Prof.Dr. Fatmir Terziu: Të ndalemi tek “Ballkani i Hapur”

192
Sigal

Kjo foto e panjohur më parë na jep disa arsye…Të ndalemi tek “ Ballkani i Hapur”

(Natyrisht në fiksimin e saj … me pushtues serbë nëpër këmbë, e sot me pushues serbë në bregdetet shqiptare)

A duhen pasuruar tekstet e historisë shqiptare me fakte të tilla „të gjalla“ e të ralla?

Fatmir Terziu

Kjo fotografi është marrë nga arkivat britanike dhe i përket faqeve të gazetës Australiane, “The Land”. Kjo gazetë është botuar në Sydney, gjatë periudhës 1911 – 1954. Fotografia është e dyta në numrin e saj. Po ashtu e dyta është dhe në rendin e saj. Ajo vendoset poshtë një fotoje, që flet për një Komision Ushtarak Japonez, që ndodhet në Frontin Perëndimor të Ballkanit, dhe poshtë saj ndodhet një foto tjetër që jep Zepelinin e fundit në fluturimin e tij. Fotografia është e realizuar në shkurt të vitit 1916. realizimi i saj përkon me katër vjetorin e Shqipërisë së Pavarur nga Perandoria Otomane. Kjo fotografi në diçiturën e saj citon se është një grup grash shqiptare në bisedë me disa ushtarë serbë. Nga thelbi kuptojmë se gratë shqiptare janë përballur diku me një patrullë ushtarake serbe. Gratë janë të vetmet që janë të „lira“ të vazhdojnë jetën nën një okupim të ri. Në një situatë të tillë burrat janë me armë në dorë, dhe diku kjo shënohet dhe në histori.

Duket se nga ajo që fokusohet është periudha kur ra shteti i ri shqiptar, që kishte në krye të Shqipërisë, PrinciVilhelm Vidin (7 mars – 3 shtator), i cili u vendos në 7 mars si kreu i Principatës së re të Shqipërisë nga ana e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Një kohë ndoshta e turbullt dhe mjaft delikate kur viti 1914 kishtë pësuar mjaft elokuenca historike, që pasohet radhazi nga faktet, Kryetar i Qeverisë së Përkohshme: Ismail Qemali (deri më 22 janar), Fejzi bej Alizoti (22 janar – 7 mars), Turhan Pasha Përmeti (7 mars – 3 shtator), Esat Pashë Toptani (më 5 tetor). Dhe pas shpërthimit të Luftës së I-rë Botërore Shteti i ri shqiptar shembet dhe Princit Ëilhelm i hiqet autoriteti dhe largohet nga Shqipëria.

Por le të kthehemi tek fotografia. Që në pamjen e parë të saj dallojmë disa faktorë, të cilët e bëjnë këtë fotografi të flasë qartë dhe shkoqur me gjuhën e saj. Faktorët janë të shumtë, por ata më kryesorët në shikimin parësor janë dallesat mes dy palëve, armët e ushtarëve dhe ngarkesat në kurrizin e grave. Të parët, duket se janë njerëz të një rregjimi të armatosur, ndërsa të dytët janë gra të zakonshme në punët e tyre të ditës, në angazhimet e tyre jetike.

Nga pamja parësore duken dy momente. Njëri është i ushtarit serb, të armatosur, që pozon dhe tregon një kërshëri në fytyrë, dhe momenti tjetër është i gruas së dytë për nga e majta në të djathtë, që ka kthyer kokën me një buzëqeshje të lehtë drejt kameras. Në të dy rastet e pikasura kemi të bëjmë me një arsye spontane.

Të tjerat janë natyrisht veç të strukuruara në dritëhije, por edhe në qëllime të tjera të mbuluara nga misteri. Ndërsa njëra grua duket si përfaqësuese në bisedim, siç duket me një nga kryesorët ushtarakë, të tjerat janë gati të mbuluara dhe me një qëllim të vetëm të dëgjojnë se çfarë thuhet në atë bisedë. Sakaq duket qartë edhe nga pozicioni i ushtarakut që ndodhet i pari nga e majta e fotografisë, me një shikim të ngulur në atë dialog, ndoshta jo të rastësishëm.

Gratë janë thuajse të një zone, që përcaktohet nga veshja e tyre. Dhe duket qartë se është një veshje tipike e zonave veriore të Shqipërisë. Bien në sy shamitë e tyre në kokë, por që duket se kanë veç të bardhës edhe ngjyrime të tjera, të cilat në këtë qasje dhe fiksim bardhë e zi, flasin vetëm me perceptimin e tyre dhe me aq sa mund të përafrohen me veshjet tradicionale shqiptare të atyre zonave.

Nëse do të shkojmë tek diçitura e fotografisë, natyrshëm kuptojmë se fiksimi i saj, po aq dhe fakti flet me një mesazh të montuar, „bashkëbisedimi i grave shqiptare me ushtarët serbë“. A thua se ata janë ëngjëj të zbritur aty rastësisht dhe tashmë ky „bashkëbisedim“ është një formë e duhur e momentit. A nuk janë ata pushtues me armë? A nuk janë ata ushtarë të një vendi fqinj me synime të qarta djallëzore? E gjithë kjo është jashtë diçiturës, por brenda asaj që flitet është një arsye më shumë të shkojmë në detajet dhe dritëhijet që fshihen në atë që quhet momenti i fiksimit të fotografisë.

