Sefer Pasha: Gjenocidi serb, gjyqi ndaj UÇK-së, delegatët e Rambujesë, dhe  “djali” i Rankoviçit

464
Sigal

Fëmijët krushian që u vranë duke ngrënë lulen anguliqe, letra e Bajram Currit për Leninin, dhe “jagot” e Evropës

 

Në të dy Krushat janë vrarë, rrëmbyer, e më pas janë zhdukur rreth 70 përqind e meshkujve nga mosha 13- vjeçare e deri në moshën 77- vjeçare.

“Atdheun nuk mund ta marësh me vete nën shollët e këpucëve”

Zhorzh – Zhak Danton

Pamja që shtrihet që nga kreshtat e malit të Pashtrikut e shtyn syrin që të sjell me nyjet lidhëse si në parahyrje e pasqyrë në rokaqiejt e Rrafshit te Dukagjinit e të Drenicës ç’përmban lugina e Drinit të Bardhë.  Gjyqet në Tribunalin e Hagës e trazuan jetën e banorëve të traumatizuar të këtyre viseve.  Të gjithë pyesin me zë e trajtë e qartësi diamanti:  Pse ndodhi kështu? Ç’ishte kjo gjykatë fantazmë që prajti e si një befasim ogurzi u krijua brenda shtetit të Kosovës? Pse u krijua me ububushmëri dhe tani ka krijuar një shajni e kalvar trishtimi? Ku ishin burrat e shtetit me talent e vlerë? Cili qe lajmotivi i tyre? Pse u gjetën në pikën më të lartë me hënë të keqe dhe u drunjëzuan në këtë psikodramë mistikërisht ? Vetë Anadrinasit që prej Prizrenit e deri në Mitrovicë ta japin përgjigjen. Edi Rama i pari më thonë ata, nuk pati as ndjesinë instiktive e as nuhatjen e një bjeshkëtari, që kur kosit në rudinë me majën e kosës kërkon minat dhe bombat. Tani kundron dramën. Nuk u tregua vëzhgues i mprehtë e s’veproi profanërisht. Piskamat e vajit për trimat e Kosovës që janë në Hagë nuk vlejnë. Edhe ato lepe – peqet me Vuçiçin e Millosheviçit shikohen vrëngër në Kosovë. Kurse Hashim Thaçit qysh atëmot drenicasit ia kanë vënë nofkën “zog çobani”. I mungoi instikti natyror truma -truma, talenti i magjishëm e forca olimpike. E harroi proverbin e pashqitshëm të Drenicës se “zinxhirët e florinjtë janë zinxhirë të rëndë” .  U dukën bathët qysh në kryekreje kur e votoi Gjykatën Speciale në Prishtinë.  Gjykata që u krijua nën hundën e tij është ilustrim i dukshëm dhe tregoi pabesueshmërisht se ai, prijësi i UÇK – së, nuk ishte filozof divani dhe as lëndë burimore, që të përcillte energji vetëm nëpërmjet imazhit dhe autoportretit. Idetë impulisive dhe lidhshmëria emocionale nuk mjaftonin. Ish Presidenti nuk diti të luftojë me art të thukët. Me biografinë e fisëshme të UÇK -së s’mbijetohej. Gjetën qeder në vend të qarit. Superbuqetat me lule nga hera në herë e trofetë tërthorazi të zbresin me stuhi nervash nga maja e majave të zgalemit. Roosvelti thotë: – “Në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, liria nuk mund të dhurohet; ajo duhet të arrihet”. Thaçi i cili qe një oaz shprese duhet të ishte larguar prej kohësh nga pushteti, ku pavetueshmërisht u thartua. Edhe Zeusit i pëlqente e përkoshmja. “Jagot” e Evropës e morën me lajka të zeherta ushtarin e orëve të para. Makthi dhe alkimia e fjalëve nuk qenë në ajër. Stina e luftës së thekur nuk kishte mbaruar. Goditja qe fatale ashtu siç shkruan Shekspiri tek Hamleti :- /Drama është gracka/ /Ku shpirti i mbretit kapet si laraska”/. Komandatët e UÇK -së dhe një aradhë figurash e asi personazhesh narcist ranë prej mitit të tramundanëve në lakun e “jagove” të UDB -së. “Marre i qoftë bre Hashim Thaçit!” më thotë një grua nga Krusha e Madhe së cilës i kanë vrarë djalin e vetëm. “Ani bre! Ç’kah po thua? Besa se ke mirë”! -ia kthej. Thaçi është bajagi i mirë. Gruaja e brengosur nuk nguron t’ më qortoj. “Ku, ku për mua!” belbëzon ajo. Në fshatrat e malit të Sharrit rrëfen ajo përdoret vrik e vrik një fjalë e urtë:- /Kokë, moj kokë, ç’më bëre?/ /Më fute në mes të gërshërve/. Unë grah udhën e heshturazi i pikëlluar këndoj me ligjërim vaj një këngë që këndohet në Mallakastër : – /Do t’i vete prapa djalit/ / Siç i vete era malit/. Nëna krushiane në dalldi kurrqysh mendon ndryshe. Provat traumatike të krimeve apokaliptike nga hajnat e Serbisë asëll – asëll janë ulëritëse. Anadrinasit jetojnë mote të kobëshme. Gërmat e lajmeve të zeza prej trillit të fatit nuk sosen. Komandantët e UÇK -së duhet të mbeteshin simbol i fitores dhe jo i zhgënjimit. Në Hagë të duket sikur po zhvillohet një proces gjyqësor kozmik. “Jagot” hjeksa të Beogradit janë allasoj në Parlamentin e Prishtinës. Megjithëse e dua Evropën për dreq edhe këtu në Pashtrik më ngulen si bajoneta vargjet e Fishtës: /Moj Evropë, moj kurva e motit/. Evropa e Fishtës sikur të jetojë në epokën e skrupujve akuzon në ekstazë një familje matiane se e pati kthyer shtëpinë në një “kilinikë” për transplant organesh. E llahtarëshme. Familja matiane jeton me turshi në sofrën bujare dhe është pa “brekë në bythë”. Dik Marti i denatyruar ja kalon “Jagos” së Shekspirit. Harta e gjuhës së tij me zymti puritane e overdozë negativiteti thur një intrigë të lakmueshme për metaforat planetare.

