Prof. Dr. Lush Susaj: 100 vjet më parë, u bë dëgjesa e parë për Shqipërinë në Senatin Amerikan

644
Sigal

Në kujtim të kontributit të Niko Dakës, Kostandin Çekrezit dhe Charles Erickson

 

2 Shtator 1919, dëgjesa e parë për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Senatit Amerikan

  

Prof. Dr. Lush SUSAJ

 

Ajo që harrohet përsëritët në forma dhe përmasa edhe më të frikshme 

Me 1 Gusht 1908, Charles Telford Erickson, arriti në Shqipëri për të shërbyer si drejtues i misionit Amerikan Protestant në Elbasan. Që nga kjo ditë, Erickson i është përkushtuar me shumë dashuri e forcë prezantimit dhe mbrojtjes së çështjes shqiptare në Senatin Amerikan dhe në kancelaritë e shteteve të fuqishme të Evropës. Në fokus të veprimtarisë së tij dhe të patriotëve shqiptarë që e shoqëronin ishte njohja dhe konsolidimi i pavarësisë së Shqipërisë, në mënyrë të veçantë përparimi në drejtim të prezantimit dhe njohjes së çështjes shqiptare nga SHBA dhe Lidhja e Kombeve të Bashkuara. Për shkak të kësaj veprimtarie për njohjen dhe konsolidimin e shtetit politik të shqiptarëve, në vjeshtën e vitit 1913, Erickson është sulmuar dhe dëbuar nga qarqet antishqiptare të kohës. Megjithatë, edhe pas dëbimit nga Shqipëria, Charles Erickson nuk e ndali ndihmën dhe bashkëpunimin me patriotët shqiptarë që luftonin dhe punonin për Shqipërinë e pavarur. Erickson ka mbrojtur dhe ndihmuar shqiptarët e shpërngulur nga masakrat shoviniste të kryera në Veri dhe në Jug të Shqipërisë. Erickson bëri shumë përpjekje për të ndalur shpopullimin e trojeve shqiptare përmes procesit të njohur antishqiptar të shkëmbimit të popullsisë dhe territoreve. Dihet fakti se si në këtë proces famëkeq, shqiptarët konsideroheshin dhe trajtoheshin, madje dhe e quanin veten si turq, si latin, si grek etj. Pushtimi obskurantist otoman e kishte bërë punën e tij deri në atë masë sa që shumë prej shqiptarëve kur pyeteshin “çfarë je”, nga niveli i ulët kulturor konfondonin fenë me përkatësinë etnike dhe përgjigjeshin “jam turk el hamdyrylah”. Për shkak të kësaj prapambetjeje kemi paguar, e mesa duket do të vazhdojmë të paguajmë akoma kosto të rëndë shoqërore e politike për të gjithë atë trashëgiminë e njohur e të kudogjendur të dhunës, ligësisë, dembelizmit, përçarjes, hajdutërisë, korrupsionit dhe prapambetjes së thellë politike që krijoi dhe la pas pushtimi otoman pesë shekullor. Në lidhje me këtë realitet, në vitin 1913, Kristo Luarasi ka shkruar:

“Në jeni burra kuptohemi. Kujtoj se nuk jena aq budalla sa të mos e marrim vesh që këto lëvizje e këto tarafe janë prishja jonë”.

Kristo e kishte fjalën për lëvizjet dhe tarafet nepotike e krahinore të thurura sipas traditës dhe modelit otoman, e që kanë shkaktuar e vazhdojnë të shkaktojnë defaktorizimin dhe vrasjen e ëndrrave të shqiptarëve për zhvillimin dhe përparimin e tyre ekonomik, politik e shoqëror. Që nga ajo kohë duket që ka filluar edhe ndryshku mbi aftësinë shtet-formuese dhe bllokimi i qarkullimit të mirëfilltë të elitave dhe ideve për shkak të shtresëzimit të “plehut të trashë otoman”, siç e quante Camilio Libardi, 1928, e që mban akoma të bllokuar gjithë sjelljen demokratike, mendësinë dhe kapilarët e funksionimit normal të shtetit dhe gjithë shoqërisë shqiptare. Nga kjo periudhë e ka zanafillën edhe modeli i sotëm i sundimit të vendit me hipokrizi, me korrupsion, me tarafe e me koka turku.

 

Modelet otomane

Modelet otomane dhe orientale të zhvillimit, janë modele të frikshme, varfëruese e degraduara të sundimit politik e shoqëror të një vendi. Produkti i vazhdueshëm i këtyre modeleve kanë qenë dhe janë përbindëshat që shqiptarët kanë provuar në vite e dekada, herë si bejlerë otomanë, herë si diktatorë, herë si kleptokratë, herë si maskarenj të fshehur nën parullat nacionaliste etj., e që gjithmonë kanë shkatërruar jetën, mirëqenien dhe ëndrrat e shqiptarëve. Modeli i zhvillimit me zuzarë, pashallarë e bejlerë të paditur, të pa reformueshëm, të trashë e të tejkaluar në kohë, duket që nuk është përmbysur asnjëherë si duhet. Duket që nuk është trajtuar dhe pastruar asnjëherë me themel, asnjëherë nuk është shkulur nga rrënjët njëlloj si në vendet e tjera të rajonit dhe Evropës.   Përkundrazi, edhe në këto 107 vite vazhdoi tradita e sjelljeve otomane ndaj punës, dijes, shoqërisë dhe mendimit njerëzor. Asnjëherë nuk pati përmbysje të thellë politike, në të gjitha rastet, klanet nepotike e hajdutërore të politikës dhe administratës pësuan metamorfozën e radhës sa për të riardhur përsëri në pushtet përmes mashtrimit, uzurpimit dhe defaktorizimit të thellë të institucioneve dhe administratës, që për fatin e keq nuk ishin dhe akoma s’janë as demokratike, as elitare, as gjithëpërfshirëse dhe as Euro-Atlantike. Një fjalë e urtë thotë që: Ajo që harrohet përsëritët në forma dhe përmasa edhe më të frikshme.

