Prof. Dr. Nikollaq Bardhi: 100-vjetori i Shkollës së Libofshës

682
Sigal

 

 

Në respekt të vlerave dhe përkushtimit që “Telegraf” pasqyron me shkrimet e tij në ndihmë të zhvillimeve të sotme bujqësore, po jua nis me dëshirë shkrimin dhe ju them se keni të drejtën e botimit për herë të parë të këtij dokumenti.

Një shekull më parë, më 21 qershor 1921, në fshatin Libofshë (atëherë nën juridiksionin e rrethit të Lushnjës), çeli dyert shkolla e parë Bujqësore Kombëtare Shqiptare. Në këtë përvjetor, është me rëndësi të hedhim dritë mbi këtë event, sintezë e përpjekjeve të shtetit shqiptar të asaj kohe, jo vetëm për faktin se ka 100 vjetorin e krijimit, por edhe sepse është njëherësh një model i seriozitetit, saktësisë dhe qartësisë së korrespondencës nga qendra në bazë . Kongresi i Lushnjës mori vendime të rëndësishme jo vetëm për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit nga copëtimi i huaj, por edhe shumë vendime të tjera në funksion të zhvillimit të bujqësisë, arsimit, kulturës etj. Një nga këto vendime ishte ai në dobi të zhvillimit të sistemit arsimor në Shqipëri. Kështu, filluan të konkretizoheshin lëvizje e ide të ndryshme në hapësirën shqiptare. Libofsha ishte një nga fshatrat e vendit që ia pa të mirën shkollës së parë shqipe që ishte hapur aty më 1908. Qeveria e asaj kohe, edhe pse e anatemuar për “mosfunksionim normal”, ka treguar seriozitet e korrektësi në organizimin e punës në shkallë kombëtare për zbatimin e këtij vendimi të qeverisë.

Kështu, qeveria mori një vendim të posaçëm.Të hapej një shkollë bujqësie.Më 25/04/1921, me vendim të posacëm nr.42 dhe nr.. të përgjigjthëm 1842/IV, të çelej shkolla e bujqësisë në Libofshë (Lushnjë), më datë 21 Qershor 1921. Lind pyetja: pse pikërisht ishte Libofsha vendi i ngritjes së shkollës dhe jo një vend tjetër i Myzeqesë. Nisma mbështetej në faktin, se në vitin 1875, në hapësirën e bujqësisë Lushnjë-Fier ishin ngritur dhe binin në dukje tre bahçe pemëtoresh: në Frakull, Libofshë dhe në periferi të Lushnjës. Këto pemtore ishin model për kohën duke mbjellë jo vetëm fidana pemësh të vendit, por edhe pemë të ardhura nga Italia. Pemëtoret u ngritën me kontributin e familjes së Eqerem bej Vlorës dhe të Nebi bej Frakullës. Këto pemëtore kanë qënë në prodhim deri në vitet 1970. Qeveria në aktin shkresor qartëson deri në detaje idenë për organizimin e punës dhe funksionimin e kësaj shkolle. Institucionet ministrore e ato të bazës u vunë në lëvizje të menjëhershme për të zbatuar vendimin e qeverisë. Të bën përshtypje se nuk ka munguar edhe nevoja e konsulencës me specialistë të huaj. Në këtë rast, u thirr dhe ka dhënë maksimumin e eksperiencës së tij,  z. Passerini, Profesor në Bujqësi dhe Doktor i Mjekësisë së Kafshëve. Në përshtatje me kushtet dhe personelin e fushës, dorëpërdorë, u hap një shkollë e vogël, për të vijuar më pas në ngritjen e një Drejtorie të Bujqësisë. Por bujqësia nuk bëhet që nga zyra.  Doktor Passerini me specialistët e Drejtorisë së Bujqësisë shkuan vet në Lushnjë, nga ku do të hidhnin themelin e parë të mësimit  bujqësor dhe që andej, sipas nevojave të vendit, kjo do të shtrihej në vise të tjera të Shqipërisë.U gjend vendi i përshtatshëm, i cili jo vetëm të ishte tokë shtetërore, por të përshtatej me ekosistemin periferik dhe shëndetësor, i pandikuar nga “konupi” (mushkonjat), godinë e mirëmbajtur e cila ndodhej pranë rrugës automobilistike. Godina ishte e Nedin bej Leskovikut. Ajo gjendej afër pyllit të kodrave të Mansatirit të Ardenicës, pjesë e ndërtesave të Libofshës, afër pazarit dhe xhandarmërisë. Orientimi i Ministrisë së Brendëshme ishte që në programin mësimor të shkollës, prioritet t’i jepej praktikës mësimore. Nxënësit do të mësonin botanikën e bimëve, sëmundjet më të zakonshme në vendin tonë, ujrat freatike dhe sistemi i ujitjes, rëndësia e farërave dhe zgjedhja e tyre etj. Interesante është të evidentohet, sepse ndër kulturat produktive, ishte zgjedhur mbjellja dhe rritja e manave dhe e krimbit të mëndafshit.Gjithashtu do të mësoheshin ndërtimi i makinerive bujqësore dhe llojshmëria e tyre në përshtatje me relievin e vendit tonë. Nxënësit do të merrnin mësim në mëngjes vetëm dy orë në ditë në verë dhe, katër orë në ditë në dimër, kur nuk ka punë në bujqësi. Periudha, kohëzgjatja e shkollës do të ishte një vit shkollor.Shteti përcaktonte saktë numrin e nxënësve që duhet të dërgonte çdo rreth.Në fund të vitit, shkolla u jepte nxënësve një diplomë.,Për nxënësit cilësorë, kishte dhe element motivues