Kemi ardhur në vendin e quajtur Qafa e Mullarit në malin e Pashtrikut për të vendosur një pllakë si shenjë në kujtim të delegacionit, i cili kapërceu malin për të shkuar në Rambuje. Drini i Bardhë ngjan i zymtë dhe mjegulla mbi të si një qefin i madh. Motivi i mundimit flet vet. Delegatët e Rambujesë qysh moti i njihnin fragmentet biblike të bujtinave e të legjendave me yje e hyjni, muranat, udhët e Pashtrikut, shtigjet e erërave, llojet e shpendëve, lulet dhe drurët, fijet e barit, myshqet, sinorët e skifterve, ciflat dhe coprat e ndriçimit të hënës, orët e shkëmbinjve dhe motin kur plaket kënga e shqiponjës.  Ata e dallonin në mes të ciklonit kuisjen e ujkut dhe kakaritjen e korbit. E dinin se kur vjen bora si mysafire dhe kur orteku mbi Liqenin e Opojës në trajtë ylli zë krimba në muajin gusht.  Në shkrepat e malit nuk ka natë.  Pashtriku është misterioz e gati – gati marsian. Gjatë masakrës së madhe drenicasit aty gjetën “vilat” e tyre. Djemtë për në Rambuje i shoqëronin nëpër mal zanat dhe vitat. Pashtriku të mbronte.  Aty të ikte ankthi. Mali ka udhërrëfyesit e tij misterioz. Nëse ndodhesh në buzë të greminës një zë të paralajmëron që të ndalosh. Për shpendin e korbës në Pashtrik njeriu ngjiz tjetër mendim. Nëse ti je i etur korba që ke përpara në bredh futet në guvat me ujë e del andej e lagur. Të ndjell që ti si udhëtar gjithashtu të futesh në guvën e thellë e të pish ujë. Në këtë mal të shenjtë nuk shkon kënga :-  “O ju korba mos më hani……Vërshëllima e cjapit të egër me një kompleksitet tingujsh është violina e mirëseardhjes. Nëse nuk kishe bukë aty gjëje vezë thëllëzash e mish të kafshëve të egra. Në shkëmb gjëje akulloren prej bore. Në monopate lajthia zë lajthinë. Edhe natën që delegacioni i Rambujesë e gdhiu në Qafën e Mullarit ata e treguan histrinë e shpendit të lashtë. Legjenda thotë se dikur një shpend me një njeri të mirë në kthetra lëshoi tri pika gjaku.

