Profecitë e Nolit dhe Çajupit, aktuale edhe pas 100 vitesh

302

Fan S.Noli: Kabineti i pykave, dallkaukëve, ryshfetxhinjve dhe qeveritarëve sipas kategorive të Makiavelit.

A.Z.Ccajupi: Në Shqipëri nëse nuk ke zanat, di të vjedhësh dhe  shet pasurinë e vendit, bëhesh ministër dhe deputetë

Ismail Xhaferri: Politikanët e korruptuar, horrat dhe Atdheu

 

Sigal

Fan  Noli
Rreth njëshekull, Fan S. Noli (6 janar 1882 – 13 mars 1965) përkthyes, politikan, diplomat, poet e historian shqiptar analizonte përbërjen dhe kapacitetin e njerëzve të zgjedhur në qeveri dhe në parlamentin shqiptar. Sipas Nolit, qeveritarët dhe deputetët e emëruar kanë për ideal të tyre vetëm mbajtjen e kolltukëve me çfarëdo çmimi dhe mjetet e tyre për të arrirë këtë ideal janë druri dhe ryshfeti. Ai etiketonte këta qeveritarë si pyka  dhe se është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë. Emërimet e nëpunësve, krijimi i vendeve të punës për militantët e pazot, duke boshatisur arkën e shtetit me tenderat pa cilësi, zaptimin e pronave, prishjen e objekteve të traditës , prishjen e shesheve dhe rrugëve dhe zëvendësimin me ato që përmbytën dhe prishën me shiun e parë që bie. Po sipas Nolit, nga padia s´u japin asnjë rëndësi degëve të bujqësisë, shëndetësisë e arësimit: degë, të cilat janë për Shqipërinë çështje jete dhe vdekje. Me sa duket Fan .S. Noli ka folur gati 100 vite më parë dhe fjalët e tij janë një testament i rëndësishëm ku ne sot në janar 2022 shohim të njëjtat cilësi tek deputetët dhe qeveritarët, të njëjtat etiketime nga intelektualët, ekspertët e fushave dhe qytetaria shqiptare.

Fan Noli, votuesit dhe qeveritarët sipas kategorive të Makiavelit

Qetësia, me të cilën më dëgjuat dje, më bëri një përshtypje të thellë. Veçanërisht, duke marrë ndër sy që midis dëgjonjësve, ndodheshin shumë kundërshtarë të mendimeve tona politike. E ndjej pra, veten të detyruar të falënderoj të gjithë e të këshilloj miqtë tanë të dëgjojnë me atë qetësi kritikat e kundërshtarëve, se, tërë mjeshtëria e politikës është të dëgjosh mejtimet e të gjithë palëve me durim e gjakëftohtësi; të përqasësh e t´i peshosh, dhe pastaj të votosh pas gjykimit e ndërgjegjes. U gëzova shumë që populli i Korçës dhe i rretheve e paskan këtë virtyt civil, dhe tani e ndjej veten time më kryelartë që jam qytetar nderi i qytetit tuaj të urtë patriotik. Dhe jam i lumtur që vinj sot përsëri përpara jush, që t´ju shpjegoj arsyet për të cilat kundërshtojmë qeverinë e sotme. E kundërshtojmë se disorganizon shtetin, se shkel liritë, se s´kujdeset as për bukën , as për shëndetin, as për arësimin e popullit. Këto arësye i kemi shpjeguar dhe në parlament, po atje zëri ynë u mbyt prej gishtërinjve të deputetëve pro qeveritarë. Dalim, pra, tani, përpara gjykatores së lartë të popullit që të na gjykojë e ta verë në vend cilindo me topuzen e votës.

Makiaveli i ndau qeveritarët në tri kategorira:

  • Qeveritarët që kanë ment vetë e dinë ta rregullojnë shtetin me squatësinë e tyre, këta janë më

Të mirët:

  • Qeveritarët që s´kanë ment vetë, po përfitojnë nga sqotësia e këshilltarëve të tyre, dhe këta

Janë të mesmit:

  • Qeveritarët, të cilët s´janë të zotët as vetë, as dinë të përfitojnë nga këshillat e miqve të tyre,

dhe këta janë ata më Të humburit. Për fat të keq, qeveritarët tanë hyjnë në kategorinë e tretë.

Kabineti ynë i sotëm është në kuptimin e plotë të fjalës Kabineti i ‘Pykave’.

Se ca janë pyka nga dituria e ca janë pyka nga vlera civile. Dhe është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë.

