Prof. Bernard Zotaj: Harresa për dëshmorët, vlera e përhershme e kombit

1319
Sigal

Ata e dhënë jetën për atdheun, për një ideal të pastër, prandaj edhe mirënjohja për gjakun e derdhur është nderim në përjetësi

Dëshmorët dëshmuan se janë vlera e përhershme e kombit, por u harruan

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

 

Ata ishin zemra e nderit dhe e burrërisë

Të shumtë janë ata që dëshmuan me gjakun e tyre, për themelet e Shqipërisë në shekuj. Ata dëshmuan vlerat më të mira të popullit, edhe pse njerëz të thjeshtë, treguan në një moment me gjakun e tyre se kërkonin liri, drejtës dhe çlirim shoqëror. Dëshmorët dëshmuan se janë vlera e përhershme e kombit. Ata e dhënë jetën për atdheun, për një ideal të pastër, prandaj edhe mirënjohja për gjakun e derdhur është nderim në përjetësi. Dëshmor është një emër i ndritur për popujt e kombet në botë. Dëshmorët nuk janë vetëm numra e shifra, vlera e tyre është hyjnore, respekti e mirënjohja është kujtimi. Dëshmorët nuk janë vetëm emra, simbole, lapidarë e memoriale, por vlera të spikatura kombëtare gjithmonë në nderim. Ata janë pasuri e kombit dhe trashëgimia e ndërgjegjes kombëtare, vlera dhe virtyti reale i familjeve shqiptare. Ata janë materie e ndërgjegjes së kombit që lidhin të djeshmen me të sotmen se “pa të shkuar nuk ka të ardhme”. Dëshmorët janë simbole përbashkues, për të cilët mirënjohja është e natyrshme dhe respekti ka një të drejtë zakonore, një kanun e ligj që buron nga e drejta e ekzistencës së kombeve. “Kush jep jetën për Atdhe, nuk ka vdekur por ka lerë” thotë popullit shqiptar. Gjaku i dëshmorëve është sakrificë për popullin, dinjitet për të nesërmen e brezave, krenari e integrimit të vendit përballë kancelarive, është respekt për lirinë. Dëshmorët qëndrojnë në themelet e murrimit kombëtar, në obeliskun principial të kombit, sepse ata pulsojnë bashkë me kombin. Dëshmorët janë gjithmonë me ne në çdo betim në përmbushjen e përgjegjësive e zotimeve. Ata gjithmonë na flasin për pajtim, larg grupeve fisnore, për bashkim e integrim të krahinave të mbarë kombit shqiptar. Ata kanë qenë e ngelen zemra e nderit dhe e burrërisë dhe që ushqejnë shpresë për jetën. Në këtë shkrim po dëshmojmë për jetën e atyre që rrallë ju është zënë emri në gojë, të ranë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Vëllezërit Xhihaj qëndruan stoik para pushkatimit

