Rrëfimet e Mjeshtrit ‘të Madh’ Dhimitër Gjoka

205
Sigal

Si realizova montazhin poetik të aktorit të madh Naim Frashëri për poemën “Bagëti e Bujqësi”, ftesa që më tronditi dhe revolucioni me skenogafinë

  • Kujtimet e Mjeshtrit të “Madh” Dhimitër Gjoka
  • – Si realizova montazh poetik të aktorit të madh Naim Frshëri për poemën “Bagëti e Bujqësi”.
  • -Si më thiri Sulo Gradeci në Selinë e KQPPSH.
  • -Sot në televizione nuk sheh fare spektakle për fëmijë.
  • – Nuk harrohen dy spektakle për fëmijë të realizuara bukur profesionalisht, “Me moshatarët”dhe “Gëzojmë së bashku”.
  • -Regjia e paradës ushtarake me rastin e 45-vjetorit të çlirimit mbetet e veçantë.

Përgatiti:  Albert Z. ZHOLI

Radioja mbetet magjia e parë në jetën time

Jo vetëm kaq, por ajo është edhe fillimi i një ëndërre prej nga bulëzuan dhe u rritën dëshirat e mia për të ecur në jetë. Për mua ajo nuk është thjesht një aparat, i cili përcjell tinguj dhe zëra, ngjarje dhe art, politikë dhe sport, komunikim me botën apo jetën njerëzore. duke kapërcyer kufijtë e vendosur mes shteteve, kombeve, kontinenteve. Radioja për mua është një univers që kapërcen kufijtë e vendosur mes shteteve, kombeve edhe kontinenteve. Pushtimi prej magjisë së saj, ka ndodhur tek unë në një kohë të largët dhe të papërfytyrueshme për zhvillimet që ka marrë sot televizoni, teknologjia dhe interneti. Në vitet ’60-të të shekullit të kaluar, përveç shtypit të shkruar, gazetave, revistave dhe librave, radioja ishte i vetmi mjet komunikimi masiv në jetën shqiptare, ndaj edhe për familjen tonë qëndrimi pranë asaj aparature të vogël, ishte nga gjërat më të veçanta të ditës. Mbaj mend se jo pak herë, kur tek dëgjonim mbrëmjeve Radio Tiranën, mua më zinte gjumi mbi etazherin në atë kënd të shtëpisë ku ishte vendosur Radioja. Sa herë ndodhte kështu, im atë afrohej pranë meje dhe duke më prekur lehtë në supe, më drejtohej me zërin e tij të ngrohtë:

-Çohu mor bir dhe shtriu në shtrat, të flesh rehat!

Ashtu përgjumësh ngrihesha e shkoja të shtrihesha i mbushur me kënaqësi. Zërat që dilnin nga radioja më bënin përshtypje për mënyrën se si flisnin dhe përcillnin te veshi im të folurin e pastër dhe të bukur. I dehur prej kësaj magjie, përpëlitesha në shtrat dhe mundohesha të riprodhoja me mend fjalë nga ato që dëgjoja dhe që më pëlqenin më shumë. Kështu më zinte gjumi pa e kuptuar deri në mëngjes kur sërish zgjohesha me tingujt e këngëve. Kishim një radio të markës “Orion”  të cilën ime më, Ana e zbukuronte me një tantellë të punuar bukur e hedhur përsipër.

Revolucion me skenografitë e TVSH-së

Mjeshtri, artisti që bëri revolucion me skenografitë e tij në televizionin shqiptar Bashkim Zahaj i dha një fytyrë të re studios së lajmeve. Kjo gjë erdhi si një domosdoshmëri në kohën e duhur, e cila më dha shumë dorë si regjisor në variacionin e planeve për t’u prezantuar më mirë para teleshikuesve. Skenografia e një emisioni është një prej sukseseve të regjisë. Sa më bashkëpunim të ketë midis regjisorit dhe skenografit më të shumta do të jenë realizimet e bukura. Bashkim Zahaj si skenograf ishte mjaft novator në konceptimin e tyre. Ai ndërtonte “shtëpitë e emisioneve” me një aredim shumë funksional, të rehatshëm dhe me mjaft domethënie në funksion të qëllimit. U angazhova herë pas here edhe me emisionin “Sport-Kalitje-Shëndet”, që kishte për gazetar Gëzim Qinamin, dhe kameramanin Astrit Omeri, pasionantin e përkushtuar pas aktiviteteve masive sportive sidomos ato të alpinizmit.

