Rrëfen krimanlisti Miltjadh Muçi: Analiza e vrasjeve nga 2 prilli ’91 tek 21 janari i 2011-s. Ja vlerësimi

668
Sigal

Analiza e vrasjes së protestuesve të 2 prillit ’91 dhe roli i  policisë?!

Ishte krimi më i rëndë që ndodhi, pas atij ndryshimi të sistemeve për të cilin u akuzuan shteti dhe strukturat e veçanta, sidomos policia. Kaluan dekada dhe akoma ekziston dilema: Kush i vrau katër të rinjtë shkodranë?! Familjarët, të afërmit, banorët e politikanët e djathtë, përkujtojnë vrasjen e katër të rinjve në ngjarjen e 2 prillit ’91, në Shkodër: Arben Broci, Besnik Ceka, Nazmi Kryeziu e Bujar Bishanaku, ndërsa në media shkruhet e transmetohen sekuenca për masakrën. Më pas u përsëritën ngjarje të tjera më të rënda e më të mëdha, sikurse ishte dhe e Kanalit të Otrantos, në 28 marsin e 1997-s, ku u mbytën më shumë se 100 fëmijë, të rinj e të rritur. Asnjëra nga mediat as nuk iu kërkoi, politikanëve të partive të mëdha të komentonin si i kanë realizuar në 25 vjet idealet e dëshmorëve të 2 prillit, kur maskat vazhdonin përditë të vepronin me armët e municionet e marra në mars të 1997-s dhe në vitet pas. Kur dihet se shkaktar i tyre janë politikanët. Pas pesëmbëdhjetë vitesh, në disa media ngjarjet e 2 prillit u përkujtuan me pamje të diapozitivave,  të një gazetari francez, Michel Setbarn  dhe intervistën e ekspertit kriminalist, që kishte marrë pjesë në hetimin e ngjarjes. E kam lexuar me shumë vëmendje dhe më ka bërë përshtypje në veçanti titulli: “Protestuesit i vrau policia”, sepse sikurse shkruan Av. Nafiz Bezhani, që përfaqësoi familjarët e viktimave në procesin gjyqësor, tepër të vështirë, eksperti kriminalist vazhdon të shprehë mendime aspak profesionale të ndikuara nga politika. “Shumë shokë dhe miq e quajtën të nxituar vendimin dhe më qortuan”, shkruan në librin “Mëkatarët”-3, i nderuari Nafiz, por e pranova këtë detyrë duke deklaruar dhe publikisht, se nuk do bëhesha lodër e politikës, por do të ushtroja rolin e avokatit mbrojtës në rrugët që më njihte ligji, me korrektësi e profesionalizëm”. Prandaj, për këto parime profesionale ai mori përsipër të duronte nga të përndjekurit kërcënime, fyerje, epitete si “avokat i persekutorëve” etj., duke qenë i persekutuar. Por nëse Av. Nafizi do të jetonte, me siguri do replikonte publikisht me të intervistuarin, ekspertin kriminalist. Duke mos qenë aspak modest në karrierën e tij, eksperti, në intervistë shprehet, se “…vuri re disa aspekte nga ngjarja, që kishin mbetur të pazbuluara plotësisht dhe kërkoi zhvarrimin e trupave, me përjashtim të Arben Brocit. Në trupin e njërit iu gjet një predhë pistolete TT, dhe në parakrahun e një të plagosuri ndodhej bërthama e predhës së automatikut kallashnikov. Pasi ekzaminohen teshat e Arben Brocit, së bashku me grupin kriminalistik hetimor u konkludua, viktimat ishin vrarë nga armët në përdorim të punonjësve të policisë dhe ushtrisë, që hodhi poshtë hipotezën, se njerëzit në turmë qëlluan njëri-tjetrin, pra viktimat ishin qëlluar nga punonjës të policisë”, do të përfundojë eksperti në këtë intervistë për gazetarin francez Michel Setbarn. Me shumë kureshtje, kushdo joprofesionist, iu beson këtyre “konkluzioneve”, por për lexuesin është mirë të mësojë, nëse prania e këtij eksperti në vendin e ngjarjes ishte vërtet e domosdoshme. Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, që dinte më së miri se në dhjetë vjet ai ishte kthyer në metodist i Kabinetit të Kriminalistikës së kësaj hetuesie, për të “rikualifikuar” hetuesit me njohuritë kriminalistike, nuk e kërkoi ta aktivizonte me grupin hetimor, por erdhi pas disa ditësh. Ekzumimi (zhvarrimi) i kufomave, këqyrja dhe ekzaminimi i tyre u kërkua, sepse hetuesit e “rikualifikuar” pikërisht nga eksperti metodist, sikurse këqyrja dhe ekzaminimi i teshave, nuk ishin kryer prej tyre edhe pse përgjegjësinë për të gjithë veprimet hetimore e mbanin ata, të cilët lejuan varrimin e kufomave, pa kryer autopsinë ekspertët mjekoligjorë. Në vazhdim të intervistës aspak si profesionist, shpjegon se pas ekzaminimit të tri kufomave, në njërën prej tyre u gjet një predhë pistolete TT, dhe në parakrahun e të plagosurit bërthama e një predhe automatiku kallashnikov. Kur duhej të shprehej, se predha ishte si e fishekëve standardë të mod. 54, në përdorimin e pistoletës TT apo automatikut PPS, ndërsa bërthama e predhës sikur e fishekëve standardë mod.56, ishte e përdorshme për armët e gjata të zjarrit, të automatikut, pushkës dhe mitralozit, për sa nuk ishin kryer ekzaminimet fiziko-kimike të tyre. Pra, nuk duhej të harronte e të mohonte, se predha dhe bërthamat e nxjerra nga trupat e personave, përdoren dhe në armët e prodhuara në shtete të tjerë, qoftë të modeleve të ndryshëm si; nagant kal. 7.62 mm, mauzer 7.63 mm etj., që me armët tona dallojnë në analizën spektrale, edhe midis serive të radhës së prodhimit në modelet e njëjtë të fishekëve. Vërtet nuk është profesionale, nëse konkludon nga predha, bërthama e saj dhe teshat, se viktimat janë vrarë nga armë të policisë apo të ushtrisë, pa kryer eksperimentimin hetimor të domosdoshëm në ngjarje të tilla, të kërkuar me këmbëngulje edhe nga avokati i viktimave, sepse armë si ato të policisë apo ushtrisë kanë pasur dhe kanë autorë të vjedhjeve të tyre, në pikat dhe magazinat e reparteve ushtarakë. Të përforcosh idenë, që viktimat u vranë nga policia, se në inventarin e magazinës mungonin pistoleta apo automatikë, pa i hetuar më parë si ato janë zhdukur, është njësoj sikurse të pranosh, se eksperti kriminalist apo çdokush tjetër ka kryer vrasjen, edhe pse i ka humbur para ngjarjes pistoleta që ka pasur me leje. “Sipas tij, plumbi i dalë nga automatiku kallashnikov pikërisht nga dritarja e dezhurnit të Komitetit të Partisë.