Zyber Sadedin Xhihaj lindi në vitin 1907 në fshatin Ramicë në një familje fshatare, por me shpirt dhe ideale patriotike. Zyberi u rrit bonjak pasi nënë e tij i ndërroi jetë duke e lënë 2 vjeç. Zyberit nënë ju bë gruaja e dytë e babait, e cila e donte si birin e saj. Kur ishte 10 vjeç i vdes babai, Satedini dhe katër fëmijët ngelën bonjakë. Barra e rëndë për të mbajtu familjen me bukë ju ngeli dy vëllezërve, Zyberit dhe Nexhipit për të përballuar jetën. Zyberi, si më i madhi i fëmijëve, bënte punë të ndryshme për sigurimin e të ardhurave të familjes. Në moshë të re, nuk ndoqi shkollë por punoi si ysmeqar për të nxjerrë bukën e gojës për familjen. Në Luftën e Vlorës të viti 1920, Zyberi ishte 13 vjeç, por ai kontribuoi bashkë me moshatarë për të çuar ndihma në front të luftës. Në aksionin për çlirimin e Kotës morën pjesë dy trima nga fisi i tyre, Shuaip dhe Shako, të cilët mbetën dëshmorë në Sherishtë e në Qishbardhë në vitin 1920. Lufta e Vlorës u fitua, por populli i thjeshtë, nuk fitoi gjë. Kështu në vitin 1927 familja e Zyberit detyrohet të lërë fshatin Ramicë dhe të zbresë në Vlorë me shpresë për të rregulluar gjëndjen ekonomike. Përditë dilte tek Xhamia e Tabakëve për krahun e punës, por më kot. U detyrua të punonte në një shoqëri italiane, ku dhe aty rroga ishte sa për bukën e gojës. Gjendja ekonomike e detyroi të pajtohej çoban. Italia fashiste kishte pushtuar vendin, në Vlorë kishte filluar rezistenca antifashiste. Lëvizja çlirimtare po zgjerohej. Nisur nga ndikimi i të vëllait Nexhipit, u përfshi në lëvizje dhe Zyberi. Në nëntor 1942 në stan shkon fshehurazi Nexhipi i armatosur. Shashica kishte kohë që ishte kthyer në bazë të luftës dhe përditë po bëhej mbështetje e lëvizjes antifashiste nacionalçlirimtare. Prej kësaj baze mbahej lidhje me qytetin. Zyberi ishte një korrieri trim, ai i njihnte mirë rrugët dhe bazat si ditën dhe i natën. Edhe pse ruhej nga spiunët, veprimtaria e tij kishte ngjalllur dyshime. Në korrik 1943, doli partizan dhe vëllai Godo. Kontrollet mbi familje dhe mbi të u shtuan. Një natë gushti të vitit 1943, xhandarët shkuan në Shashicë. Zyberi e kishte kuptuar qëllimin e tyre, dhe përpiqet të çajë rrethimin nga një shteg sekret, që kalonte nëpërmjet disa shkëmbinjve të therpisur. Duke dalë nga stani dhe ngjite në shkëmbinjtë e therpisur, një breshëri me plumba i prenë rrugën për të shkuar tek partizanët. Por mbas 75 vitesh ende nuk figuron në listën e dëshmorëve të atdheut në Vlorë.

Nexhip Sadedin Xhihaj lindi në vitin 1909 në Ramicë në një familje fshatare me tradita atdhetare. Familja e tij për të përballuar nevojat ekonomike familjare u detyrua të shpërngulej në qytetin e Vlorës. Nexhipi filloi punë në një shoqëri private si punëtor, për të siguruar bukën e gojës. U lidh që herët më lëvizjes në qytetin e Vlorës. Mori pjesë në shumë aksione nga njësiti gueril i Vlorës. Nga natyra ishte aktiv dhe nuk hezitonte ti kryente me përpikmëri detyrat që i ngarkoheshin. Për veprimtari antifashiste ra në sy të pushtuesit, ndaj në tetor 1943 kaloi në repartet partizane në krahinën e Mesaplikut. Me formimin e Brigadës së V Sulmuse u rreshtua luftëtar dhe mori pjesë në të gjitha luftimet e saj në Qarkun e Vlorës. Brigada në operacionin e Dimrit të vitit 1944 monovronte sa në një zonë në tjetrën. Ajo gjatë gjithë kohës ishte në lëvizje, godiste pushtuesin nazist që në bashkëpunim me ballistët, ndërmorën në Lumin e Vlorës disa veprime spastruese sulmuese. Nga kushtet e vështira të terrenit dhe të motit, Nexhipi sëmuret shumë rëndë. Ai shtrohet për mjekim në një bazë në fshatin Gumenicë. Nuk kaloi kohë dhe diktohet nga bashkëpunëtorët e pushtuesit dhe arrestohet. Të sëmurë rëndë bashkëpunëtorët e nazizmit e shpunë në Vlorë, ku i bënë torturua të ndryshme për të treguar bazat dhe thyer idealin e tij. I sëmurë rëndë përballë armikut qëndrimi i tij ishte heroik. Pushtuesit dhe tradhëtarët e pushkatuan në mars 1944. Nexhipi është dëshmor i atdheut me vendim nr. 97, datë 22.09.1972, të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë. Varri i tij gjendet në vorrezat e Dëshmorëve në Vlorë. Nuk është bërë rikonfirmimi i Statusit të Dëshmorit të Atdheut.

