Prof. Dr. Agron Fico: Mirënjohja e Kombit shqiptar për Amerikën

447
Sigal

 

 MIRËNJOHJA E KOMBIT SHQIPTAR  PËR AMERIKËN

Prof. Dr. Agron F. Fico, H. C.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në ndërgjegjen historike të shqiptarëve, janë skalitur vetëm me fjalën “Amerikë”. Populli shqiptar, kombi shqiptar , i është mirënjohës  Amerikës, sepse sipas Fan Nolit,  “Të gjithë e dimë sa të mira kemi prej saj.”

 

Periodizimi historik i miqësisë dhe marrëdhnieve midis Shqipërisë dhe Amerikës mund ta shprehim shkurt, fare shkurt me këtë  ekuacion  gjuhësor: Me Udro Uillson më 1920,  lindi Shqipëria shtet dhe shtet i pavarur, Shqipëria e djeshme. Me Bill Klinton më 1999,  lindi Kosova e lirë  dhe e pavarur, Kosova e sotme. Me presidentitin Bush, Shqipëria  u pranua në NATO. Shqipëria e sotme. Shqiptarët, si një popull fisnik, e kanë shprehur mirënjohjen e tyre duke ngritur në zemër të Tiranës shtatoren e presidentit Udro Uillson, dhe në zemër të Prishtinës, shtatoren e Presidentit Bill Klinton. Është me të vërtetë e habitshme që në një program televiziv të  RVSH-së, ku po diskutohej për Kongresin e Lushnjës, fatin e Shqipërisë,  si dhe kontributin e presidentit Udro Uillson, historianët në panel, si duket lidhjet partiake, i penguan që të përmendnin një fakt me rëndësi, që dëshmon se shqiptarët, në të gjitha kohërat, kanë nderuar shtetarin e madh, Presidentin Udro Uillson. Prof. Shyqyri Hysi, autor i monografisë “Rauf  Fico-shtetar dhe diplomat i shquar”, shkruan: “Në mbledhjen e Asamblesë Kushtetuese të Shqipërisë,  Rauf  Fico, duke ndërprerë seancën e sapofilluar, kërkoi fjalën dhe tha: “Zoti Kryetar! Pa bisedimin e rendit të ditës, dua të bëj një propozim. Me hidhnim murmë vesh se ish-kryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës U. Uillson vdiq. Duke marrë parasysh shërbimet e mëdha që i ka bërë Shqipërisë, propozoj të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi dhe t’i hiqet një telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit.” (Vep. cit., f. 63.).

Politika europiane:  “Tagji nën hundë”

