Prof.Dr.Selman Sheme: Trashëgimia dhe arkitektura shqiptare në Çamëri

17
Sigal

Shoqëria Çamëria në bashkpunim me Institucionet Shkencore Akademike duhet të hartojnë me urgjencë një regjistër kadastral mbi pronësinë e shtëpive në Çamëri

Trashëgimia urbane dhe arkitektura e vendbanimeve shqiptare në Çamëri.

Sot ka shumë banesa e fshatra të shkatërruara nga erozioni i kohës gjatë 80 viteve, kur banorët autoktonë u shpërngulën me forcë nga shtëpitë e tyre.

Peizazhi urban i Paramithisë të jep imazhin e një shqiponje

 Me rastin e 110-vjetorit të kolonizimit grek të Çamërisë (1913-2013)

Piktori anglez Eduard Lear (më 1851) shkruan se Filati është vëndi më i këndshëm që ka parë në Shqipëri.

  Zhvillimi urban në shek. XIX-të.

Në shek e XIX-të Krahina Jugshqiptare e Çamëria njohu zhvillimin më të madh urban ekonomiko-tregtar, fetar, arsimor dhe arriti numrin më të madh të popullsisë. Në vitin 1900 Janina kishte 1300 dyqane, Preveza 180, Parga 120, Filati 90 dyqane etj. Pazaret e qyteteve kanë qenë pazare tipike mesdhetare të ngjashme me pazaret e tjera të vendit tonë. Rrugët e kalldrëmëve në qendër dhe radha e dyqaneve në të dy anët e tyre ishte jo vetëm funksionale, por edhe një ansambël arqitektonik ku dominonin hyrjet dhe dritaret me harqe si dhe banesat dy katëshe të lidhura varg me njera-tjetrën të ngjashme me pedonalen “Kol Idromeno” në Shkodër. Komplekset e dyqaneve, shërbimet, kafenetë, restorantet si dhe hotelet plotësonin të gjitha kërkesat e banorëve dhe vizitorëve, që vinin në Çamëri.

Banesat e Çamërisë kanë qenë në përgjithësi dy katëshe. Konsulli francez Fransua Pikëvil  si dhe konsulli anglez Martin Lik që kanë qenë diplomatë në Janinë, në veprat e tyre përshkruajnë edhe banesat e Çamërisë “si banesa të gurta me dy kate”. Kushtet e mjedisit natyror, zhvillimi ekonomiko-shoqëror, materialet e ndërtimit dhe mjeshtrit popullor kanë qenë faktorët kryesor që kanë përcaktuar tipologjinë arkitektonike dhe në tërësi kompozimin e banesave

Ndër tipet kryesore të banesave me arkitekturë të zhvilluar janë ato të banesave qytetare me zhvillim me një krah, banesa me zhvillim me dy krahë ose “DIVITLE”, banesa me zhvillim në dy krahët dhe me kullën mbrojtëse etj.

Gjithashtu në Çamëri arkitektura e banesave përfaqësohet edhe me banesën e tipit kullë. Banesa me arkitekturë të

zhvilluar me dy kate e deri në ato qytetare me zhvillim në një dhe dy krahë “DIVITLE”, banesa me pseudo-çardak, portat e oborrit me qemer, qoshet e harkuara bukur etj, janë ndërtuar me gurë të cilësisë së mirë dhe materiale ndërtimi që gjenden në afërsi të maleve dhe territoret përreth qyteteve. Ansamblet apo grupet e banesave me arkitekturë të zhvilluar, si në Filat, Konispol, Margëlliç, Paramithi, Gumenicë, e tjerë, janë ndërtuar dhe banoheshin nga shtresat e pasura të popullsisë, ndërsa banesat për masën e popullsisë kishin një arkitekturë të thjeshtë, megjithatë ato janë ndërtuar me material guri.

Në tërësi në Çamëri nuk ka pasur kasolle të ndërtuara me kashtë sikurse në fushën e Vurgut, Mursisë apo Myzeqesë. Edhe ndëertesat e thjeshta në vendbanimet rurale të rajonit, banesa të fundit të shek XIX-të përbëhen shpesh me dy kate, por në dallim nga ato qytetare në katin e parë strehoheshin kafshët dhe ky kat quhej katua. Ne katin e dytë banonin familjet e thjeshta. Edhe në këto banesa qemeri dhe harqet janë reflektuar tek porta e katit, dritaret dhe dera e shtëpisë. Si materiale për mbulimin e këtyre banesave të thjeshta gjithmonë janë përdorur rasa të holla guri që nxirreshin në malin e Saraqinit, Dugles, Kurilles, Bozhurit, Trimit e tjerë.

Kjo teknikë ndërtimi ka qenë e përhapur në të gjitha fshatrat malore të Shqipërisë, si në fshatrat malore të Korçës, në Dukagjin, Malësinë e Madhe etj.

