Prof. Dr. Selman Sheme: Greqia, para se të kërkojë rishikimin e kufijve detarë, të shikojë Ligjin e Luftës dhe Çështjen Çame

1376
Sigal

                       Deri në fillim të shek. XIX serbët, grekët dhe shqiptarët kishin plane të përbashkëta për organizimin e kryengritjeve çlirimtare kundër osmanëve

                   Kriza Lindore, si prolog i aneksimit grek të Çamërisë

Greqia para se të kërkrojë rishikimin e kufijve detarë të shikojë ligjin absurd të Luftës dhe Çështjen Çame

-Autoktoninë shqiptare në Epir (Çamëri) e kanë mbështetur edhe shumë dijetarë të shquar të shek. XVIII-XIX si Tunman, Hahn, Fallmerayer, Spenser

– Projektet për copëtimin e tokave shqiptare mes Serbisë dhe Greqisë e kanë zanalfillën që në vitet ’30 të shek. XIX

Aneksimi i Artës dhe fillimi i spastrimit etnik të trojeve shqiptare

-“Megali Idhea” dhe “Nacertania” – bibla të nacionalizmit grek e serb

Prof. Dr. Selman Sheme

1.Krahinë e populluar historikisht nga shqiptarë etnikë.

Komuniteti Çam apo popullsia etnike shqiptare në Epirin gjeografik ka ekzistuar, në këto hapësira që nga antikiteti, me një vazhdinësi të jetës qytetare në të gjithë periudhat historike, duke bashkëjetuar me fqinjët grekë, vllahë, romë, etj., në harmoni, deri në periudhën e ekspansionit nacionalist grek në fund të sundimit të Perandorisë Osmane. Materialet arkeologjike të pasuara nga burimet shkencore historike të autorëve të antikitetit si Herodoti, Tukiditi, Straboni, Skimni etj, japin të dhëna për autoktoninë Ilire të popullsisë në Epir. Nga njoftimet që japin këta autorë të vjetër grekë dalin këto përfundime:

  • Asnjë autor antik grek nuk pohon se banorët e Epirit të lashtë qenë grek.
  • Të gjithë janë dakort se banorët e Epirit qenë Pellazgë.
  • Pellazgët dhe grekët përfaqësojnë jo një, por dy kombësi të ndryshme.
  • Qendra kryesore shpirtërore e Pellazgëve, faltorja e Dodonës ndodhej në zemrën e trevës epirote.
  • Banorët e trevës së Dodonës qenë “BARBAR”, pra jo grek.
  • Si rezultat i simbiozës pellazgo-ilire u plazmua etnosi Ilir

Autoktoninë shqiptare në Epir (Çamëri) e kanë mbështetur edhe shumë dijetarë të shquar të shek. XVIII-XIX si Tunman, Hahn, Fallmerayer, Spenser, Saks, Ami Bue, etj. të cilët duke shfrytëzuar një literaturë të gjerë arkeologjike, gjuhësore dhe historike, kanë përcaktuar shtrirjen territoriale të ilirëve në prehistori dhe antikitet si dhe vazhdimësinë arbnoro-shqiptare dhe në Epir (Çamëri). Gjeografi greko-epirot A. Psalidhe në librin e tij “Geographia Albanias Kai Epireou” shkruan në çerekun e parë të shek. XIX, se “Epiri deri në gjirin e Artës (Ambrakisë) është një tokë shqiptare ku flitet gjuha shqipe” (A, Psalidha, “Gjeografia Albanias Kai Epireou” botuar nga A. Papaharizi, Janinë, 1964, f. 49) Deri në këtë periudhë grekët nuk i kishin shtrirë pretendimet e tyre nacionaliste mbi Çamërinë.

  1. “Megali Idhea” dhe “Nacertania” – bibla të nacionalizmit grek e serb.

Nacionalizmi fillestar në Europë kishte funksion human dhe ishte në përuthje me tendencat e brendshme shoqërore. Ai buronte nga Revolucioni Francez, që arriti ta ndryshojë statusin e qytetarit. Me përmbysjen e monarkisë, ku njeriu trajtohej si pronë e feudalit, e princit apo mbretit, të gjithë qytetarët brenda shtetit të ri, brenda Republikës së Francës, e fituan barazinë.    Nacionalizmi që u shfaq në këtë periudhë kishte vlerë humane, meqë qytetarin, më parë pronë të Monarkut, e shndërroi në qytetar të lirë, të barabartë me gjithë të tjerët që jetonin brenda shtetit.

