Rajna Kovaçi: Nuk është ditë për lule, por për gjemba

174
Sigal

Në vend që të presim me butësi për dhurata dhe trëndafila, gratë  më 8 Mars,do të ndërmarrin një marshim në shumë shtete në mbarë botën, për të demonstruar kundër padrejtësive, pakënaqësive, shkeljeve që ju bëhen me pabarazitë, që përballen çdo ditë. Këto marrëdhënie të padrejta  përfshijnë punëdhënësit, partnerët e familjes, shtetin, parlamentin etj…

Marshimin e 8 Marsit për të drejtat e grave dhe vajzave edhe unë e pranoj si kauzën time personale, sepse në 7 vitet e fundit e kam kuptuar në mënyrën më brutale, sepse kur je grua, të godasin me veprime antisociale të sistemit shtetëror dhe kërkesa e përfiitimit të punëdhënësit të godet më rëndë. Për mua kjo situatë ra shumë në sy kur mua më pushuan nga puna me pa të drejtë. Pastaj pashë punëdhënësin që më pushoi nga puna me pa të drejtë, në fakt më kishte vjedhur vendin e punës duke më lënë pa punë. Pra, ishte faji i tij që mori për mua vendimin fatal.

Marshimi për të drejtat e grave më 8 Mars – në Ditën Ndërkombëtare të Gruas – duhet të organizohet para Këshillit të Ministrave në Tiranë, ku pjesëmarrja duhet të jetë e plotë, nga të gjitha qytetet e Shqipërisë. Sepse gratë shqiptare kanë për çfarë të protestojnë.

Më vonë – pas goditjes fillestare nga praktikat e zakonshme të punëdhënësve, takova shumë gra që së fundmi ishin bërë nëna, dhe e kishin humbur punën. E ndërsa muajt kalonin në amësi, ato jetonin në stres si do të gjejnë punë, duke u rifutur në tregun e punës që i pret (apo jo?).

Leja e lindjes në vitin e dytë  ushtron vërtet presion mbi gratë, që të kthehen më shpejt në vendin e punës, edhe nëse duan të kujdesen për fëmijën e tyre për dy vjet nuk është e mundur se humbin vendin e punës. Ky rikthim shoqërohet me frikë dhe kërcënime nëse gjithçka do të jetë si më parë dhe nëse punëdhënësi nuk ka gjetur dikë pa fëmijë dhe gati për t’u shfrytëzuar më shumë. E ndërsa këto shqetësime e rrethojnë nënën në përditshmërinë e saj me një fëmijë. Varësia financiare është e padiskutueshme. Më pas mbi kurrizin e saj bie regjistrimi në sistemin e çerdheve dhe kopshteve në Bashkinë e Tiranës, Durrësit etj, para tyre presin shumë fëmijë, për një vend. Kështu gjendemi në një rreth vicioz: përveç përgjegjësisë për lindjet e ulëta, fajin e kanë edhe femrat, që nuk punojnë siç pritej dhe nëse vendosin të lindin, fajin e kanë zgjedhur kështu. Kushtet sociale i shtypin në vitin e parë të lindjes pa folur për vitin e dytë. Nëse nuk ka mundësi t’i regjistrojë fëmijët në çerdhet apo kopshtet shtetërore duhet t’i regjistrojë në ato private. Por nuk ka mundësi se çmimi është marramendës i papërballueshëm, atëherë si t’i përballojë/ çfarë zgjidhje i jep shteti…? Përsëri shteti është pasiv, indiferent dhe i papërgjegjshëm.

Nuk janë të rralla rastet kur punëdhënësit u bëjnë presion grave që të largohen gjatë shtatzënisë, sepse nuk do të punojnë për vitin ose dy vitet e ardhshme. Kohët e fundit, bizneset kanë kundërshtuar gjithnjë e më shumë përdorimin e lejes së akumuluar të lindjes me pagesë, pasi “gruaja ndoshta nuk e ka merituar, sepse nuk ka punuar”. Rezulton se femrat duhet të kryejnë në mënyrë të nënshtruar detyrën e tyre “natyrore”, të funksionojnë si instrument riprodhimi, ndërkohë që në të njëjtën kohë puna i kushton më pak dhe pavarësia e trupit të tyre nuk i takon.

Tashmë kemi një distancë të mirë nga vitet e betejave të bëra nga gratë, njëqind vjet më parë për barazi për votim, për studime, por – siç duket, nuk e kemi arritur aspak barazinë e ëndrrës sonë në sistemin ekonomik dhe gratë ende: 1 ) paguhen më pak për të njëjtin vend pune, gratë pushohen nga puna më me lehtësi se burrat ; 2) nga gratë kërkohet të jenë të realizuara si nëna; 3) si profesionistë; 4) ne mbajnë pozita me pagë më të ulët; 5) është e përshtatshme të respektohen personat e autorizuar; 6) gratë kryejnë rolin e nëpunësve të lirë shtëpiake.

