Prof. Dr. Valter Shtylla: Gjurmë të familjes së Kastriotëve të ruajtura nga Dinastitë Mbretërore nëpër Europë

800
Sigal

Trashëgimia kulturore materiale përbën vlera të jashtëzakonshme për identifikimin dhe faktorizimin e ngjarjeve dhe figurave të shquara në historinë e popujve. Mbështetur në këtë aspekt, merr rëndësi të veçantë evidentimi i gjurmëve materiale të trashëguara deri më sot nëpër vende të ndryshme nga familja e Gjergj Kastriot – Skënderbeut.

Pa dyshim familja e Kastriotëve përfaqëson një derë nga më të shquarat për historinë mesjetare dhe ndër më të respektuarat e tërë historisë sonë kombëtare me kryeshembullin Skënderbeun. Përveç vlerave kombëtare, Skënderbeu gëzonte dhe një reputacion të madh dhe në trojet europiane. Ai dhe familja e tij kishin krijuar lidhje të shumta me dinasti dhe fisnikë të ndryshëm nga gjithë Europa. Pas vdekjes së tij më 1468, shumica e pjestarëve të familjes së tij emigruan tej Adriatikut, nga Italia e deri në Spanjë. Ata u sistemuan në këto troje dhe pas vdekjes së tyre u vendosën nëpër varre monumentalë- vepra arti, sot të trajtuara si vlera kulturore. Në mesjetë ishte një fenoment i zakonshëm lidhja e krushqive ndërmjet familjeve fisnike nga vende të ndryshme. Motra e madhe e Skënderbeut Mara u martua me sundimtarin e Malit të Zi Stefan Crnojeviçin, i cili jetonte në V-P të liqenit të Shkodrës, në fortifikimin Zhabjaku i Crrnojeviçëve. Pranë Zhabjakut në liqenin e Shkodrës, në ishullin e Komit, Crrnojeviçët u dërtuan një manastir tip mauzoleu për varrimin e pjestarëve të familjes. Në manastir ndodhet kisha e Shën Mërisë, ndërtuar ndërmjet viteve 1415 – 1427. Nënaosin e kishës shtrihen pllakat e varreve të kësaj familje. Pasi hyn në kishë, djathtas janë pllakat mortore të djemve të Stefanit, Aleksej dhe Gjergji. Pas vdekjes së babait Stefan, Ivan Crrnojeviçi zgjodhi mjeshtërit më të mirë nga bregdeti për gdhendjen e pllakës së varrit të nënës së tij Mara. Pllaka me përmasa 60×180 cm, me një bordurë anësore të gdhendur, në qendër të saj ka tre lule formë rozete. Tatjana Pejoviç në botimin e vitit 1995 “Manastiret në territorit të Malit të Zi”, shprehet “Pllakat e varrit të prindërve të Ivanit, Stefanit dhe zonjës së tij Mara Kastrioti, princeshë shqiptare, motra e Skënderbeut, kanë zbukurime të pasura në gur. Pllakat e tyre, majtas hyrjes shërbejnë si dysheme e naosit. Në krye të pllakës së Marës është inçizuar një monogramë ku shënohet “Kjo është pllaka e zonjës Mara princesha e Crna Gora, motra e Georgio Skanderbeg”.

Duket vlerësimi i princave sllavë për Skënderbeun, të cilët në epitaf nuk kanë shënuar si zakonisht emrat e prindërve të së ndjerës por emrin e të vllait, i njohur dhe vlerësuar nga të gjithë.

