Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Përballimi i Operacionit të Qershorit 1944

366
Sigal

Situata e përgjithshme në prag të operacionit

Kongresi i Përmetit analizoi dhe mori vendime të rëndësishme për ecurinë e LANÇ-it deri në çlirimin e plotë të vendit. Në fushën ushtarake me rëndësi ishin vendimet për forcimin e mëtejshëm dhe zgjerimin e UNÇSH, njësimi i Komandës së Përgjithshme, vendosja e gradave në ushtri, si dhe gërshetimin e shërbimit vullnetar dhe të detyrave ushtarake që do të realizoheshin nga KANÇ. Kongresi i Përmetit dha orjentimin që Ushtria Nacionalçlirimtare të kthehej në ushtri të rregullt duke organizuar batalionet e grupet në brigada, brigadat në divizione dhe divizionet në korparmata. U shtrua detyrë para Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar të kërkohej ardhja pranë Shtabit të Përgjithshëm i misioneve ushtarake amerikane dhe përfaqësues nga BS. Shtabi i Përgjithshëm, që gjatë zhvillimit të Kundërmësymjes Pranverore të UNÇSH-it, me qëllim që të mos lëshonte nismën operative, kishte hedhur idenë e kalimit në mësymje të përgjithshme për realizimin e objektivave vendimtare e strategjikë për çlirimin e gjithë vendit. Vendimet e Kongresit të Përmetit në fushën ushtarake mundësonin një detyrë të tillë që do të materializohej me çlirimin e krahinave të gjera, si dhe të qyteteve kryesore, duke kaluar në çlirimin e gjithë vendit. Kjo, sikurse u theksua edhe në Kongresin e Përmetit, mundësohej edhe nga zhvillimi i luftës në frontin e Lindjes e të Perëndimit, ku forcat gjermane kërcënoheshin të rrethoheshin në Ballkan (dalja e Frontit të Lindjes në kufijtë e Ballkanit dhe mundësitë e zbarkimit të aletëve në këtë hapësirë). Nisur nga këta faktorë, u konceptua dhe u përgatit plani i mësymjes së përgjithshme. Por fillimi i saj u shty për më vonë, sepse komanda gjermane ndërmori një tjetër operacion të madh mësymës, si ai i dimrit për asgjësimin e UNÇSH-it, shkatërrimin e pushtetit të Këshillave NÇ dhe asgjësimin e shpinës së forcave në vijën bregdetare, por edhe për të liruar forca për t’i përdorur në Frontin e Lindjes. Thelbi i idesë së komandës gjermane ishte që, duke dhënë goditjen fillestare me forca të kufizuara për bllokimin, shtyrjen në drejtim të jugut e perëndimit të forcave partizane, kryesisht me grupet e luftimit “Shatjer” dhe “Burgmaester”, t’u krijonte kushte forcave kryesore, për të kaluar në mësymje, por dhe me drejtime e me kolona (hapësira në mes të kolonave do ta mbulonin forcat xhandaro-balliste), të shtynte më tej forcat partizane, t’i detyronte ato të kalonin në krahun e majtë të lumit Vjosa dhe, në të pastajmen, me goditje bashkëqendrore nga drejtime të ndryshme, t’i asgjësonte ato në hapësirën Mesaplik-Kurvelesh-Bregdet. Në themel të operacionit u vu taktika kundërpartizane me metodën e fshirjes dhe të asgjësimit pjesë-pjesë. Në këtë operacion, komanda gjermane, për arritjen e objektivave të caktuar, parashikonte të mbante një qëndrim të ashpër edhe ndaj “popullsisë paqësore” në qendrat e krahinat e pushtuara prej tyre. Prandaj, në pjesët e vendet ku janë pikat nevralgjike të çetave partizane, e gjithë popullësia duhet të konsiderohet e trajtohet si armike.


