Sevo Tarifa: 62-vjetori i ditës së veteranit, simboli i heroizmit partizan

1297
Sigal

Njëzet korriku i vitit 1957 është datëlindja e organizatës së veteranëve të LANÇ. Kjo ngjarje e shënuar, mbeti në histori e emërtuar “Dita e veteranit”. Edhe pse nuk figuron në kalendarin zyrtar shtetëror pëdëist e socialist (?!), është ditë festive, me ngjyrë të ndezur atdhtare; simbol i heroizmit të luftëtarëve të lirisë, të çlirimtarëve të Atdheut. Pavarësisht se ky bashkim politik u realizua 13 vjet pas Çlirimit, rrënjët e tij janë në 7 prillin e 1939-ës, kur nisi të shkruhet me germa të arta një kapitull i ri: Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare! Dhe bijtë e popullit u betuan: “Jam partizan me yll në ballë, Për ty, o popull zot kam dalë”.

  1. Ajo ditë e nxehtë korriku 62 vjet më parë flakëron në tërë jetën dhe veprimtarinë atdhetare të organizatës së veteranëve. Prushi i saj i ndezur na frymëzon, na krenon, na përtërin, na fuqizon e na armatos si të kryejmë sa më mirë krye-detyrën tonë për mbrojtjen e fitoreve, të vlerave, idealeve dhe simboleve të LANÇ. Në ditët e sotme kjo detyrë themelore merr një theks të ri, për shkak se është rigjallëruar e janë bërë një shigjetat blu e të zeza neofashiste e neoballiste kundër LANÇ, por aq sa mund të zhdukin male dëbora e breshëri, aq mund të rrëzojnë lavdinë e kësaj lufte armiqtë e saj, të mundurit e saj. Këta 62 vjet shquhen për atdhetari të zjarrtë në fondin e artë të 75 viteve të çlirimit, që festojmë sivjet. Krahas fitoreve të Luftës, shkruar shkëmbinjve të maleve, ndritin një varg I gjatë margaritar fitoresh atdhetare, zhvilluar edhe nga organizata e veteranëve, të cilat përbëjnë kurorën e karakterit të shëndoshë të luftëtarëve të lirisë: me energji djaloshare të pashtershme mendore e fizike, që këtyre luftëtarëve, që kanë vepruar kurdoherë atdhetarisht, fisnikërisht, gjallërisht, duke qenë gjithnjë me këmbë në tokë, me nderim grusht, të gatshëm për mbrojtje e punë ndërtimtare! Edhe në kushte të reja të ndërtimit socialist, vijuan të jenë sulmues, veprues, shembullorë, sypatrembur, të papërkulur, të ndershëm, të bashkuar! Patriotizmi i tyre nuk zbriti nga kulmi i arritur i atyre viteve të stuhishme të LANÇ, që mbanin erë barut! Djersa e bardhë e tyre u përzje me gjakun e kuq të dëshmorëve dhe ndriçon si diell në çdo kënd të Shqipërisë.
  2. Vitet vraponin. Organizata e veteranëve rritej, forcohej, kalitej. Në luftë e në punë e sipër i ka ngjarë dhe i ngjan një lisi gjigant, të cilin erërat e stuhishme nuk e kanë lëkundur, as e kanë tundur, as fletët s’ia kanë tharë e as nuk ia kanë rrëzuar përtokë, përkundrazi ka gjelbëruar kurdoherë duke lëshuar fidanë të rinj! Sot këta fidanë kanë merituar e janë nderuar me një emër të bukur, kuptimplotë e të veçantë: pasardhës! Në gjirin e organizatës sot militon një brez i ri anëtarësh, vazhdues i denjë i veprës së partizanëve veteranë. Në këngët e bukura melodioze të maleve gjatë luftës, luftëtarët e lirisë quheshin “Shqiponja partizane”. Pasardhësit meritojnë të quhen “Zogj shqiponjash”, sepse ecin në gjurma atdhetare të paraardhësve partizanë veteranë, kanë marrë në dorë stafetën e tyre, amanetin e tyre, janë në një llogore luftarake: të mbrojnë gjakun e bashkëluftëtarëve të tyre, dëshmorë, të këtyre “Yjeve të Pashuar”, që janë lulja e kombit, balli dhe lavdia e tij. Veteranë e pasardhës rrjedhin nga një gjak, kanë të njëjtën mendje, të njëjtat ideale, të njëjtin qëndrim, si etër e bij, për të çuar përpara organizatën e tyre luftarake!. Pleqëria dhe rinia, një janë të dyja. “Flokët e thinjur janë arkivat e së Kaluarës”. Siç thotë Noli, “Pleqëria nuk është vetëm një vuajtje e madhe, por dhe një trimëri e madhe”. Ligjet e natyrës bëjnë punën e tyre. Radhët e veteranëve po pakësohen gjithnjë. Sot shuhet njëri, nesër tjetri. Përcillen me nderime të merituara në banesën e përjetshme. “Vdesin shpirtra të njerëzve të pavdekshëm”. Ndahet nga jeta veterani, por jo kujtimet, heroizmi, trimëria, lufta e tyre për çlirimin e vendit. Aq sa veteranë janë sot thuajse ndodhen në pleqëri të thellë. Por organizata e veteranëve qëndron në këmbë, me statutin e saj dhe funksionon, vepron, konsolidohet. Janë mijëra pasardhës që po e freskojnë. Pranimi i tyre në organizatë jo vetëm rrit efektivin, por sidomos cilësinë e saj, nivelin arsimor, energjinë rinore, gatishmërinë partizane. Pasardhësit ecin përpara, me mendje atdhetari, me shpirt partizani, me forcë punëtori, me hap ushtari. Në gazetën luftarake “Kushtim Brezash”, lexon me kënaqësi, gëzim e krenari emra, motivacione, fotografi të të rinjve që porsa pranohen në organizatë; lexon shkrime me firmë të tyre, diskutime cilësore që zhvillohen në mbledhje e takime; i sheh në veprimtari konkrete rreth lapidarëve, në baza lufte, në ekskursione, në takime me familje dëshmorësh, duke marrë zotime etj. Veteranit i bëhet zemra mal që shikon vazhdues besnikë. Veteranë e pasardhës mësojnë e përfitojnë nga njëri-tjetri. Këto sjellin gëzim. Dhe gëzimi përtërin, rinon.

