Prof. Dr. Gjergji A. Foto: Në monizëm nafta ushqente deri 35% të buxhetit, sot 2-3%. Politikanët pa njohuri ekonomike, deklarojnë të pavërteta

272
Sigal

Kur në punët teknike të naftës përzihej Partia dhe kur Kryeministri nuk ishte edhe Kryetar Partie!

  •  – Si u projektuan dhe si filloi shpimi i puseve Ca-17,-18,-19,-20, nga të cilët, pusi Ca-20, në Cakran të Fierit.
  • – Gjatë fillimit të punimeve ishte i pranishëm Ministri dhe anëtari i Byrosë Politike Pali Miska.
  • – Zbulimi i një rezervuari me gazkondensat në shkëmbinj karbonatikë, ndodhte për herë të parë në vendin tonë.
  • -Nuk harrohet roli mirëkuptues i Drejtorit të Shpimeve, Petraq Xhako.
  • – Porosia e Pali Miskës: Gjeologët të rishikojnë edhe njëherë intervalet e marrjes së kampioneve.
  • -Si i raportova Adil Çarçanit pse sasia e rezervave të zbuluara kish një pasiguri në vlerësim.
  • -Disa drejtues e keqinformonin Pali Miskën në Ministri, mbi punimet në pusin Ca-20.
  • – Prokop Murra, mori në dorë dhe drejtoi gjithë debatin për ndaljen e pusit Ca-20.

“Për ata politikanë që pa njohur historinë e zhvillimit ekonomik të vendit, bëjnë deklarata të pavërteta dhe na quajnë“Komshij të naftëtarëve”

Kujtime

“Ishin projektuar dhe ishin në shpim puset Ca-17,-18,-19,-20, nga të cilët, pusi Ca-20, vetëm 500 metër në perëndim të pusit Ca-12, i cili kishte zbuluar prerjen që dha gazkondensat. Pusi Ca-17, në krahun lindor të strukturës, ishte projektuar të arrinte thellësinë naftëmbajtëse të parashikuar dhe të thellohej për të vlerësuar edhe kontaktin naftë-ujë. Duke shpuar në thellësi më të madhe se tre puset e tjerë, në rezervuarin karbonatik, në kampionet e fundit të pusit, 4115 m pati mjaft shënja bitumesh. Pikërisht këto shënja, u bënë shkak për përfshirjen në vendimet e mëtejshme të Ministrit dhe anëtarit të Byrosë Politike Pali Miska, i cili kishte ardhur që në mëngjes në sheshin e sondës, për të parë konkretisht në vend e për t’u informuar për të dhënat e reja dhe për të vendosur për ecurinë e mëtejshme të pusit.