Tipi i banesës është dëshmi e identitetit kulturor regjional dhe kombëtar shqiptar të krahinës së Çamërisë.

  Monumentet kulturore

 Që nga fillimi i shek XVII-të dhe veçanërisht në shek XIII-XX, paralelisht me procesin e islamizimit, në krahinën e Çamërisë, u ndërtuan një sërë objektesh kulti me vlera të mëdha për artin tonë të kësaj periudhe. Objektet e kultit në Çamëri kanë analogji me njëra tjetrën dhe me objektet e tjera të kultit të ndërtuara në gjithë Shqipërinë në këtë periudhë.

Në Çamëri ka pasur një numër të konsiderueshëm monumentesh islamike ku mund të veçohen xhamia e Filatit, xhamia e Margëlliçit, xhamia e Paramithisë, xhamia e Gumenicës, xhamia e Luaratit, xhamia e Koskës, e tjerë.

Në veprat e artit të aplikuar në shekuj me vlera etno-kulturore autentike bëjnë pjesë teatri i Dodonës, i Nikopolit, qëndrat urbane si: Ozdina, Elea, Pasaroni edhe  mjaft fortifikime ilire të cilat më vonë u bënë themelet e kështjellave të mëdha veneciane e turke.

Në peizazhin rural të Çamërisë sot ruhen disa dëshmi të palëvizshme të kulturës material të këtij Rajoni dikur të populluar, në formën e banesave të shkatrruara, kalave Ilire, Veneciane e Osmane, objekteve të kultit, etj., të cilat kanë mbetur të izoluara në kodra të mbuluara nga shkurre mesdhetare apo banesa e fshatra të shkatrruara nga erozioni i kohës gjatë 80 viteve, kur banorët autoktonë u shpërngulën me forcë nga shtëpitë e tyre.

Këto objekte të kulturës material në Çamëri përbëjnë një nga zonat më të rëndësishme gjeografike të monumenteve historike e kulturore të periudhës Ilire, Veneciane dhe Osmane të Europës Juglindore.

Disa nga monumentet më të rëndësishme të trashëgisë historike e kulturore janë:

Në Rajonin e Filatit:

Piktori anglez Eduard Lear (më 1851) shkruan se Filati është mbase vëndi më i këndshëm që ka parë në Shqipri.

Ky qytet është një nga monumentet më të rëndësishme urbane të Çamërisë me një trashgimi të pasur historike e kulturore. Në zonën periurbane të Filatit ndodhen qyteza antike e Gumanit, Ozdinës dhe Mihalarit, amfiteatri i Gjitanit, ura e Gumanit, Kalaja Lopsit, Sarajet e Dinastisë së Dinenjëve, etj.

Sot kryeqendër e Thesprotisë është qyteti i Gumenicës. Në këtë qytet, port detar, mbi një kodër të gjelbëruar ndodhet Kalaja Mesjetare që dominon gjirin e Gumenicës, Parku Arkeologjik “PHANTOE” dhe në afërsi të qytetit fshati Ledhëz, vendlindja e Mbretit Pirro të Epirit.

Në rrëzë të malit të Bozhurit, në hapësirat e një kodre shtrihet  qyteti i Margëlliçit. Në peizazhin urban të tij dominojnë shtëpitë me çardak dhe ruhen deri në ditët e sotme banesa e vjetër e Pashait Osman si dhe dy kala të ndërtuara nga Turqit.

Rreth 12 km në jug-perëndim të Margëlliçit ndodhet qyteti- skel i Pargës, perla e Rivierës së Çamërisë. E vendosur në shpatet e kodrave që qarkojnë qytetin shtëpitë karakteristike kurorëzohen nga kështjella historike. Peizazhi i Pargës dominohet nga kjo kështjellë e vjetër e ndërtuar mbi një shkëmb, që futet në det. Ajo është e qarkuar nga kopshte me portokalle, limon e ullinj që dekorojnë peizazhin urban.

Në rrëzë të shpatit veri-perëndimor malit të Kurillës shtrihet qyteti i Paramithisë, një nga monumentet më të rëndësishme urbane të Çamërisë.

    “Shkëmbenjtë e Paramithisë,- shkruan piktori anglez Eduard Leare,-rrëzë të cilëve pirgosen shtëpitë piktoreske, me kroje, kisha, xhami dhe dy kështjella, e bëjnë qytetin nga më madhështorët e të bukurit të vendosur në Shqipëri”

Peizazhi urban i Paramithisë të jep imazhin e një shqiponje. Në kodrë Gallata ngrihet kalaja Elimo-Bizantine “Ajdonat” dhe nën të  kulla e lartë e Bollatatëve.

