Seri Tushi: Vermiku ka 373 familje dhe 1500 banorë

1524
Sigal

VER+MIKU  fjalë e artë  VERMIKU           

FSHAT  i  HERSHËM

Fshati Vermik ndodhet në jug të qytetit të Vlorës, rreth 58 km larg qytetit të Vlorës dhe 63 km larg Gjirokastres. Bën pjesë në Kurveleshin e sipërm. Para vitit 1948 ishte në varësi të komunës Gusmar dhe të Prefekturës së Gjirokastrës. Në vitin 1948 me kërkesë të popullit të Vermikut me firmat e 72 kryefamiljarëve, kërkoi të kthehet në vartësi të Vlorës. Kërkesa u miratua nga Ministria e Brendshme dhe Vermiku kaloi në vartësi të komunës Brataj dhe prefekturës Vlorë. Fshati Vermik është ngritur në rrëzë të malit Kendrevice  mbi një kanion afërsisht 400-500m, mbi lumin që kalon aty  dhe krye burimi i tij është në Jug  të fshatit në Lagjien “Perze “   dhe quhet Kryet e Ujit (që do të  thotë krye burimi). Territori i Vermikut është i madh rreth 70km2 . Ai fillon nga Jugu Maja e Helmit në Luadh dhe në Veri tek Gryka e  Shtodherit.  . Territori i Vermikut është shumë i pasur me ujëra, mbi 70 burime, me pyje të shumtë e të çdo lloji duke mbizotëruar ilqia, pe rralle dhe ne lartësitë mbi 1200 m, pisha dhe bredhi, ka lis,panje ,shkoze, qershi e kumbulla të egra në zonën malore. Ka shumë bimë medicinale si: trumzë, rigon, dëllënjë, salep,caj mali , dafina, xhurak, bexgë e butë, nektar ushqim i mire për bletët si: trumza, rigoni tërfili i llojeve të ndryshëm, pisha e bredhi. Nga bredhi dhe pisha bleta merr rrëshirën për bërjen e dyllit (hojet). Në Vermik rriten shumë pemë frutore me variete nga më të ndryshmet dhe të shumëllojshme si qershia, rrushi në vreshta e pjegulla, fiku,ftonj, shegë, kumbulla, mani i zi dhe i bardhë. Edhe sot në Vermik ka emra vreshtash si Vreshta, Prapa vreshti. Vreshti Skëndo Aliut, Vreshti i Qamilit e të tjera emërtime të tilla. Është shumë interesante që në Vermik ndodheshin varietete rrushi, qershie, fiku, mani që në zonën për rreth Vermikut si: Kurvelesh, Lumi i Vlorës apo në bregdet nuk ndodhen këto varietete. Vermikasit kanë qenë shumë punë dashës dhe këto i kanë sjell nga vendet ku kanë kryer ushtrine:thuhet qershitë i kanë sjellë nga Bullgaria.

Vermikasit të ardhurat kryesore të jetesës i kanë pasur nga blegtoria, bletaria dhe pemtaria. Studiuesi Halo Abazi nga Tërbaçi ka shkruar: “Vermiku ka qenë një fshat zengjinesh(të pasurish) se kanë pasur shumë blegtori, shumë bletë dhe shumë peme. Ai ndërmjet të tjerave thoshte: “Kopeja e Mezurajve me mbi 1000krerë, zilet e Ali Zenelit të porositura në Janinë, stani Lala Gjonit që priste dhe përcillte kalimtarët me prodhime blektorale siç ishin mishi, qumështi, djathi  por në fund u vinë dhe  ceturi  (pjatë druri) me mjaltë, se tek stani kishte dhe 50 koshere bletësh.