Famija e Gjon Kastriotit, babai i Skënderbeut, përbëhej nga katër djem dhe pesë vajza. Vëllai i madh i Gjergjit ( Skënderbeut ) Reposhi përfundoi murg në Mout Athos ( Mali i Shenjtë ) pranë Selanikut në manastirin e Hilandarit, të shekullit të XI-të. Në arkivën e Manastirit ruhen dy dokumente që lidhen me emrin e Gjon Kastriotit. Në dokumentin e vitit 1426 thuhet se “Gjon Kastrioti me katër djemtë e tij Stanishin, Reposhin, Kostantinin dhe Gjergjin i falën manastirit tëHilandarit katundet e krahinës së Rekës në Dibër, Radostushën dhe Trebishtin. Në dokumentin e dytë, të padatuar thuhet se igumeni i manastirit te Hilandarit i shet Pirgun e Shën Gjergjit Gjon Kastriotit dhe tre djemve të tij Reposhit, Kostantinit dhe Gjergjit për 60 florinj, objekt i cili edhe sot mban emrin Pirgu i Shqiptarëve.

 

Autori Sreten Petkoviç në librin “Chilaudar” të vitit 1999 shprehet se “Kulla e Shqiptarëve u ble nga Gjon Kastrioti dhe djemtë e tij në dekadën e tretë te shekullit të XV-të për ta përdorur kur ta kërkonin rrethanat”. Ai vazhdon se në vitet 1430-1431 Reposhi, vëllai i të famshmit Skënderbeg nga familja shqiptare e Kastriotëve u varros në një varr të ndodhur në murin verior tënarteksit të brendshëm tëkishës. Studjuesi i njohur kroat Milan Shuflaj thekson se “ mbi varrin e Reposhit në brendësi të objektit kryesor të manastirit (kisha e Shën Mërisë)”, është gdhendur identifikimi historik tepër domethënës “Duka i Ilirëve”.

Në qendër të Napolit ndodhet Kisha monumentale Santa Maria La Nova, me origjinë nga fundi i shekullit të XIII-të në kohën e Karlit të parëAnzhu. Pas dëmtive në shekujt XV-të dhe XVI-të në gjendjen e sotme kjo kishë paraqitet jo më e hershme se tre shekuj me relike të mbetura nga shekujt paraardhës. Kisha e Napolit është një vepër e rëndësishme e artit dhe e studimeve religjoze italo-mesdhetare.

Në portikun ( atriumin ) e kishës ndodhen një sërë varresh monumentalë ndërmjet të cilëve spikat ai i Kostantin Kastriotit, djali i Gjonit dhe nipi i Skënderbeut. Ky varr është një vepër arti në mermer, i punuar nga mjeshtri i njohur Jacopo della Pilla. Kostantini, djali i Gjonit, vëllai i Alfosit i varrosur në Valencia në moshën 20 vjeçare në vitin 1497 u shpall Kryepeshkop i Izernias në Veri të Napolit pranë Molizes. Varri u ndërtua nga gjyshja Donika (gruaja e Skënderbeut) e cila në epitaf pati shkruar “Kostantin Kastrioti”, i varrosur këtu, i cili është prej gjaku e farefisi të kulluar mbreti e perandori dhe fisnik për dlirësi dokesh, për dinjitet kryeprift i Izernias, që vdiq para kohe. Donika Komina, stërgjyshja nga babai, i bëri këti varr të mrekullueshëm në vitin njëmijë e pesëqind. Siç dihet, pas vdekjes së Skënderbeut, familja e tij u larguan ne Napoli e Valencia. Dhe pikërisht varrin e Napolit, Donika e realizoi kur ishte në Valencia. Kompozimi në tërësi i varrit me sarkofagun, kornizat, epitafin etj, është një vepër arti e arrirë. Brenda një kornize anësore të varrit është gdhendur një mburojë ovale. Në qendër të saj shquhet shqiponja dy krenare me kurorat mbretërore mbi kokat. Në mesin e dy kokave del në relief ylli me tetë cepa. Në krye, jashtë mburojës lartësohet kurora e Krypeshkopit, simboli funksional i Kostantin Kastriotit. Ylli me tetë cepa që përfaqëson diellin duket si simbol i Kastriotëve siç vërehet dhe në vulën zyrtare të Skënderbeut të ruajtur në arkivat e Raguzës (Dubrovnikut) në Dalmaci.

