Prof. Alqi Naqellari: Qeveria kërkon kthimin e Bashkive në ndërmarrje me aktivitet ekonomik, financiar dhe fitimprurës, ndërkohë që vetë sektorët strategjikë ia ka falur privatit me PPP

238
Sigal

 

Qeveria qëndrore i bën presion qeverisë vendore të sigurojë të ardhura dhe të mos vazhdojë më të rriti borxhet. Pyetja shtrohet se ku do t’i gjejnë burimet e parave për të mbyllur borxhet e krijuara? Bashkitë i sigurojnë të ardhurat nga taksat vendore dhe nga Buxheti dhe nuk kanë asnjë burim tjetër

 Në takimin e datës 17 qershor 2022 “Decentralizimi dhe Performanca Financiare e Qeverisjes Vendore” me kryebashkiakët e vendit, Ministri i Parë i Shqipërisë deklaroi se Bashkitë duhet të zhvillojnë aktivitet ekonomik. Kjo deklaratë ishte fare e papritur nga asnjë palë politike shqiptare aq më pak nga personi i cili ka mallkuar dhe vazhdon të mallkojë komunizmin (socializmin) sa herë i jepet mundësia. Por qasja në parimet e socializmit duke kaluar drejt një socializmi shqiptar të tregut, si një imitim i shëmtuar i socializmit kinez të tregut apo socializmit Fabianist Indian ka bërë që Buxheti i shtetit të mbushet duke rënduar gjithnjë e më shumë mbi xhepat e konsumatorëve. Vendosja e Bordit të Transparencës, tërësisht të pa ligjshëm, sepse fikson çmimet dhe tani kthimi i Bashkive në Qeveri Lokale me aktivitete ekonomike fitim prurëse realizon një sistem të ri ekonomik, i cili nuk ngjason me asnjë sistem tjetër të botës.

NOA

a)Sistemi ekonomik Kinez, Indian dhe Shqiptar.

Me Kinën nuk ngjason, sepse Kina në mënyrë graduale e shndërroi socializmin klasik të Mao Ce Dunit në socializëm kinez të tregut. Kjo u shoqërua, pa asnjë shkatërrim të ndërrmarjeve ekonomike, por duke kaluar në mënyrë graduale sektorët e shërbimit, të përpunimit, industrinë e lehtë e ushqimore, industrinë përpunuese në pronë private. Ndryshimet u shoqëruan vazhdimisht me ndryshimin e Kushtetutës dhe me paketat përkatëse të ligjeve të ekonomisë së tregut sipas modelit të tyre, duke ruajtur në esencë ndërmarrjet strategjike shtetërore. Mbajti shtetëror sektorin e Minierave, të naftës etj, sektorin bankar ku katër bankat tregëtare kineze me kapital shtetëror janë nga më të mëdhatë e botës. Në këtë mënyrë Kina ndërtoi sistemin e saj të veçantë me një Parti kryesore dhe me Parti të tjera, që janë në mbështetje të Partisë Komuniste të Kinës. Në Kinë lulëzojnë të gjitha llojet e pronësisë, që nga prona tërësisht shtetërore deri tek ajo tërësisht private, aplikon tre lloje çmimesh, çmime që i përcakton qeveria, çmime që i rekomandon qeveria dhe çmime që i vendos tregu. Kina me këtë sistem të veçantë, me kalimin gradual pa shkatërrime e pa “terrapinë e shokut”, është vendi i dytë me PBB-në më të madhe në botë, me vëllimin tregëtar më të madh, me normë natyrore papunësie dhe vendi i vetëm me inflacion të paprekur nga pasojat e luftës Rusi-Ukrainë. Kina nuk ka për degë kryesore turizmin, por është përqëndruar fuqishëm në industrinë nxjerrëse e përpunuese, në përmirësimet teknologjike duke futur në çdo sipërmarrje digjitalizimin, inteligjencën artificiale dhe realizimet më të fundit të IT.

India është një vend ku administrimi i bujqësisë bëhet nga Shteti, ndërsa sektorët e tjerë me përjashtim të sektorëve strategjikë janë të gjitha private. India ka të zhvilluar sistemin bankar virtual (neobankat). I ka të dyja llojet, autonome dhe të lidhura me bankat tregëtare të nivelit të dytë. Në Indi funksionon Komisioni i Kontrollit të Çmimeve. Ky Komision nuk është krijuar pas luftës Rusi-Ukrahinë, ai ka ekzistuar edhe më parë. Qeveria ndërhyn në tregun e ushqimeve për caktimin e çmimeve që nga domatet e deri te produktet e përpunuara.