 

“Kush nga djemtë do të dukej ma i zoti në ndonjë mjeshtëri të bujqësisë, si: në mëndafshë, në bletë, në qumësht ose mekanik për makina, Drejtoria do të rekomandojë që të vejë në Evropë e të mësojë një nga këto mjeshtëri me bursë shteti.” Shkresa e Ministrisë së Brendshme shkonte deri në çdo katund dhe jepeshin porosi që djemtë që do të vazhdonin shkollën, duhet të zgjidheshin me dëshirë, 15-20 vjeçarë dhe të mos kishin sëmundje ngjitëse. Këtë siguri do ta jepte mjekësia, nëpërmjet raportit mjekësor. Nxënësit do të ishin me fjetje e ushqim nga shteti. Ishte kusht i domosdoshëm, që kandidatët të dinin të shkruanin e të lexonin shqip, të kishin garanci prindërore, shtëpi bujqësie, që në perspektivë, pasi të mbaronin shkollën, “të ushtronin veprimtarinë bujqësore në kombin shqiptar”. Ja emrat e disa ish-nxënësve që kam mundur të gjej: Nga Libofsha: Trifon Bardhi, Vasil Illiu, Avram Bardhi, Thomi Ndreko; Cen Kulaleshi ,Tiranë; Mehmet Mustafa Sejdini, Kavajë; Qamil Abdi Dushi, Durrës…etj.  Kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, shumë shpejt iu përgjigjën me shkrim rrethet: Durrës, Tiranë, Kavajë, Shijak, Krujë, Lushnjë, Fier… etj. Kjo shkollë vazhdoi këtu për disa muaj dhe pastaj u transferua në Lushnje. Ja çfarë shkruhet në vendim (pa ndërhyrë në ortografi):

 “ MINISTRIA E P.TË BRËNDSHME/Dega e bujqësisë/Nr. I Posacëm 42/Nr. I përgjithshëm:1842/IV/ Tiranë më, 25.IV.921.QARKORE. NËNPREFEKTURËS, në Shkodër/ Mbi fillimin e Shkollës Bujqësisë në Libofësh (Lushnje) më 21 maj 921.