Në ditën e ngjarjes së 2 prillit 1991, në qytetin e Shkodrës, ku u vranë katër “Dëshmorë të Demokracisë”, ekziston dilema: Nga dhe kush i qëlloi viktimat? Lë të besohet se është gjuajtur nga tarraca e Komiteti i Partisë së Punës së Shqipërisë, është përplasur në rrugë dhe ka bërë rikoshetë, kështu është ngritur përpjetë duke goditur Arbenin në bel, pastaj është ulur disa centimetra poshtë barkut”, edhe pse nuk iu krye autopsia. E njëjta gjë ka ndodhur me vrasjen e Nazmi Kryeziut. “Por e gjithë kjo bëhet për të plotësuar dëshirën e politikës, se plumbat vdekjeprurës janë  nisur nga dera e Komitetit të  Partisë”, shton i ndjeri Av. Nafiz Bezhani. “Këto e konkluzione të tjera jo vetëm janë absurde, por shumë të dëmshme për suksesin e hetimeve”, do të shkruajë aso kohe  Av. Nafiz Bezhani në “Mëkatarët”-3. Vlerësoj shumë shënimet e këtij intelektuali, që me kurajë, ndershmëri profesionale, në botimin “Mëkatarët”-3 ka goditur servilizmin politik të treguar për ngjarjet e 2 prillit. Nga studimi i dosjeve e kujton ekspertin kriminalist, të intervistuar nga gazetari francez, për të cilin shkruan: “…procesi më qesharak, që kam parë në ato dosje, është ekspertiza balistike e kryer nga një i ashtuquajtur shkencëtar, ku tregohet flurudha e plumbave, që kanë vrarë dy dëshmorë, në një rrugë të jashtëzakonshme“. Ky është eksperti kriminalist që para viteve ’90, konkluzionet e ekspertimeve i ka dhënë nën ndikimin hierarkik, pas viteve ’90, nën ndikimin politik, dhe në vitet  2000 nën ndikimin komercial. Pikërisht që kjo flurudhë mos të vrasë sërish, me këtë dëshmi profesionale po këmbëngul dhe pyes: “Vërtet protestuesit e 2 prillit 1991, i vrau policia”?!

