Rimbursoni Oksigjenin, po luani me jetët e shqiptarëve

409
Sigal

Turp ! Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk rimburson Oksigjenin e të sëmurve. Qeveria zbraz thasët për klientët e  saj duke u dhënë mbi 400 milion euro koncesione për shërbimet shëndetsore, por nuk pranon të rimbursoi 600 mijë euro në vit për Oksigjenin, ndërkohë që vetëm në 5 muajt e fundit Kuvendi ka blerë 550 mijë euro makina luksi. Ja si i nxori pandemia zbuluar tenderat për spitalet dhe qëndrat shëndetsore të cilat janë pa Sistem Oksigjeni.

 Ëngjëll  MUSAI

Drejtor i “Telegraf”

 Situata e rëndë shëndetësore e shkaktuar nga koronavirusi po  shoqërohet me  trauma psikike  dhe këto pasoja  po i vuajnë jo vetëm  pacientët e prekur nga Covid-19, por edhe qindra mijëra familjarë që janë pas tyre. Dhe pasojat dihen, ato janë sociale, ekonomike, financiare dhe paralizuese për jetën, biznesin dhe ekonominë në tërësi. Dhe kjo situatë bëhet edhe më rëndë kur shikon që në vend të veprimeve  konkrete për të minimizuar në maksimum pasojat, qytetarëve shqiptarë po kërkohet t’u mbushet mendja me propagandë dhe shifra që  drejtuesit e shëndetsisë dalin dhe recitojnë ditë pas dite, pa harruar që kjo është një tjetër traumë për ata që i shikojnë dhe i dëgjojnë. Sigurisht që nuk do të marrim përsipër të bëjmë rolin e ekspertit, sepse ai i takon specialistëve të  shëndetësisë, teknikës mjekësore, shkencave sociale, psikologëve, ekonomistëve dhe financierëve etj. Nuk do të merrem as me trajtimin mjekësor, as me mungesën e stafit në përputhshmëri me këtë sëmundje, as mangësitë e teknikës dhe pajisjeve bashkëkohore, as teoritë që çfarë thuhet njëherë nuk thuhet herën tjetër, as me urdhërat për të mos harxhuar paratë për blerje maskash dhe as me gjobëvëniet kur i teket ‘pashait’ se duhen vendosur, as me oraret se kush duhet të dalë i pari dhe as me diktaturën mjekësore të autoblindave, që në vend të mbrojnë detin dhe luftojnë krimin, dalin nëpër rrugë duke shkaktuar një “shok” psikologjik tek qytetarët. Nuk do të merem në këtë shkrim modest  me faktin që politikanë dhe qeveritarë kanë zëvendësuar profesorët dhe menaxherët, apo se urdhërat për strategjinë kombëtare Anti-Covid i japin disa të paaftë dhe derdimenë nga sarajet, bunkerët e administratës, zyrat e qeverisë apo oborret e spitaleve. Nuk do të sjellë në kujtesën e qytetarëve marrëzinë e mjeranëve se kush del në ajër të pastër arrestohet, se duhet të mbyllemi në familje, se edhe kur udhëtojmë, burri që është shofer duhet që bashkëshorten dhe fëmijën duhet ta lërë në sediljen e pasme të makinës, apo papërgjegjshmërinë që njerëzit të mos dalim në diell apo zonat malore të mbushura me ajër të pastër dhe oksigjen por duhet të rrinë të ngujuar rreth kullave të krimit, trafikantëve dhe banditëve të noterizuara nga zyrat e KRT-ve të Bashkive dhe KKRT-së së Qeverisë.

Gjatë këtye ditëve u bëmë dëshmitarë të dhjetra e qindra rasteve ku qytetarë  dhe familjarë të të sëmurëve me Covid-19, për shkak të mungesës të shtretërve në spital, arritën që të marin bomblat e shërbimimeve të industrisë, ofiçinave, saldatorëve dhe kudo ku kishte shërbime që përdornin oksigjenin

Të jesh pacient nuk do të thotë që mund të zëvendësosh mjekun!

