Prof.Dr. Lavdosh Ahmetaj: Filozofia e shtetit, populli dhe politika

1325
Sigal

Sipas  Makiavelit ajo, nuk është dogmë,  por ka në thelbin  e saj logjikën e dialektikës platoniane

Filozofia  e shtetit si mjeti i vetëm, për të krijuar një  popull  dhe komb politik

Prof. As. Dr. Lavdosh Ahmetaj

“Pse po  e hapim këtë rubrikë shkrimesh?

Motivi është Kantist, i cili e arsyetonte popullin si një kritikues vetëm përmes penës. Kjo është kaq domethënese, nga pikpamja politike dhe filozofike sado të ishte e pamundur të pretendonim ne si shqiptarw, për ndryshim pa një koncept të tillë, për nocionin popull”.

Por për të kuptuar filozofinë politike makiaveliste, në lidhje me shtetin, duhet të përshkruhet situata që çon tek Makiaveli dhe me tej tek Luteri nëpërmjet një interpretimi tradicional: Njësia e organizmit tregtar përbëhej, në Mesjetë, nga qyteti, duke mos qenë liria e lëvizjes dhe as përdorimi i monedhës shumë të zakonshme në shekullin XIV. Duke u shtrirë dhe duke u bërë mënyrat e komunikimit më të lehta, një sistem tregtar lokal kaq i monopolizuar dhe kaq i kontrolluar nuk mund të zgjaste më në kohë. Ai që nxori dobi më të mëdha prej kësaj qe tregtari lëvizës, që ishte i gatshëm të shfrytëzonte të gjithë tregjet, kishte kapitale për të investuar dhe mund të bënte tregti me çdo lloj malli që i jepte fitim të madh. Një tregtar që do të kishte drejtimin e tregut dora-dorës mund të kontrollonte edhe gjithë prodhimin. Për sa i përkiste kontrollit të tregtive, cilësisë së mallrave tip apo çmimeve dhe kushteve të punës, e gjitha kjo duhet të bëhej nga qeverisje më të gjera se organizimi bashkiak mesjetar. Në shekullin XVI, të gjitha qeverisjet mbretërore kishin përshtatur një politikë të vetëdijshme të shfrytëzimit të burimeve kombëtare, të inkurajimit të tregtisë, zhvillimit të fuqisë kombëtare. Këto shndërrime ekonomike patën ndikime të thella shoqërore dhe politike. Për herë të parë u shfaq në Europë një klasë e konsiderueshme njerëzish që kishin njëkohësisht para dhe iniciativa. Kjo klasë ishte armike natyrore e fisnikërisë, ndarjeve dhe e trazirave që nxiste ajo. Interesat e tij ishin nga ana e qeverisjes së fortë dhe në politikë ajo ishte aleate natyrore e mbretit. Borgjezia u bë e vetëdijshme se në çdo pikëpamje qendërzimi më i madh i mundshëm në duart e mbretit, i pushtetit ushtarak dhe i administrimit të drejtësisë, kthente gjithçka në leverdi të saj.

Ndërsa dukej se nuk kishte një pushtet të fortë që t’i jepte njësimin krejt gadishullit.

Ashtu si pjesa më e madhe e italianëve të kohës së tij, Makiaveli e mendoi kishën përgjegjëse për këtë gjendje të punëve. Tepër i dobët për të bashkuar Italinë, papa ishte megjithatë mjaft i fortë për të penguar çdo sovran tjetër që ta bënte këtë”.

Makiaveli është teoricieni i paparagjykimtë i kësaj dinamike shoqërore, nga e cila Italia nuk është prekur për shkak të rolit të posaçëm të papatit.

Elementit të risisë së paraqitur nga krijimi i një politike të pavarur nga morali i shtohet, tek Makaveli, një i dytë, gjithashtu i ngërthyer mbi përkufizimin themelor grek të tre tipeve qeverisëse (të njëshit, të pak vetëve, të shumicës) dhe të parapëlqyeshmërisë për atë të përzier. Kalimet themelore janë karakteristikat e kujt drejton pushtetin dhe raporti mes virtytit dhe fatit dhe raportet e institucionalizuara mes grupeve shoqërore në Ligjërata mbi Dekën e parë të Tit Livit. Makiaveli shkruan tek Princi:

Në këtë pikë, shtrohet pyetja: a është më mirë që atë [princin] ta duan apo të druhen prej tij. Përgjigja do të duhej të ishte si njëra dhe tjetra; por pasi është e vështirë t’i puqësh bashkë, ai është shumë më i sigurt nëse druhen prej tij sesa kur e duan, në rastin kur duhet të mungojë njëra prej tyre. Pasi për njerëzit, përgjithësisht, mund të thuhet se ata janë mosmirënjohës, të paqëndrueshëm, shtinjakë dhe tinëzakë, ikanakë para rreziqeve, lakmitarë të fitimit.

