Rrëfen ish-kreu i Hetuesisë së Përgjithshme Qemal Lame

976
Sigal

Shkodra, qyteti i parë ku filloi lëvizja e popullit për demokraci. Si u zhvillua demonstrata për rrëzimin e monumentit të Stalinit, udhëtimi drejt qytetit me Hekuran Isain dhe mbledhja në Komitetin e Partisë me Xhemal Dymyljen. Biseda telefonike me Ramizin dhe përplasjet me Zylyftar Ramizin.

Kujtimet e Qemal Lames/ Shkodra, qyteti i parë ku filloi lëvizja e popullit për Demokraci

Si shkuam në zyrën e Xhemal Dymyljes,  së bashku me Hekuran Isain

­ Zylyftar  Ramizi  reagonte shpeshherë me zë të lartë dhe i revoltuar

– Zylyftari mbante lidhje direkt me  Ramiz Alinë, e informonte dhe reagonte menjëherë  për të zbatuar  porositë dhe orientimet që merrte

-Ramiz Alia: “Të veprohet shpejt e me rreptësi, jo me sentimentalizëm, sigurimi dhe policia të veprojnë menjëherë”

Si u zhvillua demostrata e parë tek monumenti i Stalinit në Shkodër

Po bëhesha gati për t’u kthyer për në Tiranë, pas një shërbimi të rëndësishëm në Fier, kur më kërkoi urgjent   në telefon kryetari i hetuesisë  së rrethit të Shkodrës, i cili më tha: “Gjendja në Shkodër është tepër e rëndë, si asnjëherë tjetër. Dua ndihmë, nuk jua them dot në telefon”. E kuptova nga toni i zërit të tij se thashethemet e dala nga populli për grumbullimet  në qendër të qytetit dhe rrëzimin e bustit të Stalinit, kishin marrë një drejtim që do të shkaktonte turbullira, të cilat do të pasonin me ndryshime. Duke vlerësuar  informimin dhe  kërkesën, megjithëse nuk më tha dot gjë tjetër, e porosita të vepronte me kujdes, në bazë të ligjit, të njoftonte dhe të mbante lidhje me hetuesinë e përgjithshme. Menjëherë  telefonova  vetë në  hetuesinë e përgjithshme dhe dhashë porosi për një ndihmë urgjente me hetues të gatishmërisë, për të shkuar në Shkodër. Në fakt, Dega e punëve të Brendshme, që na mundësonte lidhjen telefonike, duhet të kishte dijeni, pasi ishin në gatishmëri, por drejtuesit nuk shpreheshin konkretisht dhe nuk kishte arsye të merrja informacion prej tyre. Duhej ta sqaroja direkt me Ministrin e Punëve të Brendshme. Hetuesisë nuk i jepeshin më të dhëna direkte. Komunikohej kryesisht me shkresa zyrtare dhe vetëm  për  probleme  konkrete të  ngjarjeve, ndalimeve dhe arrestimeve. Marrëdhëniet ishin kufizuar  dukshëm. U nisa menjëherë  për në Shkodër, pa ngrënë as drekë, më vinte keq që nuk kisha mundësi të kthehesha në Tiranë,  ku më priste familja. Rreth orës 18.00 mbërrita në Shkodër. Një qetësi mortore ndihej ngado. Ndalova në komitetin e partisë së rrethit, në qendër  të qytetit. Dezhurni  më përshëndeti përzemërsisht. Më tha se kuadrot kryesorë janë në mbledhje te Sekretari i Parë. Mezi fliste. Fytyrën e kishte si të zbehtë. Veç policit  kishte edhe disa persona të tjerë që rrinin të heshtur. Duke ngjitur shkallët, takova ministrin e Brendshëm, Hekuran Isain, i cili më respektonte dhe shpesh tregohej dashamirës në marrëdhëniet që kishim për shkak të detyrës.  Ai ishte dërguar  me porosi nga Ramiz Alia, Sekretar i parë i Komitetit  Qendror të PPSh-së dhe Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSSh-së.