Në malin e Shkëlzenit, Pashtrikut e Gjallicës.

Qysh atëherë në këto tri maja malesh shkojnë e dhe falen mijëra njerëz. Rambujeasit atë natë kujtuan Bajram Currin. Edhe Bajram Curri e ka kaluar malin e Pashtrikut. 700 metra më poshtë në fshatin Vlahën të Hasit tek kulla e Bajraktarit, ku plaku i maleve qëndronte me muaj hasianët thonë se ai i shkroi dhe i dërgoi letër Leninit. Mbi Vlahën është dhe Shkëmbi i Bajram Currit, ku baca i shkroi Leninit. Për këtë ngjarje poeti Dritëro Agolli do të shkruante një fragment poeme. /Hazreti Lenin/ /Hazreti Lenin/ /Nga malet – shëndet/ /Nga bjeshkët – shëndet/ /Një plak me kobure në dorë të flet/. Plaku i maleve i shkruante Leninit nga ky mal. Kurse delegatët nga Prishtina, ndryshe nga adresa e letrës për tek Lenini, do të udhëtonin për në Rambuje të Francës. Ky ka qenë fati i Shqipërisë dhe i Kosovës. Në krahun tjetër të Pashtrikut është vrarë nga serbët në fshatin Zym në vitin 1929 Shtjefën Gjeçovi, historian, entnograf, arkeolog dhe shkrimtar. Mbahet mend për shumë vepra të mëdha. Në vitin 1920 mori pjesë në luftën për çlirimin e Vlorës. Kështu ka qenë jeta e “krushqve” për të mbrojtur fatin e Shqipërisë. Po në fshatin Zym Isa Boletini me 400 trimat piu kafe kur shkoi në Vlorë për të shpallur pavarësinë me Ismail Qemalin. Skenarët e udhëtimeve të delegacioneve janë autentik deri në rrasht. Edhe Avdyl Frashëri udhën për në Prizren e ka barë rrëzë malit të Pashtrikut.

Në Kosovë e thonë shpesh se delegacionet për në Vlorë dhe Rambuje kaluan nëpër vaun e malit të Pashtrikut. Si është e mundur i pyes? Vahet ngrihen mbi lumenj. Por fati e ka kërkuar që mali i Pashtrikut të krahasohet me lumin. Le të jetë Pashtriku 2200 metra. Dobia për njeriun e quan malin “va”. Kjo ndodh edhe për faktin se për ta kaluar këtë “va” është derdhur gjak. Nuk i ndaj sytë nga Drini i Bardhë. Pas majës mbi Qafën e Mullarit është “vëllai” i tij Drini i Zi. Më duhet të shënoj një motiv që ma kujtoj gjakovari, biznesmeni Bastri Ruka. Në Gjakovë Bastriu më tha një gjë që më mallëngjeu.  Mote më parë ai kishte qenë me atin e tij në Strugë. Kur po ecnin anës Drinit të Zi pikërisht aty ku Drini mer udhën për në Shqipëri, babi i Bastri Rukës kishte zbritur në një rrëpirë në të tatëpjetën e lumit. Bastriu qe trembur. I druhej shkarjes së të atit dhe mbytjes në Drinin e Zi. Bastri Ruka habitet kur shikon të atin. Ai kishte zgjatur krahun dhe kishte hequr një dërrasë në formën e lopatës. E hoqa dërrasën nga çurka e lumit i kishte thënë ai të birit, që ajo të mos pengojë asnjë pikë ujë. I gjithë Drini të gurgullojë  për në Liqenin e Fierzës.