Pasardhësit e veteranëve kanë një privilegj të veçantë: janë trashëgimtarë të denjë të brezit të vjetër luftarak atdhetar, që u ndesh dhëmbë për dhëmbë me pushtuesit e huaj dhe bashkëpunëtorët e tyre ballisto-zogistë. Luftuan dhe fituan. Nga radhët e tyre ranë dëshmorë, u plagosën luftëtarë dhe mbetën invalidë, “Dëshmorë të gjallë”. Rrugën e tyre e vazhdon pasardhësit, me qëndrimet e tyre të guximshme atdhetare, me debate e polemika me kundërshtarë politikë, që s’lënë gjë pa thënë me gënjeshtra e shpifje kundër LANÇ. Por përgjigjen e kanë marrë të mprehtë nga mbartë populli ynë atdhetar, uragan!

  1. Veteranët e LANÇ përbëjnë një fond të artë lufte dhe fitoresh, thesar i madh kombëtar. Të zëvendësosh veteranët në misionin e tyre të lartë atdhetar e fisnik është besim i madh. “Besimi është ar, entuziazmi është argjend”, “Brezi i ri është flori”. Veteranë e pasardhësit janë dy breza, me një ideal, me një rrugë, e cila nuk ka qenë dhe nuk është e shtruar me lule e dafina, por është rrugë e thepisur, me ferra e gjemba, me pengesa e vështirësi, por që ndriçohet me “prozhektorë” tepër të fuqishëm të heroizmit partizan, nga shembulli i lartë i komunistëve, i heronjve e dëshmorëve, i komisarëve e komandantëve, me në krye Komandantin e Përgjithshëm, Enver Hoxha. Dhe kur pasardhësi ndodhet përpara problemeve të vështira, pyet veten: si i kanë zgjidhur paraardhësit ato? Dhe gjen çelësin e duhur. Kur sheh si pranohen në organizatën e veteranëve djem e vajza, që janë në lule të rinisë, të kujtohen me mall paraardhës partizanë, që kërkonin me këmbëngulje të ngjiteshin malit, por u thuhej se “je i vogël”. Dhe këta djelmosha, që ende s’kishin hequr briskun në faqe thoshin: “O bëhem partizan, o në shtëpi nuk kthehem!” Dhe rrinin aty pranë çetës partizane. Pastaj pranoheshin partizanë dhe nga gëzimi bëheshin me krahë e fluturonin maleve si zogj. Çelo Sinani, 15 vjeç s’pranohej të shkonte partizan. Por ai e tregoi veten se kush ishte. Më 26 nëntor 1944, Mark Gjon Markaj, me bajraktarë e 150 forca mercenarësh, tentuan t’i presin rrugën Brigadës VI Sulmuese.. Lufta u ndez e ashpër. Armiqtë sulmuan pozicionin e mbrojtur nga pionieri 15 vjeçar. Heroi i vogël qëlloi me automatik dhe vrau të parin e tyre, plagosi një tjetër, u ngrit për të hedhur dy bombat e dorës, por u godit për vdekje. Ra zogu i shqiponjës, por u hodhën në kundërsulm shqiponjat. Armiku u detyrua të dorëzohet. Kurse pionierit iu këndua:

Dhe dy ditë vinte liria

duhej mbrojtur istikami,

barrikadë trupi i tij

barrikadë Çelo Sinani”.

***

Është nder i madh të jesh pasardhës veterani. Ky nder lidhet ngushtë me ndjenjën e përgjegjësisë. Pleksen kështu dy ndjenja, në veprimtari praktike, në shpirtin e punës atdhetare,. Shembullin e gjejmë në paraardhësit partizanë. Dëshmorja tjetër Anife Kica shprehej: “Nuk kam dalë partizane të fshihem pas bregu, kam dalë të luftoj”! E ardhmja është e pasardhësve. Që sot e nesër edhe më shumë, këta do drejtojnë organizatën luftarake që trashëgojnë. Nuk ka besim më të madh se ky! Nuk ka nder më të madh se ky! Nuk ka krenari më të madhe se kjo! “Të rinjtë janë pranvera e jetës dhe pranvera është rinia e vitit”. Mbretëresha e stinëve. Pasardhësit njëherë janë betuar:

“Me ju, baballarë jemi tok,

këmbët do t’i mbajmë në tokë.

Do bëhemi edhe ne baballarë,

gjakun tuaj do kemi në damarë,

malli për juve do na marrë”.

Ashtu si për dëshmorët, edhe për ju zemrat tona, nesër, do t’i drejtohen tokës: “O Toka jonë e Shtrenjtë, që edhe veteranët e Luftës i mban në gji, mos ua prish atë bukuri”! Dhe ne, pasardhësit do t’i kemi veteranët të gjallë, në ballë, me dyfek dhe me pallë, me emër dhe me zemër, shpirt pavdekur!

 

*Anëtar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