Prof.Dr.Zaho Golemi: Dëshmorë të truallit arbëror

357
Sigal

Lakmia që paguhej me flori, grada e ofiqe, për zotërimin e jugut të Arbërisë

 DËSHMORË TË TRUALLIT ARBËROR

 (Në përkujtim dhe homazh të dëshmorëve të Atdheut, Bajo Arif Kazo (1820-1854) dhe Habil Shuko Xhuvani (1824-1854), bijëve të Fushëbardhës, që gjakun e dhanë për shqiptarizmën, në betejë  në mars të 1854, si dhe mbi 800 dëshmorëve të rënë në rrethinat e Mecovës, në luftë për truallin arbëror të Vilajetit të Janinës)

 Prof. asoc. dr. Zaho GOLEMI

 Lufta për mbrojtjen e tokave shqiptare në veri dhe në jug të Shqipërisë, ka qenë e gjatë dhe e përgjakshme. Dëshmorët e saj janë të panumërt, edhe pse Shqipëria ishte nën pushtim. Lakmitë e fqinjëve të shqiptarëve jo rrallë, kanë pasur orkestracion gjeopolitik të Fuqive të Mëdha. Katër herë është sprovuar aftësia luftarake në katër luftra për Vilajetin e Janinës, që fillon më 1854 me përballjen historike me lakminë e fqinjëve dhe përfundon me humbjen e trojeve më 1913-ën. Situata politiko-ushtarake e gadishullit ilirik, në 1852-1854, tejet e ashpërsuar, i kishte vendosur nën ethe fqinjët për rikonceptimin e hartës rajonale gjeopolitike. Osmanët ishin dobësuar e konsumuar shumë pas shumë luftrash e pushtimesh. Armiq të shumtë të kësaj perandorie e kërkonin atë të mblidhej në strofullën e vet. Rusia kishte rrëmbyer flamurin e ortodoksisë dhe punonte fort për trazira e turbullira, në funksion të synimeve strategjike. Britania, “luaneshë e deteve” e njohur për platformën e “interesave të përjetshme”, kërkonte konsolidim të pozitave në ishujt jonianë dhe mospërhapjen e influencës ruse në Ballkan; Franca ishte në qëndrim të distancuar neutral. Rusia, kishte gjetur “thembrën e Akilit”, tendencën greke për “Vorioepirin”, dhe pretendimet e pandalshme për territorin shqiptar deri në Shkumbin, që e nxiti Greqinë në jug dhe Malin e Zi në veri, ta fusnin Shqipërinë në “darën” e dy fronteve të luftës, që të falimentonte. Në “lojë” ishte futur joshja me flori, grada e ofiqe nga grekët, që të zotëronin jo vetëm Vlorën. Çamëria, Arta, Peta, Mecova u bënë objekt sulmesh për zotërimin e Jugut të Arbërisë.

 Besë në kuvende, gjak në beteja, ndërsa kënga, arkivi ku arshivohej historia

Besa, trimëritë, gjaku, dhe kënga, kanë qenë bashkëshoqëruese të shqiptarëve shekujve. Ndër betejat ku historia gjëmon dhe jehona përcillet brezave, është lufta e Mecovës, ku përfshihen edhe rethinat e saj, e ku ranë rreth tetëqind dëshmorë anonimë përgjatë shekujve. Në betejat e shumta të 1854, ndërmjet vullnetarëve shqiptarë, osmanëve dhe redifëve shqiptarë, për marrjen e Mecovës, dhe gjithë zonën e Çamërisë e Thesprotisë, gjallojnë këngë në fshatra e krahina, që flasin qartë për gjakun e derdhur betejave të historisë shqiptare, për këtë arsye, ata u përkasin gjithë Labërisë, gjithë vendit. Krenaria dhe dinjiteti, përjetësia dhe lavdia e së shkuarës, shembëlltyra e mençurisë, kënga e popullit që përjetësoi bijtë që ranë për Arbërinë,  ngelën madhërishëm në këngë. Luftrave u paraprinin kuvendet sikurse ndodhën në Senicë, Taroninë, Sinjë, Picar, Mesaplik etj. Kuvendi i Picarit 1846 dhe me tej, Kuvendi i Mesaplikut i 1847, i vunë pikat mbi “i”: “Shqiptarët anë e mbanë,/U mbëlodhë e fjalën dhanë,/mbretit si japim nizamë,/Do t’i zë t’i them me rradhë/Të parë Çelo Picarë,/të dytë Rrapo Hekalë,/dhe pastaj gjithë me rradhë: Zenel Gjoleka, Kuç; Hodo Aliu, Nivicë; Veiz Vasjari, Tepelenë; Hadër Sulo, Kaninë; Dervish Aliu, Dukat; Mato Haxhiu, Brataj; Lilo Qendro, Osman Kuci Fushëbardhë; Fejzo Çika, Borsh; Hodo Aliu, Nivicë; Dule Zoto, Smokthinë; Lulo Abazi, Tërbaç; Kamber Delo, Tragjas; Mete Çobo, Vranisht; Selim Agai,Vlorë; Hito Dauti, Mavrovë; Sheh Aliu, Tepelenë; Spiro Stoja, Labovë; Foto Kopali, Himarë; Gjikë Thanasi, Qeparo; Sokrat Leka, Qeparo; etj.