Fakte të tilla dihen. Dihen dhe janë fiksuar në momente të ndryshme luftërash, pushtimesh, uzurpimesh të territoreve dhe natyrshëm dihet pse fiksohen. Gratë janë bartëse të jetës, të ushqimit, të ndihmës, të familjes, të humanizmit, sociales, mirëkuptimit. E këtu në këtë pikë janë gratë. Janë gratë shqiptare, që përballen me faturën e uniformës ushtarake të pushtuesit fqinj, me atë që përcjell „faktorin“ enigmë. Dhe ky faktor enigmë udhëton sërrish në vite. Vitet e bëjnë atë të kalkulohet lehtë dhe qartë në realitete, fakte, dhimbje dhe mite. Mite që i përkasin dhe faturës së sotme, të kësaj dite…Të kësaj dite të hutuar, të konfuzuar, të hamendësuar, debatuar, të mpakur, … deri në detajet e një termi të ri „Ballkan i Hapur“. Natyrisht në fiksimin e fotografisë që cituam duken fakte me pushtues serbë nëpër këmbë, e sot në foto të tjera reale hasim me pushtues serbë në bregdetet shqiptare. Pra „Ballkan i Hapur“?!

Sikurse thuhet, „Ballkani i Hapur“ është një zonë ekonomike dhe politike e tre shteteve anëtare në Ballkan, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Zona ka një sipërfaqe totale prej 131.935 km² dhe një popullsi totale të vlerësuar prej gati 12 milion. Gjuhët zyrtare janë shqipja, maqedonishtja dhe serbishtja.

Radio „DË“ thotë se „Iniciativa “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, që Kosova e ka kundërshtuar edhe më parë. Iniciativën për “Open Balkan” e përkrahin Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Pra nga 12 vendet që shtrihen në Gadishullin Ballkanik dhe që quhen shtete ballkanike, ose thjesht Ballkan vetëm tre janë me dorën e ngritur për „Open Balkan“. Ky rajon shtrihet në skajin juglindor të kontinentit evropian. Disa vende të Ballkanit si Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova dikur ishin pjesë e Jugosllavisë dhe nga këto vende vetëm Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë mendime të njëjta. Prandaj sipas radios „DË“ ndiejmë „Përplasje në distancë Kosovë-Shqipëri për idenë e “Open Balkan”. Por dihet ama se ideja e “mini-Shengenit” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Më 29 korrik 2021, në një forum ekonomik që u mbajt në Shkup, kësaj nisme ju ndryshua emri në “Open Balkan” dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj iniciative.

Larg fakteve të një perceptimi negativ, larg faktorëve historikë të një kohe tjetër e të turbullt, historia përsërit vetveten me forma të ndryshme në shtratin e saj të dikurshëm. Në aspektin bardhë e zi të fotografisë duket qartë sa komentuam, por në atë që qaset mes ngjyrimeve të sotme nën temperaturën 40 gradë celcius të Bregdetit shqiptar, ndjehet një mister i thellë. Nuk është thjesht për pushues, që flasin lirshëm serbisht dhe paguajnë pa problem apartamentet me qira, duke ngritur dhe çmimet, por tek ajo që kërkon të mos harrohet dhe të metohet qartë: „A janë kushtet e barabarta në këtë „Ballkan të Hapur“?!

Në planin e parë është mësuar prej kohësh se „Kosova ka premtuar, se do t’i bashkohej, “mini-Shengenit” në Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, marrëveshje kjo, e cila në dy dokumente të ndara u nënshkrua në prani të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.“ Por, në Kuvendin e Kosovës, më 6 gusht, nuk u miratua një rezolutë ku i kërkohej Qeverisë së Kosovës që të zbatonte Marrëveshjen e Uashingtonit dhe gjatë votimit për këtë rezolutë, që sipas ligjeve në Kosovë, nuk janë detyruese, por shprehin vullnetin politik, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që është në pushtet abstenuan.“

Dhe topi i mbetet Tiranës zyrtare, sidomos Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Për këtë sipas analistit nga Kosova, Blerim Burjani, kryeministri shqiptar Edi Rama, e sheh nismën e „Balkan Open“ si një projekt për përfitim ekonomik sesa politik. “Realisht kryeministrit Rama, nisma e „Ballkan Open“ i konvenon nga aspekti ekonomik dhe turistik, që në fakt më shumë duket turistik se sa ekonomik si interes i Shqipërisë. Raporti i tij jo i mirë me politikën kosovare, duket të jetë më shumë personal se sa ndër-shqiptar, pasi shqiptarët dhe interesat e tyre janë interesa më të gjera se sa interesat e tjera. Open Ballkan për momentin duket më shumë të panjohura në kuptimin politik, ashtu siҫ e mendon Prishtina, përderisa Tirana zyrtare e mendon puro interes ekonomik dhe avancim të lirive ekonomike”, -thotë Burjani.

Por, le ta themi dhe një herë, dhe pse imazhet e fotografive kanë opinione të ndryshme, gjuhët e tyre konvergojnë në një pikë mjaft të rëndësishme, atë që parathuhet dhe jep mesazh të qartë historik, „më parë shtrëngo dorën me vëllain, se me komshiun”. Pra, Ballkan Open është ide që do të duhej së pari Kosovë-Shqipëri të bisedojnë për përparësitë dhe për mangësitë e një projekti të tillë në mënyrë që të shmangeshin keqkuptimet e ndërsjellta.