Nga kjo mund të ketë lindur edhe kënga: “Hani pini dhe këndoni sa të  jetë  Lala Gjoni”. Kështu shkruante i madhi Halo Abazi për gazetën Vermiku. Vermikasit ishin dhe përpunues të mirë të prodhimeve bujqësore, blegtorale, pemëtarisë dhe të bletarisë. Ata i përpunonin duke tharë bënin bukë fike, raki, verë dhe nënprodukte të tjera, të cilat i përdornin për stinën e dimrit, ata hidhnin në ujë në voza apo qypa: dardhe, gorica, ftonjë dhe prej këtyre dilte një lloj pije aromatike e cila duke e përzier me sherbet mjalti apo mjaltë i shumëfishohej shija. Ky lëng shëronte dhe të sëmurët. Por atë që përpunonin më shumë ishte rrushi prej të cilit bënin verë, raki, pekmes rrush të thatë. Rrushin e thatë e përdorte për të bërë kabuni oriz + rrush i tharë (pra pilaf+rrush të thatë). Në këtë shkrim dua të theksoj si e bënin verën Vermikasit e hershëm.

Ne Vermik vera është një ndër pijet e para, para rakisë dhe birrës.

Vermikasit përdornin dy lloje vere. Një verë që bëhej nga lëngu i rrushit dhe një verë që bëhej nga lëngu i rrushit + mjaltë duke bërë një përzierje 50% me 50%. Kjo lloj vere ishte verë shumë cilësore dhe përdorej kur në familje vinin miq të dorës së parë.(domethënë miq që duheshin respektuar më shumë nga miqtë e tjerë). Pasi shtrohej sofra në oda(dhomë për miq) i zoti i shtëpisë që mbante qoshen e djathtë dhe kryemiku në qoshen e majtë pranë oxhakut: i zoti i shtëpisë u thoshte  personave që shërbenin: “Na sillni nga ajo vera e mikut, pra Vermiku. Nga kjo shprehje mbeti emri i fshatit Vermiku.

Pas vitit 1990 banoret e fshatit Vermik u larguan tërësisht nga Vermiku

Sot Vermikasit jetojnë: Në Vlorë (60 familje), në Babicë të vogël ( 83 familje) fshat i krijuar nga Vermikas, në Risili (24 familje), në Tiranë (56 familje), në Fier (4 familje), në Elbasan (6 familje), në Durrës (3 familje), në Gjirokastër( 3 familje), në emigracion të vjetër dhe të ri( 34 familje). Sot Vermikasit  janë 373 familje me afërsisht 1500 banorë të cilët jetojnë në vendet që u përmendën më lart. Të gjithë Vermikasit që vendosen për banim në fshat Babicë e Risili së bashku me hapjen e themeleve përbërjen e shtëpisë, ata hapnin dhe gropa edhe mbillnin hardhi përreth shtëpisë. Kështu brenda një kohe të shkurtër oborri dhe soletat u mbushën me shtrate hardhie. Shumë prej tyre në tokat që përfituan nga ligji 7501 i mbollën me drurë frutor ulli, vreshta e pemë të ndryshme. Kështu bëri dhe familja e Naim Agim Gjoni në fshatin Babicë e Vogël Vlorë. Jo më kot populli  thotë:”Nga ka rrjedhur do pikojë”. Kështu ndodhi dhe me këtë familje e cila mbolli një sasi të tokës vreshta. Duke u shërbyer në mënyrë profesionale, ai merr prodhim shumë cilësor, me këtë rrush ai prodhon verë të një cilësie shumë të lartë në një punishte që  e ka ngritur në fshatin e tij Babicë e Vogël. Këtë  lloj vere qe e ka etiketuar “ Verë për mik” pra Vermiku. Kështu tradita e Verës Vermikase nuk u zhduk ajo u ripërtëritë përsëri nga djali Vermikas Naim Gjoni. Unë i rekomandoj zotit Naim duke i thënë: “Të shkoj në fshatin Vermik dhe të marr kalema nga disa hardhi që ndodhen akoma në Vermik, një lloj rrushi që ne e quajmë “Korith”. Ky lloj rrushi ndodhet vetëm në Vermik. Ai ka një kokërr të madhe dhe plot me lëng pa brumë, ky lloj rrushi është shumë cilësor dhe sidomos për verë. Vera e këtij rrushi do të quhej “Verë për super miq”.