Dëshmoi në Mitrovicë, s’u miratua në Vlorë

Reiz Alem Banushaj ka lindur në Verbas të Ramicë në vitin 1915. Ai u lidh me LANÇ-in që në vitin 1942. U rreshtua në radhët e Brigadës XXII Sulmuese në Pezë. Në tetor-nëntor 1944 mori pjesë në luftën për çlirimin e Tiranë. Brigada vazhdoi luftimet deri në Kosovë në periudhën dhjetor 1944-mars 1945. Në Mitrovicë u sëmur nga sëmundja e tifos të cilën nuk e përballoi dot dhe vdiq. Në vitet ’70 të shek. XX kur u sollën eshtrat e dëshmorëve të rënë në Kosovë, midis tyre ishin dhe eshtrat e Reizit. Ato gjendej në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë. Pas shumë përpjekjesh të familjarëve të tij për t’u shpallur dëshmor, s’u miratua në Vlorë me pretendimin se vëllai i tij, në kohën e luftës gjendej në zonat e okupuara, por pa aktivitet.

Në detyrën e korierit

Salo Kalo Birçaj lindi në Ramicë në vitin 1914. U përfshi në LANÇ-in që në vitin 1942. Ishte luftëtar në batalionin territorial vullnetar të Shullërit. Ai mori pjesë në Luftën e Gjormit 1942-1943 dhe në Luftën e Drashovicës të vitit 1943. Në maj 1944, komanda e Qarkut Vlorë me qendër në Ramicë, e ngarkon me detyrën e korierit. Gjatë kësaj kohe kreu mjaft misione të rëndësishme, duke kaluar edhe në zonat e okupuara nga armiku. Por në detyrë e sipër kapet midis Fier-Vlorë, nga forcat gjermano-balliste, torturohet dhe pushkatohet. Është shpallur dëshmor i atdheut me vendimi nr. 97, datë 22.09.1972, të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë. Varri i tij gjendet në vorrezat e Dëshmorëve në Vlorë. Ende nuk është bërë rikonfirmimi i statusit të dëshmorit të atdheut.

Ra në Godolesh të Elbasanit

Sinan Mustafa Canaj lindi në Verbas të Ramicës në vitin 1913. Midis halleve të shumta të familjes mundi që të bënte dhe tri klasë shkollë në Matogjin. U përfshi në LANÇ-in në vitin 1942. Ishte luftëtar në batalionin territorial vullnetar të Shullërit. Rreshtohet patizan në radhët e Br. V S më 20 janar 1944. Mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi brigada. Ndërsa më 2 korrik 1944, në luftimet që po zhvillonte brigada u vra në Godolesh të Elbasan. Është shpallur dëshmor i atdheut me vendim nr. 97, datë 22.09.1972, të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë. Ende nuk është bërë rikonfirmimi i statusit të dëshmorit të atdheut.

Djali i mësuesit që ra në Kukës

Syrja Veliko Sarçaj lindi në Hysaj, Ramicë në vitin 1925. Babai i tij, Veliko Sarçaj ishte mësuesi i parë që në vitin 1918 hapi në Ramicë shkollën shqipe. U përfshi në LANÇ-in në Vlorë në vitin 1942. Doli partizan në çetën “Zigur Lelo” dhe mori pjesë në të gjitha aksionet dhe luftimet e organizuara prej saj. Rreshtohet luftëtar në radhët e Br. V S më 20 janar 1944. Mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi brigada. Më 22 shtator 1944 në Lusan të Kukësit ra në përpjekje me forcat tradhtare. Është shpallur dëshmor i atdheut me vendim nr. 97, datë 22.09.1972, të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë. Varri i tij gjendet në vorrezat e Dëshmorëve në Vlorë. Ende nuk është bërë rikonfirmimi i statusit të dëshmorit të atdheut.