Pasi na kishin njoftuar se kishte dalë kampioni i parashikuar, unë dhe Ilia Dhimulla, ishim në punë e sipër te arkat e kampionit të rreshtuara pranë derës së barakës së gjeologut. Unë, përshkruaja tipat e shkëmbit, boshllëqet e tyre, cilat prej tyre ishin ngopur me bitume, ndërsa gjeokimisti i shquar Ilia Dhimulla, studjonte me hollësi tipat e bitumeve në shkëmb. Pas vizitës në sheshin e sondës, Pali Miska, erdhi te baraka e gjeologut ku ishin mbledhur ata që ishin njoftuar të ishin aty dhe që ndiqnin rezultatet e pusit. Para se të hynte në barakë, ndali te ne dhe na pyeti se çfarë mendonim, për shënjat e naftës, duke iu drejtuar sidomos Ilias. Ilia, u përgjigj shkurt dhe prerë, duke evidentuar faktin që “Kjo naftë në kampione, duhej të ishte fazë kalimtare”. Këtë emërtim, unë e dëgjoja për herë të parë. Zbulimi i një rezervuari me gazkondensat në shkëmbinj karbonatikë, ndodhte për herë të parë në vendin tonë, pas një grumbullimi të tillë në ranorët e Bubullimës, me pusin 617, që as nuk u kuptua se ç’ishte e si duhej shfrytëzuar me efektivitet. Në atë kohë, isha ende student dhe jehona e tij u shua shumë shpejt. Përvoja ime në momentin e këtij diskutimi për pusin Ca-17, përfshinte rezervuarët ranorë dhe kapelet gazore të shtresave të Marinzës, Bubullimës dhe sidomos, kapelet gazore të rezervuarëve karbonatikë të Finiqit dhe të Ballshit. Sidomos në këtë të fundit, takonim shënja nafte në çdo pus që shponim brenda pjesës gazmbajtëse. Konstatimi i Ilias, vinte pas fakteve të njohura nga kondensatet e pusit 617, por edhe faktit se pas kondensateve të pusit Ca-12, ende nuk dihej nëse do të kishte fazë të veçantë nafte të lëngshme. Pali Miska, i revoltuar që po dëgjonte këtë “term të ri”, iu përball Ilias me një farë egërsie aq sa ky i fundit, u detyrua të bënte mbas deri kur u përplas me kurriz pas dërrasave të barakës. Me ashpërsi, na ftoi brenda, ku pamë disa nga kolegët tanë e sidomos gjeofizikët e ndërmarjes së karrotazhit. Pasi i kërkoi shpjegime dhe informacion më të hollësishëm Ilias për këtë “naftë kalimtare”; mua, më kërkoi të përgjigjesha se çfarë do të ndodhte nëse pusin Ca-17 e ndërprisnim në këtë thellësi, me idenë për të përvetësuar prerjen dhe për të marrë naftën, që sipas tij, mbështetej nga gjeofizikët që kishin rregjistruar një kompleks paraprak të diagramave në trungun e pusit e që ishte shfaqur në këtë thellësi.

Gjeografia e puseve

Duhet vënë në dukje se gjeofizika e puseve, sapo kishte filluar të përcaktonte përmbajtjen e elementëve të rëndë të Vanadit dhe Nikelit në shënjat e bitumit të shkëmbinjve në kampion, nëpërmjet metodës së “Aktivimit Neutronik”. Prania e atyre elementëve metalorë në bitum, detyrimisht lidhej me praninë e oksideve të atyre metaleve, në fraksionet me peshën më të lartë molekulare, “asfalte&rrëshira”, të ardhura nga lënda organike fillestare, që kishte formuar kerogjenin dhe naftën përkatëse.

Përgjigja ime pyetjes se ç’ndodhte nëse e ndërprisnim pusin në këtë thellësi dhe e përvetësonim, ishte se ky pus sipas detyrës në projekt, duhej të thellohej, për të përcaktuar njëherësh praninë e katit naftëmbajtës por edhe kontaktin e saj me prerjen ujëmbajtëse. Nëpërmjet këtij përcaktimi, do të zgjidheshin hapat e mëtejshëm për vendvendosjen e puseve të tjerë, mundësohej llogaritja e rezervave, parametra të nevojshëm për venien e shpejtë në shfrytëzim të rezervuarit. Pasi dëgjoi argumentat e mi, ai më parashtroi sugjerimin që ato detyra të pusit Ca-17, t’ia kalonim pusit Ca-20, që ishte në shpim. Iu përgjigja shpejt dhe qartë se pusi Ca-20, do të vonohej shumë nga që do të shponte një prerje shumë të trashë karbonatike, pasi ishte gati në kulmin e strukturës dhe do të duhej kohë e gjatë të shkonte deri në kontakt e për pasojë, do të vononte shpimin e puseve të tjerë. Aty, nuk u vendos asgjë dhe unë e Ilia, dolëm jashtë të vazhdonim punën.

Pusi Ca-17

Megjithatë, pusi Ca-17, me urdhër, u ndërpre në thellësinë 4115m dhe kaloi në përvetësim. Atë mbasdite, kur pusi ishte bërë gati për t’u përvetësuar, unë në një makinë, së bashku me disa kolegë e mes tyre me Rodolf Sahatçiun, vumë re se kishin ardhur të merrnin pjesë në atë ngjarje, Inxh. Rexhep Shehu, zv. Ministër dhe Inxh. Perikli Prifti, Drejtori i Drejtorisë së naftës, të dy në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave. Gjithë kodrina rreth e rrotull pusit ishte plot me punonjës, besoj shumica naftëtarë, punëtorë, inxhinierë, gjeologë, shpuesa dhe prodhuesa, drejtuesa ndërmarjesh të naftës dhe deri punonjës të Ministrisë. Pusi filloi të jepte përmbajtjen e rezervuarit në gropën e argjilës dhe gradualisht, kur rryma u pastrua nga uji dhe solucioni i argjilës, filloi të vinte naftë e lehtë me ngjyrë kafe. Të gjithë brohoritën, madje njeri prej të ardhurve nga Tirana, duke mbushur grushtat me të, thirri i ngazëllyer: “Po ky qenka fërnet mer jahuuu!”. Dihej që ai, ishte qejfli i fërnetës. Ndërkohë, puset e tjerë, vazhdonin shpimin.