Në skajin më jugor të trojeve të banuara historikisht nga shqiptarët etnik ndodhet Preveza, nje monument tjetër urban i Çamërisë. Pozicioni gjeografik i qytetit është shumë i bukur në hyrje të gjirit të Artës, në gadishullin e Aktiumit e që i shëbëllen peizazhit urban të Stambollit në miniaturë. Në jug të qytetit, anës detit ndodhen tre kala të ndërtuara nga Ali Pash Tepelena.

Rreth pesë km. në veri të Prevezës ndodhet Nikopoli, qytet i themeluar nga Oktjavjan Augusti (viti 31 p.e.r.). Ky qytet madhështor më 1031 u pushtua dhe u shkatërrua nga Bullgarët e Sërbët. Sot është një qëndër arkeologjike.

  Veçoritë  gjeografike të vendbanimeve

Vendbanimet rurale e urbane në gjeohapësirën e Çamërisë janë vendosur në fushat aluvjonale bregdetare, në tarracat e katëzuara të luginave gjeomorfologjike të lumenjve, në shpatet perëndimore të vargjeve kodrinor malor, në kodrat e buta e të valëzuara të dominuara nga peisazhi i flishit, si dhe në basenet e mbyllura si ai i Margëllëçit, Frarit, Gardhiqit, Llaka Sulit etj. Tipi  më i përhapur  i  vendbanimeve  është  ai  i qendrave  të vogla  rurale me 50 -100 shtëpi. Kushtet ekonomiko– shoqërore, topografia e terrenit, materjalet e ndërtimit dhe mjeshtrit popullorë, kanë përcaktuar kompozimin arkitektonik të banesave. Në fshatrat e Çamërisë hasen edhe banesa të tipit kullë si në rrethin e Paramithisë, Margëllëçit, Filatit, Konispolit e tjerë. Fshatrat e Çamërisë janë vendbanime me ndërtesa të  grupuara, me shtrirje urbane koncentrike dhe lineare. Në vitin  1944 Çamëria kishte 269 fshatra dhe 10 qytete . Teritoret rurale zënë pjesën  më  të  madhe  të sipërfaqes pasi në krahinë  aktiviteti  kryesor ekonomik është bujqësia.

Kjo  gjeohapësirë  tipike  rurale në 80  vjetët  e fundit  është duke  u shpopulluar. Rreth  347  fshatra të Rajonit të Epirit janë  krejtësisht të braktisur  prej të cilëve 279  fshatra  janë vendbanime të trungut  etnik  shqiptar, popullsia myslimane e të cilëve u shpërngul  me forcë  në  vitet 1913-1920, 1923-1926, dhe  1944-1945.

Në  dekadat  që pasuan  me gjithë  pasurit e burimet  natyrore, nuk  janë bërë investime për zhvillimin e industrisë, sektorit terciar  e kuaternarë, e për pasojë Çamëria ( Epiri  ) ka mbetur krahinë tipike agrare,  më e prapambetur  në Greqi.

Në peisazhin rural të Çamërisë ruhen  disa dëshmi të palëvizshme të këtij rajoni dikur të populluar, në formën  e  shtëpive  të shkatërruara,  xhamive, kullave dhe ndërtesave të tjera, të cilat kanë mbetur të izoluara  në kodra apo skuta të fshehura nën toka nga erozioni e shkatrrimi , në rrethinat  e vendbanimeve të  reja.

 Strategjia e helenizimit të Çamërisë në aspektin urban  e arkitektonikë ka qënë  lejimi i një procesi  të ngadalshëm dhe tepër  të fshehur të erozionit të historisë dhe trashëgimisë Çame dhe zëvendësimin e saj me “modernizimin”  grek.

Kohët e fundit ky proces shkatërrimi  po  merr përmasa  alarmante  dhe nëse nuk merren  masa  të shpejta Evropa do të humbas, një  pjesëz  mjaft  të  rëndësishme  të së kaluarës  së saj Otomane. Në këtë vështrim  …. “Trashëgimia Çame  nuk është një çështje që i  përket një grupi. Ligjshmëria e vendbanimeve çame në veri-perëndim të Greqisë  duhet të konsiderohet si primare, për të fituar një njohje  ndërkombëtare të kulturës Shqiptare , ashtu  si beteja  për pavarsinë e Kosovës…”

Kultura është thelbi i paqes dhe i zhvillimit të qëndrueshëm, është baza e demokracisë.

Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, sikundër edhe nga pikëpamja pragmatiste, dimensioni i mbrojtjes kulturore albanologjike të Çamërisë, do të duhej të ishte në avangardë të sensibilizimit ndërkombëtar. Kjo për faktin se trashëgimia kulturore e popujve, madje edhe atyre indigjenë dhe shumë periferikë, në regjionet fluide të botës, çmohen si thesare kulturore të mbarë njerëzimit. Kjo është arsyeja pse duhet sensibilizuar opinioni dhe organizmat vendimmarrëse se me shkatërrimin e trashëgimisë kulturore çame në Greqi, albanologjia do të humbasë vlerat e një regjioni kulturor shqiptar me rendësi kombëtare dhe Evropa, vlerat e mëdha të qytetërimit iliro-epirot, romak, venecian osman, etj. Hapësirat kulturore janë krijuar mijëra vjet përpara shteteve modernë, pra para lindjes së nacionalizmave dhe shtetformimit (shek  XIX). Kufijtë politik të shteteve nuk përputhen asnjëherë me ato kulturorë. E njëjta sfidë ndeshet edhe me hapësirën kulturore të Çamërisë që është një prej vlerave të mëdha të albanologjisë.

Strategjia e qeverive greke gjatë 110 viteve (1913- 2023) të kolonizimit të Çamërisë, ka qenë lejimi i procesit të ngadalshëm të degradimit të tyre dhe zëvendësimi i trashëgimisë kulturore çame me modernizmin grek. Gjendja e turpshme e ruajtjes së shumicës së kësaj trashëgimie shqiptare duhet të bëhet një çështje e shqetësim ndërkombëtar.

Strategjia e qeverive greke gjatë 110 viteve (1913- 2023)  të kolonizimit të Çamërisë, ka qenë lejimi i procesit të ngadalshëm të degradimit të tyre dhe zëvendësimi i trashëgimisë kulturore çame me modernizmin grek. Gjendja e turpshme e ruajtjes së shumicës së kësaj trashëgimie shqiptare duhet të bëhet një çështje e shqetësim ndërkombëtar. Një rrugë e mundshme dhe e domosdoshme për ruajtjen e kësaj trashëgimie është përfshirja e institucioneve ndërkombëtare si “UNESKO”,“Monumentet në Rrezik”, apo organizata britanike “Shpëtoni Trashëgiminë e Evropës”, për ta detyruar Greqinë të njohë problemin dhe të marrë hapat e duhura për ta zgjidhur atë.  Institucionet kërkimore-shkencore duhet të bëjnë një inventar të hollësishëm të monumenteve dhe trashëgimisë kulturore çame në tërësi.  Në këtë kuadër:

  1. Shoqëria Patriotike Çamëria në bashkpunim me Institucionet Shkencore Akademike në vëndin tonë duhet të hartojnë me urgjencë një regjistër kadastral mbi pronësinë e shtëpive, tokave e pasurive të paluejtshme te popullsisë Çame para masakrës dhe shpërnguljes së dhunshme të vitit 1944..
  2. Mbi bazën e këtij regjistri duhet hartuar e botuar harta të detajuara dhe Atllasi demografik dhe arkeologjik i Çamërisë, ku të evidentohen emrat e vendbanimeve shqiptare dhe paralelisht me to emrat, e konvertuar grek, të këtyre vendbanimeve
  3.  Mbi të gjitha Qeveria Shqiptare, organizatat kulturore  dhe universitetet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe kudo në Ballkan e diasporë, duhet të ndërgjegjësohen se, – “çështja e trashëgimisë came nuk i përket vetëm një grupi. Ligjshmëria e zotërimeve çame në Greqinë Veri-Perëndimore duhet konsideruar si thelbësore për të fituar njohjen ndërkombëtare të kulturës shqiptare, sikurse lufta për pavarësinë e Kosovës dhe garantimi i lirive e të drejtave të njeriut për shqiptarët e besimie ortodoks ne Çamëri (rreth 100 mijë banor) e përmirësimin e të drejtave njerëzore të shqiptarëve në mbarë botën”.

SHËNIM

 Në  përgatitjen  e  këtij shkrimi jemi  mbështetur  në veprën  e  Sami Frashërit  KAMUS  UL` –  ALAM  ( Enciklopedia  historike  dhe gjeografike ), në librin e gjeografit Italian Aldo Sestini   “  La Ciamuria”, në “Studime etnografike për Çamërinë” të etnografit  Rrok Zojsi, në  veprën Fjalor Onomastik të Epirit  Vëll. I-re të  studimit Fatos  Mero. Rrapajt, në  librin “ Qyteti  Shqiptar gjatë Rilindjes “ të historianit Zija Shkodra, në monografinë ” Çamëria-vendi, popullsia dhe jeta ekonomike”, të studiusit Prof. Dr Selman Sheme, e tjerë. Kemi shfrytëzuar materialet e grumbulluara edhe nga anketimi i mjaft subjekteve të ardhura nga zona e  Çamërisë s  dhe vëzhgimet dhe hulumtimet tona direkte të kryera gjatë ekspeditës të organizuar nga Departamenti i Gjeografisë së Universitetit të Shkodrës në prill të vitit 1998, në Greqi dhe qëndrimit të shkurtër edhe në Çamëri e në trojet e tjera në Greqi.