Selman Sheme: Historia e e çamve të Sulit me Ali Pashën e grekët

1381
Sigal

   Trima qenë Suliotët, kapedanë himarjotët, dhe ata që bënë Morenë të gjithë shqiptarë qenë.

 Historia e rrallë e çamëve të Sulit me Ali Pashën dhe grekët

    Krahina e Sulit, vatër e qëndresës shqiptare për liri dhe pavarësi

Si hyri konflikti me Ali pashë Tepelenën dhe rrënimi i Krahinës

– Kjo farë çame nuk trajtohet në tekstet shkollore madje edhe emri i Çamërisë është fshirë nga fusha e toponimeve gjeografike greke

 Prof. Selman Sheme

Kohët e fundit në trajtesën e Akademisë së Athinës “Epiri – 4000 vjet histori dhe qytetërim helen” nuk përmenden banorët shqiptarë të Sulit si faktor historik të krahinës. Burimet greke dhe europiane që nga shekulli i XVII (historianë, gjeografë, konsuj, arkeologë, etnologë, publicistë etj) dëshmojnë se Suli ishte farë çame dhe bastion i qëndresës shqiptare për liri dhe pavarësi. Në tërësi “Historia e Çamërisë”  nuk trajtohet as në tekstet shkollore dhe universitare të Greqisë. Madje edhe emri i Çamërisë është fshirë nga fusha e toponimeve gjeografike. Nga pala greke po bëhet trysni që edhe në kurrikulat dhe tekstet shqiptare të mos trajtohet historia e  gjeografia e Çamërisë.

  1. Pozita gjeohapsinore dhe organizimi autonom.

Rrethina etnogjeografike e Sulit, apo Malësia e Çamërisë shtrihet në skajin më jugor të trevave të populluara historikisht nga shqiptarë etnik. Ajo ndodhet rreth 50 km. në jugëperëndim të Janinës. Midis maleve Murgo, Zevruho, Dhëmbas, Mali i Flamurit etj dhe luginës së lumit Akeron (Lumit te Zi) në lartësinë rreth 600-700 m. mbi nivelin e detit, gjenden fshatrat: Suli, Sanovina, Qafa, Avoriku, Benuka, Cangari, Gllavica etj.

Studiuesi francez Adolphe Cerfbeer i konvertuar në mysliman, me emrin Ibrahim Manzour, i cili shërbeu si oficer Xhenjerë në ushtrinë e vezirit të Janinës, duke përvijëzuar në vijë të përgjithshme, por në mënyrë të qartë shtrirjen teritoriale të krahinës së Çamërisë shkruan: “Çamët zënë pjesën jugore dhe jugperëndimore të Shqipërisë dhe vendi ku banojnë quhet Çamëri. Në pjesën veriore dhe veriperëndimore kufizohet me Labërinë, nga lindja me rajonin e Janinës, në jug me atë të Artës dhe në perëndim me detin Jon. Pikërisht në këtë shtrirje teritoriale, thotë ai, ndodhet krahina e Sulit, banorët e së cilës quhen suliotë”.

 

Për suliotët, studiuesi frëng, njohës i mirë i vendit, shton: ”Ata janë të gjithë të krishterë, jo grek, por shqiptar nga gjuha, nga zakonet dhe nga origjina. Janë bërë të famshëm në saj të trimërisë së tyre”. (Revista “Dituria”, Tiranë 1927, nr.2, fq.41-52)

Krahina e Sulit shtrihet nga rrjedhja e sipërme e lumit Kalama në veri, deri në afërsi të Filipjadhës në jug (rreth 42 km.), dhe nga malet e Kurrillës (Paramithi) në perëndim, deri në Tomaros dhe basenin e Dodonës në lindje (rreth 27 km.). Kjo malësi ka një sipërfaqe prej 1134 km.

Malet kanë qenë “kështjella” të vërteta natyrore, të cilat akshidentohen (copëtohen) nga lugina të thella të tipit kanion, gryka e hone, që kanë favorizuar autonominë dhe mbrojtjen e zonës nga pushtimi turk.

Në këtë zonë dimri është më i ashpër dhe më i gjatë, ndërsa vera e freskët dhe me shira të shpeshta, në krahasim me vise të tjera të Çamërisë. Në Sul dominojnë pyjet e përzier dhe kullotat natyrore, që favorizojnë zhvillimin e blegtorisë.

