të gdhihej me barinjtë. S’mund të rrinte pa pirë nga uji i ftohët i fushës së Çajupit! I qenë mësuar sytë në trëndelinën e verdhë të këtij mali. Rreth liqenit artificial të Tiranës do të bëja shëtitjen e fundit me të dhe më nuk u pamë. Më mbeti në sy ai njeri i mirë, me atë fytyrë të vogël, trup të shkurtër kapele në kokë. Në punë të përbashkët do të njihja edhe djalin e tij, Fiqriun, punëtor i palodhur, i zgjuar, me sy kritik, i përgatitur, i ihjeshtë. Do të rriteshin filizë të rinj në fisin “Haxhiaj”. Erdhën ditë që do të njihja  “lule” të tjera: puna me rininë do të më lidhte me Fejzo Haxhiaj, i biri Rizos dhe i Shumrikës, anëtare e këshillit të gruas së fshatit. Djalosh dinamik, i papërtuar, i zgjuar, që s’dinte ta bënte dysh fjalën e Partisë. I ri në mes të të rinjve. I shkonte shumë shprehja: “Më thuaj me cilin rri, të të them se cili je”.

Shtëpi të dyfekut dhe të byrekut

S’mund të ndodhte ndryshe. Fis kompakt. Gjak vëllezërie. Me shpirt adhetar. Sa kënaqësi ndjen cilido që rri qoftë dhe një copë herë me njerëz të fisit “Haxhiaj”, familjet e të cilit me unitet, në një rrugë, të pa tjetërsuar! Janë njerëz që meritojnë nderime. Çdo familje e këtij fisi është një çerdhe patriotike e revolucionare: me luftëtarë të papërkulur. Njerëz bujarë. Me zemër të gjerë. Burra e gra të zakonit. Me shtëpi dyerhapura e mikpritës. Këto cilësi janë manifestuar tek të parët e tyre qysh para LANÇ. Brez pas brezi. Xha Sulua ishte hapur: kishte parë botë me sy.  Emigrant në SHBA. Bënte pjesë në Shoqërinë “Vatra” dhe kontribuonte për vendin e vet, që e la dhe e gjeti në ditë të zeza. Pas kthimit nga mërgimi ka marrë pjesë në çetat patriotike, në lëvizjen antizogiste, në Luftën e Vlorës më 1920, në Revolucionin Demokratik më 1924, në mbrojtje të qeverisë së Fan Nolit. Atdhetarë ishin të gjithë burrat “Haxhiaj”, të cilët bashkë me gratë shqiponja të tyre i kthyen shtëpitë në baza të sigurta të luftës:  Zubua, Feimi, Beni, Abazi. Të gjithë së bashku e pritën fashizmin jo me tufa trëndafilash, por me “lulet” e vezmeve të rripit të mesit. E gjithë skuadra e partizanëve “Haxhiaj” do të kalonte përmes zjarrit të aksioneve luftarake, do të ndeshej me armiqtë në malet e Kurveleshit, në Qestorat, Dukaj, Labinot, Orosh, Shupal, Iballë, Tropojë, Nikaj-Mërkur, në Mal të Zi Bioçe e Kosor, në Drinsko, Suhagorë e Vishegrad. E kush nuk i njohu këta trima partizanë? Djem levendë, me atdheun në zemër e zemër flakë. Në fushën e betejave morën plagë Dalipi, Hajrua, Mejdiu e Shamo Haxhiu. Fis grushtbashkuar. Përlesheshin me armiq dhe s’donin t’ia dinin. Shefqeti s’kishte shumë fjalë, por kur do të shkonte në aksion luftarak, thoshte: “Më ha hunda për mish”, domethënë do vrasim armiq!  Shamua, një ditë do të mbushte ujë në krua. Por aty ishin dhe ballistë, që kishin zënë radhë. Shamua i shtyu dhe u tha: “Dale të mbush unë i pari, se më pret komandant Shamua”! Ballistët nuk e njihnin se ky ishte vetë Shamua, por kishin dëgjuar për trimëritë e tij dhe nga frika e emrit e lanë të mbushte ujë i pari, pa radhë!  Shamoja ishite sulmues në njësitet guerile. U plagos, iu pre gishti i madh i këmbës, u gjend në një shpellë, e sollën në Tiranë dhe pasi u bë mirë, vazhdoi përsëri në beteja si partizan.

Në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare ishin me dhjetra të tjerë, që armën e kishin në duar dhe vepronin si territorialë.  Zubua ishte anëtar i këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit dhe të krahinës, shtëpia e të cilit u dogj e para, pas saj u dogjën edhe shtëpi të tjera. Kështu vepronin në terren edhe të tjerë, ishin një togë luftëtarësh: Hysoja, Enveri, Sulua, Rizua, Abazi e të tjerë. Luftëtare trime ishin të gjitha gratë e këtij fisi. Gra atdhetare, dinjitoze, fisnike.

 

Më e moshuara ishte Duda, nëna e Rakipit, e cila në Operacionin e Dimrit 1943-44, kur ballistët trokitnin në portë për të hyrë në shtëpi e të bënin reprezalje, ajo mblodhi të gjitha nuset “Haxhiaj” dhe doli me to në dritare, duke u thënë trimërisht ballistëve: “Porta jonë nuk thyhet. Po erdhët, ja, na shikoni? Të gjitha do hidhemi nga dritarja si Suljotet”! Ballistët ikën me bisht ndër shalë, nënë Duda u dërgua delegate në Konferencën e grave të qarkut të Gjirokastër, që u zhvillua në Poliçan të Pogonit e më vonë u zgodhdelegate në Kongresin e Gruas në Berat. Të gjitha gratë e fisit “Haxhiaj”, kanë pritur e përcjellë me buzëqeshje partizanë dhe komandantë e komisarë të tyre.  Pesëmbëdhjetë gra shqiponja nga fisi “Haxhiaj” janë aktivizuar në ndihmë e në shërbim të LANÇ, duke shkuar deri në Borsh, tek vapori anglez që shkarkohej me municion, të cilin ato e ngarkonin dhe e çonin tek Shurri i Kuçit.  Nëna, që lindën dhe edukuan bij si veten: trima, të ndershëm, të përkushtuar, atdhetarë, të fortë si shkëmbinjtë e Malit të Thatë  aty përballë Progonati. Bir i këtij fisi ishte edhe partizani i vjetër trim Hajro Haxhiaj, për të cilin kam botuar e ribotuar  portret të veçantë, i fundit  me titullin: “Partizanit trin kur iu pre kemba, zhurmoi kënga”!  Hajroja këndonte, dokor Bahim Dervishi ia hidhte, kiruirgu italian u befasua dhe thoshte: “Mama mio, s’kam parë njeri që t’i pritet një kembë e të këndojë. E çuditshme!”

***

E kam vështirë të shkruaj për çdonjërin, jo vetëm se janë shumë, por për ata që kam njohur në zjarrin e luftës, më pushtojnë malli dhe emocionet, të cilat më  pengojnë të shkruaj më tepër e për të gjithë. Kush i ka njohur e thotë me plot gojën: “Haxhiajt e Progonatit, në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare kanë qenë sulmues, në vijën e parë të zjarrit: me 11 partizanë, prej tyre 4 oficerë madhorë.