Sakip Cami: Si i vdiqën Gjyshes 7 fëmijë në pandeminë e 1918

453
Sigal

Epidemia pas Luftës së parë botërore HISTORI  E  RRALLË  MBIJETESE  mbi flamën vrastare

Një epidemi  shpërtheu pas Luftës së Parë Botërore. Nuk mjaftoi gjithë ajo gjëmë, gjithë ata të vrarë, por shpërtheu edhe epidemia e gripit spanjoll. Në Europë u shfaq për herë të parë në Spanjë, por thuhej se kishte ardhur nga Kina dhe India. Ky grip nuk kuptohej fare. Ditët e para njerëzit e kalonin në këmbë, por pas dy – tre ditëve rishfaqej përsëri me simptoma vrastare. Lëkura u bëhej njerëzve ngjyrë mavi. Mushkëritë u mbusheshin me ujë dhe u ndalonte frymëmarrja. Kjo flamë nuk njihte moshë, të rinj apo të vjetër. Kujtdo që i binte e vriste. Dimri e ndihmoi së tepërmi këtë flamë vrastare.  Qeveri nuk kishte. Qeveritë ndrroheshin çdo muaj. Qeveri u thënshin, pa financa, pa ushtri, pa polici, pa shëndetësi, pa arsim, pa asgjë. E ashtuquajtura qeveri e kishte juridiksionin vetëm në Durrës e në Shqipërinë e mesme. Dibra ishte nën kërcënimin e vazhdueshëm të Serbisë. Shkodra ishte nën kërcënimin e Malit të Zi dhe të Austro – Hungarisë. Vlora ishte nën kërcënimin e Italisë. Gjirokastra ishte nën kërcënimin e Greqisë.

Dy qentë e shtëpisë dhe të tufës së bagëtive kishin ditë dhe netë që ulurinin. Qanin si njerëz  me lotë dhe me kuje. Qeni e ndjen më shumë se kushdo tjetër fatkeqësinë e të zot.

-“E shkreta moj gra, tha zonja e madhe e shtëpisë. Do të ketëvarre, do të ketë vdekje. E qara e qenve si njeriu më tmerron. Qeni parashikon fatkeqësinë që ndodh.

– Mjaft ti, moj me këto llafe e me këto bestytni, i tha kunata më e vogël.

– Fjala nuk bën mort, por kjo e qarë e qenve e ka një domethënie,e mbylli bisedën kunata e madhe.”

Familja e Shabë Camajt kishte përballuar shumë armiq, shumë stuhi, shumë sëmundje, por flama e këtij viti ishte flamë e kaluar flamës. Ajo i goditi në pikën më të dobët, tek fëmjët. Dulla, djali i Shabës kishte shtatë fëmijë nga mosha më e vogël e gjirit deri te Rabija, 15 vjeçe, e fejuar e me ditë të ndarë për me shku  te burri. Të martën e javës vdiq Rabija. Gjëmë e madhe. Vajza që përgatitej të dilte nuse, e bukura e nënë Pemes, me nur e bukuri të rrallë, me sy si Drini e me trup si Mali, faqekuqe  si molla, kraharorgjërë  si e ëma, pa vuajtur asnjë ditë më parë. Vijnë miqtë të tronditur. E pabesueshme. Ata kishin njoftuar miqtë, dajat, shokët, fqinjët. Kishte patur edhe ditë ahengu. Në dhomën tjetër dergjej nga ethet  Rakipi, që vdiq të nesërmen, të mërkurën vdiq. I varrosën po të mërkurën dy xhenaze në një ditë. Të premten  vdiq Farija. Tre fëmijë vdiqën nga e marta tek e premtja.  Morti rrinte hapur. Varrmihësit nuk largoheshin. Kishin punë sa nga njëra familje në tjetrën. E diela ishte vrastare për Dullën dhe Pemen. Katër fëmijë u shtrinë të vdekur para syve të tyre. Midis tyre ishte vajza e vogël pesë vjeçe, Hamdija. Pemja kishte filluar t’i thurte me shtiza  një triko leshi e ajo gëzohej dhe fluturonte nga gëzimi. Një ditë ja mbaroi shpinën e trikos  dhe ja provoi në trup. Shumë bukur nana, shumë bukur. Luaj pak duart ma mbaro ta vesh sa më parë,  i lutej ajo së ëmës. Ditën tjetër ja mbaroi dy përparëset e trikos. Mbetën  vetëm mëngët. Ja qepi sa për formë nënë Pemja dhe ajo e veshi. Vraponte nëpër shtëpi. Nanë, m’i bëj edhe mangët që ta vesh, të ma shohën edhe vajzat e tjera të lagjes, lutej ajo. Sot do të përfundonin edhe mangët e trikos dhe Hamdija e vogël do të fluturonte nga gëzimi për trikon e re. Por nuk qe kismet sepse flama e mori si të ishte një pulë, jo sikur të ishte njeri. Ah, t’i kisha luajtur duart edhe më shpejt e ta kisha mbaruar atë të shkretë triko. S’mund ta harroj kurrë vrapimin e saj nëpër dhomë, kërcimin e  saj si një zog i bukur. Të paktën ta kisha mbaruar trikon dhe ajo të shkontë në atë dynja e kënaqur me trikon e saj. Pemja humbte në botën e saj të tmerrit. Nuk mund t’i shihte ashtu të shtrirë fëmijët e saj. Nuk u besonte syve. Trupat u nxinë dhe morën një jeshile të errët që të kallte frikë. Nënë Pemja qëndronte midis katër kufomave jeshile dhe thërriste: “Mos m’i mirrni, mos m’i mirrni. Janë të mitë. Nuk kam më të tjerë. O Zot më ndihmo!” Mbi kokë të saj qëndronin njerëzit që do t’i vendosnin në tabute. Vetëm njerëz që do të transportonin tabutet duheshin gjashtëmbëdhjetë. Vetëm varrmihësa duheshin të paktën tetë vetë. Fshati ishte i vogël. Lagjja po ashtu. Varrmihësit i kishin marrë në fshatin tjetër me hak. Varrezat ishin mbushur plot e përplot. Dikush, më i vjetri tha që të varrosen në dy varre, vajzat veç e djemtë veç. Kështu u bë. Kodra mbi varreza duhej bërë gati për varrezë tjetër. Nënës Peme ju thanë lotët, ju mek zëri. Mbeti si statujë. E gjallë pa kallur në dhe. Dulla e kishte humbur  plotësisht mendjen dhe nuk i jepte përgjigje askujt. Njerëzit luteshin: “Ruajna zot, mendjen e kresë.“  Oda e burrave u mbush plot e përplot. Dhimbja arriti kulmin kur vdiq edhe fëmija i shtatë dhe shtëpia u shua. U shemb e gjithë zona për kryeshëndoshë. Dhimbja ishte e jashtëzakonshme, por edhe respekti për këtë plak ishte i madh, pasi autoriteti dhe mençuria e tij kishte kaluar kufijtë e Grykës së Vogël. Dulla i goditur për të shtatën herë e humbi përfundimisht dhe nuk ishte në gjendje t’u jepte përgjigje njerëzve, të cilët kishin ardhur për të ndarë dhëmbjen me të dhe për ta respektuar.