Ideali i tyre nuk është të organizojnë shtetin, se as ata vetë s´dinë të organizojnë, as organizatorët nuk do t´i lenë të lirë. Ideali i tyre është të mbajnë kolltukët me çfarëdo çmimi. Mjetet e tyre për të arrirë këtë ideal janë druri dhe ryshfeti.

Me drurin e me forcën brutale po përpiqen të skllavërojnë racën tonë e të përjetësojnë qeverimin tiranik të tyre. Shtypjen e Shqipërisë së Mesme përpiqen tani ta zbatojnë dhe në prefekturat e tjera, që kështu të mos mbetet asnjë krahinë e gjallë dhe e lirë që të përpiqen t´i kundërshtojnë.

Me ryshfetin në formë të ndrydhme, me misione të papemëta(pafrutshme), duket me emërime nëpunësish të pazotë, me krijimin e nëpunësirash të reja dhe duke çkallmuar arkën e shtetit, po përpiqen të fitojnë miq e partizanë më të djathtë e më të mëngjër. Nga kjo rrjeth deficiti i buxhetit, i cili është prej 5 meleunash, ndonëse këto 5 meleuna në kartë, nuk duken – shtimi i taksave dhe mospagesa e nëpunësve.

Nga padia prishën në vend që të ndërtojnë, çkulën një udhë moderne të ndërtuar në Berat prej austriakëve dhe e rindërtuan aq bukur sa u çkallmua, posa ra shiu i parë. Për të zbukuruar Tiranën rrëzuan përmbi 150 shtëpi e dyqane, pa i çpërblyer popullit para, të cilët mbetën udhëve, dhe Tirana, sot është më e shëmtuar se më parë.

Bashkë me barangat e Vlorës që u shitën për dhjamë qeni, jo për banesa, po që të çkulen e të shiten si material. U shitën e disa ndërtesa prej guri, të cilat kanë kushtuar qindramijëra franga. Një ndërtesë e gurtë me një shije të bukur pranëUjit të Ftohtë, që ka kushtuar të paktën 300 000 lireta u shit prej qeverisë sonë vetëm 150 000 lireta, e tani nuk ekziston më.

Një debojë (depo armësh) afër Drashovicës, që përmbante vegla të ndryshme për të ndërtuar udhët që bënte meleunëlireta kishte,mbetur e pacënuar gjersa arriu në vesh të qeverisë sonë lajmi i ndodhjes së saj. Po me të dëgjuar qeveria jonë emërtoi një kujdestar, që ta ruante: Tërë ky thesar u çduk si me magji në këtë thes, dhe qeveria jonë dërgonte misione jashtë të blinte vegla që të ndërtonte udhët. Nga padia s´u japin asnjë rëndësi degëve të bujqësisë, shëndetësisë e arësimit, degë të cilat janë për Shqipërinë çështje jete dhe vdekje.

Fragmente nga poema “Sulltani dhe Kabineti” i F.S.Nolit

Fan Noli

Shokë sot kam panair.
Shokë bëmëni sehir.
Sillni kupat e gostisë,
sillni shishet e rakisë.

Kupë e parë jam aga.
Kupë e dytë jam pasha.
Kupë e tretë shpall ferman(lajmërim).
Ngjesh një pallë e jam sulltan.

Jam Ali Qopeku i parë:
qen si unë s’keni parë!
Pra kur leh duartrokisni,
zbrazni topa e brohorisni

Jam imami e jam dovleti:
Padishahu e Muhameti.
Jam xhehnemi e jam xheneti,
kiameti e selameti.

Kush do ligj e Republikë,
me statut e me llogjikë,
e ka pisk e ngordh si horr,
në konop si tradhëtor.

Shkruaj ti bashkëqatip,
shkruaj mprehtë e me tertip.
Mblidhi llomatitë e mia:
shkrepi neser tek xhamia
***
Ti Selim që s’di këndim,
je vezir për arsim.
Mbylli shkollat se na nxinë
me kalemn e tradhësinë!
***
Ty Abdyl xhahil nefer,
ty të bëra serasqer:
mprih hanxhar e mprih sëpatë
Varr e therr po pa shamatë!
***
Ty or Hajrulla sevda,
ty të bëj kezllar aga.
Ti haremin ma përmbush,
plot me çupa shegë e rrush.

Sillmë lule dhe burbuqe:
qimezeza, qimekuqe,
ca të kolme, ca të thata,
ca të vogla, ca të gjata.

Vall mos u çudit me mua,
që të gjitha nuk i dua.
Që të gjitha do t’i mbledh
njëzetë vetëm do të zgjedh.

Atë njëzë or vëlla hadem
ty ta fala si hanëm.
Ty ta fala si dhuratë,
sehir bëje ditë e natë.