Mësymja gjermane
Komanda gjermane, për të garantuar suksesin e goditjes vendimtare për copëtimin e asgjësimin e forcave partizane, vendosi që para fillimit të mësymjes përfundimtare të ndërmerrte disa veprime paraprake për të mbledhur në një zonë gjithnjë e më të ngushtë forcat partizane në zonën Mesaplik-Kurvelesh-Bregdet. Komanda e Br. VIII S dhe ZIOp. manovruan forcat e veta në krahë e në shpinë të armikut duke mos i dhënë atij beteja ballore në drejtimet e lëvizjes së tyre. Një pjesë e forcave të Br. VIII S ishte në territorin grek për të bashkëvepruar me Regj. 15 të ELAS-it në dhënien e goditjes në shpinë të armikut. Forcat gjermane mësynë në mënyrë koncetrike nga disa drejtime për të dalë në Kurvelesh si epiqëndër e operacionit. Sulmi i forcave gjermane u ndërmor në luginën e Shushicës nga mbi 4.000 forca gjermane. Forcat gjermane i detyruan forcat partizane të tërhiqeshin në thellësi, në një zonë gjithnjë e më të ngushtë në Kurvelesh dhe në Kuç. Forcat gjermane arritën të ngjiten në Kurvelesh, duke thyer kështu qëndresën e forcave partizane. Kishin ngelur ende të papushtuara nga gjermanët mbetën: një rrip i ngushtë malor, vargmali në lindje të Bolenës-Çipini-Vërmikut dhe mali i Këndrevicës, gjithsej vetëm rreth 70 km2. Gjendja e forcave partizane paraqitej shumë kritike. Faktikisht komanda gjermane kishte arritur të realizonte idenë e përqendrimit të forcave të shumta partizane në një hapësirë të ngushtë. Mbetej të jepej goditja vendimtare për copëtimin dhe asgjësimin e tyre. Në këtë hapësirë të vogël, forcat partizane nuk e kishin të lehtë të manovronin. Komandat e njësive partizane, në këshillim me njëra tjetrën, morën vendimin më të drejtë të mundshëm për gjendjen: të shkëpusin kontaktin luftarak me armikun duke dalë në krahë e në shpinë të tij e më pasë nëpër rajonet e tyre të veprimeve luftarake.


Përballimi i operacionit dhe rivendosja e gjendjes
Me gjithë situatën e vështirë të krijuar në zonën e Kurveleshit e në Shur, forcat partizane, mbështetur në parimet e taktikës së luftës partizane dhe duke shmangur luftën ballore, kur ato viheshin në rrezik, arritën të dalin me sukses nga rrethimi. Por kishte edhe faktorë të tjerë, si ruajtja e qetësisë, njohja dhe shfrytëzimi me mjeshtëri i terrenit etj, që kushtëzuan daljen nga rrethimi. Me daljen e forcave partizane nga rrethimi në grykën e Kuçit, në fakt mbaroi edhe mësymja e përgjithshme gjermane. Forcat partizane të ZIOp dhe ato të UNÇSH në këtë zonë, nën trysninë e epërsisë së madhe të armikut dhe për ruajtjen e forcave të veta nga asgjësimi, lanë hapësira të konsiderueshme. Komanda e Përgjithshme dhe ZIOp, mbështetur në konceptet e taktikës së luftës partizane e duke i zbatuar ato në fushat e betejave, në zhvillimet konkrete të veprimeve luftarake, vlerësuan e realizuan, si një element të pandarë të veprimeve mbrojtëse, sulmet, kundërsulmet e kundërgoditjet deri në kundërmësymje. Pikërisht nëpërmjet këtyre veprimeve aktive dhe të pandërprera, komandat partizane rimerrnin hapësirat që pushtonte armiku gjatë mësymjes së përgjithshme. Në këtë mënyrë, ndërsa në këto hapësira luftohej me këmbëngulje për përballimin e mësymjes së forcave kryesore gjermane në çastet më kritike, forcat e tjera të UNÇSH, të ZIOp dhe ato teritoriale, me veprime aktive çliruan krahinat e Përmetit, Zagorisë, Lunxhërisë, Pogonit dhe dolën në front të gjerë nga Libohova në Dragot të Tepelenës. Forcat gjermane, pasi shkelën territoret u tërhoqën dhe kaluan në tërsi në Greqinë e Veriut, ku do të merrnin pjesë në një operacion spastrimi në pjesën Veriore të saj. Në hapësirën e ZIOp në qendër të objektivit të operacionit u vu krahina e Mallakastrës, e cila u sulmua nga tre drejtime (Sinanaj, Drashovicë nga një kolonë dhe dy kolona nga Fieri) për në thellësi të krahinës së Mallakastrës. Në dispozicion të forcave në operacion u caktuan vetën tri ditë. Për të dalë në vijat e caktuara, forcat gjermane lëvizën me kolona dhe pa u përpjekur të ndeshen me forcat partizane. Forcat partizane, në kushtet e epërsisë së armikut, manovruan në krahë të forcave gjermane. Në këtë mënyrë forcat partizane nuk u dëmtuan. Me largimin e forcave gjermane ato dolën sërish në rajonet e tyre.  Gjatë të zhvillimit të veprimeve luftarake të forcave gjermane në Kurvelesh-Mesaplik-Bregdet u angazhuan rreth 30.000 forca. Herman Frank, oficer gjerman pjesëmarrës në këto luftime, në librin e tij kujton: “Forcat partizane mundohen përherë t’i shmangen luftës së hapur ballore kur mbi të sulmojnë forca superiore gjermane. Ata dinë të mbrohen me zgjuarsi të madhe dhe të dalin nga situata të vështira, sepse i ndihmon njohja e mirë e vendeve.”