Rekomandim për pushtetin vendor le ta zbatojë qeveria qendrore e para duke ringritur Kombinatin e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, duke lejuar punimet në Hidrocentralin e Kalivaçit, duke riçelur minierat efektive, duke i kthyer të gjithë sektorët strategjikë në pronë shtetërore, duke krijuar Bankë Tregtare me kapital shtetëror

Sistemi shqiptar ku nuk ka një demokraci funksionale, nuk ka një shtet të së drejtës, por thjesht një shtet ligjor si ai i Stalinit, Enverit apo Hitlerit, ku mungon konkurenca e ndershme, ku gëlojnë monopolet dhe oligopolet të lejuara nga shteti, ku shteti financon nëpërmjet PPP-ve, koncensioneve, tenderave etj, nuk ka ngjashmëri me dy vendet e marra për krahasim.

Për sistemin ekonomik e politik shqiptar që u synua të vendosej pas viteve ’90 në Shqipëri askush nuk kishte njohuri teorike. Ithtari kapitalizmit G.P kërkonte “terapinë e shokut” që do të thoshte mbylljen e çdo ndërmarrje jo efektive në një kohë sa më të shkurtër. Nuk u zgjodh rruga e transformimit gradual të sistemit socialist në sistem të ekonomisë së tregut por u zgjodh rruga e kundërt, kalimi sa më i shpejtë në sistemin e ekonomisë së tregut qoftë edhe me falimentimin e ndërmarrjeve ekonomike efektive. Kjo zgjedhje totalisht e gabuar bëri që të shkatërohej thuajse plotësisht baza material teknike e krijuar për 45 vite nga populli shqiptar. Asnjë vend tjetër i botës nuk bëri veprimet që bëri qeveria shqiptare e asaj kohe, as polakët dhe as rusët, që e nxorrën këtë teori, nuk shkatëruan gjë, përkundrazi ndërmarjet jo fitimprurëse i konservuan.

Qeveria që mori pushtetin pas ’90 bëri gabime fatale me ligjin e ndarjes së tokës si dhe me mënyrën e privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore. U mbyllën të gjitha minierat e qymyrgurit, boksideve, kripës etj, etj. Ajo i çoi deri në falimentim ndërmarrjet në mënyrë që t’i shiste sa më lirë. Shqipëria 1 euro. Këto ishin fillimet e shkatërimit të ndërmarrjeve industriale. Shqipëria ka pasur mbi 500 ndërmarrje industriale. Ka pasur ndërmarrje me teknologji moderne të kohës pavarësisht se ishte teknologji e lindjes. Kishte fabrikën e telave të bakrit në Shkodër, e cila prodhonte edhe për eksport, kishte Uzinën e instrumenteve të precizionit të lartë në Korçë që plotësonte nevojat e vendit dhe eksportonte, Uzinat e plehrave kimike në Fier dhe në Laç. Prodhimi i nitrat amonit dhe uresë në Fier plotësonte nevojat e vendit dhe eksportohej. Kishte fabrikën e përpunimit të Bakrit në Rubik, të Kromit ku Shqipëria zinte vendin e tretë për frymë në botë, kishte Uzinën e sodës, të llampave të përpunimit të peshkut në Vlorë, fabrikat e këpucve, Kombinatet e Tekstilit në Berat dhe Tiranë, Trikotazhet e Korçës, Tiranës, Përmetit etj. Kombinatin e Përpunimit të thellë të naftës në Ballsh nga ku dilnin mbi dhjetë nënprodukte. Shqipëria plotësonte plotësisht nevojat e vendit me naftë dhe derivatet e saj dhe eksportonte. Sot ky Kombinat nuk ekziston më. Është shkatëruar dhe shitur për skrap, ishte ndërmarrja e fundit që i mbijetoi këtij sistemi shkatërues që u montua pas viteve ’90.

Të gjitha këto ndërmarrje nuk ishin private, por plotësisht me kapital shtetëror. Këto ndërmarrje kishin disa vartësi, vareshin nga Ministritë e linjës, vareshin nga Komiteti Ekzekutiv i rrethit nga Drejtoria përkatëse. Ato nuk vareshin nga Bashkitë e Rretheve, të ardhurat e tyre shkonin direkt në buxhetin e shtetit.

b)Çfarë kërkon qeveria qendrore nga qeveritë lokale(17 qershor 2022)?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje po përmendim se çfarë ka thënë Ministri i Parë. Më tej ti analizojmë ato nga ana ekonomike.