Pas vdekjes së Skënderbeut, familja e tij emigroi në Mbretërinë e Napolit, duke u marë në mbrojtje nga dinastia e Aragonëve. Në vitin 1499 kur Nëna Mbretëreshë Xhovana bashkë me të bijën shkuan në Valencia tek i vëllaj Fernando Katoliko, Donika për në Valencia udhëtoi bashkë me familjen e të birit, Gjonit, si dhe një eskortë prej 20 kalorësish. Gjoni, djali i Donikës dhe i Gjergj Kastriot Skënderbeut, ishte martuar me Irenën, vajzën e despotit serbLazar Brankoviç dhe tëElena Paleologut, vajzën e despotit të Moresë, Tomas. Gjoni me Irenën që vdiq në vitin 1505, pati shumë djem të cilët vdiqën në moshë të re veç Ferdinandit. Gjoni me të birin Alfonsin kanë qënë në Spanjë, ku në vitin 1500 kanë luftuar përkrah spanjollëve kundër arabëve në krahinën e Alpanjaros. Më 23 gusht 1503 Donika është parë në një pritje me mbretëreshat aragonase në Valencia. Më vonë kur në 1506 ato u kthyen në Napoli të pa shoqëruara nga Donika, e cila me sa duket mbeti në Valencia. Në qendër të Valencias ndodhet Manastiri Mbretëror, San Trinidad, i ndërtuar në vitin 1458 nga Mbretëresha aragonase Maria de Castiljo, e cila në vitin 1458 u varros në atriumin e brendshëm të Manastirit, ne një varr monumental të skulptorit të njohur Antoni Dalmau. Autorët Sales më 1761 dhe Goerlich 1998, publikojnë se në kapelën San Migele, në V-L tënaosit, në fillim të shekullit të XVI-të, është varrosur gruaja e Gjon Kastriotit, birit të Mbretit të Shqipërisë Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur si Skanderbeg nga turqit. Sipër varrit ka qënë ikona e Shën Mërisë, sot e çvendosur në kapelën karshi, e cila ishte dhuruar nga Beatriçja e Hungarisë, mike e Xhovana Skanderbeg, gruaja e Gjonit. Në kapelën San Migele është gërmuar dhe nuk kanë dalë varre të hershme. Fakti se pas vitit 1506 Donika nuk u kthye më në Napoli, të bën të mendosh se edhe ajo mund të jetë varrosur në Valencia, bashkë me eskortën historike të saj, e cila mund t’i ketë varret në atriumin e brendshëm të manastirit.

Nënaosin e kishës ndodhet pllaka e varrittë Alfonsit, birit të Gjonit.Varri i tij ka qënë në qoshen V-P tënaosit, nën ballkonin e korit të kishës, por pas djegies së kishës ajo u ruajt në kapelën në skajin jug-perendimor. Mbi pllakën mermer i zi lexohet përmbatja e epitafit “ Këtu prehet Alfonso, biri i të famshmit Georgo Castroto, mbret i Albanisë, i braktisur nga turqit, fortesë e pamposhtur e Krishtërimit, i cili u quajt nga turqit Eschanderbech dhe i cili për prejardhjen e tij, vlerën dhe madhështinë e shpirtit krahasohej me mbretin Alesandro të Maqedonisë. Vdiq në moshën 15 vjeç në këtë qytet të Valencias, viti 1503. Duke parë moshën dhe vitin e vdekjes si dhe botimet del qartë se bëhet fjalë për djalin e Gjonit dhe jo të Skënderbeut.