 Malësia e Sulit si dhe gjithë Epirit Antik kanë qenë të populluar nga fise epirote të trungut ilir që në lashtësi. “Unë besoj – shkruan studiuesi francez F. Pukvil – se emri Sul vjen nga”SELLEIDE”ose vëndi i Sellojeve, princeshave të Jupiterit të Dodonës”.         (F.Pouqueville, Vyage de la Grece, II, fq. 209).  Megjithëse ky studiues është adhurues i grekëve, pranon se nënfisi epirot i Sellojëve të lashtë të tempullit të Dodonës i përkiste fisit të madh epirot të Thesprotëve, pjesë e trungut Ilir, një degëzimi të racës shqiptare.

Viset e Sulit që para pushtimit turk janë vetqeverisur mbi bazën e Kanunit të “Papa Zhulit” i cili është shumë i ngjashëm me Kanunin e Labërisë. Po të analizosh normat e së drejtës zakonore të familjes, të trashëgimisë etj, vërehet se në përgjithësi janë të njëjta si në Çamëri ashtu edhe në Labëri. Studiuesit kanë arritur në deduksimin se një Kanun i përbashkët vepronte nga gjiri i Vlorës e deri në gjirin e Artës (Prevezës).

Gjatë periudhës së sundimit turk Suli mbeti një krahinë autonome e panënshkruar, që administronte rreth 60 fshatra. Gjatë kësaj periudhe, gojëdhëna thotë se në Malësinë e Sulit janë vendosur edhe familje shqiptare të krishtera të trimave të Skënderbeut të larguar nga Kruja. Më vonë këtu u vendosën familje të ardhura nga Frari si dhe nga Draganji, Zerva, Martina, Kamarina, Koriqanji, Cangari etj.

 

Suli që në shekullin e XVII ishte një krahinë shqiptare autonome e njohur ligjërisht nga pushteti qëndror. Kjo krahinë banohej nga një komunitet shqiptarësh ortodoks që i rezistuan zbatimit të sistemit të Timarit, pasi nuk dëshirornin të islamizoheshin dhe të jetonin në sundimin Osman. Ajo u përfshi në sistemin e teritoreve shqiptare, që kishin fituar të drejtën e Venomit (vetëqeverisjes) .Në krahinën e Sulit  në shekullin XVIII numëroheshin më shumë se 11 fshatra me mbi 10.000 banorë.

Në bashkësinë e Sulit, qeliza më e lartë e organizimit shoqëror ishte FARA. Çdo fshat ndahej në FARA që përbëheshin nga një numër familjesh. Secila FAR-Ë kishte në krye një udhëheqës ose “KAPEDAN” që zgjidhej nga njerëzit më të aftë dhe më me përvojë, por që zakonisht ishte më i vjetri. Organi më i lartë i pushtetit ishte “PLEQËSIA” e formuar nga krerët e FARA-ve. Në kohë lufte PLEQËSIA e fshatrave zgjidhte një ose më shumë udhëheqës ushtarak. Fshatrat së bashku përbënin një lloj “KONFEDERATE” ose “ALEACE” në të cilën çdo fshat ruante vetqeverisjen. Krahina malore autonome e Sulit vetqeverisej në bazë të së drejtës zakonore shqiptare që përmblidhej në Kanunin e “Papa Zhulit”.

Krahina autonome apo Venomi i Sulit njihet në histori edhe si “Republika e Sulit” që ekzistoi për tre shekuj gjatë kohës së Perandoris Osmane. Republika e Sulit pati si kryeqendër të vet, qytezën e Sulit. Emri “Suli” (S-U-L-I) shqip do të thotë s’ulet, që s’përkulet, siç ishte karakteri i këtyre malësorëve që banonin në këta shkëmbenj të lartë.

Kapedanët e Sulit në shekullin XVIII kishin marrë nën mbrojtje dhe nënshtruar 66 fshatra në zonën fushore dhe kodrinore të Çamërisë prej së cilëve merrnin një tribut vjetor kundrejt mbrojtjes.

