Rrëfen Frederik Ndoci/ Si më hoqën nga roli i filmit për shkak të biografisë dhe propozimi që të bëhesha komunist. Grupi “Na bashkoi kënga popullore”, familja dhe mbështetja e Alisë

930
Sigal

Flet këngëtari i mirënjohur Frederik Ndoci: Për të ndrequr biografinë më propozuan të bëhesha komunist, mos o zot

 

-Në viti 1973 fitova kinoprovën e rolit kryesor në filmin “Nga mesi i errësirës” por ma refuzuan, pasi kisha cen në biografi

– Tek grupi “Na bashkoi kënga popullore”.Dekani i Akademisë dhe Sekretari i partisë më bënë presion të mos isha pjesë e tij

-Çudia me nenin nr.55, për agjitacion dhe propagandë, më pezulluan aktivitetin tim artistik

– Tek filmi “Fundi i një gjakmarrjeje” nuk mora leje nga Estrada, e pësova më dënuan me 6 muaj punë në tulla

Albert Z. ZHOLI

Frederik Ndoci është një nga këngëtarët më të dashur e më jetëgjatë brenda suksesit, në skenat shqiptare, i cili ka përfunduar studimet në Institutin e Lartë të Arteve si aktor. Frederik Ndoci e ndau rininë e tij mes dashurisë për këngën dhe filmin. Me dhjetëra çmime kombëtare e ndërkombëtare, shumë albume dhe HIT-e, Frederiku ka gjithmonë diçka për të më rrëfyer për jetën e tij, që i ngjan aq shumë një filmi. I lumtur në çift me artisten Alisa Baraku dhe baba i përkushtuar, Frederik Ndoci është një nga zërat më brilant të muzikës sonë por dhe më shumë se aq….

 

Shpirt kryengritës. Nuk ambientoheni me padrejtësitë. Përse disa herë keni kundërshtuar juritë e Festivaleve në RTSH?

Po, ka pasur raste. Por ka pasur dhe arsye. Jo gjithmonë kanë qenë objektivë, kam pasur rezervat e mia. Niveli i gjykimit gjithmonë duhet të jetë më profesional. Organizatorët duhet të jenë më konkretë dhe hulumtues në gjurmët e Festivaleve, pasi nuk është e drejtë që disa artistë të mëdhenj shqiptarë po e braktisin këtë skenë, e cila na ka pagëzuar që në hapat e para të artit tonë

Nëse do kalojmë në hapat tuaj të parë të skenës, kur nisin ato, me kë përkojnë dhe ku?

Herët, shumë herët. Janë shekullorë! (qesh me shaka). Dua të them që në vegjëli ka nisur pasioni im për këngën. Këndoja në shkollë dhe këndoja në grupe të ndryshme. Në shtëpi kënga ishte pjesë e jetës së përditshme. Nuk konceptohej jeta jonë familjare pa këngë e pa art. Ishte viti 1972 kur fillova të këndoj seriozisht dhe konkretisht, në atë kohë këndoja këngë të repertorit. Këngët i këndoja me të rriturit në koncerte variete. Këto koncerte asokohe i organizonte Klubi i Rinisë “Heronjtë e Vigut”. Njëkohësisht kisha ëndërrimet e mia, të isha pjesë e filmave. Më tërhiqte magjia e filmit, ekrani, aktorët. Si rrjedhojë, në viti 1973 fitoj kinoprovën e rolit kryesor në filmin “Nga mesi i errësirës”. Regjisori më tha, fitove. Sa u gëzova! Po realizoja një ëndërr të madhe. Por kur nuk e prisja gëzimi m’u pre në buzë, rolin ma refuzuan, pasi kisha cen në biografi. Këto gjëra sot as nuk mund t’i mendojnë të rinjtë. T’ua tregosh habiten, se çfarë ishte ky cen në biografi! O zot na ruaj! Sa jam prekur, pasi isha vetëm 15 vjeç dhe kisha shumë ëndrra për jetën. Gjithmonë më ka ndjekur kjo gjë. Por u ndjeva sërish keq kur u bëra pjesë e grupit “Na bashkoi kënga popullore”. Për çudi, si Dekani i Akademisë së Arteve edhe Sekretari i partisë më bënë presion të mos isha pjesë e këtij grupi. Por unë s’mund të tërhiqesha, ai grup po bënte epope. E pagova shtrenjtë, më rrëzuan në provim, madje dhe në vjeshtë. Po me grupin në vitin 1979 pata një zhgënjim tjetër të madh, pasi në kohën kur ai do dilte jashtë shtetit për koncerte, mua më hoqën të drejtën të shkoja me ta, edhe pse ishim të gjithë shokë të mirë. Por zhgënjimin më të madh, s’mund ta besoni… Një ditë të bukur kur as e mendoja, më dënuan penalisht me nenin nr.55, për agjitacion dhe propagandë. Ku e bëja unë agjitacionin?! S’e besoja kurrë këtë rreng. Me këtë nen më pezulluan aktivitetin tim artistik me vendim të Presidiumit Popullor. O zot s’e besoja! S’dija si ta përballoja situatën. Kudo rrengje, kudo pengesa.

