Prof. Eqerem Çabej: Shqiptarët, midis Perëndimit dhe Lindjes. Emri i popullit shqiptar

115
Sigal

Studimet e akademikut Eqerem Çabej

Shqipëria ka qenë e orientuar më tepër nga Perëndimi, sesa nga fqinjët e saj. Emri i popullit Albaner, Albanais, Albanese dhe si u zëvendësua me emrin shqiptar. Nga viti 1072 i përmend shqiptarët bizantini Mihael Attaliates. Ana Komnena në Shek XIII, kujton luftërat bizantino-normane në 1079 në Arbavov. Edith Durhami: Shqiptarët quhen kështu pas shqiponjës! Në flamurin e Skënderbeut ndodhet një shqipe

 

Më me rëndësi se sa dyndjet veri-jugore, që kanë qenë më shumë dyndje fisesh, janë dyndjet perëndimore-lindore, sepse të organizuara prej shtetesh, kanë ndjekur qëllime të fuqisë politike dhe kanë zgjatur më shumë. Shqipëria është trualli në të cilin grindja e gjatë ndërmjet botës romane-perëndimore dhe ballkanike-bizantine është shprehur në mënyrën më të spikatur. Pushtuesit perëndmorë kanë për qëllim sundimin mbi Gadishull me pikë të fundit Konstantinopolin: Roma Venediku, Normanët dhe Anjou-të. Lindorët: bizantinë, gotë, bullgarë , serbë e osmanë duan të arrijnë daljen politike në Adriatik, e nganjëherë, si gotët, bizantinët dhe osmanët nën Muhamedin II, duan ta përdorin Shqipërinë si dërrasë kërcimi për në Itali. Ky qëndrim i ndërmjemë midis Perëndimit e Lindjes, i bashkuar me ruajtjen e ngulur të natyrës së vet etnike, i ka gdhendur Shqipërisë përgjithmonë fytyrën e saj të veçantë. Këtë nuk ka mundur ta fshijë as sundimi turk. Kjo shprehet në krejt mënyrën e jetesës, në historinë dhe në historinë kishtare, në zakone dhe në poezi popullore dhe artistike të popullit shqiptar. Duhet shënuar me këtë rast se Shqipëria ka qenë e orientuar më tepër nga Perëndimi sesa fqinjët e saj. Midis gjithë vendeve ballkanike edhe Rumania me gjithë idiomin roman të saj, e papërjashtuar Dalmacia e Shqipëria, pastaj ishujt Jonikë janë vendet që kanë qenë të çelura direkt e më tepër ndaj influencës kulturore të Perëndimit. Në këtë truall shqiptar të kufizuar kështu dhe në viset kufizore të Jugosllavisë e të Greqisë, banon që nga kohë të lashta populli shqiptar. Këtij i shtohen dhe kolonitë në Itali (me Dalmaci) , në Greqi të Vjetër me ishujt, në Sirni, Bullgari, Rumani, në Bashkimin Sovjetik, në Turqi, Egjipt dhe në  Shtetet e Bashkuara.

 

Emri i popullit

Emri me të cilin të huajt quajnë popullin tonë (Albaner, Albanais, Albanese etj), ka qenë i përdorur dikur përgjithësisht si emër populli edhe në tokën shqiptare, prej vendasve vetë. Por tani ndër ne është përmbledhur në një përdorim lokal dhe është zëvendësuar nga emri shqiptar.