Suli ka pasur 450 shtëpi, të cilat ishin me katoj (bodrume), për të dalë shpejt në raste rreziku. Sipas traditës së tyre gojore popullsia është marrë me blegtori. Një degëzim i të parëve të tyre ishin barinj dhensh nga Kardhiqi i Labërisë (Rajoni i Gjirokastrës), që u detyrua të lënë vendin e tyre nga keqtrajtimi i sundimtarëve të huaj.

  1. Konflikti me Ali pashë Tepelenën dhe rrënimi i Krahinës.

Në fund të shekullit XVIII veçori e politikës së Ali Pashë Tepelenës ishte t’u jepte fund feudalizmit ushtarak të timareve, autonomisë që gëzonin krahinat e lira malore siç ishte krahina malore e Sulit në Çamëri e të institucionalizonte krijimin e pronës çifligare në fshat.

Malësorët e Sulit ishin shqiptarë të krishterë, të cilët nuk kishin pranuar asnjë herë t’u nënshtroheshin feudalëve ushtarak të timareve. Nën udhëheqjen e kapedanëve të tyre, ata kishin ruajtur autonominë lokale duke u zotuar se nuk do të ngrinin krye kundër autoriteteve perandorake Osmane. Si preteks për të nënshtruar Sulin u gjetën fushatat që suliotët ndërmerrnin për të plaçkitur viset e Artës, Paramithisë, Margëlliqit, Janinës dhe viseve lindore me banorë grek të Epirit duke diskredituar autoritetin e administratës perandorake Osmane. Për rrjedhojë banorët e malësisë së Sulit u bënë armiq më të vendosur të Ali Pashë Tepelenës në politikën e tij për vendosjen e një pushteti të përqëndruar. Ekspedita ushtarake që Aliu ndërrmorri kundër Sulit më 1792 dështoi. Pas dështimit ai mendoi të detyronte suliotët të dorëzoheshin nëpërmjet bllokimit dhe izolimit të krahinës së tyre malore. Për këtë qëllim filloi ndërtimin e kalave rreth e rrotull Sulit dhe vendosjen e garnizoneve të vogla luftarake. Ekspedita kundër Sulit filloi në vitin 1802. Me gjithë rezistencën heroike, pas tre shekujsh vetqeverisjeje autonome, Malësia e Çamërisë (Suli), e humbi autonominë dhe për pasojë filloi rrënimi dhe braktisja e fshatrave.

Rezistenca e suliotëve la në kohën e vet përshtypje të thella në opinionin publik shqiptar dhe europian. Një dëshmi rënqethëse mbi heroizmin që treguan gratë suliote në rezistencën kundër Ali Pashë Tepelenës, ka përshkruar në veprën e tij oficeri frëng i ushtrisë së vezirit të Janinës, Ibrahim Manzouri. Ai shkruan:”…Rreth njëqind gra me një tufë fëmijësh për mos të rënë në dorë të armikut, u kapën dorë për dore dhe nga sheshi i shkëmbit të Zallongut, hodhën një valle të cilën e frymëzonte një heroizëm i padëgjuar. Vallet e tyre u shoqëruan me këngë patriotike që në refrenin e fundit njëqind gratë lëshuan një klithëm therrëse dhe të zgjatur, zhurma e së cilës vinte duke u shuar në fundin e humnerës së tmerrshme ku ato morën me vete gjithë fëmijët”.

 

  1. Suliotët e Dardhës së Korçës.

Të shpërngulur nga vatrat e veta më 1803, suliotët u vendosën nëpër viset greke dhe në Shqipërinë e Jugut. Një pjesë arritën të kthehen vetëm në vitet 1821-1823, por nuk ripërtëritën të gjithë fshatrat e braktisura, por u vendosën në fshatra shqiptarë të luginës së Vuvos etj.

Me qindra suliotë gjetën strehim në fshatrat e Shqipërisë së Jugut ku hynë nën mbrojtjen e derebenjve vendas. Disa nga pasardhësit e tyre e kanë ruajtur deri vonë origjinën e tyre suliote si në Frashër të Përmetit, fshatrat e Devollit në Korçë etj. Mendohet që fshatrat e Dardhës, Sulit, Nikolicës dhe Kurrillës në krahinën e Devollit (Korçë) janë populluar edhe nga suliotët e shpërngulur nga Malësia e Çamërisë pas vitit 1803.  Në fshatin Dardhë të Devollit (Korçë) disa fise si: Boçari, Stefani, Sulioti, Tollko, Themeliu, Thimo, Laço etj, janë të ardhur nga Malësia e Çamërisë  pas shpërnguljes së suliotëve. (F. M. Rrapaj – Fjalor Onomastik i Epirit, vëll. I Çamëria, Eurorilindja, Tiranë 1995, f. 490).