Mbledhja  në Komitetin e partisë  të rrethit  të  Shkodrës

Hymë në zyrën e Sekretarit të parë, bashkë me Hekuran Isain. U ngritën dhe na takuan. Fytyrat e të pranishmëve ishin në një gjendje ankthi, alarmi e të një pikëllimi, thuajse mortor. Zumë vend në tavolinën e madhe. Mua më dhanë karrigen pranë Xhemalit. Xhemal Dymylja, nga kolltuku i tij si sekretar i parë i rrethit, raportoi ngjarjen që kishte ndodhur:

– Paradite, rreth orës 10.00, në qendër të qytetit ishte mbledhur një masë njerëzish, rreth 1000 deri  2000 persona.  Donin të rrëzonin bustin e Stalinit.  Sipas të dhënave që kishim, për të kontrolluar situatën,  kishim dërguar  edhe komunistë nga institucionet, për të parandaluar veprimet e mundshme, u futën forcat speciale, sampistët, të veshur civilë, të ardhur nga Tirana, si dhe kuadrot e Degës  së Punëve të Brendshme  dhe ata të ministrisë  së punëve të Brendshme. Nga një autoambulancë  u filmua me kamera,  ku u fiksuan personat e grumbulluar. Në një moment u dëgjuan disa thirrje: ou, ou, ou… Pasi erdhën forcat e degës, njerëzit  filluan  të shpërndahen.  Sipas filmimit, janë thirrur në degë e po pyeten persona të shumtë për të zbuluar se si është organizuar demonstrata. Kemi porosi nga shoku  Ramiz  të veprojmë shpejt për të mos u organizuar përsëri një demonstratë tjetër. Kjo nuk duhet të ndodhte. Armiku po vepron! ne do të godasim me rreptësi për të mbrojtur partinë, shtetin socialist dhe shokun Ramiz Alia. Mënyra se si e parashtroi ngjarjen Xhemal Dymylja të jepte të kuptoje se nuk ishte aq e thjeshtë, siç paraqitej me vlerësimin e një partiaku të rangut më të lartë dhe kërcënimin e hapur për ndëshkim të demonstruesve dhe cilitdo që do të guxonte, në të ardhmen, të ngrihej kundër partisë dhe pushtetit popullor. Mendova se do të ishte më mirë të bëhej orientimi me objektivitet, drejtpërdrejt, me të dhënat konkrete për vlerësimin e ngjarjes. Për këtë qëllim, pyeta se:

– Çfarë të dhënash të dokumentuara me prova kemi?

Reagoi menjëherë Zylyftar Ramizi, duke folur me ton nervoz:

– Çfarë provash kërkon ti, shoku Qemal, kur po na marrin pushtetin, ne po na luan mendja e kokës.

Hekurani ndërhyri menjëherë:

– Të na thuhen konkretisht çfarë të dhënash kemi. Qemali ka të drejtë që pyet. Ti, Zylyftar, nuk ke përse të reagosh kundër, pa argumentuar. Hekurani pyeti dhe u interesua për të dhënat agjenturore të Sigurimit të Shtetit dhe ato të policisë.