– Në këtë periudhë u krijua sllogani “liri-barazi-vllazëri.”

– Pas shthurjes së Perandorisë Osmane, nacionalizmi i popujve të Ballkanit, që sapo ishin vetëdijësuar, nuk kishte atë dimension human që ofronte barazinë për të gjithë qytetet brenda sistemit të ri politik, por pabarazinë e egër, afirmimin e një interesi etnik dhe dënimin mizor të interesave të të tjerëve. Deri në atë kohë nuk ka ekzistuar armiqësia mbi baza etnike dhe as fetare, meqë normat perandorake ishin më tolerantë se sa normat e reja nacionaliste, që për nga përmbajtja, ishin ekskluzive, përjashtuese të një etnie nga ambiciet ekspansioniste nacionalistë të etnisë tjetër. Deri në fillim të shek. XIX serbët, grekët dhe shqiptarët kishin plane të përbashkëta për organizimin e kryengritjeve çlirimtare kundër osmanëve. Në vitin 1806, Beogradi u çlirua nga turqit. Rol të rëndësishëm në këtë luftë luajti epiroti, çami shqiptar Jani Kondo, apo siç e quanin serbët, Kondo Bimbashi, i cili, bashkë me luftëtarët e tij, kryesisht çamë, hyri i pari në kala. Një tjetër luftëtar çam, Gjergj Olimpiasi me 300 vullnetarët e tij shqiptarë, luftonte për çlirimin e Serbisë (A.Xhaferi“Legalizimi krimit”- ISÇ – Çështja çame dhe integrimi europian. Tiranë 2005, f. 98).

– Një proces tjetër i ngjashëm dhe po aq idilik, zhvillohej edhe në zonat e puqjes së interesave greko-shqiptare. Shqiptarët dhe grekët bënë plane, madje luftuan bashkarisht kundër osmanëve. Në këtë periudhë është i njohur kontributi i Ali Pashë Tepelenës, Marko Boçarit, Foto Xhenellës, Caparenjeve të Çamërisë, e tjerë, në revolucionin grek për pavarësi.

Më vonë, kur Perandoria Osmane zuri të tërhiqet në mënyrë të pakthyeshme nga Ballkani, aleatët e deridjeshëm të shqiptarëve, u shndërruan në armiq dhe më të këqinj se sa osmanët.

– Grekët dhe Sllavët e Jugut, në dallim nga shqiptarët, duke qenë të organizuar rreth subsistemit të kishës ortodokse dhe duke u sponsorizuar nga shtetet europiane, të cilët që nga koha e iluminimit, qytetërimin e vet e perceptonin si fryt të kulturës antike helene dhe asaj kristiane, fituan relevancë historike.

– Në këtë kohë u projektuan kufijtë e bazuar në real-politikë, apo në interesa kombëtare të mbrojtura ushtarakisht. Këto interesa nuk merrnin parasysh trashëgiminë kulturore, historike apo realitetet etnike në terren, por një aspekt të ri, atë të gjeopolitikës dhe gjeostrategjisë. Projektet për copëtimin e tokave shqiptare mes Serbisë dhe Greqisë e kanë zanalfillën që në vitet ’30 të shek. XIX, atëherë kur Greqia sapo ishte formuar si shtet i pavarur, ndërsa Serbia qe shpallur principatë autonome. Në vitin 1844, ministri i Brendshëm i Serbisë Ilia Garashanin hartoi programin politik “Naçertania”. Qëllimi kryesor i kësaj platforme ishte plotësimi i detyrës së caktuar nga car Stefan Dushani për të krijuar një shtet të madh serb, në të cilin të përfshihej edhe Shqipëria e Veriut me Kosovën, përmbushja e së cilës u ndërpre nga beteja e Fushë-Kosovës e vitit 1389. Që para fillimit të kryengritjes greke për pavarësi të vitit 1821, kur u bë e qartë tatëpjeta e regjimit feudal otoman, u hodh nga grupe të veçanta nacionaliste dhe të fanariotëve (kisha greke) ideja për zëvendësimin e shtetit turk me një shtet grek që të përputhej me Peradorinë Bizantine. Në fillim të vitit 1844, këto ide u formuluan dhe u paraqitën si një program politik me emrin “Megali Ideja” (Ideja e Madhe) nga kryeministri grek Jorgo Koleti. Sipas kësaj platforme politike, Greqia duhet të kthehej në një shtet të madh me kryeqytet Kostandinopojën,(Stambollin), si trashëgimtare e Bizantit. Përveç tokave greke, në atë shtet do të përfshiheshin të gjitha popullsistë e tjera të krishtera jogreke të Ballkanit, që vareshin nga Patrikana e Stambollit. Naçertani-ja u bë bibla e nacionalizmit serb, ndërsa Megali-Idheja (Ideja e Madhe) u bë bibla e nacionalizmit grek. Nga pikëpamja territoriale, në hartat moderne gjeografike të kohës nisi të konturohej Greqia Klasike në kufijtë e Perandorisë Bizantine, të cilat shoqëronin kërkesat territoriale ekstremiste greke për aneksimin e Epirit, Maqedonisë, Thrakës Perëndimore e Lindore, duke përfshirë edhe Rajonin e Stambollit (Kostandinopojën), brigjet perëndimore të Anadollit dhe të ishujve nga Egjeu e deri në Qipro (Eva Tafili (Hyskaj) – “Ballkani përgjatë periudhës modern”, Tiranë 2005, f. 175).