Kur je në malin e Pashtrikut dhe vështron hapësirën që prej Prizrenit, në Gjakovë e Rahovec,  vendi të ngjan si një libër i madh dhe për ata që shkuan në Rambuje, Pashtriku e Drini i Bardhë, mbetet Itaka.  Shfletimi i këtij libri është i pamundur. Por në këtë gjeografi  të bekuar janë bërë shumë bëma e gjëma nga serbët. Ua kam treguar miqësisht të huajve dhe ata ngrenë sytë të mahnitur. Ka një ngjarje që i çan me dysh shkëmbinjtë e Pashtrikut. Tek Gropat e Kusive mbi Krushën e Vogël, tre fëmijë të vegjël kishin mbetur pa prindër.  Në një rudinë me gorrica fëmijët e uritur pa hanin gjethet e lules ANGULIQE.  Ishin pa bukë. Pas masakrës së përgjakëshme kishin kaluar milicët serbë dhe kishin hapur zjarr mbi fëmijët, që po ushqeheshin me lulen anguliqe. Dy nga fëmijët kishin vdekur.  Shpëtoi  i  treti.  Ai kishte treguar se ç’kishte ngjarë. Pak kohë kam që e kam dëgjuar këtë llahtari të serbëve. Unë nuk e njoh lulen me emrin Anguliqe. Për herë të parë e dëgjoj se kjo lule hahet dhe nuk të helmon. Unë jam rritur anës Vjosës me lloj – lloj kërpurdhash. I kam ngrënë. Por kurrë nuk kisha dëgjuar se paska dhe lule si kjo, anguliqeja që rritet anës Drinit të Bardhë dhe me të mundet të rrosh. Nëpër Pashtrik nuk e ndesha ketë lule sipas përshkrimit që ma bëri në Rahovec shkrimtari Qemajl Krasniqi. Po e kërkoj. Dhe me ta gjetur tek Gropa e Kusive në Krushën e Vogël do ta mar një lule anguliqe e do ta verselis në shtëpinë time në Tiranë. Dhe i mbështetur pas shkëmbit,  ku është vrarë Luan Haradinaj,  i them vetes me trishtim. Si mund të vriten fëmijët të cilët për të mos vdekur ushqeheshin me lulen anguliqe?  Do ta gjej me doemos këtë lule. Dua ta shoh se ç’formë e ngjyrë ka. Në fjalor sigurisht që nuk është. Sikur ta kisha një pikturë të lules anguliqe si ajo që e ka pikturuar  Van Gogu. Po lulja që pikturoi Van Gogu nuk është e ngrëshme. Anguliqja e Krushës së Vogël është më e çuditëshme. Mund ta hash si çokollatë. Minirrëfimet për lulen anguliqe gurgullojnë si valët e Drinit.

Mjafton të lexosh ditarin që ka mbajtur Marte Prekpalaj prej  Krushës  së  Vogël në mes të qametit dhe befasisht bëhesh gur. Janë shënime që një grua e thjeshtë në mes të plumbave ka parë me sytë e saj dhe i hodhi në letër ato çfarë ndodhën më 26 mars 1999, në të dy Krushat.  Fëmijë si  Egzon Bobaj 9 vjeç, që nëna nuk e varrosi dot se nuk e lejuan milicët. Egzonin e mbuluan në udhë me gjethe erërat e malit të Sharrit. Por në ditar do të lexosh dhe për gratë që janë përdhunuar në grup. Udbashë që vrisnin dhe grabisnin. Një milic mbush një çantë me koka burrash të prera midis të cilëve dhe koka e vëllait të Ukshin Hotit, e Rakipit. Askush nuk e mori vesh se ku i çoi milici serb kokat e prera të meshkujve të Krushës.  Marte Prekpalaj shkruan gjithashtu se delegacionet që kapërxejnë Pashtrikun kalojnë në udhët ku janë pyjet me lisa. Lisat u japin fuqi.