Sado të jetë e lëvdueshme tek një princ të mbajë fjalën dhe të jetojë me ndershmëri e jo me dredhi, secili e kupton, e për më tepër shihet, në përvojën e kohëve tona ata princër kanë kryer punë të mëdha, se pak rëndësi i kanë dhënë mbajtjes së fjalës e besimit dhe se kanë ditur me finokëri të vërtisin mendjet e njerëzve; dhe më në fund kanë mposhtur ata që janë mbështetur mbi besnikërinë.

Shumë kanë pasur dhe kanë mendimin se gjërat e kësaj bote qeverisen në atë mënyrë nga fati dhe nga Zoti, sa njerëzit me urtësinë e tyre nuk mund t’i ndreqin, madje as mund ketë ndonjë ndryshim në to.

Megjithatë, pasi vullneti ynë i lirë nuk është shuar, gjykoj se mund të jetë e vërtetë se fati është zot i gjysmës së veprimeve tona, por se etiam ai e lë në dorën tonë të drejtojmë gjysmën tjetër.

Fati e tregon fuqinë e tij aty ku nuk shfaqet aftësia për t’i rezistuar; dhe atëherë drejton vrullin e tij aty ku e di që nuk janë ngritur prita dhe nuk janë marrë masa për ta ndalur.[1]

Nga një gjykim negativ mbi natyrën njerëzore, Makiaveli nxjerr si rrjedhim cilësitë e njeriut të pushtetit.

Analiza e  “Princit”  plotësohen me të tjera të Ligjëratave mbi Dekën e parë të Tit Livit; në to dinamika institucionale e klasave paraprihet, pas përshkrimit të përmendur të ciklit politik, nga lavdërimi i rolit të individëve dhe i rastit.

Disa që kanë shkruar për republikat thonë se gjenden në to një prej tre rendeve, të quajtur nga ata Principatë, Optimatë dhe Popullor. Disa të tjerë dhe, sipas gjykimit të më të shumtëve, më të urtë, kanë mendimin se janë gjashtë qeverisje të diskutueshme:  ato që janë të mira, janë dhe tre të përshkruarat më lart: ato që janë të këqija, janë tre të tjera që rrjedhin nga këto të tria. Principata lehtësisht bëhet tiranike; Optimatët me lehtësi bëhen shtete të një grushti njerëzish; Popullorja pa vështirësi kthehet në të shthurur. Në mënyrë të tillë që, nëse një drejtues i republikës organizon në një qytet njërin prej atyre tre rendeve, e organizon për pak kohë, pasi asnjë ilaç nuk mund të gjejë që ta bëjë të mos  shkasë në të kundërtën e tij.

Variacionet qeverisëse

Lindin këto variacione qeverisëse si mundësi mes njerëzve, pasi në zanafillë të botës, duke qenë banorët të rrallë, jetuan një kohë të shpërndarë në shëmbëllim të shtazëve; më pas, duke u shumëzuar brezat, u mblodhën bashkë dhe më të fuqishmin dhe me zemër më të madhe, e vunë si kryetar më vonë, për të zgjedhur një princ, nuk shkonin pas më të fuqishmit, por pas atij që ishte më i urtë dhe më i drejtë. Por më tej, pasi princi bëhej i tillë prej trashëgueshmërisë dhe jo prej zgjedhjes, shpejt filluan trashëgimtarët të degjenerojnë në krahasim me më të hershmit, dhe duke lënë veprat e virtytshme mendonin se princat nuk duhet të bënin tjetër veçse të tejkalonin të tjerët në salltanet dhe në neps. Nga kjo lindën komplote të bëra nga ata që për bujari, lartësi shpirtërore, pasuri dhe fisnikëri, dallonin mbi të tjerët. Dhe ata, duke mos duruar emrin e një kreu të vetëm, ngrinin ata vetë një qeverisje. Duke ardhur më pas ky administrim tek bijtë e tyre, që i janë kthyer koprracisë, lakmisë, rrëmbimit të grave, bën që nga një qeverisje e Optimatëve të bëhet një qeverisje e një grushti njerëzish; kështu u ngrit shpejt dikush që me ndihmën e shumicës i fshiu. Dhe duke dështuar rendi i të paktëve dhe duke mos dashur të ringrenë atë të një princi, iu drejtuan rendit popullor, e pasi mbaroi ai brez që e kishte organizuar, shpejt u kalua në shthurje në mënyrë të tillë që, për të shpëtuar prej shthurjes, i kthehet përsëri Principatës.