Pusi Ca-17, u vu në punë dhe rezultoi me prodhim gazkondensati. Pusi Ca-20, i cili kishte marrë detyrën që la pa e realizuar pusi Ca-17, vazhdonte shpimin në gëlqerorë e që sipas bashkëlidhjes me pusin pranë Ca-12, duhej të ishte duke shpuar në prerje gazkondensat mbajtëse, tashmë të vërtetuar. Duke parë detyrat për studime të hollësishme, për herë të parë, këmbëngula që Ca-20, të merrte disa kampione shkëmbinjsh gjatë shpimit. Drejtori i shpimeve në atë kohë, Petraq Xhako, përgjithësisht ishte i mirëkuptueshëm me kërkesat tona, ndaj edhe mori përsipër të siguronte karrotjerë me gjatësi 8 metra dhe e realizoi. Për herë të parë ky tip karrotjeri, solli në sipërfaqe, tërë gjatësinë e shpuar të shkëmbinjve të trungut. Nga shqyrtimi që i bëra gjithë gjatësisë së kampionit të vendosur në arka, gjeta tipa të shumtë gëlqerorësh dhe mjaft ngopje me bitume. Midis shkëmbinjve të sjellë ndodhej një sasi gëlqerorësh pseudobrekçiozë të ngopur me bitume të rrjedhshëm. Duke përshkruar kampionin dhe mbajtur shënim gjithçka, ulur me gjunjë të palosur, përballë derës së barakës së gjeologut, mbas meje, kaloi një grup punonjësish të brigadës së shpimit, të Drejtorisë së Naftës, etj. të cilët i printe, Ministri Pali Miska e që ishin drejtuar te sonda. Pali Miska, i shoqëruar nga shpura, kaloi mbas meje, pa kampionin, por nuk ndërhyri, duke vazhduar bisedën. Punonjësit e brigadës, me atë rast, iu ankuan atij për sasinë e madhe të intervaleve të karrotuar dhe të parashikuar për kampion e që sipas tyre, pengonte ritmet e larta dhe zgjaste afatin e përfundimit të shpimit. Dhe porosia e Pali Miskës, e që unë e dëgjova mjaft mirë, ishte që “gjeologët të rishikonin edhe njëherë intervalet e marrjes së kampioneve”.

Raporti tek Adil Çarçani

Kjo porosi e rastit e Pali Miskës, që u shfrytëzua nga shpuesit, u bë shkak që unë të shpjegoja, para Komisionit Shtetëror të rezervave që drejtohej nga zv Kryeministri Adil Çarçani me mjaft ministra dhe Kryetari i Komisionit të Planit dhe kuadro të tjerë, se pse sasia e rezervave të zbuluara kish një pasiguri në vlerësim.