Zylyftar Ramizi reagonte shpeshherë me zë të lartë dhe i revoltuar, kur unë kërkoja shpjegime nga Sigurimi i Shtetit. Zylyftar Ramizi ishte anëtar i komitetit Qendror të partisë, deputet në kuvendin popullor, zëvendësministër i punëve të Brendshme dhe drejtor i Sigurimit të Shtetit. Kishte këto funksione, si njeri i besuar dhe që zbatonte çdo detyrë që mund t’i jepej. ai kishte një arsimim minimal dhe kishte mbaruar shkollën e partisë. Nuk ishte i përgatitur si oficer, dhe nuk kishte aftësi profesionale, ishte vënë në këto poste, si njeri besnik që bënte çfarë t’i thoshin eprorët.  Me reagimet e tij, ai donte të fshihte ose, të paktën, të zvogëlonte nivelin e inferioritetit intelektual e profesional, tregonte sjelljen e njeriut me botëkuptim dhe qëndrime të prapambetura që stononte me kohën, por që pikërisht për këtë nivel intelektual dhe bindjeje të verbër, bëhej i nevojshëm për udhëheqjen,  për  të realizuar urdhrat dhe udhëzimet e saj të paligjshme dhe kriminale.  Për këto arsye, ai plotësonte kërkesat e udhëheqjes për funksionin dhe bindjen në realizimin e detyrave. I ndërgjegjshëm për veprimet që realizonte në emër të udhëheqjes, ai betohej vend e pa vend për besnikërinë për partinë, Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë. Kështu vepronte edhe në marrëdhëniet me hetuesinë.  Sa herë që unë kundërshtoja mendimet dhe kërkesat e tij, si dhe nuk u bashkohesha interesave të Sigurimit të Shtetit për veprimtarinë agjenturore,  të ndjekjes,  zbulimit,  dokumentimit dhe kallëzimit të personave të dyshuar për t’u shmangur nga rregullat proceduriale dhe për të mundësuar  për t’u akuzuar padrejtësisht për veprimtari armiqësore, fliste me nervozizëm duke ngritur zërin: “Shoku Qemal! Ju jeni liberal. me mendimet, orientimet dhe qëndrimet që mbani, po pengoni Sigurimin e Shtetit për zbulimin e veprimtarisë armiqësore.” nganjëherë akuzonte hapur në mbledhjet në ministrinë e punëve të Brendshme, në degët e punëve të brendshme në rrethe, takimet me kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe prokurorin e përgjithshëm, se: “po na saboton”. Kur e mbështeste edhe ministri i punëve të Brendshme, ai tregohej edhe më energjik dhe në kor të përbashkët me ministrin më akuzonin për planet që iu prishja për arrestime, kur këmbëngulja në respektimin e rregullave ligjore dhe nuk vendosja për arrestimin e personave të propozuar prej tyre. në një mbledhje me kuadrot kryesorë të Sigurimit të Shtetit, ku unë isha i deleguar i komitetit Qendror, dhashë mendime për objektivitetin  në punën agjenturore. Zylyftari reagoi menjëherë, duke kundërshtuar: “po na saboton punën agjenturore. nuk ke të drejtë të japësh mendimet e tua, në kundërshtim me orientimet që ka dhënë partia, si dhe platformën e Sigurimit të Shtetit”. pas kësaj ndërhyrjeje, mbledhja nuk vazhdoi më tej. Sigurimi i Shtetit merrte orientime direkte nga udhëheqësi kryesor dhe i zbatonte ato me përkushtim dhe përpikmëri. Urdhri dhe orientimet e udhëheqësit të partisë, ishin ligj dhe zhvlerësonin çdo kriter tjetër ligjor dhe të Platformës Agjenturore së Sigurimit të Shtetit. në përmbajtjen e tyre të shkruar, ato kërkohej të ishin në bazë të kushtetutës dhe të ligjeve, ndërsa në praktikë veprohej sipas urdhrave dhe udhëzimeve të përditshme. Në përgjigje të pyetjes së Hekuran Isait, Zylyftar Ramizi dha shpjegime për të dhënat që kishin në rrugë operative:

– Kemi në dorë organizatorët dhe do t’ia japim sonte hetuesisë. Kemi edhe prova për ta.

me këto shpjegime, ai tha se plotësoi edhe përgjigjen për pyetjen time. Në vazhdim, Zylyftari tha:

– Filmimi tregon se çfarë hataje është bërë. Duhen bërë menjëherë arrestime, nuk pritet më.

Zylyftari mbante lidhje direkt me Ramiz Alinë, e informonte dhe reagonte menjëherë për të zbatuar porositë dhe orientimet që merrte, duke dhënë urdhra po në emër të tij. Punëtori i teknikës operative filloi të japë në një monitor pamjet e filmimit të bërë. Zylyftar Ramizi, Çapajev Taçi, kryetar i Degës së Punëve të Brendshme, si dhe në disa raste edhe Xhemal Dymylja, ndërhynin për të sqaruar se: “Filmimi është sekret, është një provë e fortë, personat po pyeten dhe po japin shpjegime, po thërrasim, në radhë të parë, personat që lidhen me ngjarjen e të filmuar”. Sapo pashë filmin në ekranin e monitorit, u kuptua se ishte një filmim

amator, i hapur dhe jo sekret, kjo kuptohej qartë. Tërhiqte vëmendjen se filmimi ishte bërë direkt, që në çastin që njerëzit ishin mbledhur, ata rrinin në grupe, personat familjarë që bisedonin ndërmjet tyre, njerëz që kalonin me biçikletë rastësisht, që ndalonin pak apo hidhnin vetëm vështrimin e tyre etj. këta persona shikonin drejtpërdrejt nga kamera dhe të linin qartë të kuptoje se e dinin që po filmoheshin. Vlerësova menjëherë se njerëzit e kishin kuptuar se po filmoheshin. Që ta kuptonin edhe personat e tjerët të pranishëm, pyeta:

– A e dinin njerëzit se filmoheshin?

U përgjigj menjëherë:

– Jo.

Pyetja ime ndikoi që të shihej më me kujdes filmi. Hekurani e kuptoi pyetjen time dhe tha:

–  Pse e kthejnë kokën këta në këto çaste, në drejtimin nga filmohen?