Ajo që duhet të ngremë sot si shqetësim ka të bëjë me faktin se spitalet tona kanë mangësi të theksuar të menaxhimit, mungojnë politikat afatshkurtëra dhe afatgjata në sistemin e shëndetësisë dhe kjo kuptohet, se shumica e drejtuesëve të ministrisë së Shëndetësisë nuk janë profesionistë dhe vijnë nga fusha të tjera të biznesit apo lobingjeve, pjesë e nepotizmit të politikës në pushtet. Këto ditë u bëmë dëshmitarë të mungesës së sistemit të trajtimit me oksigjen si në kushtet spitalore, ashtu edhe ato ambulatore. Duke diskutuar me ekspertë të fushës së trajtimit të oksigjenit shëndetësor dhe sistemit të saj shpërndarës, si dhe me profesorë të sëmundjeve infective, por që nuk duan të bëhen publikë, ngrihet shqetësimi se Covid-19, veç të tjerave, kërkon në mënyrë të veçantë trajtimin e padiskutueshëm me oksigjen për shkak të patologjive që shfaqen. Ndaj dhe ne gjatë këtyre ditëve u bëmë dëshmitare  të dhjetra dhe qindra rasteve ku qytetarë dhe familjarë të të sëmurëve me Covid-19, për shkak të mungesave të shtretërve në spitale,  arritën që të marrin edhe bombolat e shërbimeve të industrisë, ofiçinave, saldatorëve dhe kudo ku kishte shërbime që përdornin oksigjenin. Vetvetiu lindin pyetjet: Përse duhet të ndodhë një gjë e tillë ? Përse nuk u morën masat pasi po mbushen 1 vit nga rastet e para që shpërthyen në Itali? A ka një projekt se si mundet ta shtrijmë këtë shërbim si në spitale, në poliklinika, në qendrat shëndetësore të zonave rurale, në repartet ushtarake, burgje, në kushtet ambulatore nëpër banesa ?! Sigurisht që nuk ka. Sepse po të kishte nuk do ndodheshim para këtyre fakteve, ku njerëzit vrapojnë dhe shpenzojnë për të siguruar aparate oksigjeni për trajtimin individual në banesa dhe për më tepër spitalet janë në ditën më të keqe të mundshme. Dhe kjo, as më pak dhe as më shumë, është papërgjegjshmëri qeveritare, shpërdorim i pastër i detyrës dhe funksionit publik,  për të cilën organet e drejtësisë duhet të nisin hetimet. Në kuadrin e projekteve të “Rilindjes” janë ndërtuar, riparuar, lyer me bojra dhe përshatur rreth 300 qendra shëndetësore në të gjithë vendin. Por fatkeqësisht në 90% nuk është vendosur qoftë edhe 1 sitem i thjeshtë me bombola oksigjeni, sa për të dhënë ndihmën e parë, deri në mbërritjen e shërbimit me  trajtim të specializuar. Kjo është një papërgjegjshmëri edhe pse një gjë e tillë u është kërkuar strukturave të ministrisë së Shëndetësisë nga baza deri në kupolën e saj. Sa është kostoja ? Minimale! E papërfillshme dhe e turpëshme, kur sot po numërojmë humbjen e qindra jetëve njerëzore në spitale dhe po dhjetra qindra të tjerë në kushte shtëpie. Për 300 qendra shëndetësore, kostoja e vendosjes së sitemit të oksigjenit nëse do të bëhej që në muajt mars, prill, maj apo edhe qershor nuk do të shkonte më shumë se 500 euro për 1 qendër dhe në total rreth 150 000 euro dhe po të llogarisim edhe repartet ushtarake, burgje etj. vlera e përgjithshme do të shkonte rreth 200 mijë euro. Për poliklinikat shpenzimet do të shkonin deri në 1 mijë euro për një komplet bashkë me sistemin e shpërndarjes. Pra nëse do të ishte bërë ky investim sot do të kishim të paktën 600 shtretër ambulatorë  më shumë në të gjithë territorin e Shqipërisë  dhe dhjetra-qindra të tjerë në institucionet ushtarake, të ministrisë  Brendshme, Burgjeve etj. Mjekët janë në organika dhe paguhen, të specializuar po, stafi i ndihmës mjekwve dhe infermierëve është dhe paguhet nga shteti, dhe kjo do të bënte që  pacientët  nuk do të prisnin si deri më sot në ambulanca mes të ftohtit dhe sakrificave sublime të personelit, por do të trajtoheshin me profesionalizëm dhe sapo të krijohej mundësia e hapjes së vendeve në spitalet anticovid, do të shtroheshin në këto qendra universitare mjekësore.

Por sot edhe edhe të duash të krijosh sisteme oksigjeni duhet të shpenzosh shumë herë më shumë dhe përsëri është e vështirë ti sigurosh, sepse kompanitë multinacionale kanë kontrata të ngarkuara dhe nuk e realizojnë dot shërbimin. Pra jemi në pikun e kurbës së covid-19 dhe ne na duhet të sakrifikojmë me humbje jetësh nga njëra anë dhe klithmat e “korbave” qeveritare që po na kërkojnë të na mbushin mendjen se jemi me kushte spitalore më të mira se Italia,Turqia, Gjermania etj.etj.. ndërkohë që realiteti duket dhe nuk ka nevojë për koment.