Viti 1987 erdhi me një risi për hapësirën e ekranit që mbulonte redaksia e Informacionit.

I sapo ardhuri në televizion, gazetari i ri Artur Himçi paraqiti projektin“Gjimnastika në kushtet e shtëpisë”, një projekt i veçantë që për kohën ishte i avancuar. Ishte një cikël emisionesh me kërcim në studio shoqëruar në kolonën zanore me muzikë ritmike të huaj. Do të ishin mbi dhjetë vajza të shkollës së Baletit, që do të performonin bukur në studion e madhe nën drejtimin e Ema Andreas. Ema edhe do të kërcente edhe do të drejtonte njëkohësisht. Ato ishin një grup vajzash të përzgjedhura me kujdes. Unë kisha regjinë e këtij cikli të gjatë, i cili u prit shumë mirë si nga drejtuesit e institucionit, por edhe nga teleshikuesit e shumtë që e ndiqnin. Provat e shumta të përditshme kishin synim të sinkronizonin bukur lëvizjet. Aty ishte e veçanta, të kishte harmoni në të gjithë ekipin e vajzave. Një vonesë lëvizjeje do ta prishte gjithë harmoninë. Vajzat ishin të përzgjedhurat e shkollës së baletit dhe kështu që shumë pak ndodhnin gabime veprimesh. Në këtë cikël televiziv, Ema Andrea u evidentua jo vetëm si një kërcimtare e shkëlqyer, por edhe si një moderatore me të ardhme të suksesshme. Ishte koha kur televizioni gëlonte nga prurjet e reja të emisioneve, por edhe të gazetarëve edhe të moderatorëve të rinj. Gjithë kjo ishte meritë e drejtuesve të saj. Asokohe ndihej një ambicie profesionale ku secili gazetar, regjisor, por edhe kameraman mundohej të sillte më të mirën e duhur për ekranin. Kronikat e lajmeve, me ardhjen edhe të aparaturave elektronike, sollën një cilësi edhe më të mirë transmetimi. Mesi dhe fundi i viteve ’80 u bënë vitet më të begata të prodhimit televiziv. Pjekuria profesionale solli shumë krijime të bukura në të gjitha redaksitë. Për pak kohë, kalova regjisor edhe tek redaksia e Fëmijëve, ku bashkëpunimet me gazetaret e talentuara Albana Mëlyshin, Elisabeta Kamberin, Rajmonda Sinën, Minerva Kumin, Luljeta Tabakun, Dhurata Riston, Fatmira Veisllarin e Ilir Kordonin, sollën punë të realizuara me mjeshtëri të lartë artistike. Nuk mund të lë pa përmendur Arben Milon, kameramanin e shquar, gjithmonë i papërtuar e i kudondodhur. Xhirimet e tij i shumëfishonin vlerat e emisioneve ku ai ishte pjesë e tyre. Dua të përmend dy spektakle për fëmijë të realizuara bukur profesionalisht, “Me moshatarët”dhe “Gëzojmë së bashku”. Ky i fundit u realizua në portin e Durrësit në mjediset e anijes transoqeanike “Vlora” ku përveç fëmijëve pjesëtarë të spektaklit ishin të ftuar edhe aktorët e humorit të Estradës profesioniste të qytetit të Durrësit: dyshja e mrekullueshme Muharrem Hoxha dhe Roland Koça, si edhe këngëtarja e muzikës së lehtë Liljana Kondakçi. Na duheshin disa ditë për ta xhiruar spektaklin, jo vetëm në kuvertën e anijes, por edhe nëpër labirinthet e saj. Herë pas here kapiteni na mbante për drekë aty ku së bashku me marinarët kalonim orë gazmore. E gjithë kjo atmosferë e bukur dhe e pakrahasueshme, na nxiste që pas çdo pushimi, sado të shkurtër, të fillonim vrullshëm sërish xhirimet. Ishte bukur të punoje me fëmijët. Por kur ke edhe fëmijë të talentuar, puna bëhet edhe më e mirë dhe i gëzohesh rezultatit. Spektatorë kishim marinarët ku shpesh herë sipas skenarit viheshin edhe ata në role protagonistësh. Spektakli u montua dhe u transmetua në tre pjesë. Redaktorët dhe skenaristët e këtij spektakli ishin Luljeta Tabaku dhe Rajmonda Sina. U mirëprit nga shikuesit jo vetëm nga të vegjëlit, por edhe nga të rriturit, çka bëri që të ritransmetohej sërish pas pak kohe.