Këto pretendime territoriale e futën Greqinë në konflikte me Shqipërinë, Maqedoninë, Serbinë, Bullgarinë dhe Turqinë.

Të dyja programet, Megali Ideja dhe Naçertania, nuk njihnin ekzistencën e kombit shqiptar dhe nevojën e krijimit të shtetit shqiptar. Tokat shqiptare ishin të paracaktuara të ndaheshin mes Serbisë dhe Greqisë (Instituti i Historise i ASHSH,  “Historia e popullit shqiptar”, II, Rilindja Kombëtare, vitet ’30 të shek. XIX-1912, ,Botimet Toena, Tiranë, 2002, f. 102-103.) Megali Ideja ka qenë platformë e të gjithë veprimtarive politike dhe ushtarake të qeverisë greke që nga shpallja e pavarësisë së Greqisë. Pjesë e kësaj strategjie ka qenë dhe mbetet edhe aneksimi i shkombëtarizimi i trojeve shqiptare të Çamërisë dhe helenizimi i gjithë Shqipërisë së Jugut.

  1. Aneksimi i Artës dhe fillimi i spastrimit etnik të trojeve shqiptare.

Që në gjysmën e dytë të shek. XIX Greqia ndërmori veprime konkrete për realizimin e planit për copëtimin e Shqipërisë. Ajo organizoi çeta të shumta të komanduara nga oficerë të ushtrisë, të cilët u hodhën në vilajetin e Janinës për të realizuar kryengritje kundërosmane e për të pushtuar tokat shqitpare. Përveç këtyre veprimeve, u organizuan edhe vullnetarë (andartë) që mbanin në uniformat e tyre gërmat ETM, që korrespondonin me fjalët Epir, Thesali, Maqedoni. Udhëheqësit e kryengritjes hodhën parullën: “Perandori greke, ose vdekje”. Gjatë marshimit në brendësi të tokave shqiptare, andartët përdorën edhe forcën për t’i detyruar shqiptarët të bashkëpunonin me ta. Në prill të vitit 1854, Filati ra në duart e bandave greke dhe shumë familje çame, si ajo e Xhafer Pashë Demit, u masakruan. Në kundërpërgjigje të këtyre bandave, krerë shqiptarë, si Çelo Picari, Halit Bej Frashëri, Ahmet Çapari etj., mobilizuan forcat e tyre ushtarake dhe, së bashku me forcat osmane, i thyen andartët grekë në krahinën e Artës dhe të Thesalisë. Mëtimet territoriale greke u mbështetën fuqishëm nga publicistët dhe historianët greke. Në Greqinë e re historiani Kostandinos Paparrigopullos u bë një figurë me shumë ndikim, pasi veprën e tij pseudoshkencore e vuri në shërbim të nacionalizmit dhe të “atdheut”. Në vitin 1843 Paparrigopullos kundërshtoi një tezë të studiuesve gjermanë, sipas së cilës popullsia greke rridhte nga shqiptarët dhe sllavët, të cilët kishin riprodhuar Greqinë në shek. VI-XIV. Ai në veprën e tij bënte një lidhje të Greqisë moderne me atë klasike dhe me trashëgimin e saj mesjetarë duke lënë të nënkuptohej se të gjitha tokat e Perandorisë Bizantine duhet të përfshiheshin brenda kufijve të Greqisë.