Pas Pali Miskës, në Institut dhe në zyrën ku punoja, u shfaqën dy ish-këshilltarët: i Kryeministrisë, K.Y. dhe tjetri i Komitetit Qëndror, K.P., të dy specialistë të fushave ndihmëse; njeri në hidrogjeologji e tjetri, gjeofizikë pusesh. Të dy, jo vetëm që e kishin marrë informacionin për pusin, kampionin dhe shënjat e naftës së rrjedhshme në të, por kishin zhvilluar biseda të rastësishme edhe me disa specialistë gjeologë të vjetër të institutit si L. S. etj. për interpretimin e asaj situate në pusin Ca-20. Pa biseduar me mua, që ndiqja dhe drejtoja punimet e konturimit dhe projektimin e puseve të rradhës, nga telefoni i zyrës, në praninë time, njoftojnë Pali Miskën në Ministri, që pusi Ca-20, kishte takuar prerjen naftëmbajtëse dhe nuk duhej thelluar më për të realizuar detyrën e ngarkuar, por të ndërpritej dhe të vihej në shfrytëzim. Gjithashtu, ata raportuan se ky variant interpretimi ishte konsultuar me gjeologë të vjetër të cilët mendonin se midis pusit Ca-12 dhe Ca-20, mund të ishte një prishje tektonike, pothuaj vertikale e cila ekranizonte shpërndarjen e fluideve nga pusi Ca-12 me prerje gazkondensati me prerjen e pusit Ca-20, që në thellësitë ekuivalente, shfaqej me naftë. U tërhoqa vëmendjen të dyve për gabimin që po bënin me atë variantin iterpretimi, të pakonsultuar me përvojën dhe të konsultuar me specialistë, që të gjendur para interesimit të “shefave” shpalosën ide të pambështetura askund. Varianti i pranuar dhe i transmetuar te Ministri, vetëm se do të vononte rezultatet e pritshme dhe arritjen e zonës naftëmbajtëse, por këtë vërejtje e shpërfillën. Interpretimi im, ishte rezultat i përvojës për ndjekjen e shpimeve dhe kampioneve në shumë zona shpimi. Të githa këto të dhëna, më kishin krijuar gradualisht bindjen se të gjithë vendburimet ku ishte shfaqur nafta në prerje gazore kishin një histori të gjatë formimi, shkatërrimi dhe riformimi të ngjashme, dhe se faza gazkondensate dhe gazore kishte ardhur mbas mbushjes së tyre me naftë. Grumbullimi kur vihej në shfrytëzim, prodhonte vetëm gaz apo gazkondensat dhe jo naftë. Kjo ishte bindja ime e formuar nga përvoja e provuar, por që nuk ishte paraqitur me studim të posaçëm, pra ishte ende e “paçertifikuar” nga Këshilli Shkencor i Institutit dhe kjo u duk qartë sidomos nga qëndrimet e mëvonshme të Petraq Xhaçkës.

Në këto ditë debatesh, u shfaqën me rradhë në Institut zv Ministri, Rexhep Shehu, i cili mblodhi Këshillin Shkencor, me qëllimin që të kërkonte mendime për këtë rast, nëse pusi duhej të ndalej apo jo. Aty, unë, referova për rastin dhe ofrova zgjidhjen që pusi Ca-20, duhej të vazhdonte shpimin, sepse nëse ndalej, do prodhonte vetëm gazkondensat e për pasojë do të bllokonte gjithë zhvillimet e mëtejshme, zbulimin e naftës, dhe vënien e shpejtë në shfrytëzim, të vendburimit të ri. E vetmja alternativë duhej të ishte thellimi deri në projektin e ri, pas ndaljes së pusit Ca-17. Nuk u ndje askush të më kundërshtonte, madje as Petraqi, as po as jo.

Sekretari i Komitetit Qëndror të Partisë Prokop Murra

Më pas, u shfaq Sekretari i Komitetit Qëndror të Partisë, Prokop Murra, i cili mori në dorë dhe drejtoi gjithë debatin për ndaljen e pusit Ca-20, duke e kaluar diskutimin në organizatat e Partisë të ndërmarrjeve të naftës, duke e trajtuar problemin nisur nga interesat e ekonomisë për naftë. E njëjta mbledhje u zhvillua edhe në organizatën e partisë të kabinetit tonë të përgjithësimit të institutit. Qëndrimi im, ishte i njëjtë si më parë. Në atë debat, përsëri nuk u angazhua Drejtori i Institutit të Naftës Petraq Xhaçka. Ai, si gjithmonë nuk “guxonte” të jepte mendime kundër interesave që shfaqnin drejtuesit e partisë ose të shtetit. Mendimi im mbeti i vetëm, por asnjëherë nuk u morën vendime kundër tij. Problemet nëpër mbledhje, shtroheshin vetëm për diskutim. Mesa dukej, varianti im i interpretimit i kishte trazuar mendimet dhe kjo u duk kur pas një dite të lodhshme e me shumë shqetësim, në të ngrysurmë njoftojnë të bëhem gati për t’u nisur në Tiranë, diku rreth orës 8 e 30 të mbrëmjes.