Recitimi i Naim Frashërit

Shpesh më ngacmonte mendimi për ta ilustruar me figurë recitimin e bukur që ndodhej në arkivin e Radio Tiranës që aktori i shquar Naim Frashëri i kishte bërë poemës “Bagëti e Bujqësi” të poetit tonë të madh Naim Frashëri. E kaloja në mend sa e sa herë duke menduar më së miri edhe planet që do shoqëronin vargjet e bukura të poemës. Kërkova në arkivin e Televizionit dhe munda të nxjerr disa, por sërish ndjeva nevojën se më duheshin shumë e shumë plane të tjera për ta plotësuar. U kërkoja kameramanëve që kudo që shkonin të xhironin edhe disa plane sipas orientimit që u jepja, si në veri, ashtu edhe në jug të vendit. Më në fund ia arrita qëllimit, duke realizuar një montazh poetik, i cili u transmetua disa herë me zërin e mrekullueshëm të Naimit të madh dhe figurës që i ngjiti kaq bukur. Ky montazh poetik u transmetua shumë herë në ekranin e televizionit për mesazhin që jepte, por edhe për recitimin. Kush nuk kishte dëshirë të dëgjonte Naimin aktor dhe vargjet e Naimit poet? Ai zë magjik, i këtij aktori të shquar shqiptar, të rrëmbente e të mbërthente sa kur mbaronte, kishe dëshirë ta ridëgjoje e ridëgjoje përsëri. Edhe sot, sa herë më ndodh që t’a dëgjoj apo ta rishoh këtë punë, ndjej të më mbërthejnë emocione të mëdha, njësoj si atëherë.

Një ftesë që më tronditi

Teksa po punoja për realizimin e këtij montazhi poetik, më thanë se më kërkonte Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit në zyrën e tij. “Me siguri, – thashë me vete, – se është ndonjë punë serioze”. Trokita në derën e sekretares, e cila më la të prisja pak dhe kur doli prej zyrës së tij më bëri me shenjë që të hyja tek drejtori. Sapo hyra e përshëndeta. Ndryshe nga shumë herë, ende pa u ulur në tavolinën ku ai zhvillonte takimet, më tha se duhet urgjent të shkoja në selinë e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë, ku më priste Sulo Gradeci, njeriu më i afërt që kishte shërbyer pranë Enver Hoxhës.

            -Mund ta di pse më kërkon ?- pyeta.

-Ai e di, pse! Do të ta thotë vetë! – m’u përgjigj dhe uli kokën mbi tavolinë pasi diçka po shkruante. Kur bëra të dilja tek dera, më tha se nuk duhet të flisja me njeri që po shkoja atje. Hapa derën dhe u largova me drejtimin nga Komiteti Qëndror. Godina e Televizionit dhe selia e Komitetit Qëndror nuk ishin as dyqind metra larg njëra tjetrës. Gjatë rrugës, në mendjen time lindën mjaft pyetje. “Përse Sulo Gradeci më kërkonte mua?” “Pse nuk duhej ta bisedoja me njeri?” Enver Hoxha kishte gati një vit e gjysëm që kishte vdekur. Gjithësesi mbërrita dhe gardisti që rinte tek dera më hapi rrugë, pasi siç duket ishte paralajmëruar për ardhjen time. Oficeri i dezhurnit, një burrë rreth të pesëdhjetave, pa folur asnjë fjalë më shoqëroi deri në katin e fundit, ku ndodhej salla e Plenumeve të Komitetit Qëndror. Ishte hera e parë që hyja në atë godinë dhe si kurioz që isha vështroja me imtësi çdo gjë që më dilte  para syve, shkallë, koridore, ndonjë pikturë nëpër mure. Shoqëruesi hapi një derë dhe para meje u shfaq salla e madhe me tavolina dhe karrike të vendosura njëra pas tjetrës me rregull. Si tavolinat edhe karriket kishin ngjyrën kafe të errët me pak shkëlqim.

