Prof.Dr. Zamira Çavo: Universitetin nuk e bëjnë muret, por stafet dhe metodat

945
Sigal

15 -vjet Universiteti “Marin Barleti”

Universitetin nuk e bëjnë muret por stafet dhe metodat

Intervistë me zv. rektoren e Universitetit “Marin Barleti”, Prof. Dr. Zamira Çavo

Pyetje: U bënë 15 -vite që Universiteti juaj është në treg. Madje është akredituar nga Agjensia Britanike me 6 -vjet dhe pa asnjë kusht. Mendoni se 15 -vite janë të mjaftueshëm për të vendosur mbi të ardhmen e një universiteti privat?

-15 -vite në jetën e një universiteti janë jo pak, po shumë pak përballë qindra viteve ekzistencë të  Universiteteve  në  botë. Por sigurisht,  në kushtet e vendit tone, 15 -vite nuk janë pak për të dëshmuar  qëndrueshmëri, përgjegjshmëri dhe përkushtim. Për të përcaktuar të ardhmen e një universiteti  nuk mjafton historia e tij, as vitet që ka mbi supe. Degradimi i universiteteve ka ardhur  jo nga koha e shkurtër apo e gjatë që ata kanë në tregun e akademizmit, por nga mënyra se si i janë përshatur kohës dhe si i kanë paraprirë të ardhmes. Ndaj them, se 15 -vite për “Marin Barletin” janë një përvojë e mirë për të pretenduar një të ardhme akoma më të mirë.

Pyetje: -Çfarë na bën që ta besojmë këtë?

-Pyetje me vend. Ka shumë gjëra, fakte e perceptime, por unë do ndalem vetëm në disa që i konsideroj shtylla  për  një  Universitet. Në filozofinë tonë  universitetin nuk e bëjnë auditorët, por e bëjnë stafet dhe metodat që ata përdorin. Dhe të dy këta elementë ne i kemi shumë të mirëpërfaqësuar, e mbi të gjitha shumë mirë të orientuar nga e ardhmja. Në 15 -vite ne kemi fituar një përvojë të shkëlqyer  me burimet njerëzore, duke ndërthurur  mjaft mirë përvojat e pedagogëve të rinj, me ata “të vjetër”, të atyre që kanë studiuar në Shqipëri, me ata që kanë studiuar nëpër vende të tjera. Por  kemi kuptuar gjithashtu, se e ardhmja nuk mund të jetë më si e djeshmja, në një universitet të epokës robotike. Ndaj kemi kohë që po përqasim metoda të reja të mësidhënies. Dhe kjo nuk është fort e lehtë. Mund të përdorësh teknologjinë,  por nëse nuk ke ndryshuar  mentalitetin, teknologjia të kthehet në pengesë.  Unë them, se garën me të ardhmen do ta fitojë ai universitet që do të ketë kuptuar qasjen e re historike të rolit të universitetit në shoqëri dhe përdrimin racional të teknologjisë.

Pyetje:  -Meqenëse po përmendni shpesh teknologjinë, ne ju kemi ndjekur edhe në intervista të tjera, ku ju keni thënë, se i jeni përshtatur shpejt mësimdhënies  online. Sa është efektive kjo metodë?

-Pandemia ishte një e papritur për të gjithë botën, përfshirë edhe atë akademike. Unë mendoj, se përshtatja me atë çka ndodhi dhe gjetja e shpejtë e një mundësie normale të vazhdimësisë së  punës si universitet, është ndryshimi që ka filluar të bëjë një universitet që i takon së ardhmes, nga një universitet që mendërisht ka mbetur  në mesjetë! Unë e them me krenari që ne si staf e gjetëm shumë shpejt rrugën për të qenë normal në një situatë anormale. Dhe të vimë te pyetja juaj. Sa është efektive metoda online?  Kjo varet nga disa faktorë. Së pari, nga pedagogu. Sa ai është në gjendje të mos transferojë në teknologji mënyrën e vjetër të mësidhënies. Sepse mësimi online do më shumë përkushtim, më shumë racionalitet dhe më shumë fantazi. Dhe ne ia dolëm shkëlqyer.  Së dyti, sa janë mundësitë e studentëve për t’ju përshtatur  kësaj kërkese. Dhe këtu hyn aftësimi i tyre për të përdorur platforma të reja, por edhe mundësitë reale të pasisjes me internet, kompjuter apo laptop. Mund të them se ne ia kemi dalë mirë në këtë drejtim.