Lufta e vitit 1854 është prelud i luftrave për mbrojtjen e Vilajetit shqiptar të Janinës, ku edhe të rënët janë të shumtë, ku ranë dhe dy dëshmorët e parë të Fushëbardhës, të njohur nga dokumentat dhe këngët për Bajo Kazo dhe Habil Xhuvani. Ata u nisën për për luftë më 3 mars 1854 bashkë me mijëra vetë nga Vlora, Labëria, Çamëria. U pajisën me armë në Delvinë, Janinë dhe Nartë. Në rrezik ishte toka shqiptare e Thesprotisë/Çamërisë së Mesme. Bandat e gjeneralit grek Teodor Griva dhe vullnetarë të Greqisë në lakmi të tokave shqiptare. Oficerë me prejardhje edhe suliote në ushtrinë greke, si Nikolla Zerva, Noti Boçari, Athanas Kuzonika, Kiço Xhavella, Llambro Ziko, dhanë dorëheqjen nga pozicionet e tyre në ushtrinë, dhe u bashkuan kryengritësit grekë. Masat ushtarake e diplomatike dhe përforcimet osmane nga Manastiri, nuk mjaftuan. Duheshin dhe vullnetarët e redifët e Labërisë, Përmetit e Çamërisë. Arta e kërcënuar u rrethua nga mbi 5000 trupa ushtarake e vullnetare dhe artileria e rëndë osmane. Fakt është se më 15.3.1854, grekët me 6000 trupa kishin pushtuar disa fshatra, burgosnin banorët, vidhnin pronat, pasurinë, thesaret e grave dhe i nisnin në Greqi. Sulmonin dhe plaçkisnin, kryenin masakra çnjerëzore në Mecovë me Grivën në krye. (sipas Trima të Kryengriteve Popullore, Mexhit Kokalari, 1979). Koha thirri në skenë Labërinë të përbashkuar me Mahmut Bej Vlorën, Çelo Picarin e kapedanë të tjerë: “Ngreu Çelo, bën zananë,/ngjesh pisqoll’e jataganë,/të bëç dufek me Junanë!/Kapetan Griva ka dalë,/mbushi vëndin me andarë,/ Del, ore Çelo Mehmeti,/se këtu u bë gazepi,/dolli Junani nga deti,…”. Kënga vijonte: “Mahmut bej me tremijë,/Duall mileti i prinë,/nuk e mbanin dot gëzimë,/kur muzikat po i bijnë”. Redifët e vullnetarët e Labërisë në kujtesën osmane veçojnë betejën dy ditore 25 – 27.3.1854, luftime të shqiptarëve 48 orëshe. Triumfatore dolën forcat shqiptare të Mahmud bej Vlorës, (i ati i Ismail Qemalit): “Erdhi kartë nga Mecova,/bën dufek Mahmut bej Vlora,/Në male pa tretur bora,/e mblodhi Grivën sa dora…”. Një ndër betejat më të përmendura në luftën e vitit 1854, është beteja e 13.4.1854, ku 6000 trupa osmane dhe sidomos vullnetare, të mbështetura nga artileria në Peta, në lindje të Artës, ku pas një beteje të ashpër e të përgjakshme pas humbjesh të mëdha, detyroi Kiço Xhavella me bandën e tij të tërhiqej në jug, në kufijtë shtetit grek. Redifë  vullnetarë të tjerë shkuan më në veri për të asgjësuar çdo lëvizje përreth qytetit të Janinës. Nga ana tjetër lufta zhvillohej dhe në Thesali, me Abaz Lalioti në krye. Bandat andarte greke në tokën jugore shqiptare kryen sulme të rrezikshme dhe krime monstruoze të përgjakshme. Kjo i detyroi osmanët, redifët, vullnetarët shqiptarë, kapedanët të ruanin truallin arbëror nga copëtimi. Ishin kapedanë e luftëtarë që të merrnin gjak në vetull, u rreshtuan për mbrojtjen e truallit të të parëve. Me ta nuk ja delte dot Dhimitër Jorgji Karaiskaqi që udhëhiqej nga parrulla: “Përpara me kryqin në njerën dorë dhe në tjetrën thikën”, sipas Jani Kordhatos. Edhe pas protestës së anglezëve të komisarit të ishujve jonianë, Uard më 17.5.1854, edhe pas disfatës së madhe, grekët nuk hoqën dorë, por u shpartalluan nga forcat shqiptare më 6.6.1854.  Lufta në Mecovë kishte kapedanë të sprovuar: Mahmud bej Vlora, Selim pashë Vlora, Halit bej Frashëri, Çelo Picari, Kalem Hadëri nga Picari, Bajo Kazo e Habil Xhuvani nga Fushëbardha, Ibrahim Sino nga Gjirokastra, Ahmet Çapari nga Luarat i Margëlliçit, Selam Hasani nga Velça e Vlorës, Hasan Çako nga Kaparjeli, Shako Xhaka nga Tërbaçi i Vlorës, etj. Ata e njihnin mirë nizamllëkun, që “kishte mbirë” në çdo prag, por njihnin në detaje jetën shqiptare me shpirt ndër dhëmbë dhe dinin të masnin dhe të peshonin hallet e kohës dhe rrugën e shpëtimit.