A do të ketë paqe ndonjëherë me serbët?  E zorshme. Kur dielli mer udhën për në perëndim rrezet i përcjellin hijet prej bjeshkëve të Serbisë në vatanet e kosovarëve. Malësorët nuk e durojnë dot as hijen e bjeshkës së Serbisë. Edhe hija ju duket si kapotë ushtarake e milicit serb.                                                                                                                                                                                –       Siç jam i mbështetur pas shkëmbit dhe po shfletoj faktet e gjenocidit serb sytë i hedh në Rrafshin e Dukagjinit, në Drenicë e në bjeshkët e Sharrit. Kur i përfytyroj heronjtë që dergjen kot së koti në Hagë më zihet fryma. Në fushat anës Drinit dhe në bjeshkë janë mbjellë miliona mina. Toka është e trazuar me brumin e urianiumit. Fëmijët në Gjakovë, Rahovec, Pejë, Prizren, Istog,  Skënderaj, Malishevë, Klinë, Gllogovc e Suharekë lindin të gjymtuar e me të meta mendore. Bujqit kosovarë kur plugojnë tokat zbulojnë trupa të vrarësh. Nëpër bjeshkë lëvizin malësorë me një këmbë e me një dorë. Nga analizat e miellit të grurit dhe të misrit del se ai ka në përbërjen e tij përqindje urianiumi dhe baruti. Edhe qumështi i lopëve, i dhive dhe i deleve nuk është i pastër. Nëpër laborator shfaqen pika të zeza. Edhe krojet dhe ujvarat janë të ndotura. Në ujërat e Drinit të Bardhë nuk lahesh dot se trupi të mbushet me ca puçra sa kokrra e gorricës. Pas luftës mollët e kuqe çelin në ngjyrën e plumbit. Befasisht në bjeshkë e në lugje shpërthejnë zjarre. Kjo vjen se në varret masive fosfori në kontakt me oksigjenin lëshon shkëndija dhe ndizen zjarre. Fenomeni më i çuditshëm është ai që po ndodh me rrufetë. Dhe një re e zezë të ngrihet mbi malin e Sharrit rrufetë do të fluturojnë si të komanduara me aparatet në artilerinë e rëndë. Rrufetë shkarkojnë, jo vetëm nga lart poshtë, por ato lëvizin dhe në vijë të drejtë. Ulen aty ku toka është e mbushur me predha. Kur prishet moti pylli i rrufeve merr flakë. Njerëzit nuk lëvizin në monopate e në bjeshkë. Rrufetë bien si flokë bore. Studjues të anatomisë së tokës më thonë se pas luftës me serbët nuk dalin më milingonat. Të merr malli të shikosh një “vatër” me dhe të lëruar nga urithët. Shqiponjat dhe gjeraqinat fluturojnë mbi Drenicë e kërkojnë foletë që ua dogji artileria serbe. Nuk ka më ujqër, çakenj, derra të egër dhe dhelpëra. Në Drenicën e Pashës malësorët kanë parë një ulkonjë me tre kokë. Nuk kishte ndodhur. Pëllumbat e egër të Rafshit të Dukagjinit nuk fluturojnë për në Serbi. As dallëndyshet nuk shkojnë që t’i ndërtojnë foletë në shkëmbinjtë e Serbisë. Arinjtë e Pashtrikut janë në depresion. Hidhen nga majat e shkëmbinjëve në valët e ftohta të Drinit të Bardhë, i cili sjell nga Istogu “kodra” me akuj si të jenë anije me vela. Kuisin dhe vetëm në ujërat e ftohta të Drinit qetësohen. Nëpër teritoret ku kanë qenë disllokuar forcat ushtarake serbe dhe milicia janë shtuar gjarpërinjtë. Vërshëllejnë dhe kafshojnë njëri – tjetrin. Ka shumë pyje dhe korie, që në pranverë sa i lëshojnë gjethet, ato pas disa ditësh zverdhen dhe bien në tokë. Pyjet zhvishen e ngjanë si varreza. Për habinë e të gjithëve kuajt hingëllijnë po të shikojnë ndonjë copë hekur në udhë. I shqyejnë me dhëmbë patkonjtë e tyre. Në të gjitha ato vende ku serbët kanë zbrazur predha artilerie toka vazhdon të dridhet sikut të bjer tërmet. I zoti i fushës tek lëron tokën mbetet pa mend kur përpara syve lisi i madh sa një gjysëm shkëmbi futet thellë në tokë sikur të ishtë fantazmë. E tërheqin predhat që janë thellë në tokë e shpërthejnë vetvetiu. Shumë emigrantë kur kthehen nga mërgimi nuk i dallojnë dot arat dhe bjeshkët. As udhët. Në të dy Krushat janë vrarë, rrëmbyer, e më pas janë zhdukur rreth 70 përqind e meshkujve nga mosha 13- vjeçare e deri në moshën 77- vjeçare. Disa familje kanë humbur nga 1 deri në 9 anëtarë. E gjithë kjo masakër e hatashme ka ndodhur më 26 mars të vitit 1999. Por edhe më vonë vrasjet si stuhitë nuk kanë pushuar.

         Lajmet nga Tribunali i Hagës janë të dhimbshme.

