Safet Ramolli: Për dëshmorët dhe partizanët e Tendës së Qypit

743
Sigal

Edhe sot kujtohet nga banorët e Vithkuqit, të Potomit, të Symizit, të Ersekës, të Voskopojës, të Pogradecit

Nefail Rozani – dëshmor në Tendën e Qypit

(1916-21 janar 1944)

Safet N. Ramolli

Beteja e Tendës së Qypit më 21 janar 1944, mbetet një nga më heroiket e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Pesëmbëdhjetë të rënët, tetëmbëdhjetë të plagosurit dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë betejë, meritojnë respekt dhe vetëm respekt. Çdo i rënë për Atdhe, Liri e Komb dhe çdo pjesëmarrës në luftën për çlirim nga dhunuesit e lirisë së popullit dhe tërësisë territoriale të vendit, meriton veç: Nderim! Nderim të pafund!

Lindi më 1916 në fshatin Podgorie të Korçës. Një fshat i ngulitur në rrëzë, apo nën këmbët e malit të Thatë, një mal ky sa krenar aq edhe hijerëndë, me kurrizin e zbuluar përballë furtunave të natyrës ndër shekuj. Podgoria ka qenë relativisht një fshat i madh, me njerëz punëdashës, që i janë ndodhur në krah njëri-tjetrit, por pa u përzier në punët e njëri-tjetrit, natyrisht për ato që nuk duhet përzierë. Në moshën 21 vjeçare u martua me vajzën e bukur dhe delikate, por të brishtë e të sjellshme si vetë emri i saj, Lule. Vinte Lulja nga një familje me emër të mirë, për “të kallur këmbët” siç thotë kënga e popullit, në një familje atdhedashëse. Nga kjo martesë morën jetë tre fëmijë, prej të cilëve pati jetëgjatësi vetëm Diogjeni, i cili shërbeu me devocion e ndershmëri të veçuar në detyra të rëndësishme deri në momentin e ndarjes nga kjo jetë.

Nefaili punonte në një agjenci transporti në Korçë dhe që më 1941 bashkëpunon me Njësitet Guerrilje në Korçë. Bën furnizimin e tyre me armë, merr pjesë aktive e me guxim në veprimet kundër pushtuesve, por gjithsesi i matur dhe jo i nxituar. Ndërkohë bëhet edhe organizatori i parë i Njësitit Guerril të fshatit të lindjes, prej nga mori gjak e jetë si dhe u kompletua Çeta Partizane e “Malit të Thatë”. Më 1942 Nefaili rreshtohet në Çetës Partizane të Oparit, më vonë në atë të Gorës. Pati për shokë armësh dhe komandantë emra të njohur në gjithë krahinën si Shaban Zereci, Sotir Bulgareci, Gjeli Argjiri e mjaft të tjerë, me të cilët ndau gëzimet dhe hidhërimet që fal në çdo njësi kohore lufta.

Në korrik 1943 përzgjidhet, jo rastësisht, bashkë me disa shokë luftëtarë që të shkojë në Makërz të Vithkuqit, për t’u inkuadruar më 15 gusht në Brigadën I Sulmuese. Është kjo njësia e parë e madhe ushtarake, e cila do të zërë vend të veçantë me meritë në historinë e luftës për çlirimin e vendit. Për cilësitë e treguara deri në atë kohë, u veçua që t’i besohej detyra e komandantit të kompanisë, detyrë kjo jo pak e rëndësishme për kohën. Ishte i vendosur, trim, i guximshëm, i dashur me shokët, i aftë të drejtonte veprimet luftarake të kompanisë, prandaj edhe e përmbushi me dinjitet deri në ditën që dha frymën e fundit për çlirimin e vendit.

Bashkëluftëtarët e Nefailit rrëfejnë, natyrisht jo pa nostalgji, se Nefailit “i këndonte maliheri” ashtu sikurse zëri i tij gurgullonte melodioz në këngët e Korçës, Oparit, Pogradecit, të Skraparit etj. Ishte i saktë në veprimet luftarake, njihte dhe vlerësonte situatat me mjaft mjeshtëri, ashtu sikurse në veprimet praktike ishte efektiv duke rezultuar gjithëherët superior mbi kundërshtarët. Shfrytëzonte me efektivitet cilësitë e terrenit, ndërthurte mjaft mirë aftësitë shpirtërore dhe luftarake të shokëve të tij, çmonte mundësitë pozitive që krijoheshin mbas çdo veprimi luftarak. Në këtë mënyrë ai veproi në të gjitha situatat luftarake ku mori pjesë Br.I.S. nga 15 gushti 1943 kur ajo u krijua, derisa Nefaili dha frymën e fundit më 21 janar 1944, pa u dergjur asnjëherë në shtrat.