Pyetje: -A janë studentët tuaj të aftë për të hyrë në tregun e punës, apo kur mbarojnë studimet  shndërrohen  në kamarierë, apo  punojnë në callcentër-a?

– Sërish po ndalem në përvojën e këtyre 15 -viteve. Ne e kemi kuptuar se mbi të gjitha, nuk  jemi ne që i shndërrojmë  studentët në  inxhinierë, juristë apo ekonomisë. JO!  Të tillë bëhen në punë! Por ne tashmë e dime,  se studentët duhet  t’i përgatisim të jenë të aftë për t’u përshtatur me tregun e punës. E para, të fitojnë aftësitë e duhura për të qenë profesionistë të mirë! E dyta, të jenë pjesmarrës në procese që lidhen me profesionin, por që kërkojnë edhe vendimarrje personale. Së treti, ne u mësojmë studentëve si  të mos mbajnë shpresa nga shteti, nga fati apo “miku” për t’i hyrë rrugës së profesionit, por të jenë të aftë ta krijojnë vetë vendin e tyre të punës.  U bënë tashmë disa vite që alumni ynë dëshmon  se  85%  e të diplomuarve janë në punë, madje janë të sukseshëm. Një pjesë e tyre na ndihmon për të ecur përpara me këndvështrimet e reja që kërkohen nga tregu. Eshtë një kënaqësi e madhe kur shikojmë  studentët tanë të shkelqejnë në Administratën publike, në jurisprudencë, në banka, në kompanitë ndërkombëtare e deri tek diplomatët e suksesshëm. Dhe ky është sukses!

Pyetje: -Instat-i ka nxjerrë disa shifra ku i klasifikon të rinjtë shqiptarë si dembelë e të pashkolluar. Si e gjykoni ju këtë tezë?

-Personalisht mendoj se sistemi ynë arsimor ka shkuar drejt regresit dhe jo progresit. Kjo sepse politika e ka patur jashtë vëmendjes arsimin ose e ka përdorur për interesat e veta. Kjo e ka zbehur  rolin dhe produktin e arsimit në Shqipëri. Por kjo nuk do të thotë se të rinjtë shqiptarë janë  injorantë. Këtë nuk e pranoj dot. E dini sa ndyshojnë studentët  tek ne nga  nga viti në vit? Jua them me përgjegjësi se kur mbërrijnë në përfundim të bachelorit, edhe ata vetë nuk besojnë se sa shumë kanë ndryshuar, e se cfarë mundësish u kanë dhënë vetes. Por kjo është falë përkushtimit  tonë si pedagogë e si institucion,  dhe jo si pasojë e politikave mbështetëse apo inkurajuese për ta.

Pyetje: -Studenet në një botë globale duhet të jenë të aftë të përshtaten me një treg që shkon përtej tregut shqiptar. Cila është përvoja juaj në këtë drejtim?

-Si të gjithë universitetet, dhe ne kemi partnerët tanë kudo në Europë e më gjerë. Ne jemi pjesë e rrjetit të universiteteve europiane,  por kemi gjithashtu dhe shumë marrëveshje bilaterale me universitete në Rajon, Europë e SHBA e Kanada. Studentet tanë kanë kohë që janë pjesë e praktikave  të  “Erazmusit” , pra ku shkëmbejnë përvojë disamujore në universitete të huaja. Por jo vetëm kaq. Në këto 15 -vite studentët tanë, kanë arritur të krijojën vetë rrjetet e tyre të bashkpunimit, brenda dhe jashtë vendit, duke zhvilluar veprimtari të ndryshme.

Duke ju falenderuar për bisedën, ju urojmë jetë të gjatë si institucion me vlerë për studentët tanë.