Agjitacion dhe propagandë? A kishe bërë në fakt një gjë të tillë?

Eh si ishte ajo kohë. Nuk doli kot dhe komedia “Pallati 176”. Ato që s’ishin provuar. Letrat anonime. Letrat poshtë derës. Letrat që morën në qafë shumë njerëz. Ah, ky dënim erdhi, se akuzohesha nga një letër anonime, ku unë Frederiku isha bashkëpunëtor i Vatikanit, KGB-së, CIA-s!? O zot, as i kisha dëgjuar mirë këto emërtime se unë merresha me art. Ku kisha unë lidhje me spiunazhin?! Madje kisha alergji nga Sigurimi. Shmangesha nga takimet me ta. Peripecitë e mia nuk kishin të sosur. Në vitin 1984 punoja në Estradën e Shkodrës dhe njëherë mora pjesë si aktor në filmin “Fundi i një gjakmarrjeje” dhe nuk mora leje nga estrada. E pësova edhe në atë rast, më dënuan me 6 muaj punë në tulla. Por më e forta ishte kur desh më futën prapë në burg, në vitin 1987. Kur e shikonin që unë isha një tjetër prerje donin të më bënin për vete. Pra, donin të më bënin komunist. Aha, unë komunist?! Kurrsesi! As bëhej fjalë të bëhesha komunist. Nuk më lidhte asgjë. Por këto probleme vazhduan edhe me motrat e mia Ritën dhe Julin. Në vitin 1989 Julit desh i hoqën këngën “Tokë e Diellit”. Pastaj probleme kam pasur në Festivale për flokët dhe sjelljen.

Nga aktivitetet pas përmbysjes së komunizmit apo koncertet cilin do të veçonit? 

Këngët e shekullit më kanë impresionuar. Kur do fillonte regjistrimi po bëhesha gati për një turne në Australi, si gjithmonë në aktivitet. Në këtë kohë më merr në telefon Pandi Laço dhe më thotë që të merrja pjesë në Këngët Popullore Qytetare të Shekullit. E pyeta gjerë dhe gjatë dhe mendova se unë mund të sillja më së miri këngët qytetare dhe sidomos këngët shkodrane, të lëna në harresë. Shkodra shquhet për këngët qytetare, për muzikë. Doja t’i bëja një dhuratë qytetit tim. Dhe pse ishte një përgjegjësi e plotë të risillja të freskët në mijëvjeçarin e ri ato perla që talentet e Shkodrës i shkruan shekuj më parë Duhej që të sillje artisten e madhe Marie Kraja që dhe sot zor se mund të gjesh një të dytë.

Ishit i larguar disa kohë sërish në Amerikë, çfarë aktivitetesh ka zhvilluar Riku ndërkohë?