Nefailin me bashkëshokët e tij e kujtojnë banorët e Vithkuqit, të Potomit, të Symizit, të Ersekës, të Voskopojës, të Pogradecit, të …. Por më së shumti e kujton Skrapari, sepse me guximin që tregoi dhe gjakun që derdhi në Tendën e Qypit, u bë mjaft i njohur dhe i dashur për çdo vatër skrapalliu. Mori rrugë të mirë emri i tij duke hyrë në këngën-kushtrim skrapalliote për heroizmin, ndoshta nga më të rrallët, për guximin e treguar në përleshjen e zhvilluar në Tendën e Qypit. Mbeti sa prush i ngrohtë po aq edhe fllad i lehtë përmes aktit heroik që shpalosi me aq stoicizëm.

Ishte palca e dimrit, 21 janar 1944. Kompania që drejtonte kishte përparuar mjaft në thellësi të formacionit luftarak gjerman në Tendën e Qypit. Bëhej fjalë për kapjen me çdo kusht të një pike dominuese, prej së cilës favorizohej fitorja me sukses e gjithë betejës. Luftimet u zhvilluan mjaft të ashpra. Ndoshta mund të jetë kjo një nga përleshjet më të rralla gjatë gjithë luftës për çlirimin e vendit jo vetëm për nga intensiteti i zhvillimit të veprimeve luftarake, por sidomos për heroizmin e shpalosur nga partizanët e kompanisë. Bashkëluftëtarët tregojnë me zëplot se në krah të Nefailit plagoset rëndë Gjeli Argjiri, një nga partizanët më të hershëm, por ai nuk tregon për çka ndodhi. Fare pranë tij vritet Sotir Bulgareci, një nga shokët dhe partizanët më të hershëm. Dikush tjetër plagoset po pranë tij… Të tjerë në të dy krahët luftojnë me heroizëm të pashoq por edhe plagosen e vriten… Pesëmbëdhjetë arrin numri i të rënëve për liri e flamur nga kompania e Brigadës I Sulmuese dhe nga Grupi Partzan i Skraparit. Tetëmbëdhjetë të tjerë marrin plagë të ndryshme, por që vazhdojnë si në përrallë të luftojnë… Nefailit i gufon zemra, i dhembsen shokët e rënë dhe të tjerët që vazhdojnë të luftojnë edhe pse nën lëngimin e plagëve që dhembin e rrjedhin gjak. Në këtë situatë asnjë rrezik nuk i hyn më në sy, asgjë nuk mund ta frenojë për të vijuar luftimin deri në pikën e fundit të gjakut. Lufton si rrallëkush. Ndoshta dëshiron që të kompesojë edhe kontributin e shokëve të rënë. Dëshiron që të marrë hak me çdo kusht e çmim për jetën e tyre të humbur. Lufton me gjithë armatimin që disponon…

Por ja që vjen çasti i mbramë, çasti i hidhur edhe për atë vetë. Ndodhet i rrethuar nga disa gjermanë. Shpraz plumbat mbi ta. Mposht nën këmbë njërin prej tyre, të cilit në emër të gjakut të shokëve të tij, ia merr jetën me tehun e thikës. Kap edhe një të dytë, por në çastin që bëhet gati të qëllojë mbi ‘të, gjendet i mbërthyer nga 4-5 gjermanë… Dhe… Mbyll sytë përfundimisht si një hero i vërtetë nën plagët e nxehta që i shkakton bajoneta e akullt e ngulur thellë në trupin e tij… Mundohet të çohet, por s’ngrihet dot… Pa le se çfarë meditonte në çastet e fundit të jetës!!! Pa le se çfarë amaneti la!!!

Nefail Rozani jetoi shumë shkurt, vetëm 28 vjet, gati si shumica e dëshmorëve të luftës për çlirimin e vendit. Por ai, si secili luftëtar i lirisë, hyri në historinë e vendit me personalitetin e tij, disi të veçantë, duke gjëmuar edhe në këngën skraparlliote, të Podgories, të Gorës, të Oparit… Gati në të gjithë Shqipërinë ku zhvilloi veprime luftarake Brigada I Sulmuese.

Është një varr, midis mjaft të tjerëve, në vendin e shenjtë të heroizmit në Korçë, me emrin e Nefailit. Flet nën bardhësinë e mermerit zëri i lirisë, ashtu sikurse dëgjohen melodi këngësh nga e gjithë Shqipëria. Është në Podgorie një shkollë që mban emrin e Nefailit. E meriton atë emër ajo shkollë dhe ata fëmijë që shkollohen në ‘të. Është një lapidar në Podgorie, kushtuar luftëtarit të lirisë, Nefail Rozanit. Çdo i rënë për komb e atdhe e meriton një lapidar. Të gjithë ata që e kanë njohur e kanë fare të qartë që Ai me gjakun e tij kontribuoi jo vetëm për çlirimin e vendit në tërësi por dhe të fshatit të tij në veçanti. Çdo i rënë për Atdhe meriton respekt dhe vetëm respekt. Aktin trimëror që treguan ata nuk mund ta realizojë kushdo. Në Tendën e Qypit ranë 15 veta si dhe u plagosën 18 të tjerë. Të gjithë meritojnë nga një lapidar. Në të gjithë vendin ranë qindra-mijëra të tjerë. Të gjithë duhet ta kenë nga një lapidar.