Shum janë mjetet praktike e teknike me të cilat shteti lypset të përkujdeset në përparimin e bujqësisë.Kjo Ministri filloj me nji Shkoll të vogël, dorë për dorë për të shtuar me kohë mbas nevojës edhe mendimit të njerëzve kompetent, formimin e Drejtorisë së Bujqësisë , ku pran përkohsisht edhe nji organizator të huaj që isht Profesor në Bujqësi, dhe Doktor në mjeksin e kafshëve. Por me qenë se Bujqësija, nuk bahet në Zyrë, Z. Doktor Paserin (Passerini-shën im) ne gjith Drejtorin e Bujqësis po shkojën në Lushnje ku do të lidhet themeli i parë i msimit  Bujqësor edhe qi andej do të shtohen nevojat e Bujqësis për të zbatuar me radhë mbas nevojave të vendit edhe në tjerat vise të Shqypnis. Në qarkun e Lushnjes në buzën e djathët të lumit të Semanit, i ndjeri Nedin bej Leskoviki, emnuar për të senduar gjith pasunit e Shtetit në Myzeke, bani ca ndërtesa të bukra në nji vend qi edhe ujrat e kënetave nuk përhapen për të prishur klimën na kanopet ( mushkonjat, shen.im) e verës, por derdhen në lum të Semanit, për të humbur në shkumbën e fushavet ezioniane t’Adrijatikut. Fshati i Libofshës qi ashtë e tërë pasunija e Shtetit me gjith pyllin e sajë, ngjitur me manastirin e Adrenicës, me vendimin e Këshillit Ministruer , me Nr.428. d.19.4.921 i dorzohet  Drejtorisë së Bujqësisë për t’u fillue përkohsisht Shkollën në ndrtesa e Libofshës  qi janë afër pazarit dhe zyrës Mydirit edh-e karakollit Xhandarmaris të Libofshës, edhe në buzë të udhës qi shkon nga Vlona për Durrës. Atje do të formohet edhe nji depo për maqina në uzinë për ndreqjen e tyre.Mësimi në kët Shkollë do të jetë ma shum praktikë, do marrin msime mëngjez vehtëm dy ora në ditë në verë, edhe katër orë në ditë në dimën, kuer nuk ka punë në Bujqësi. Koha e Shkollës do të jetë nji mot, edhe do të ju mësohet me nji mënyer praktike msimet e Bujqësis: Botanika e bimëvet, mbrojtja nga smundjet qi gjasin ma shumë në vendin tanë, randësia e farënavet të mira edhe zgjedhjen e tyre, mbjelljen e bimrave edhe shartuarit e pemve. Mbjelljen e manavet e ritjen edhe smundjen e fshikzave të mndafshit. Maqinat e Bujqsis edhe përdorjen e tyre, llogarit Bujqësore edhe Gjeografia e Shqypnis. Në fund të motit Shkolla ju ep nga nji dipllom edhe kush nga ata djemët do të duket ma i zoti në ndonji mjeshtri të Bujqsis, si në mëndafsh, në bletë, në kjumësht ose mekanik për maqina. Drejtorija do të rrekomandoj qi të vejnë në Evrop e të mësojën praktikisht nji nga këto mjeshtrit me bursën e Shtetit. Shkolla pranon gjashtdhetë nxanës qi do t’ jenë dhe të flejën pa të holla në Shkoll nën vështrimin e msuesvet Shqyptarë dhe drejtorit t’huaj do të mblidhen nga gjith viset e Shqypnisë në kët mënyrë:Berat 8,  Deibra 5, Durrësi dhe Tirana 6, Elbasan 8, Gjinokastër 8, Korçë 8, Mat 3, Shkodër 9, Vlorë 5. Shuma 60. Pranimi i nxansave për të hyrë në Shkoll, caktohet qi më 21 e deri 31 Maj, dhe më nji Qershor  1921, fillojën msimet rregullisht. Ini të porositun, pra të lajmëroni prej anës Katundarivet gjith popllin e krahinave t’asaj Prefekture, qi kush në prefekturën e tij, edhe si të vështrohet nga dy mjekësit e Katundarisë , dhe të Prefekturës, të dërgohen në Libofshë, ku jan marrë perkujdesjet e nevojshmepër pritjen e atyre.Të vështroni që djelmt qi do t dërgoni nga Prefektura e Z .s’Uaj veç diftesës së Doktorit qi nuk kanë ndo nji smundje ngjitse, të kenë edhe diftesën e Amzës qi të jenë 16 deri 20 vjetç , në asht e mundun të shkruajn edhe të këndojën shqip, dhe sa të mundeni të zgjidhni nga djelmt e atyne  prindve qi janë interesuar në Bujqësi, qi edhe djali kuer të dalë pas nji moti të mundet të verë  në zbatim ata msime praktike qi do marrin në Shkoll. Djelmt asht e mira të kenë ndrresat e tyre me vehte, edhe pakë shtresa, edhe të jenë në proporcion nga të gjith Nënprefekturat. MINISTRI I P. MBRENDSHME Mehdi Frashëri d.v.”