Të pranishmit thanë, se:

– Diskutojnë për demonstratën dhe nuk dinë se filmohen. Nuk u shkon ndër mend se filmohen nga makina autoambulancë. Në këto çaste, bie zilja e telefonit. Xhemali ngriti receptorin e telefonit kryesor që kishte lidhje direkte me kuadrot kryesorë në Tiranë. Isha afër, rreth një metër. Dëgjova zërin e Ramiz Alisë, i cili pyeti:

– Xhemal! Ç’po bëni?

– Urdhëro, shoku Ramiz, po bisedojmë për ngjarjen. Ka ardhur Hekurani i dërguar nga Ju, si dhe Qemal Lame, po sipas porosisë  Suaj.

–  Jo shumë diskutime, Xhemal. Kështu  i thuaj edhe Hekuranit. Të veprohet shpejt e me rreptësi. Jo me sentimentalizëm. Sigurimi dhe policia të veprojnë menjëherë. Të thërrasin dhe të pyesin personat  pjesëmarrës  në demonstratë. Të ndalohen ata që janë më kryesorë. Të pyeten mirë e fort. Të mos përkëdhelen, pastaj t’i jepen hetuesisë  për t’i akuzuar. Hetuesi të mos presë prova, por të veprojë. Nuk  pritet më. Po nuk u godit me rreptësi, ngjarjet do të përsëriten, komunistët të veprojnë. Të hidhen në aktivitet, armiku po vepron lirisht. Të mos rrimë në pritmëri. Kuadrot dhe komunistët të jenë në punë. Nuk ka kohë për gjumë…

– Shoku Ramiz, mos ki merak, – i tha Xhemali. – Gjendjen e kemi në dorë. Shkodra është top. është me ju, shoku Ramiz., mos ki merak, rri i qetë. Do të veprojmë menjëherë. Komunistët i kemi në gatishmëri.  Xhemali e mbajti receptorin e telefonit në mënyrë të tillë, që të dëgjohej edhe nga të pranishmit. Këtë e bënte edhe për të vënë në pah lidhjet e tij direkte dhe personale me  Ramiz Alinë. Këtë e përforconte edhe fakti që Ramizi nuk bisedoi vetë direkt edhe me Hekuranin, por dha porosi edhe për të, nëpërmjet  Xhemalit.  Kuptohej se Ramizi dhe Hekurani kishin biseduar  më gjatë më përpara. Vetëm unë nuk isha informuar pak më parë. Me mua nuk ishte biseduar.

As nga udhëheqja dhe as nga ministria e punëve të Brendshme. Natyrisht, në zyrë ra heshtja për të mundësuar qetësinë për bisedën telefonike, si dhe kureshtja për  të  dëgjuar  direkt bisedën. Megjithatë, Xhemali e përsëriti edhe një herë bisedën, për t’u vënë theksin detyrave që dha Ramizi, për të ndjekur çështjen. porosia, për goditje të rreptë të kësaj veprimtarie armiqësore, zgjoi dëshirën e të pranishmëve në këtë zyrë të pp-së,  për akuza të rënda të tradhëtisë ndaj atdheut dhe të diversionit  për  demonstratën dhe tentativën për rrëzimin e bustit të Stalinit. Zylyftari e Çapajevi, të mbështetur nga Xhemali, insistonin në këto akuza dhe kërkonin që t’u bëheshin personave që do të goditeshin si organizatorë. Kryetari i hetuesisë së rrethit dhe prokurori i rrethit, folën dhe dhanë të kuptohej konkretisht, se ishin të të njëjtit mendim, pajtoheshim me këto kërkesa, duke miratuar çdo thënie të tyre me uljen e kokës dhe duke shoqëruar me pohime këto fjalë urdhëruese. Për mendimin që unë parashtrova, nuk pati pyetje dhe kërkesa, pasi vlerësonin se ishin të mjaftueshme me ato që u thanë dhe nuk pritej ndonjë reagim tjetër në këto situata.

Nesër do të lexoni:

-Situatë e vështirë,  Zylyftari  dhe Çapajevi  theksuan se pushteti  duhej mbajtur me çdo kusht

– Hekuran  Isai:  Akuzat ndaj protestuesve të jenë të rrepta, të gjendet ligji, siç thotë shoku Ramiz

– Sigurimi i Shtetit dhe policia pa të drejtë  pyesnin persona të ndaluar në dhomat e izolimit