Jemi në pikun e kurbës së covid-19 dhe ne na duhet të sakrifikojmë me humbje jetësh nga njëra anëdhe klithmat e “korbave” qeveritare që po na kërkojnë të na mbushin mendjen se jemi me kushte spitalore më të mira se Italia, Turqia, Gjermania etj,etj… ndërkohë që realiteti duket  dhe nuk ka nevojë për koment

Po si qëndron e vërteta e trajtimit me Oksigjen të pacientëve në nevojë dhe përse shteti nuk e  Rimburson Oksigjenin Shëndetësor ?!

Sëmundja e Covid-19 veç trajtimit  medikamentoz  sipas standarteve dhe portokolleve nga mjeku i familjes  dhe specialistet e qendrave spitalore si në kushtet e shtëpisë ashtu edhe ato spitalore kërkon trajtimin  me Oksigjen për vetë kushtet dhe specifikat që ka kjo sëmundje ku Mushkëria organi bazë i furnizimit me oksigjen të gjakut,  është më i prekuri dhe nuk e kryen dot funksionin fiziologjik që ka një  Mushkëri me parametra normale. E thënë  më drejtpërdrejtë: Oksigjeni është mundësia e vetme që mund të shpëtojë jetët e pacientëve të cilët kanë komplikacione dhe janë në faza të rënda shëndetësore. Ndaj kërkohet që qeveria dhe ministria e Shëndetsisë të vendosin Oksigjenin si pjesë e paketës së rimbursimit, ku qytetarët ta marrin kundrejt recetës mjeksore pa pagesë. Fondi i Sigurimeve të Kujdesit të Detyrurueshëm të Kujdesit Shëndetsor ( FSKDKSH), duhet ti kërkojë urgjentisht Bordit të saj, ku  Kryetare e Bordit është Ministrja e Shëndetsisë që Oksigjeni të jetë i rimbursueshëm jo vetëm për situatën e Covid-19 por për të gjitha rastet kur kërkohet përdorimi i tij. Nuk ka gjë më jetike për jetën e një njeriu se sa Oksigjeni. Dhe të tregohesh i ngurtë apo kursimtar për tu dhënë Oksigjen qytetarve dhe pacientëve ,kjo është mëse kriminale,aq më tepër që shqiptarët paguajnë për Sigurimet Shëndetsore rreth 150 milion euro në vit. Sot spitalet vuajnë nga mungesa e “Sistemeve të Oksigjenit” pasi sisteme të tilla kanë pasur vetëm sallat e urgjencës, të reanimacionit dhe dhoma të veccanta në kardiologji. Tashmë që situata e Covid-19 kërkon shtimin e vendeve të pajisura me sisteme Oksigjeni, sistemi shëndetsor u gjet i papërgatitur. Nëse do të flisnim për muajin shkurt e mars 2020, që ishte faza e parë edhe mundet të tolerohej por tani që kanë kaluar rreth 9 muaj dhe ne jemi në të njëten situatë, kjo është e papranueshme dhe e ndëshkueshme si nga ana morale, profesionale ashtu edhe ligjore. Të mos mendosh për shtrirjen e sistemit të Oksigjenit në pavione dhe dhoma, është jo vetëm papërgjegjshmëri profesionale, por edhe krim që duhet ndëshkuar dhe përgjegjsit të shkojnë para drejtësisë. Të harxhosh miliarda për tendera, dhe PPP e mjeksisë dhe të neglizosh për disa qindarka që kushtonë sistemi i oksigjenit ,është një tmerr i vertetë.

Por sa kushton Oksigjeni për të treja fazat e trajtimit të Covid-19? A ka mundësi që ky shërbim të kryehet në kushtet e banesës, ambulatore, të qendrave shëndetësore dhe në spitale? Po shtrirja e sistemit në çdo dhomë të spitalit sa kushton ?!

Duke u interesuar dhe bashkëbiseduar me ekspertët e fushës së sistemeve të Oksigjenit, pjesë e kompanive multinacionale që kanë degë edhe në Shqipëri bëhet me dije se:

– Për Fazën e parë të sëmundjes përdorimi i gjeneratorëve të oksigjenit që shiten në farmaci për 2 javë kushton 100 mijë lekë të vjetra, pasi varet nga mosha, gjendja e të sëmurit dhe sëmundjet shoqëruese.

– Për Fazën e dytë, përdorimi për 3 javë kushton afërsisht 150 mijë lekë

– Faza e tretë në kushtet spitalore ka kosto shumë më të lartë.