Real Manastiri i San Trinidad i Valencias shpreh qartë lidhjen e fuqishme të familjes arbërore të Kastriotëve me Dinastinë e Aragonëve. Këtu pasqyrohet orientimi europiano-perëndimor i Skënderbeut si dhe përqafimi i fesë Katolike nga ana e tij. Varrimi i një pjese të familjes së Kastriotëve në këtë manastir ku prehet dhe vetë mbretëresha aragonase, dëshmon konsideratën e lartë të dinastisë spanjolle të kohës nga Kastriotëve të Arbërisë. Mbetet për t’u sqaruar problemi i vendvarrimit të Donikës. Në pllakë cilësohet “I famshmi” dhe “Mbreti i Shqiptarëve”. Dihet se Skënderbeu rastësisht nuk u shpall “Mbret” nga ana e Papatit pasi Papa Piu II nuk mundi të mbrinte në Shqipëri në vitin 1464 për të kurorëzuar atë si “Monark”.

Epitafi e quan heroi tonë “fortesë e pamposhtur e krishtërimit” një tregues që e vlerëson shumë figurën e Skënderbeut nga ana e Komunitetit Perendimor. Kjo është një shprehje e përsëritur shpesh por kur është e gdhendur në një gur historik të vitit 1503 në zemrën e një kryevepre religjoze mbretërore aragonase, shprehja fiton vlera të shumfishta. Pllaka mbyllet me krahasimin e figurës së Skënderbeut, me atë të një personazhi historik botëror siç është Aleksandri i Madh, vlerësime që nuk kanë nevojë për komente.

Një tjetër personazh historik që prehet jashtë trojeve arbërore është Shën Angjelina Shqiptare, vajza e Gjergj Arianit Komnen Topisë, zot i Çermenikës, i Mokrës e i Shpatit deri në lumin Devoll. Gjatë një vizite që bëri në vitin 1461 despoti i çfronësuar serb Stefo Brankoviçi, djali i despotit Gjergj Brankoviç, ai u njoh dhe u martua me Angjelinën vajza e gjashtë e Gjergj Arianitit, duke u bërë kështu kunati i Skënderbeut. Gjergj Kastrioti ishte martuar me Donikën, vajza e madhe e Arianit Komnen Topinë. Në vitet 1509-1516 Angjelina e ndërtoi Manastirin e Krushedolit në Frushka Gora të Vojvodinës. Ky manastir njihet si vepër e përshpirtshme e familjes së despotit Brankoviç.

Në vitin 1516 në këtë manastir u varros Angjelina, ku prehen dhe familjarët e saj, 200 vjet më pas në vitin 1716 manastiri u dogj duke u dëmtuar kështu dhe shumë relike të këtij objekti religjoz. Sot Angjelina është shpallur shenjtore duke u njohur me emrin “Shën Angjelina Shqiptare”. Veç eshtrave të familjes së Kastriotëve, mjaft fisnikë të tjerë arbërorë prehen jashtë trojeve tona. Përmendim bazilikën e Frankavilës në Bari ku ndodhen mbetje të Muzakajve, kishën e Shën Sofisë në Gravina ku prehet vajza e Vrana  Kontit e martuar me Orsinin e njohur, qytetin e Fanos ku kunati i Skënderbeut Konstandin Arianiti u shpall “Dukë”, i cili prehet në kriptet e kishës së Shën Agostinit pranë Panteonit në Romë.

Ishin këto disa shënime në kushtet e një mungese të relikeve në muzetë tona nga Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu si dhe nga familja e tij.

Mendoj se nga ana e institucioneve tona që administrojnë historinëdhe kulturën mund të ndërmeren inisiativa për ekspozimin e këtyre veprave në muzeumet tona. Ato mund të fotografohen, të kopjohen me metoda e mjete të kohës. Pavjonet e Kastriotëve në muzetë tona e meritojnë të plotësohen e pasurohen. Specialistët ndoshta mund të thellohen dhe më tej deri tek specifikimi

i ADN-ve etj. Kuptohet se këto programe mund të përfshihen dhe në kuadrin e marrëveshjeve kulturore shtetërore apo institucionale.

Mbetemi borxhlinj ndaj figurave tona historike aq më tepër ndaj atyre me veprimtari jashtë atdheut.

Prof.Dr.Valter Shtylla