Gjatë vitit të kaluar 2018 në USA kam marrë pjesë në shumë aktivitete, konkretisht kam marrë pjesë në një film amerikan xhiruar në New York me një rol episodik “Cool killer”dhe ku me është besuar edhe muzika e filmit, por njëkohësisht kemi edhe për një film tjetër planin e xhirimit. Gjithashtu gjatë viti të kaluar mund të përmend pjesëmarrjen në fund të vitit me Top Channel në disa emisione televizive si dhe tek kënga përshëndetëse e stafit TCH, “Lule” . Për këtë vit kam në plan një CD të re, kryesisht me këngët e mia. Janë edhe projekte të reja por të pa firmosura akoma për 2019, sigurisht për artin.

Kemi bërë shumë intervista bashkë, por asnjëherë nuk kemi folur për sukseset e bashkëshortes tuaj Alisa Baraku, si do i përcillje arritjet e saj?

Alisa punon me nivel por pa zhurmë. Njeri që bën punë të madhe dhe zhurmë të vogël. Por Alisa mbetet një artiste e vërtetë me një sërë suksesesh në jetën e saj që nga koha kur ishte pranë presidencës tonë, por dhe ne 1997 kur shkoi drejt Prishtinës në presidencë si artiste për presidentin Ibrahim Rugova në filarmoninë e Kosovës si dhe pedagoge atje. Sukseset e saj si këngëtare lirike e titujt si pedagoge në Shqipëri kanë qenë mjaft impresionuese. Mbi të gjitha është një pedagoge perfekte. Korrekte. E pasionuar. Nuk njeh mitmarrjen…

Vërtet?!

Për këtë jam i sigurt që nuk ka pranuar kurrë as një lek nga studentët e saj, dhe që çdo vit 1.5 student kanë dalë nga dora dhe puna e saj ndjekin studimet e larta në akademi ose nëpër akademitë e botës si Norvegji, SHBA, Rumani, Itali e tjerë… dhe që rrit fëmijët tanë. Kur në liceun artistik “Jordan Misja” janë mbi 20 pedagogë kantoje dhe në akademi pranohen çdo vit 4-5 këngëtarë klasikë, pra Alisa ose gruaja e fundit dhe e vërtet e Rri+ik, Ndocit, është kombinat prodhimi cilësor nxënësish dhe studentësh kantoje.

Alisa si nënë?

Një nënë shembullore që rrit dy fëmijë me shumë përkushtim. Marilu, e shkëlqyer në shkollë dhe Nikolo artist në media që në moshën 5 vjeç. Unë jam një burrë krenar për familjen time, që është burimi më i fuqishëm i energjisë për mua.

Numri i madh i këngëtarëve, sipas jush?

Po kush tha se janë të gjithë këngëtarë apo këngëtare? Ka edhe pseudo. Arti diku shkëlqen, por ka edhe pjesët e errëta, por unë mendoj se më shumë peshon ana e errët. Them se prurjet e turmës nuk mund të jenë të përkryera dhe këtu nuk i duhet vënë faj vetëm debutuesit, por në radhë të parë, krijuesve që ua besojnë këngët e tyre këngëtarëve të paformuar. Një problem i madh në botë është se muzikën, të parët e prishin kantautorët me disnivel, të cilët mendojnë se me një këngë të dëgjuar nga fqinji mund të bëjnë emër të madh kudo në skena të magjishme. Kjo është fatkeqësi, pasi bota sot është shumë e pamëshirshme në lirinë e artit të rrugës. Këtu mund të bëj të vetmin vlerësim për diktaturën komuniste që për muzikën nuk toleronte fijen e flokut të ushtrohej nga injorantët apo njerëzit e rrugës. Muzika ka kërkesa, ka shumë, shumë përgjegjësi individuale, kolektive dhe shtetërore. Arti përfaqëson kombin, përfaqëson shtetin.