Rruga historike që kanë përshkruar të dy emrat duket të ketë qenë e njëllojtë, po ajo rrugë që kanë ndjekur zakonisht emrat e popujve. Që të dy emrat në fillim janë emra fisi dhe u ngritën në kohë një pas një në emra kombëtar. Emri i vjetër (arbën, arbër) u mbulua pastaj prej emrit shqiptar. Mirëpo kudo brenda tokës ku flitet shqipja, qoftë nëpër kolonitë tona, qoftë ndër shkrimtarë të vjetër, qoftë në përdorim lokal të ruajtur a të ngushtuar të fisit, qoftë në emra vendesh, ne shohim kudo se si emri i moçëm i popullit shkëlqen si një fosil nën mbulesën e emrit të ri. Shkrimi i emrit të vjetër ndër të huajt lëkundet midis trajtave alb-e-arb; Shqiptarët vetë kanë përdorur trajtën arb-. Gjeografi aleksandrin Ptolemeu i shekullit II pas Krishtit shënon te harta e tij e botës midis Orestise Almopërve, në lindje të Lezhës (Lissus) fisin Albavol ( alb). Fisi banonte në Shqipëri të Mesme. Vijon një heshtje e gjatë shumë shekujsh . Nga viti 1072 i përmend shqiptarët bizantini Mihael Attaliates. Ana Komnena shek XIII, kujton në Shqipëri në kohën e luftrave bizantino-normane rreth 1079 vendin Arbavov. Në kohë të mesme Arbanum është Kruja, episcopus Arbanensis ipeshkvi i Krujës. Duket se përdorimi më i vjetër i emrit ka qenë te bizantinët trajta arb- gjithashtu, dhe ndër latinët. Këta popullin e quajnë pikë sëpari arbanenses (1166) dhe vendin Arbanum (1204, 1250) dhe vetëm prej kohës së Anjou-ve (1271) dhe tëhu më shumë albanenses e Albania. Nga trajtat e fundit doli italisht albanese. Emri i vjetër ruhet edhe te shqiptarët vetë në trajtën arb-; kështu ndër shqiptarët e Italisë, të cilët të ikur në shek XV, nga vende më shumë toskë e quajnë veten arbëresh. Ky emër përdoret edhe te shqiptarët e Greqisë, që janë edhe këta toskë. Që të dyja këto degë nuk e njohin emrin shqiptar, e kjo tregon se nuk kish filluar të sundonte në Shqipërinë e mbarimit të Mesjetës. Por që emri i moçëm ka qenë i gjallë edhe në Veri të Shqipërisë, gjer në shekullin e XVII, na e dëshmon emri Arbënesh, me të cilin shqiptarët gegë veriorë të dalë rreth vitit 1700 e quajnë edhe sot vendin e tyre( NË Borgo Erizzo në Dalmaci. Me këto data nga diaspora shqiptare përkojnë në pikëpamje të kohës dëshmitë e shkrimtarëve të moçëm shqiptarë: Pjetër Budi 1621 ndegiubu te Arbenesce, Frangu i Bardhë 1635 Arbenesceve. Pastaj te Pjetër Bogdani 1685 na del përbri emrit të vjetër: dheu i Arbënit, t’Arbenescete, “li Albanesi” me fjalë t’Arbenescia edhe emri i ri: Gramatikë Latin e Scqip. Por që në fillim të shek XVIII emri i vjetër ka qenë ende i gjallë: kështu koncili shqiptar i mbajtur nën kryesinë e Papës Klementi XI, quhet në aktet përkatëse të vitit 1706 Cuvendi i Arbënit . Edhe sot gjejmë në Shqipëri një Arbër. Arbëri si emër vendi, dhe arbër si emër fisi. Sipas Johann Georg von Hahn në kohën e tij banorët e Labërisë thoshin se prej kohësh të moçme quhen vetëm Arbën e vendi i tyre Arbëri. Ky përfshin sipas këtij dijetari këto katër pjesë: 1. Krahinën e Vlorës. 2. Himarën në jug të së parës me bregdetin në shkrepa të rrëpjeta e të zhveshura. 3. Rrethin e Delvinës në jug të vendit. 4. Kurveleshin, hinterlandin lab, i cili ngrihet në perëndim të derdhjes së Drinosit e në jug të Tepelenës dhe tek i cili të tri pjesët e tjera duan që të jetë i kufizuar emri Labëri…Gjurmë të emrit të vjetër gjejmë edhe në toponomastikën shqiptare si mbetje të fundit të përdorimit të tij të dikurshëm. Kështu një katund midis Tiranës dhe Petrelës, në atë krahinë, pra ku ka ekzistuar dikur Arbanum, quhet Arbana…Kështu ka të ngjarë që arban- të ketë qenë emri i parë i shqiptarëve… Emri i vjetër i popullit përdoret sot prej poetëve me funksion arkaizues: Gjergj Fishta: Djelmt t’onë e Arbnis uzdaja; Prennushi: Luftuen luftat e zemrës arbnore.si qëndrojnë të dy grupet e trajtave-alb dhe arb- njëri ndaj tjetrit? Holger Pewdersen me mprehtësinë e tij të zakonshme është shprehur që në vitin1894 “që emri i vërtetë i shqiptarëve duhet të jetë me –r- (jo-l) . Por meqë- arb u pat tingëllusar popujve si i huaj, e lidhën me anë të etimologjisë popullore me emra gjeografike fort të shpeshta e të njohura në Alb (Alba, Albani, Albion ) dhe vendin e quajtën Albania e popullin albanenses.

 

Emri Shqiptar

E Oberhummer pranon më së fundmi mendimin e M Lambertzit: Ky dijetar,- thotë Oberhummer,- ia kish shpjeguar emrin mjaft mirë prej shqiponjës, si emën i një totemi nga koha e Skënderbeut. Ky emër pas Lambertzit nuk është aq fort emër popullor, sesa më tepër shprehja e kombësisë. Ky mendim gjen mbështetje të një vrojtim i Edith Durhamit: Sipas kësaj: “një pjesë e madhe e popullsisë së Perëndimit të Gadishullit Ballkanik e identifikon vetveten me shpezë. Shumë këngë popullore vërtetojnë vjetërsinë e këtij besimi. Shqiptarët quhen kështu pas shqiponjës. Besohet ndër ta se është fatkeqësi të vritet një shqiponjë. Lidhjen me shqiponjën e gjejmë qysh te Plutarku te libri Jeta e Pirros, i cili pas fitores që korri mbi maqedonasit u kremtua me emrin Shqiponjë. Në flamurin e Skënderbeut dhe te stema e shtetit të ri shqiptar, ndodhet një shqipe. Malazezët e identifikojnë veten me skifterin”. Këtyre të dhënave të Durhanit dua t’u shtoj se në Shqipëri dhe përgjithësisht në Ballkan dhëndri krahasohet me skifterin , nusja me thëllëzën. Duket pra, që tributet dhe emrat e marra nga bota e shpezëve kanë qenë prej kohësh të zakonshme në Ballkan. Duke përmbledhur na rezulton se emri i ri- shqiptar- na shfaqet si emër familjeje në një kohë kur emri i vjetër i popullit është edhe në lulëzim e sipër. Të dy emrat do të kenë luftuar shekuj me radhë me shoqi-shoqin për përhapjen e vet në popull, gjersa nga fundi i shekullit XVII emri i ri shqiptar-Shqipëri doli fitues. Shkas i kanë dhënë ndofta shtegtimet e shumta të fiseve shqiptare të kohës së mesme, formime fisesh të reja dhe dyndja e osmanëve.