Po ta shikosh në perspektivë, kjo shkollë shërbeu si bazë për themelimin e Institutit të Kërkimeve Bujqësore të Lushnjës, pasi edhe shkolla, pas një viti u transferua në Lushnjë. Ky Institut bëri shumë për bujqësinë shqiptare në shumë aspekte. Ai drejtoi gjithë punën shkencore të bujqësisë dhe krijoi lidhje shkencore me shumë vende të botës duke marrë material gjenetik bazë për të krijuar kultivar e hibride në bimë të ndryshme. U studiuan e u saktësuan hallkat e teknologjisë së kultivimit të shumë bimëve të arave si: grurë, misër, jonxhë, luledielli, pambuk e patate. Më vonë u ngritën baza eksperimentale në Shkodër, Cërrik, Korçë e Fushë-Krujë, të cilat më vonë u kthyen në Institute për bimët përkatëse. Aty punuan specialistët më me emër e shumë të përkushtuar të vendit si: Mentor Përmeti, Xhevat Shima, Hysen Laçej, Koço Dhima e deri tek brezi më i ri: Vladimir Malo, Foto Kashta, Ramadan Shehu, Naun Prifti, Jorgji Muzaka e të tjerë. Ndikimi në bujqësi ishte shumë i madh dhe arritjet ishin të nivelit evropian. Por, për çudi, këto Institute u transformuan drejt regresit, u ndryshuan emrat pa as më të voglin kuptim e përafërsi me institucionet e vendeve të tjera me të cilat u vendosën lidhje. Në vend që këto Institute të forcoheshin, shkuan prapa, sepse nuk u respektuan kontributet e personaliteteve shkencore. Në një kohë që të gjitha vendet e tjera që Institutet bashkëpunonin, sot mbjellin me farat e tyre, ne blejmë nga jashtë farëra të pasigurta. Në drejtim u vendosën njerëz partiak që nuk e njihnin punën shkencore dhe që nuk kishin mundësi ta kuptonin shkencën. Më kujtohet një batutë midis Profesorit të shquar Petraq Sotiri, arkitektit të vreshtave e ullishteve të Dushkut, me një pedagog mediokërr, sekretar partie:

Ai… iu drejtua  Profesorit:

“Ku je, o shkencëtar i drurit!”.

Dhe Profesori me qetësi iu përgjigj:

“Hë, këtu jam, o druri i shkencës!”

Por në vitet e demokracisë, këta “drurë të shkencës” u graduan, kurse shkencëtarët e vërtetë të bujqësisë, me dhimbje të madhe e them, heshtën. Koha do të kërkojë shumë nga njerëzit e dijes të bujqësisë, idealistë, me tituj e grada të vërteta shkencore, ata që lanë gjurmë në bujqësinë shqiptare. Është shumë e qartë se sistemet, partitë e qeveritë venë e vijnë, kurse bujqësia kërkon zell e shkencë të mirëfilltë, që mund ta bëjnë vetëm specialistët e përkushtuar. Vini re: Prodhimet e vendit po i mbyt prodhimi i huaj.Fermerët robtohen dhe s’e gëzojnë mundin e tyre.Shteti duhet të bëjë gjithëka mundet që bujqësia të hyjë në rrjedhën evropiane, sepse aktualisht jemi shumë larg. A bëhet bujqësia me ngastra? Shqipëria dhe bujqësia shqiptare do të bëhen vetëm nga njerëz vizionarë, të kualifikuar e të aftë për të vënë në zbatim të rejat e shkencës evropiane. Një popull vihet në vështirësi e në rrezik, kur  nuk punon, kur nuk shijon frytin e punës së tij, të djemve e të vajzave të tij, kur nuk respekton pasurinë e tij intelektuale. -0-