Kishte vënë dy duart në kokë dhe ofshante: „Oh, ç’më ka gjetur mua, oh, ç’më ka gjetur mua.“ Në odë hyri Musa. Kot e ke, i thanë, se nuk ke për t‘u marrë vesh. Filani e ka humbur mendjen. Plaku i sapoardhur bërtiti fort sa kishte në kokë kur hyri në konakun e madh të mbushur me njerëz:  „Të plastë koka, or Dullë Camaj!“

I zoti i shtëpisë e dëgjoi dhe u trondit. Ç’asht ky llaf që s’ma ka thanë kush deri më sot. Harroi për një moment vdekjen e shtatë fëmijëve dhe filloi të arësyetonte. Pse ma tha këtë llaf ? Ku kam gabuar ?

Vallja e burrave, që deri në këtë moment kishte heshtur filloi muhabetin për të analizuar këtë llaf.

Zoti t’i dha fëmijët, or Dullë e Zoti t’i muar. Zoti të jep fëmijë të tjerë. Ai na ka në dorë. Ruaj mendjen, or Dullë, se çfarë ka dhanë udhër  zoti do të bahet e nuk ndal kush. Po të iku mendja, nuk të vjen ma. E mendja asht gjaja ma e çmuar për njeriun.

…Pas gjashtë javësh nga varrimi i shtatë fëmijëve u mblodh vllaznia dhe mori vendim që Dulla të martohet dhe me urdhërin e Zotit të ketë fëmijë të tjerë, që familja dhe fisi të mos shuhet. Ky vendim u muar sepse mendohej se Pema bashkëshorja e Dullës tanimë ishte 50 vjeçe dhe kishte kaluar një traumë psiqike shumë të randë dhe si e tillë nuk do të ishte në gjendje të bënte më fëmijë. Pas pak kohësh shkesi i caktuar njoftoi se në fshatin fqinj të Çerenecit ishte gjetur një vajzë e re, familja e së cilës kishte pranuar që ta jepte vajzën tek Camajt. ….Pa fëmijë një grua nuk përfillej. Por Pemja nuk kishte bërë ndonjë turp. Prandaj do të qëndronte pranë burrit në familjen e Camajve. Kur u mblodh fisi për të martuar të shoqin, Dullën. Ajo nuk bëri zë. Nuk mund të bëhej zë asokohe. Një mbrëmje gjeti rastin dhe ju afrua të shoqit. Ata e donin shumë njëri-tjetrin.  « Ore burrë, po ne nuk e dimë a bëjmë apo nuk bëjmë më fëmijë. Ta provojmë një herë. Dulla gjeti shkak dhe e shtyu martesën e dytë. Filloi t’i shpeshtonte mbrëmjet pranë gruas së tij në dhomën e fëmijëve, që tanimë  kishte mbetur  pa fëmijë.  Shtëpia pa fëmijë është shtëpi pa jetë, është  ashtu sikurse pylli pa zogj, pa pemë e lisa. Pas pak javësh Pemja mbeti përsëri shtazanë.

Fëmija i parë pas shtatë fëmijëve të vdekur  lindi djalë dhe ja vunë emrin e një prej djemve të vdekur, Xhetan. Xhetan e kishte emrin por askush nuk i thirri në emër, por Uk.Uku I nënës, të më bëhesh i forte si ujku, të përballosh çdo sëmundje dhe çdo vështirësi. Dhe në fakt Xhetani ishte një fëmijë i shëndetshëm, që u mbijetoi të gjitha epidemive të mëvonëshme. Përveç Xhetanit nëna Pemë lindi dhe rriti edhe tre djem të tjerë. Emrat  e fëmijëvë të vdekur nga pandemia I zëvënsësoi te fëmijët e saj dhe te nipërit dhe mbesat.

***

Fotot nga interneti