Pasi u bëra gati, u nisëm me një nga makinat e institutit. Nuk e mbaj mend se me cilët kolegë, makinë dhe shofer kemi udhëtuar. Nuk dija asgjë se ku do shkonim dhe pse po shkonim në Tiranë. Askush nuk na tha asgjë përveçse urdhërave të veprimit, pashpjegim. Nuk e mbaj mend orën e mbërritjes në Tiranë dhe as nuk e di se ku shkuan dhe fjetën kolegët, veçse unë,

iu drejtova Pallatit të oficerave te rruga e Durrësit, pranë Ambasadës Jugosllave. Ka qenë vonë, pasi kur trokita në derën e apartamentit në katin e 6-të, u desh kohë të hapej. Vëllai i madh që e hapi, ishte me bizhame dhe përgjumësh, e më tepër, i habitur për atë orë të vonë. Më ftoi të hyja duke më pyetur se pse kaq vonë dhe përse kisha ardhur. Vëllai kishte vite që shkruante kujtimet nga lufta, si ish partizan i Brigadës së Parë Sulmuese. Kujtimet i ishin përtërirë edhe se ishte pjesëmarrës në inkursionin që organizoi rinia në kujtim të marshimit të asaj Brigade, ndaj në njërën nga dhomat ku punonte deri vonë, kur të tjerët flinin, kishte tavolinën e punës, bibliotekën dhe një krevat portativ. I mirënjohur me ngjarjet në naftë, e sidomos me ato të vitit 1974, ’75 dhe ’76, nuk mund të përjashtonte dyshimet se edhe unë të mund të isha njeri nga të anatemuarit, ndaj nuk rreshti nga pyetjet, ndërkohë që po merrte nga dollapi në korridor, një krevat tjetër portativ për mua. Pasi u shtriva në krevat, po më përfshinte gjumi nga lodhja, por gjumin që më mbyllte sytë dhe stakonte mëndjen, ma prishnin pyetjet e vazhdueshme të vëllait i cili pa çka se unë i thashë se nuk dija se ku dhe pse erdhëm në Tiranë, vazhdoi të më “bombardonte” me pyetje. Ai ngulmonte të përcaktonte nga punët e mia të ditëve të fundit, se cila mund të ish arsyeja, nga që në ato punë, ishin përfshirë drejtues të Partisë dhe Pushtetit në qëndër. Unë, përpiqesha të jepja një shpjegim shterrues me idenë që të shpëtoja nga pyetjet e të flija, por çdo përgjigje, ishte një portë që hapej për pyetje të reja. E kështu, mund të kenë kaluar orë e orë aq sa unë iu luta të më lërë të fle se isha mjaft i lodhur. Pas lutjes, më la, por nuk jam i bindur se ai, vazhdoi të flinte. Ai me siguri mendonte se çfarë mund t’a priste atë dhe familjen e tij. E pashë në mëngjes me sy të skuqur. U habitën familjarët e vëllait kur më gjetën në shtëpi atë mëngjes, por nuk më pyetën. Mesa duket ishte vëllai që u kafshoi buzën për të më lenë të qetë dhe shpëtova. A e merrni me mënd se ç’dyshime kishte ngjallur kjo lëvizje e papritur në mbrëmje vonë te familjarët e mi, e veçanërisht bashkëshortja ime po ashtu naftëtare e mirënjohur me të gjitha ngjarjet? Nuk po i përshkruaj! Po ia lë asaj të shkruaj për to.

Nesër do lexoni:

  • Si na thirrën në Kryeminsitri mua, Xhaferr Spahiun, Petraq Xhaçkan, Petro Olldashin, Hidai Haxhiun, Petrit Sadushin
  • Përballë nesh ishin , Prokop Murra, Adil Çarçani, Pali Miska, Petro Dode
  • Isha mjaft i pasigurtë dhe sidomos shumë i emocionuar përpara këtyre burave aq sa dridhesha i tëri
  • Si hyri vrullshëm Mehmet Shehu në takim ku të gjithë shtangëm