Ty të shqepi tirania:
mua hamja dhe rakia.
Që të gjitha o Perëndi,
na i bën me urtësi.

Na dhe brirë mbretërore,
na stolise me kurorë.
Na lëshove nëpër dhentë
dhe, na fluturuan mendtë.

Në  Shqipëri nëse nuk ke zanat bëhesh ministër dhe deputet


Andon Zako Çajupi (1866-1930)

Ringjallet Çajupi. Kur lexon atë që ka thënë para 90 vitesh, duket sikur e ka lënë amanet pikërisht për këtë klasë politike dhe për këta politikanë që i rrëmbyen dhe baltosën emrin e ndritur të Rilindjes.

“Për njëmënd, ndër Shqipëri gjenden plot ministra, qeveritarë deputetë, diplomatë të fortë. Mbijnë sikurse kërpudhat nga dheu…Në këta 3 a 4 vjet të fundit Shqipëria ka mundur me pas më tepër se 300 a 400 ministra, diplomatë, deputetë të çkëlqyerë! Si shpjegohet kjo pasuri në pikëpamje të politikës? Unë, që jam krejt budallë në këtë pikëpamje, them se, për shumicën e shqiptarëve politika është një punë fortë e lehtë dhe u vërtetoj se, për me fitu bukë në këtë botë të rreme, zanati m’i lehti është të bëhesh ministrë. S’ke nevojë të dish asnjë punë, asnjë mjeshtëri me themel.

Ministri i bujqësisë bie fjala, takon të mos çquajë qepë nga prastë; ministri i luftës takon të mos ketë marrë një pushkë në dorë; ministri i financës takon të mos ketë fituar asnjë grosh, veç me të grabitur; ministri i arsimit takon mos dijë as shqip, veç të mundij të shkruajë një ë me dy pika në krye; ministri i punëvet përjashtëm takon të jetë priftë a hoxhë…, dhe puna të vejë mbarë gjithmonë. Një herë në një kohë, populli lypte nga qeveritarët të jenë sidomos atdhetarë të vërtetë. Jo, sot s’është nevojë…

…………….NDAL…………

(Për të gjithë politikanët e korruptuar që nuk kanë lënë gjë pa bërë mbi kurriz të Atdheut)

Ndal or ndal se mjaft mashtrove!
Do t’i paguash një ditë,
sado larg, e sado vonë
do të vijë dhe fundi yt!

Ti që vodhe, që grabite,
i pacipë e faqenxirr,.
Ti atdheun tonë çdo ditë,
drejt greminës e ke shtyrë.

Vodhe djersën njerëzore,
nga Vermoshi gjer në Dropull.
Vodhe ëndrrat 30 vite.
Vodhe shpresën për një popull.

Vodhe topa, vodhe tanke.
Mbive si grami prej dheut.
Vodhe pyje, fusha male,
vodhe nderin e Atdheut.

Vodhe ujrat, vodhe dritën,
sepse ti je horr i horrit!
Vodhe kohën e zhvillimit,
vodhe lekun e punëtorit.

Vodhe naftën, vodhe kromin,

i vodhe diten me diell.

Dhe, u mbylle gojën njerëzve,

vetëm me një thes me miell.

Vodhe lekët në dogana!

Vodhe lekët në tatime!

Vodhe e s’u ngope kurrë:

kudo ku ka investime.

E bêre të pajetueshme,

që nga jugu në veri:

Këtë tokë të shenjtëruar,

që e quajmë Shqipëri.

Ti e vrave kushtetutën!

Ti e vrave drejtësinë!

Dhe atdheun tonë të dashur ,

ti e ktheve në çmendinë

Mbylle shkolla dhe fabrika!

Ti që paqe mos paç kurrë!

Ti i mbushe me hashash,

parcelat ku mbillej grurë.

Ti dënove vazhdimisht,

gjithë ata që s’janë fajtorë.

Dhe i mbushe burgjet plot,

me ca fukarenj të gjorë.

Ti e ktheve dhe gjakmarrjen:

këtë plagë që kurrë s’u sos.

Ti që bën sikur mbledh armët,

bën sikur na çarmatos.

Ti mendon se s’do ndëshkohesh,

se ky popull është i urtë.

Por do vijë dhe fundi yt:

ccdo e keqe ka një fund.

TI mendon se do gëzosh,

gjithë ato që ke grabitur.

Eh sa mbretër janë rrëzuar,

atëhere kur s’e kanë pritur.

Do të vijë dhe fundi yt:

O zorzopi i zorzopit,

se mallkimi i atdheut,

është si mallkim i zotit.