-Uluni në një nga karriket, –më tha shoqëruesi dhe doli.

Nuk vonoi shumë dhe nga një derë përballë meje, e cila u hap me vrull, u shfaq Sulo Gradeci, fytyrë qeshur dhe me një libër në dorë. Në vështrimin e parë m’u duk se ishte një nga librat e Enver Hoxhës. Dhe s’u gabova. U përshëndetëm dhe më thotë se:

-Nga sot, për dy orë çdo ditë, do të lexoni librat, veprat e shokut Enver. Na duhen për arkiv. Dhe unë në heshtje, lexova rreshta, faqe dhe libra  të Enver Hoxhës. Isha zëri i privilegjuar për kohën. Të angazhohesha në këtë projekt do të thoshte vlerësim. Godina e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës, kjo mollë e ndaluar për qytetarët e zakonshëm, u bë për mua një tjetër ambient ku shkela dhe lashë zërin, si gjurmë nëArkivin e tij.

Regjia me përgjegjësi

Në vitin 1989 m’u caktua regjia e paradës së madhe ushtarake, e cila u mbajt me rastin e dyzetepesëvjetorit të çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë në Luftën e Dytë Botërore dhe që u zhvillua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ishte një paradë madhështore ku ishte përqëndruar gjithë vëmendja e udhëheqësve të lartë të shtetit. U bë një punë e jashtëzakonshme, së pari, për të vendosur pikat se ku do të qëndronin kamerat. Së dyti, sa burime kamerash kishim dhe si do të vepronim nëse do të fusnim më shumë kamera nga sa kishim burimet. Këto ishin punë teknike, që donin një studim të përpiktë nga ana inxhinierike. Ishin ditë intensive pune, ndërkohë që provat e paradës vazhdonin ditën dhe natën. Ne, nga ana jonë vepronin pa ndërprerje me prova pas provash për të përmirësuar më së miri marrjet nga pikat, që vendosëm përfundimisht se do të ishin ato dhe nuk më mbetej tjetër veçse të harmonizoja mirë planet njëri me tjetrin. Doja të merrja nga lart plane që parada të dukej me gjithë madhështine e saj gjatë gjithë bulevardit. Televizioni nuk kishte ekrane të mëdhenj. Ishte vetëm një, me gjatësi të vogël që shërbente vetëm për brënda në studio. Nuk mund të vendosnim kamera sipër Kryeministrisë apo Komitetit Qëndror (selia e sotme e Kuvendit të Shqipërisë), për faktin se pishat e larta në të dy anët e rrugës pengonin dukshëm madhështinë e bulevardit. Planet nga lart në raste të tilla dalin shumë bukur në ekran. Pasi u konsultova edhe me Drejtorin e Televizionit Virgjil Kule, u vendos që të merrnin makinat e ndërmarrjes elektrike të qytetit që zgjateshin në lartësi për të ndëruar llambat e ndriçimit të rrugëve. Ishte një zgjidhje shumë e mirë, pasi kamera e vendosur aty do të na bënte shumë punë. U bënë shumë shkresa me ndërmarjen e Elektrikut, kokëçarje dhe shumë burokraci, por në fund i buzëqeshëm rezultatit. Ekipi i kameramanëve ishte në nivelin e duhur profesional. Të gjithë të përkushtuar e të karakterizuar nga një disiplinë e lartë realizuam një transmetim të jashtëzakonshëm. Pajtim Kodra, Shpëtim Qatipi, Lulzim Balla, Kostandin Dhamo, Thanas Ngjela, Sotir Dhima, Bujar Huta, Fatmir Mullaj, Ilir Kruja dhe Apollon Kazazi ishin komandantët e suksesshëm të kamerave, që i zotëruan në atë transmetim në mënyrën më të përsosur. Parada ushtarake mori pasqyrimin e duhur në ekran, si një punë madhështore jo vetëm e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, por edhe si një bashkëpunim i shkëlqyer me Radiotelevizionin Shqiptar.