Brezi i  ri, por jo vetëm ai, madje shumë e shumë njerëz nuk e dinë  dhe nuk mund ta dinë thelbin e kësaj metafore. Dajkua im, Xhaferr Kaçi e mbante familjen si qiraxhi. Ai me mushka dhe kuaj mbartte ngarkesa si vaj ulliri, misër, etj. nga  nje fshat ose lagje, në një fshat tjetër, ose edhe nga Këlcyra, në Janinë etj.. Ai më tregonte, kur isha fëmijë, se i ushqente kafshët me tërshërë dhe se torbën me tërshërë ua varte kafshëve në qafë, ua mbante nën hundë, që kafsha të ushqehej, edhe duke ecur, për të arritur në destinacionin e duhur. Këtë politikë kushtetëzuese të përhershëm  ndaj kombit shqiptar kanë  ndjekur dhe ndjekin shtetet  europiane,  pothuajse edhe në ditë e sotme. Ndër të parët që ka stigmatizuar këto qëndrime hipokrite të Europës, ka qenë personaliteti i shquar i kulturës dhe fesë, Homeri shqiptar, Gjergj Fishta. M’u duk pak e habitshme që, në një postim, Kryeministri  Edi Rama thoshte se .. “Për negociatat ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë. Po presim edhe ata (europianët ) të na thonë të vërtetën.” (?!) Habia ime qytetare ështe se europianët kanë gati që nga qershori i 1878-ës  e gjer sot që  po na i thonë  “të vërtetat” me gjuhën e tyre: herë me hashash, herë me hanxhar. Në Kongresin e Berlinit, (qershor 1878),  Fuqitë e Mëdha  Europiane,  vendosën që pjesë të tëra të territorit shqiptar (Plava, Gucia etj), t’i jipeshin Malit të Zi. Madje  u shkua edhe më tej, u mohua vetegzistenca e kombit shqiptar nëpërmjet deklaratës së kancelarit gjerman Bismarkut, i cili tha se nuk egziston Shqipëri , ajo është vetëm një koncept gjeografik! Konferenca e Londrës 1913-së,  e ktheu Shqipërinë nga katër vilajete në  më pak se gjysëm vilajete me 28.000 km katrorë.  Konferenca e fshehtë e Londrës, 1915-s e fshiu nga historia Shqipërinë, që kishte mbetur që nga 1913 dhe la një copë,  atë të Shqipërisë së mesme. Armenia ka kërkuar nga Turqia që t’i kërkojë ndjesë për masakrat e vitit 1911 kundër popullisë  civile armene. Izraeli, po ashtu, kërkoi nga Gjermania, ndjesë për holokaustin  ndaj 6 milionë herbrenjve  të shfarosur  në kampet naziste. Brezat e kombit shqiptar  duhej dhe duhet t’u kërkojnë ndjesë shteteve europiane , pjesëmarrëse në Konferencën e Londrës më 1913,  që e  ¾  të territoreve të saj iu dhanë  Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë. Kurrë nuk është vonë. Kjo është padrejtësia më e madhe  historike ndaj kombit shqiptar nga shtetet  europiane.  Në  Luftën e Dytë Botërore,  Shqipëria u pushtua  ushtarakisht me aeroplanët, tanket e Italisë fashiste dhe  Gjermanisë naziste.  Ndërsa në Konferencën e Potsdamit 1945,  kur u ndanë thelat e byrekut, Shqipëria u la jashtë Perëndimit. Njihet shprehja  e Çurçillit se, kur u pyet për Shqipërinë, ai tha me cinizëm .. “Ëell, Albania  belong Jugoslavia !” Akademiku zviceran, Aleksandre  Lambert, kur  shkruan  për zhvillimet pas Luftës së Dytë  Botërore, thotë se  kam  bindjen se ajo që ndodhi  me Shqipërinë, me lënien e saj në Bllokun e Lindjes, ishte një llogari e bërë nga aleatët, që fituan luftën.  Po mos shkojmë gjer në hstorinë e largët, po  të shohim, sado shkurt, se cili është qëndrimi i fuqive europiane ndaj kombit shqiptar në kohën tonë.  Më 17 shkurt 2020,  u mbushën plot 12 vjet nga  shpallja e Kosovës shtet i pavarur dhe demokratik.  Shqiptarët e Kosovës kanë derdhur lumenj me gjak, male me sakrifica, kanë prodhuar një art dhe kulturë  europiane, por ende nuk u njihet e drejta për të lëvizur lirisht nëpër Europë. Kushtet, kërkesat, me predikimet nga më të ndryshmet  u mohohet  popullit shqiptar të Kosovës  një e drejtë e madhe politike e njerëzore, e drejta për të lëvizur lirisht  në Europë së cilës i përkasin. Është me të vërtetë e dhimbshme kur shohim këto qëndrime antidemokratike  dhe  anti-europiane. E di, që dikush mund  të thotë se kjo bëhet edhe për  për faktin se klasa politike në Prishtinë, krerët e saj, janë të  ngathët dhe të  ndikueshëm politikisht.  Madje janë 5 shtete të Bashkimit Europian, që nuk e kanë njohur  shtetin e pavarur të Kosovës. E njëjta politikë  ndiqet edhe ndaj Shqipërisë, ajo e “tagjisë nën hundë”.  Tema: Hyrja në Bashkimin Europian. Rruga: Negociatat. 5 detyra. 9 kushte, tri metoda të reja të presidentiti të Francës, të Makronit;  shtoi edhe kërkesën (kushtin)  e persëritur të qeverisë greke për më shumë të dreja të minoritetit grek në Shqipëri.  Madje Hollanda kërkon edhe më shumë demokraci për LBND etj. Kjo më kujton  vargjet  satirike:  “S’janë shkaqe / po sebepe/ turpin e mbaçin për vete ./ Ky ankth pritjeje, kjo maskaradë e kushteve, e kritereve, e dëshmive etj. më sjell ndër mend vargjet e një kënge korçare: “Vjeshte vate e shkoi/ Europa Shqipërinë harroi… Bashkohem me ata qytetarë që thonë se përgjegjësia kryesore është tek klasa jonë politike, te krerët e tyre grindavecë  dhe pa kulturë politike. Ka një pjesë të  së vertetës. Diku kam shkruar se krerët e parë të qeverive shqiptare kanë lindur në çerdhe distrofike me mami të huaja, prandaj Shqipëria pati: satrapë, diktatorë dhe bajraktarë. Shqiptarët, e pritën me mirënjohje të thellë  dhe e  vlerësojnë lart  përkrahjen dhe ndihmën humanitare, që na dhanë shumica e shteteve europiane dhe shtete të ndryshme të botës  për fatëkeqësinë e tërmetit të 26 shtatorit të viti të kaluar. Lajmi se Këshilli Ministrave të  qeverive të BE-së, ka dhënë miratimin për çeljen e negociatave për pranimin e Shqipërisë në unionin europian, ka rritur besimin e popullit  shqiptar për ëndrrën europiane. Madje edhe kjo është shoqëruar me 13 kushte.  Kujtojmë se në fillim ishin 7,  pastaj u  bënë 9, dhe së fundmi 15!

                         Mirëseerdhe, Ambasadorja Juri Kim!

Disa muaj  më parë erdhi në Shqipëri, ambasadorja e re e SHBA-së,  zonja Juri Kim. Ajo, menjëherë, shpalosi një program ndihme, dha sinjalet e një energjie pozitive  në tri prioritetet e e punës së vet: Rritjen e aftësisë së Shqipërisë për të qenë aleate e denjë me Amerikën, ndihmë për  një sistem demokratik të sundimit të ligjit dhe nxitje e kompanive amerikane për të investuar në ekonominë shqiptare. Të gjitha këto  me synimin  që të përmirësohet niveli e jetesës së shqiptarëve. Të gjitha këto, ajo i shoqëroi me fytyrë të qeshur dhe pa na tringëllitur as indirekt ndonjë detyrim, kërkesa, kushte, provime  etj. të stilit europian. Këta muaj të aktivitetit  të saj diplomatik, e sidomos ditët e fundi, vihen re përpjekjet e saj për  afruar aktorët kryesorë  politikë,  që  t’i bashkojë në punën për integrimin europian dhe zbatimin e  ligjeve të demokracisë liberale. Populli e ndjek me vëmendje  punën e saj të palodhur  përballë qëndrimeve mjegullore të politikanëve  tanë tekanjozë e burracakë.  Kjo është arsyeja dhe  faktori më i rëndësishëm që përmendëm më lart, që i bëjnë shqiptarët krenarë për miqësinë përjetshme me Amerikën.

Shënim i redaksisë: Shkrimi është përgatitur për botim në Mars 2020, por për shkak të situatës së pandemisë së COVID-19, Prof.Fico e solli personalisht në redaksinë  e “Telegraf” vetëm 3 orë para se të ndahej nga  jeta.