Pikërisht përdorimi i Oksigjenit është domosdoshmëri për pacientin dhe nëse përdorimi i tij sipas këshillës  dhe recetës së mjekut fillohet që në fazën e parë, shtetit i kursehet rreth 95% e shpenzimeve që konsumon sot, për rastet që është neglizhuar fillimi i terapisë me Oksigjen që në dy fazat e para. Dhe të mos harrojmë, se nëse në spitale sot kemi rreth 500 të sëmurë, në shtëpi personat që trajtohen me Oksigjen në mënyrë ambulatore, janë mbi 3 mijë persona. Dhe kjo shifër është me rezerva, pasi përllogaritja është bërë mbi bazën e gjeneratorëve të Oksigjenit që janë shitur nga farmacitë në Shqipëri. Ndaj lind domosdoshmëria e Rimbursimit të Oksigjenit, pasi nëse mjekimo-terapia me Oksigjen fillon shpejt, shteti përfiton   nga 70 % deri në 95% të shpenzimeve që kryen në spitale, pasi dihet, kostot e trajtimit spitalor janë shumë të larta për cilindo shtet dhe qeverisje. Dhe nëse pak më sipër theksuam se një Sistem Oksigjeni për 1 person në spitale që do të lidhet me sistemin qendror do të na  kushtonte nga 200-300 euro, po të kryhej që para 1 viti, sot edhe 25 mijë euro për sistem individual t’u japësh kompanive multinacionale, nuk ke mundësi ta realizosh, sepse janë të superngarkuara dhe të bllokuara me krizën mbarëbotërore. Pra tek ne  mungon shtrirja e sistemit nga qendra e bombolave deri tek shtrati i pacientit. Pra sot nuk është problem furnizimi me Oksigjen, por sistemi i shtrirjes që duhej bërë bashkë me riparimet dhe ndërtimet, që kur janë planifikuar tenderat. Si shëmbull , apo e thënë më popullorçe po marrim sistemin e ujsjellësit: Nëse ne kemi 1 depo uji, kjo depo që të çojë ujin deri tek familjari, duhet të shtrihen tubat deri tek pallati dhe nga pallati bëhet shpërndarja në çdo apartament, dhe brenda apartamentit e shpërndan në ambjentet e saj,kuzhinë, banjo, dushe, etj. Pra edhe Oksigjeni kërkon të  njëjtin sistem shpërndarje, por që mungesa e vizionit dhe marrjes së përvojës të shteteve europiane na ka katandisur në këtë situatë ku jemi.

Sa kushton Rimbursimi i Oksigjenit ? Është një çmim tepër qesharak ! Vetëm 600 mijë euro në vit.

Trajtimi ambulator për 2 fazat e para dhe për ata që dalin nga spitali, por që kanë ende nevojë për Oksigjen dhe që mund t’u jepet në kushte shtëpie, është jo vetëm domosdoshmëri nga ana mjekësore, por edhe qesharake për nga çmimi. Farmacitë i shpërndajnë gjeneratorët e Oksigjenit dhe bombolat e vogla mjekësore mbi bazën e recetës së mjekut të familjes dhe ekspertëve të qendrave mjekësore spitalore. Në momentin që mbaron shërbimin pacienti e dorëzon në farmaci. Bashkëpunimi i farmacive me kompanitë e trajtimit të Oksigjenit dhe teknikët e elektromjeksores, bënë që këto pajisje të jenë të kontrolluara dhe brenda standardeve për ripërdorim. Në Itali, para pak ditësh karabinieria mori të gjitha listat me emrat  e personave që kanë marrë gjeneratorët e Oksigjenit dhe bombolat e vogla me Oksigjen mjeksor dhe u ka shkuar shtëpi më shtëpi për t’ua mbledhur, pasi kishin vite që i kishin marrë dhe shumica e tyre, ose ishin shëruar, ose nuk jetonin më. Në të gjitha vendet e BE-së dhe shumicën e Europës Lindore, Oksigjeni Mjekësor  RIMBURSOHET nga shteti.  Sot, nëse qeveria shqiptare merr vendimin për rimbursimin e Oksigjenit Mjekësor në Shqipëri, shuma që shteti do të paguajë për rimbursim tek farmacitë dhe kompanitë e Oksigjenit, si për përdorimin ambulator, qendrave shëndetësore por edhe atë spitalor, është rreth 600 mijë euro për 1 vit. A ka mbetur shteti Shqiptar për këtë vlerë qesharake në krahasim me 400 milionë euro që shpenzon për PPP e klientëve të mjekësisë?  Po 150 milionë euro në vit për rimbursimet e ilaçeve nga Fondi i Sigurimeve të Kujdesit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSKDKSH),  ku shkojnë ? Për 600 mijë euro Oksigjen për shqiptarët ka mbetur ky shtet?  Ndaj sa nuk është vonë, qeveria të rimbursojë Oksigjenin Mjekësor, që njerëzit të mos mbeten dyerve të spitaleve, apo punishtet e saldatorëve për të gjetur dhe siguruar bombola dhe oksigjen të pagarantuar për jetën e pacientëve. Shuma për Rimbursimin e Oksigjenit për të gjithë shqiptarët është gati e barabartë me vlerën e makinave (530 mijë euro) që Kuvendi i Shqipërisë bleu  në këto  5 muajt e fundit të 2020, duke shpërfillur krizën e Covid-19.