 

Rëndësia jetike që ka ndarja me të keqen

 

Për të mos harruar burimin e të keqes dhe rëndësinë jetike që ka ndarja e thellë dhe e prerë e shqiptarëve me të keqen, Mit’hat Frashëri, ka shkruar:

“E urrejtur qoftë për jetë ajo administratë, e mallkuar qoftë ajo orë që solli këmbën e Aziatikut në Shqipëri, që na bëri të rrimë pesë shekuj më pas nga shokët. Pesë shekuj shkuan mbi neve si një hije e zezë, një gur i rëndë mbi mendjen dhe vetëdijen tonë, një kohë errësire që ment ndryshoi në ç’do ndjenjë njerëzije, çdo cilësi njeriu të ndershëm.”. Askush nuk e kishte menduar që edhe pas 107 vitesh, Shqipëria do të ishte përsëri e abuzuar, e vjedhur dhe e sunduar si në Mesjetë, në mënyrën më të keqe të mundshme. Patriotët shqiptarë si Niko Daka, Kostandin Çekrezi dhe miku i shqiptarëve Charles Erickson, që përpara 100 vjetësh, patën largpamësinë e tyre të admirueshme dhe e adresuan njohjen dhe zgjidhjen e qëndrueshme të çështjes shqiptare në Senatin e SHBA. Të gjithë mendimtarët dhe patriotët e rilindjes sonë kombëtare, na e kanë argumentuar dhe faktuar që rruga jonë e vetme e zhvillimit demokratik, është ajo që kalon nga Brukseli, Londra dhe Uashingtoni. Përkundrejt faktit që mendësia dhe sjelljet politike e shtetërore orientale e të dyzuara janë kohë e humbur, janë varfëria dhe shkatërrimi më i madh që mund t’i bëhet shtetit dhe kombit shqiptarë.”

Në këto kushte e situata të vështira të shkulturimit dhe prapambetjes së thellë e të gjithanshme otomane, më 2 Shtator 1919, Kristo Daka, Kostandin Çekrezi dhe miku i madh i shqiptarëve Charles Erickson, të mbështetur edhe nga Këshilli Kombëtar Shqiptar i Amerikës, arritën që të paraqesin një dëgjesë mbi Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Senatit Amerikan. Kjo dëgjesë ka pasur një rendësi të jashtëzakonshme për frenimin e copëtimit të mëtejshëm të territoreve të Shqipërisë e që do të ishte edhe më fatal se copëtimet e mëparshme të viteve 1878 dhe 1913.

Përmbajtja e dokumentit të Kongresit nr: 7605, më 2 Shtator 1919

 

Në këtë 100 vjetor në lidhje me këtë fakt pothuajse të harruar nga mediokriteti politik e diplomatik, po sjellim në vëmendjen e lexuesve një pjesë nga përmbajtja e dokumentit 7605 të Kongresit për këtë dëgjesë. Me shumë interes është debati i zhvilluar midis Charles Erickson që paraqiti materialin mbi Shqipërinë dhe kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Senatit Amerikan, Z. Henry Cabot Lodge. Lodge e ka pyetur:

“Mr Erickson, dua të të bëj një pyetje. Çfarë janë Shqiptarët etnikisht? Ju flisni për ta që kanë qenë përpara të gjitha këtyre racave. Çfarë janë ata?

Ndërsa Z. Erickson i është përgjigjur:

Zoti kryetar, shqiptarët konstituojnë pasardhësinë e racës së Pellazgëve që ndërtuan kështjellat e mëdha në Ballkan dhe pasi raca Pellazge erdhi, ata ishin në tre degë. Epirotët, Maqedonasit dhe Ilirët flasin të njëjtën gjuhë ose degë të së njëjtës gjuhë”.

  1. Henry Lodge ka vazhduar me pyetjen:

Gjuha e tyre është rrjedhim i gjuhës Ariane?”.

Ndërsa Z. Erickson i është përgjigjur:

“Po, me ndërtim është si gjuha Latine”.

Ndërsa pyetjes së shtruar nga Z. George Moses, senator dhe anëtar i komisionit të Jashtëm të Senatit, mbi numrin e popullsisë shqiptare dhe përqindjen e popullsisë muhamedane. Erickson i është përgjigjur:

“Rreth dy milionë e gjysmë Shqiptarë, popullsia është 65% Muhamedanë që jetojnë në harmoni e vëllazëri me besimet e tjera”.

Ky prezantim i situatës shoqërore e politike dhe problematikave që kalonte vendi përbën një nga hapat dhe përpjekjet e para të elitës politike e shoqërore të shqiptarëve drejt projektit dhe rrugës së sigurt të suksesit dhe prosperitetit Euro-Atlantik të Shqipërisë. Që nga ajo kohë, çdo hipokrizi apo qëndrim i dyzuar ndaj SHBA dhe Bashkimit Evropian, është konsideruar dhe do të konsiderohet si mjerim, vetëdiskreditim dhe defaktorizim i panevojshëm i shqiptarëve në rajon. Modeli politik i bejllëkut krijon varfëri, skllavëri, përbindësha e diktator. Hipokrizia dhe sjelljet e dyzuara me rrugën dhe modelin Euro–Atlantik të zhvillimit, janë kosto të papërballueshme për ekonominë, politikën, shtetin dhe faktorin shqiptarë në rajon.