8 Marsi u ngrit dhe mbetet një ditë lufte. 8 Marsi është dita e gruas greviste. Një ditë solidariteti për të gjitha gratë në mbarë botën që përballen me diskriminim racor dhe social. Fakti që çdo grua e tretë në botë është viktimë e dhunës fizike, seksuale dhe mendore. Këto janë fakte që shpjegojnë pozicionin e gruas në marrëdhëniet moderne ekonomike dhe fyerjen e pozitave të saj poshtëruese dhe të pabarabartë. Dhuna ndaj grave lidhet kryesisht me varësinë e tyre financiare, fizike dhe sociale. Linja ideologjike e pretenduar nga shumë qeveri evropiane po bëhet dita-ditës më e dendur, me pseudomoralizimin e saj, që i sheh gratë kryesisht si qenie për rritjen dhe përkujdesjen e fëmijëve. Duke i kufizuar në një pamundësi edhe më të madhe, ja disa nga kërkesat që do na bëjnë të marshojmë sot.

Angazhim i fortë nga qeveria dhe institucionet përgjegjëse për të marrë masa gjithëpërfshirëse për të luftuar dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje, duke përfshirë, por pa u kufizuar në, kriminalizimin e të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore. Kryerja e hulumtimit dhe mbledhja e statistikave zyrtare mbi shkaqet dhe shtrirjen e dhunës ndaj grave në të gjithë territorin e Shqipërisë; krijimi i një databaze të unifikuar në Ministrinë e Brendshme për rastet e dhunës në familje; futja e trajnimit të detyrueshëm për punonjësit e policisë, gjyqtarët, prokurorët, psikologët, mjekët dhe të gjithë ata që punojnë me viktimat dhe autorët e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje; hapja e qendrave të reja të krizës për strehimin e viktimave të dhunës në familje (të paktën 1 qendër  në çdo rreth të vendit).

* Njohja e punës shtëpiake si punë-dhe pagesa për të.

* Sigurimi i kujdesit shëndetësor të përballueshëm dhe cilësor dhe shkollave falas, çerdheve komunale, kopshteve dhe kuzhinave për fëmijët në të gjitha vendbanimet dhe mbështetja sociale për të gjitha familjet në Shqipëri, përfshirë kryefamiljaren femër -prindë kur është e vetme, shumica e të cilëve janë gra.

* Ofrimi i shërbimeve të kujdesit të përballueshëm për të moshuarit, duke përfshirë shtëpitë e të moshuarve. Është gruaja ajo që më së shpeshti kujdeset për të moshuarit dhe kjo i sjell një ngarkesë shtesë.

* Angazhimi i qeverisë për të ofruar kujdes dhe rritjen e ndihmës sociale për personat me aftësi të kufizuara. Në këtë mënyrë do të lehtësohet edhe barra e rëndë e kujdesit, e cila aktualisht bie kryesisht mbi supet e nënave-grave. Këto gra meritojnë të kenë mundësinë për të jetuar një jetë të plotë në baza të barabarta me burrat dhe fëmijët e tyre.

* Ekziston një nevojë urgjente që qeveria të marrë masa parandaluese për të mënjanuar martesat e hershme dhe shtatzënitë e hershme, duke përfshirë edukimin e duhur që në moshë të re, si dhe zhvillimi i fushatave informuese mbi këtë temë në nivel kombëtar.

* Ndalimi i demonizimit politik të komunitetit rom, duke e dënuar atë me përjashtim sociale-ekonomike, dhe në veçanti ndërprerjen e spekulimeve raciste me “gruan e re rome” , e cila përpiqet të na bindë se është e drejtë të ofrohet asistencë sociale dhe mos të ketë zvogëlim të ndihmës  sociale duke na vënë përballë njëra-tjetrës.

* Luftimi dhe përfundimi i praktikës së martesës së detyruar të hershme. Njohja e të drejtave të familjeve, që nuk kanë lidhur martesë civile dhe njohja e bashkëjetesës.

* Rritja e asistencës sociale lidhur me prindërimin dhe rritjen e fëmijëve. Angazhim më i madh i shtetit ndaj shërbimeve publike të ofruara.

*  Rritja e pensioneve të grave.

* Ulja e çmimeve të shportës ushqimore.

* Të bëhen falas çerdhet dhe kopshtet shtetërore si dhe të kontrollohen nga shteti çmimet e këtyre institucioneve, sepse janë marramendëse.

Pra 8 Marsi nuk është një ditë për Trëndafila, por për Gjemba!

Rajna Kovaçi