Fshati Dardhë është një vendbanim relativisht i ri i themeluar rreth 300 vjet më parë nga të ikurit që përndiqeshin nga perandoria Osmane më së shumti për arsyje se nuk dëshironin të ndryshonin fenë. Dëshmia e parë historike deri tani gjendet në enciklopedinë greke “PIRSOS” ku thuhet: ”Në Dardhë, fshat shqiptar u hap shkolla greqisht më 1768-ën”. Meqënëse Dardha ka qenë fshat i lirë i përjashtuar nga taksat, në dokumentat osmane nuk ka të dhëna për këtë fshat.  E folmja e fshatit Dardhë ka ruajtur deri vonë disa trajta të vjetra të gjuhës shqipe të ngjashme me arbërishten dhe çamërishten. Kjo dukuri vërehet dhe në disa toponime, që kanë karakter konservativ si: Bredhi i Klishës (Bredh ku dikur aty ka qenë një kishë, në afërsi të qendrës së fshatit), Oborri i Klishës, Trojet e Ulkut (Ujkut), Trojet e Sidherit etj.

Nga e folmja e deri tek veshjet, këngët dhe vallet, kultura materiale dhe shpirtërore dëshmojnë që Dardha ka ngjashmëri me mbartësit e kësaj kulture, banorët që e kanë populluar këtë fshat kryesisht nga Shqipëria e Poshtme dhe Çamëria.

Pamjet që shfaq urbanistika e fshatit, me ndërtesa solide me gurë të gdhendur të mbuluar me plloça të hirta, rrugët me kalldrëm, punishtet dhe zejet kryesore, janë të ngjashme me tipologjinë e ndërtimeve të fshatrave të malësisë të Çamërisë dhe Labërisë. Nga fundi i shekullit të XIX u vendosën në fshatin Dardhë edhe familje zejtare të adhur nga zona e Filatit si: familjet e Dhimitër Venetit, Koli Venetit, Pajanot Sharra etj. (Koço Millona, Të dhëna historike për Dardhën,- dorëshkrim).

Në vitet 1839-1849, shkruan Dhimitër Shuteriqi, (vepra: “Autori dhe tekste” Tiranë 1977, f. 115), në Shkodër, ishin identifikuar familje tregtare me prejardhje nga Suli, të cilat ishin shqipfolëse.

Deri ketu

 

 

Nesër do lexoni:

 

Emrat shqip të 21 fshatrave të Sulit sipas dijetarit grek Petros Fourikes, janë shkruar në dialektin origjinal çam

– Në 220 vjetët e fundit në mungesë të shkollave shqipe suliotët mësojnë në shkolla greke

– Sot pranohet nga e gjithë bota shkencore se, “Suliotët ishin shqiptarë me prejardhje dhe ortodoksë nga besimi”

– Ata kishin doke, zakone, veshje dhe kanunin e “Papa Zhulit” si dhe shqiptarët e Labërisë.

 

Dketuuuuuuuuu

Emrat shqip të 21 fshatrave të Sulit sipas dijetarit grek Petros Fourikes, janë shkruar në dialektin origjinal çam

– Në 220 vjetët e fundit në mungesë të shkollave shqipe suliotët mësojnë në shkolla greke

– Sot pranohet nga e gjithë bota shkencore se, “Suliotët ishin shqiptarë me prejardhje dhe ortodoksë nga besimi”

– Ata kishin doke, zakone, veshje dhe kanunin e “Papa Zhulit” si dhe shqiptarët e Labërisë.

Prof. Selman Sheme

 

Në 220 vjetët e fundit në mungesë të shkollave shqipe suliotët mësojnë në shkolla greke, prandaj studiuesi grek Tajani thotë se suliotët “shkruanin greqisht dhe flisnin shqip”.