E vërteta e hetimeve të 2 prillit në Shkodër 

Është titulli i intervistës së një të përditshme, më 27 mars 2011, me protagonistin e kësaj ngjarjeje Harris Murana, që sipas tij duhej të ishte bërë më shumë për të zbardhur detajet e 2 prillit 1991. “Unë mendoj, se duhej të ishte punuar më shumë për zbardhjen e ngjarjes. Këtë e kam thënë gjithmonë, ndoshta… dikujt i vjen  keq nga fjalët…”. Intervista e tij për gazetarin francez Michel Setbar,  është pesë vjet pas asaj të ekspertit të Kriminalistikës, që shkoi në ngjarjen e 2 prillit disa ditë më pas. Ajo u botua në media, me titullin “Protestuesit i vrau policia”, sepse “… në trupin e një prej viktimave, dhe në parakrahun e një të plagosuri, u gjetën plumba të armëve, të cilat përdoren nga punonjës të policisë dhe të ushtrisë”. Pikërisht, i plagosuri ështe i intervistuari i 27 marsit 2011, Harris Murana.  Konkluzioni aspak i argumentuar dhe profesional, i përket një eksperti dhe jo grupit të hetimit, pas përfundimit të jo të gjithë veprimeve që duhej të ishin kryer. Pasi kisha lexuar më parë botimin “Mëkatarët”-3, të Av. Nafiz Bezhanit ku ngre dyshimet mbi veprimet hetimore të paplota e të ndikuara nga politika, unë vendosa që mendimin tim ta shpreh në një të përditshme, të datës  22 prill 2006, me titull “Vërtet protestuesit i vrau policia?!” Persona të tjerë kanë shprehur dyshimet e tyre, që kanë dijeni apo kanë mësuar për ngjarjen e 2 prillit 1991, të cilat Av. Nafiz Bezhan i mblodhi dhe i paraqiti në seancat gjyqësore të kësaj ngjarjeje. Çka shpjegoi dëshmitari i ngjarjes së 2 prillit, Harris Murana, në intervistë dhe para trupit gjykues, pa mëdyshje autorët nuk duhej të ishin kërkuar vetëm në pozicionet e trupave të policisë, as të objektit të Komitetit të Partisë, por diku tjetër sikurse është shprehur ai.

“Duke na parë që nuk po largoheshim, vetëm me të shtënat në ajër, ata nxorën dy autoblinda në rrugë…, pjesa e mbetur e ushtarëve u fut brenda në Komitetin e Partisë, dhe zunë pozicion tek holli i tij,  prej aty qëlluan”. Këto momente i shpjegon dhe më qartë pas pyetjes së gazetares: “Ata qëllonin drejt turmës apo në ajër?”

– Tani, këtë e kam thënë edhe në dëshmi, kur është  bërë gjyqi i 2 prillit… Unë kam rezistuar shumë, se duhet të ketë pasur se s’bën snajper.

– Po pse del me këtë konkluzion? – e pyet gazetarja.

– Gjithmonë kur kishte krisma me breshëri, nga holli i Komitetit të Partisë nuk shikoja…. të binin përtokë. Në mes të krismave të breshërive kishte krisma teke. Gjithmonë kur dëgjoheshin krismat teke…, do të shihje që njerëzit të rrëzoheshin.

Pas pyetjes, se nga vinin krismat, ai përgjigjet:

– Pozicioni im, plaga që kam marrë, hyrja dhe dalja e plumbit në krah, më jep përshtypjen nga gjykata e vjetër, në tarracën e saj gjuanin njerëzit më aktivë, dhe mbyll  intervistën dëshmitari i plagosur Harris Murana. Por a ndodhën rastësisht ngjarjet e 2 prillit? Kurrsesi jo, sepse ato ishin mbarsur kohë më parë, ditë pas dite të dhjetorit të 1990-s. Sistemi totalitar i zëvendësuar me sistemin shumëpartiak ndodhej në prag të ndryshimeve të mëdha. Partia Demokratike dhe më shumë po e shtonte presionin ndaj Partisë së Punës, të dorëzonte pushtetin në zgjedhjet e 31 marsit 1991. Pasi qeveria “Çarçani” u zëvendësua me të “Pajtimit Kombëtar”, protestat e studentëve u pasuan me të qytetarëve të Tiranës, por dhe të rretheve të tjerë për të rrëzuar në 20 shkurt monumentin e simbolit të Partisë së Punës, Enver Hoxhës. Një ditë më pas u pasuan me të  Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për të hyrë në bllokun e  rrethuar nga forca speciale të Gardës së Republikës. Në 22 deri 24 shkurt synimi ishte, të përsëritej në Shkollën e Bashkuar, sikurse ndodhi në 20 shkurt me monumentin e Enverit. Në mbrëmje, në vende të ndryshme të rrugëve, rreth shkollës nga autorë të paditur deri më sot, vriten katër persona, midis tyre, njëri punonjës i policisë. Tashmë Partia Demokratike me liderin e saj, mendonte për zgjidhje politike të pushtetit, të cilën midis të tjerash donte ta përshpejtonte e garantonte, me veprime ekstreme të partisë në pushtet, ta akuzonte atë si vrasëse të qytetarëve të saj, edhe pas ndryshimeve politike. Në një mbrëmje të marsit 1991, në prag të zgjedhjeve, ajo e akuzon Partinë e Punës atentatore të rojës së selisë së Partisë Demokratike, që ndodhej në rrugën e Kavajës. Lideri i saj, duke dashur të sensibilizojë elektoratin dhe përfaqësitë diplomatike në Tiranë, edhe pse ekspertimi kimiko-balistik kriminalistik kishte përcaktuar, se qitja ishte kryer me puthitje në mëngën e xhupit, ai e inskenoi si tentativë vrasje të policit rojë, i cili i pajisur me vizë për jashtë shtetit, nga ajo mbrëmje nuk u kthye asnjëherë  në detyrë, por emigroi në një nga vendet fqinjë. Disa ditë më pas u zhvilluan zgjedhjet, që u pasuan  me viktimat e 2 prillit, të pa hetuara për të zbardhur autorët e vërtetë të tyre. Pasi lexova më thellë, shkruan Av. Nafiz Bezhani në “Mëkatarët”-3, aty ku për fatin e keq nuk ishte futur hetuesia…, mungonte eksperimenti hetimor, i cili duhej të bëhej të paktën për vrasjen e Arben Brocit dhe Nazmi Kryeziut. U habita për këtë mungesë… Një organizim i tillë i eksperimentit hetimor do të tregonte saktësisht rrugën nga kish ardhur plumbi vdekje prurës, duke përcaktuar pistën e saktë të vazhdimësisë së hetimit. Por, hetuesia nuk e përfilli kërkesën time. Mora vesh, se ishte ndërhyrja e një politikani, i cili kishte mbetur i pakënaqur nga propozimi që unë kisha bërë… Çelësi ka qenë pikërisht eksperimenti hetimor, që hetuesit nuk do t’i çonte në ndonjë derë…, por në një dritare nga është qëlluar jo me kallashnikov, por me snajper. Pasi të gjendej kjo dritare ishte lehtë, shumë më lehtë të ecej lirshëm në thellësi të ngjarjes.” Edhe më afër të vërtetës së vrasjeve të 2 prillit, na ka   sjellë oficeri i policisë Gjek Çela, i cili i ndoqi nga afër veprimet e forcave të rendit, një nga të pestët e akuzuar dhe të dënuar për këto vrasje. Në episodet e përshkruara me mjaft profesionalizëm, të botimit me titullin “Kush vrau në 2 prill?”, midis të tjerash ka përshkruar: “Nëse bëhet fjalë për një skenar në ngjarjen e 2 prillit, atë mund ta kenë përgatitur vetëm ata, që e kanë organizuar demonstrimin e paligjshëm, dhe vetëm ata që e dinin se në atë vend dhe në atë kohë, do të ndodheshin aty viktimat  e  ardhshme …. Organizatorët e 2 prillit kishin përgatitur versionin e fajësisë për pasojat, pa e nisur ende ngjarjen, sepse vetë ngjarja u organizua në shërbim të versionit, dhe versioni do t’i shërbente synimit politik, të marrjes me çdo kusht të pushtetit në një kohë sa më të shkurtër.” Çka shkruan Gjeka për ngjarjen e 2 prillit, përsëritet në ngjarjen e 21 janarit 2011, jo se u vranë katër persona, por sepse kryeministri Berisha, në deklaratat e para ishte përgatitur t’i thoshte opinionit, “viktimat u qëlluan  nga afër me silenciator nga persona të opozitës”. Dhe, atëherë kur u vërtetua, se ishin forcat e gardës që i kishin shkaktuar, tashmë si super ekspert i Kriminalistikës, deklaroi, se: “…plumbat kishin bërë më parë rikoshetë, në degët halore të pishave”!

Duhet theksuar se në këto 26 vite me armët e grabitura nga depot e  ushtrisë gjatë ngjarjeve të marsit 1997, sot viktimat  po shtohen dhe më shumë nga ato të viteve të luftës kundër pushtuesve të huaj.