 Këngët që ruajtën historinë e shqiptarizmës

Kundërpërgjigjja ndaj grekërve më 3.3.1854 nga vullnetarët shqiptarë, me tre batalione, që u hodhën në Çamëri, në Peta, Artë, Prevezë, Mecovë, Salahorë, ishte energjike. Luftonin luftëtarë profesionistë mjeshtra të veprimit luftarak. Organizatori i djemve të Fushëbardhës kapedani i vjetër Osman Kuci, burrë i fjalës së rëndë e me peshë në kuvendeve, i qau djemtë e vatanit, trima të Fushëbardhës, Bajo Kazo dhe Habil Xhuvani, që u varrosën “ku i zinte balta”, në Mecovë, përjetësisht në memorie të kombit si, “dëshmorë të rënë për truallin arbëror”. Kënga dhe vetëm kënga nuk i la në harresë: “Mecovë e bukur në pllajë,/Mos mbaj zi për kordhëtarë,/Për djemtë e Labërisë,/Korjuxhu (koruyucu) të sinorisë,/Tepelenas e Vlonjatë,/Që rrojnë me bukë thatë,/..Kënga flet për trima të “zgjedhur me dorë”: Bajo Kazo, Habil Xhuvani dhe luftëtarë të tjerë nga fiset: Yzeiri, Bineri, Çarçani, Golemi, Veliu, Onjea, Shalari, Shkurti, Kazo, Xhuvani, Poçi, Shehu, etj., tridhjetë luftëtarë, trima që “luftën ua hante syri”. Bajo Kazo dhe Habil Xhuvani ngelën si dy memorialë lirie, dy lapidarë kushtrim brezash, që kanë ngelur përjetësisht në vargjet  popullore: “Mecova larë me gjak,/Luftojnë bijtë nën një bajrak,/Kashaisën Rumelinë,/Dy tabor të djalërisë,/…U vranë ca trima të rrallë,/Labëri ç׳i bëre lotë,/I derdha për ca luanë,/Për Bajon dhe për Xhuvanë”, dhe më tej: “Në Fushëbardhë dy nishanë,/ Bënë harb me junanë,/Xhanin dhanë për vatanë,/Habili me Bajo Kazë”. Këngët janë ato që e shkruan historinë, vaji i këngëve ishte arkivi i shekujve, kur shqipja ndalohej, vritej e persekutohej. Kënga mbajti gjallë brezin e burrave të stërralltë, të besës, nderit, trimërisë dhe gjakut të derdhur për liri, për truallin arbëror. Kënga dhe polifonia kanë ngelur rojtare të historisë së trimërisë shekujve, që flet shumë për trimërinë, heroizmin, besën, kuvendet, për djemtë që ranë anë e mbanë vilajeteve shqiptare për mëmëdhetarinë, për Arbërinë. Dy ndër tetëqind trimat që ranë në pranverën e vitit 1854, kanë qenë dhe Bajo Kazo dhe Habil Xhuvani nga Fushëbardha e Gjirokastrës. Ata kishin shkuar në këtë përgjakje masive të luftës së parë për Vilajetin e Janinës, bashkë me luftëtarë të tjerë të përgatitur nga kapedani Osman Kuci, ndërkohë që çdo kapedan përgatiste çetën e tij të trimave. Ky kapedan ka qenë i përmendur historikisht nëpër këngë edhe si pjesëmarrës në beteja dhe në kuvende, atje ku jepej besa për luftë dhe në unitet, shkonin dhe luftonin për mëmëdhe. Bajo Kazo ishte lindur në Fushëbardhë të Gjirokastrës në pranverë të vitit 1820, në një familje me tradita të shquara atdhetare, në një oxhak i madh, me burra të shquar të pushkës dhe jataganit, si familje patriotike. Rrënjët e përbashkëta të fisit Kazo kanë qenë të çimentuara bashkë me fisin Shalari dhe Shkurti. Ndërsa fiset Xhuvani, Poçi dhe Shehu ishin të një zjarri/oxhaku. Që në djep u rritën me këngë: “Rritu bir i nënës,/Të pret istikami,/Ngjishe jataganin,/Ta ndjekësh dushmanin..”