Në këtë periudhë u botuan shumë projekte, artikuj e studime të mbështetura në platformën e Megali Idesë. Këto botime kishin më shumë synime politike sesa shkencore. Në to bëheshin përpjekje për të treguar se nuk ekzistonte kombi shqiptar dhe as gjuha shqipe, se Shqipëria e Jugut ishte pjesë e Greqisë etj. Sipas koncpetit politik të mbretërisë greke, Epiri përfshinte territoriet nga Janina deri në Durrës (P. Thëngjilli, “Historia e popullit shqiptar”, 395-1875, SHBLU, Tiranë, 1999, f. 415-416).

Planet për copëtimin e Shqipërisë filluan të viheshin në jetë gjatë Krizës Lindore të viteve ’70, veçanërisht pas luftës Ruso-Turke të vitit 1877 dhe Kongresit të Berlinit të vitit 1878. Në këtë periudhë, tërësia tokësore e Shqipërisë u vu në rrezik të drejtpërdrejtë nga monarkitë e Greqisë,  të Serbisë dhe të Malit të Zi.

Për t’i bërë ballë këtij rreziku, pas Traktatit të Shën Stefanit, që parashikonte copëtimin e tokave shqiptare, u themelua në Stamboll, Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare. Më 1877, ky Komitet kërkoi nga qeveria greke të jepte siguri formale për njohjen e  tërësisë tokësore dhe të ekzistencës së një shteti shqiptar të pavarur. Kufijtë jugorë të këtij shteti duhet të përfshinin të gjitha krahina shqiptare të Vilajetit të Janinës, bashkë me Çamërinë deri në Prevezë. Qeveria greke, nga ana e saj, ngulte këmbë që kufiri mes dy shteteve të përbënte një vijë që nisej në Jug të Vlorës duke i lënë Greqisë gjithë krahinat e Epirit të Jugut (Çamërinë) dhe Vorio-Epirin (Gjirokastrën, Delvinën Përmetin dhe Korçën). Me përkrahjen e diplomacisë angleze dhe franceze, këto kërkesa aneksioniste Greqia i paraqiti në Kongresin e Berlinit. Ky kongres rekomandoi që Greqisë t’i kalonin nga vilajeti i Janinës qytetet dhe rrethet e Janinës, Prevezës, Artës dhe rajone të tjera të krahinës së Çamërisë.

Në këto rrethana, në Prizren u krijua Lidhja Shqiptare, qëllimi i së cilës ishte mbrojtja e tokave shqiptare nga rreziku i copëtimit dhe shpallja e autonomisë së Shqipërisë. Me gjithë vlerën e madhe historike të kërkesave programore dhe sidomos të luftës së saj për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, Lidhja e Prizrenit nuk arriti të ndalonte grabitjen e tokave shqiptare nga shtetet shoviniste fqinje. Nën presionin e Fuqive të Madhe, më 24 mars 1881, Turqia pranoi në parim marrëveshjen për caktimin e vijës së kufirit me Greqinë. Në Vilajetin e Janinës, Turqia lëshoi qytetin e Artës me rrethinat në gjirin e Prevezës (“Historia e popullit shqiptar”, II. Vep. e cit., f. 220-221). Pas pushtimit të Artës, Greqia filloi spastrimin etnik, duke e detyruar popullsinë shqiptare të migronte në fushat e Llurit dhe të Prevezës. Me këtë akt, fillon aneksimi dhe spastrimi etnik i trojeve shqiptare të jugut nga qarqet nacionaliste greke.

Nesër do të lexoni:

Luftrat Ballkanike dhe pushtimi grek i Çamërisë

Në tetor të vitit 1912 plot 10.000 trupa të ushtrive greke, rrethuan Janinën, pushtimi saj vendosi fatin e Çamërisë

– Rënia e Janinës dhe e Çamërisë ndërpreu lidhjet e popullsisë së Çamërisë me Qeverinë e Vlorës

– Në vitet 1913-1914 në Kazanë e Paramithisë u shkatërruan rreth 1000 shtëpi, të popullsisë çame

– Trojet shqiptare të Çamërisë e viseve në jug të Gramozit, iu aneksuan Greqisë me vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës më 11 gusht 1913

– Në bazë të Konventës “Ligji i Detit” që është nënshkruar në vitin 1982 në Xhamajka, përcaktohen 12 milje detare si det territorial.

-Krahinës së Çamërisë, e banuar historikisht nga shqiptarë, i përkasin me qindra km2 ujra teritoriale në shelfin kontinental.