Sot, pranohet nga e gjithë bota shkencore se, “Suliotët ishin shqiptarë me prejardhje dhe ortodoksë nga besimi”. Gjuha e tyre amtare ishte gjuha shqipe e dialektit çam. Ata kishin doke, zakone, veshje dhe kanunin e “Papa Zhulit” si dhe shqiptarët e Labërisë. Lort Xhorxh Bajroni në ditarin e vet pat shkruar: “Suliotët ishin një kast ushtarake e të krishterëve ortodoksë shqiptarë, të cilët banonin nëpër malet e larta, që sundonin rrjedhën e sipërme të lumit Akeron”.

Përkatësinë kombëtare shqiptare të suliotëve e kanë dëshmuar shumë studiues, udhëpërshkrues, konsuj të huaj etj., si: Lord Bajroni, H. Holand, Ibrahim Manzour,  P. Arvantinoi, Ë. Leak, F. Pouqueville, Tajani etj. F. Poqueville megjithëse adhurues i grekëve, i quante suliotët “shqiptarë të Sulit”.

Emrat shqip të 21 fshatrave, sipas dietarit grek Petros Fourikes, në punimin e tij rreth onomastikës së Sulit (1922) janë shkruar në dialektin origjinal çam, me që greqishtes i mungojnë disa tinguj të atij dialekti.

Sipas këtij autori me prejardhje shqiptare janë emrat e gjithë fshatrave të Sulit si: Arvanita, Bardhi, Berishat, Vëra/Bira, Bregu i Vetëtimës, Burima, Bushi, Dhëmbës, Ferëza, Gropë, Gura, Kali, Kondat, Murga, Murriz, Palovreshte, Qafa, Shenepremte, Shtretëza, Vila etj. Terreni i vështirë malor i paarritshëm i Malësisë së Sulit është një ndër faktorët që mund të ketë ndikuar në këtë pastërti të rrallë të toponamastikës.

Toponimet kanë karakter konservativ dhe janë dëshmi e identitetit etnik shqiptar të fshatrave të kësaj krahine.

Suljotët dhanë një ndihmesë të madhe në kryengritjen greke për pavarësi, në të cilën u shquan Marko Boçari, heroi i Mesollongjit, Foto Xhavella, Odise Andruco  etj.

Ky kontribut i shqiptarëve në revolucionin grek për pavarësi shprehet qartë në vargjet popullore:

Ngrehu Marko trimëria.

  Ngrehu të thërret Greqia,

të vijë Marko Shqipëria.

                                                   Ngreu Marko suljoti:

ti Xhavella e Kundurioti.

O ju trimat e Shqipërisë:

që lirinë i dhatë Greqisë.

 

Marko Boçari,(1790-1823), komandanti suliot, heroi simbol i luftës për pavarësinë e Greqisë, që në moshën 19 vjeç, mësoi greqishten dhe hartoi “Fjalorin dy gjuhësh , të greqishtes dhe shqipes”. Ky fjalor përmbledh 111 faqe. Origjinali i tij në dorëshkrim gjendet sot në Bibliotekën Kombëtare të Francës. Fjalori ka vlera të mëdha, pasi është shkruar në gjuhën shqipe të dialektit Çam.

Marko Bocari ishte kryekomandant i Ali pashës, por edhe një vizionar politik. i cili i propozoi Vezirit të Janinës, që për të bërë Shqipërinë ai duhej të bashkohej me Bushatllinjtë e Shkodrës.

Duke stigmatizuar kontributin e kapedanëve shqiptar të Sulit, rilindasi ynë, shkodrani Pashko Vasa, më 1879 shkruante:”Ishin kapedanët shqiptar në shërbim të Ali Pashë Tepelenës, të cilët i dhanë Greqisë të Re burrat më trima të luftës për pavarësi si: Boçarët, Xhavellët, Çaparenjtë, e aq e aq luftëtar të tjerë, të gjithë shqipëtar që e bënë çështje të përbashkët, çështjen e çlirimit të Greqisë”. (Pashko Vasa, Vepra letrare, Fq. 39-59)

Pas rënies së rezistencës suliote rreth një shekull më vonë më 1913 ra në duart e grekëve gati e gjithë Çamëria.

 

                                                                   Përgatiti:

Prof.Dr. Selman Sheme   

 

 

Malësia e Sulit
Harta e Sulit sipas Ëilliam Martin Leake 1835
Fjalori “Greqisht-Shqip” i Marko Bocari
Grate suliote në aktin e vetflijimit në shkëmbin e Zallongut