Jakup Krasinqi është futur në grevë urie. Krasniqin nuk e kam dashur sa këtë rradhë. Miqtë nga Rahoveci më thonë në celular se do të ketë dhe arrestime të tjera. Mbi 100. Po mua a do të më arrestojnë i them vetes me sytë nga faqja shkëmbore, ku do të ngjisim pllakën përkujtimore? Unë kam shkruar një libër për maminë e fshatit Bregdri me titull “Gjenocidi i mamisë së Drinit të Bardhë”. Mamia plakë e Bregdrinit gjatë luftës dështoi qindra vajza dhe gra, të cilat i kishin përdhunuar serbët me forcë.  Ato kishin mbetur shtatëzana midis tyre dhe një vajzë 11 vjeçe. Mamia nga Bregdrini ua hiqte foshnjat dhe i flakte nga shkëmbi në ujërat e turbullta të Drinit të Bardhë. Bëhet fjalë për qindra raste. Pas luftës serbët kur e kanë marë vesh e kanë quajtur gjenocid. Unë e kam thënë me zë të bubullimtë. Mamia e Bregdrinit është një heroinë. Ajo ka bërë mirë që “dobiçrit” e milicisë serbe i ka hedhur nga shkëmbi në lumin e Drinit të Bardhë. “Dobiçrit” nuk kishin gjak kosovari. Por ka vajza dhe gra që kanë lindur fëmijë me prindër ish ushtarakët e Millosheviçit. Dhe ata fëmijë që kanë lindur djem janë “pronarë” në tokat e Kosovës. Këtë e dinë mirë ato vajza dhe gra që i kanë lindur. Por dhe ata burra që mbetën të gjallë gjatë masakrës së tmerrshme. Veprimin e mamisë së Bregdrinit unë as tani nuk e quaj gjenocid, por një veprim të mirëmenduar. Mamia ka mbrojtur racën e kosovarëve. Le t’i vazhdojë hetimet prokurori i Tribunalit të Hagës për këtë lloj gjenocidi. Lëviz nëpër livadh dhe përsëris vargun e Hamletit: – “Të rrosh a të mos rrosh, – kjo është çështja”!

Në mënyrë të veçantë vejushat e Kosovës mbajnë mbi vete drama të llahtarëshme. Vejushat gjurmojnë nëpër bjeshkë shpendët që i vijnë rrotull ndonjë kreshte malore. Ato dyshojnë se aty ku ka shpend gjenden varre. Një gjë të dhimbshme e pashë me sy. Tek vendi i quajtur Lëmi i Lutfi Ramadanit disa gra mallkonin mëllënjat. Shpendi i pafajshëm kishte bërë me glasa një gropë të mbuluar me bar të egër. Aty gratë dyshonin se mund të ishte varr. Thuhej se mund të ishte koka që nuk u gjet kurrë, e Rakip Hotit. Dhe gratë me fshesë fshinin glasat dhe trembnin mëllënjat dhe zogjtë e tjerë. Dhimbja u kishte shkuar në kockë. Por flitet dhe për një marrëzinë e një milici, i cili zbrazi kamionin me kufoma në Drinin e Bardhë. Pasi kufomat të gjallë e të vdekur ranë në ujërat e turbullta milici me një shishe rakie në dorë hipi mbi një shkëmb. Pinte dhe këndonte. Poshtë këmbëve të tij ulërinin krushasit, të cilët ende nuk kishin vdekur nga plagët e plumbave. Thuhet se në breg të lumit u ndodh një bari që e pa të gjithë skenën. Bariu që e pa lemerinë me të dyja duart ju drejtua zotit dhe thirri: Hidhe o zot këtë zagar në lum! Dhe për çudi milicin serb e zuri mallkimi.  Ai ra në Drin me shishen e rakisë në dorë dhe nuk doli më.

 

Mesër do lexoni:

– Kirurgu nga Prizreni Hidajet Lutfiu: Pas masakrës së  26 marsit 1999 bëra autopsinë e 920 kufomave, që i kishte sjellë milicia në morgun e Prizrenit.

– Tek po bëja autopsitë pashë një djal të ri serb, i cili ishte ende gjallë, e mjekova nuk e lashë që të vdiste

-Si e kanë përjetuar vendasit ngjitjen e Sulejman Vokshit në majën e shenjtë të Pashtrikut.