. Një ritual i qëndresës dhe mbijetesës. Dhe kështu ndodhi, prandaj dhe tregohet e këndohet historia. Dëshmori i dytë ishte Halil Xhuvani, që ishte lindur më 1824, dhe që ra në fushëbetejë pak ditë pas Bajo Kazos. Fisi i tij i shquar për luftë e qëndresë, një racë arbërore që mori pjesë në luftë që në ditën e parë më 3 mars 1854, deri sa ngeli lapidar kushtrim brezash, në fushëbetejë në Mecovë në pranverën e 1854, i përjetësuar në këngë: “Mecova larë me gjak,/Luftojnë bijtë nën një bajrak,/.. Flakë e ndezën vatanë,/U vranë ca trima të rrallë,/Për Bajon dhe për Xhuvanë”. Dhjetra këngë të tjera e njohin përgjigjen thirrjes si redif/rezervist në mbrojtje të truallit arbëror të vilajetit të Janinës kur u lëshua thirrja: “Vilayet tehlikede”/vilajeti në rrezik!”. Ndërgjegjja kombëtare ishte praktikisht në sprovën e radhës, sa herë fshatrave u kërkohej që të ngrinin çetën e luftës, ndërkohë që për luftë shqiptarët ishin gjithmonë të gatshëm, sepse të tillë i kishte përgatitur historia. Tradita njihte mjaftë kuvende burrash si ai i Besës në Senicë më 1770, kuvendi i Rrepeve të Agait më 1773 të organizuar ligjvënësi popullor Idriz Sulli, kuvendi i Picarit, i Mesaplikut etj. Këto ngjarje ishin vetë jeta e njerëzve të rinj dhe të moçëm të Fushëbardhës dhe të gjithë trevës labe. Përgatitja për luftë me jatagan e pushkë ishte zanati që trashëgohej brez pas brezi, ndërkohë që sulltanati e shfrytëzoi jo pak herë, trimërinë e shqiptarëve për të mbrojtur tokat nën pushtim, edhe pse ato vetë, ishin toka shqiptare. Fushatat luftarake rëndonin mbi redifët/rezervistët, por dhe vullnetarët e Labërisë. Labëria brez pas brezi kishte rritur një brez djemsh të mençur e trima, që e ruanin të çmuar besën e kuvendeve, besën e luftës dhe trimërisë, kur në sprovë ishte trualli i të parëve jo si detyrim shteti, por si detyrim kanunor duke i vendosur gjoksin rrezikut, për mbrojtjen e truallit arbëror. Bijtë lebër e derdhën gjakun dhe trimëria kishte vetëm një dekoratë “këngë trimash”. Historia e të rënëve ka mbijetuar deri në ditët tona dhe që publikohet në kuadër të 201- vjetorit të lindjes së Bajo Kazos dhe 167 -vjetorit të rënies së dy dëshmorëve të Labërisë, Bajos dhe Habil Xhuvanit. Eshtrat e tyre nuk gjenden as në varrezat e Dëshmorëve por “ku i zinte balta” në rrethinat e Mecovës, si lapidar përjetësie të lavdie e krenarie të famës labe, si memorial lirie dhe kujtese e përjetshme:  “Mecova larë me gjak..”. Dy trimat u shuan në fushëbetejë në moshë rinore, duke ngelur një emër i ndritur në historinë labe, në historikun e fshatit Fushëbardhë dhe krejt Labërisë. “Kasta luftëtare” e Ballkanit, që luftoi betejave të historisë dhe: “..gremisi 4 taborë” më 3.3.1854 deri rreth datës 15.6.1854, pati një bilanc me gjakun lumë betejave, në moshë rinore, emërndritur në historinë labe, emërndritur në historikun e Labërisë. Prandaj përkujtohen edhe pas 167 vjetësh, që në bazë të ligjit 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor”, meritojnë nderimin “Dëshmor i Atdheut”.