“Ne do të hyjmë në një fazë shtrëngimi pa tolerancë. Kjo është e domosdoshme, sepse nuk mundet dot që akumulimi historik i borxheve të bëhet një rrugë e hapur edhe për vitet që kemi përpara.

Koment. Qeveria qëndrore i bën presion qeverisë vendore të sigurojë të ardhura dhe të mos vazhdojë më të rriti borxhet. Pyetja shtrohet se ku do t’i gjejnë burimet e parave për të mbyllur borxhet e krijuara? Bashkitë i sigurojnë të ardhurat nga taksat vendore dhe nga Buxheti dhe nuk kanë asnjë burim tjetër. Cili është faji dhe përgjegjësia e tyre, që nuk sigurojnë të ardhura? Çfarë llogarie mund t’i kërkosh Bashkisë së qytetit të Memaliajt, që ka shumë pak biznese të vogla tregëtare dhe asnjë biznes prodhimi apo shërbimesh? Memaliaj ka pasur Minierën e Qymyrgurit që prodhonte 700-800 mijë ton qymyr në vit, ka pasur fabrikën e përpunimit të qymyrit, fabrikën e tullave, fabrikën e miellëzimit të fosforit, oficinën e minierës dhe të parkut të mallrave, linjën e pastrimit të sherebelit etj. Të gjitha këto ndërmarrje punësonin me mijra veta dhe jepnin me miliarda lekë prodhim. Sot nuk ekziston asnjera prej tyre. Po të ishin këto sipërmarrje nuk do kishte Bashkia e Memaliajt asnjë nevojë për t’u financuar.

Bashkia do ndërtojë pallate për të pa strehët? Dakord, por për kë do t’i ndërtojë, sepse askush nuk ka nevojë për shtëpi në Memaliaj ku një palë shtëpi kushtojnë 2-3 milion lekë(të vjetra). Do krijojë tregje? Po kujt do t’i hyjnë në punë se çmimet janë të ulta dhe nuk ka nevojë për të krijuar një treg tjetër për konkurencë.

Rritja e performancës së bashkive është një prioritet për ne, të gjithë së bashku. Bashkitë të mendojnë për të shtuar burimet e tyre financiare me të ardhura, që burojnë nga tregu. Bashkitë i kanë të gjithë mundësitë që të ndërtojnë dhe të fitojnë para për buxhetin e tyre. Ne besojmë që potenciali për të bërë aktivitet ekonomik, financiar, fitmiprurës nga ana e bashkive është i gjithi aty dhe mosshfrytëzimi më tutje i këtij potenciali është i pajustifikueshëm. Duhet të hapim patjetër këtë kapitull. Bashkitë duhet të organizojnë aktivitetin e tyre ekonomik, financiar, fitimprurës. Është plotësisht e mundshme, do vetëm vizion dhe vullnet”. “Bashkitë i kanë të gjitha mundësitë që të ndërtojnë dhe krijojnë shumë më tepër shanse për njerëzit, që kanë nevojë për strehim, por njëkohësisht të fitojnë para për buxhetin e tyre.

Koment. Bashkitë duhet të organizojnë aktivitetin e tyre ekonomik, financiar, fitimprurës. Qeveria kërkon t’i kthejë Bashkitë në ndërmarrje me aktivitet ekonomik, financiar fitim prurës. Unë do pyesja qeverinë, a ka ajo aktivitet ekonomik, financiar fitim prurës përveç hidrocentraleve, KESH-it, ujësjellsave dhe ndonjë ndërmarrje tjetër? A ndërton pallate qeveria dhe t’ua japi të pastrehëve me çmime të ulta? A ka krijuar tregje konkurues me privatin për fruta perimet? A ka krijuar magazina frigoriferike për të grumbulluar produktet bujqësore e blegtorale dhe për t’i tregëtuar ato në tregun e brendshëm dhe të jashtëm? Po Bashkitë me çfarë do t’i ndërtojnë pallatet, do krijojnë ndërmarrjet e Ndërtimit, do krijojnë Ndërmarrjet Komunale, do krijojnë NFP-të, pra do të kthehen në sistemin e mëparëshëm socialist apo do t’i ndërtojnë me PPP-ra e koncensione???

Më thoni një bashki që ndërton në funksion të strehimit në Shqipëri? Nuk ka!

Nuk mundet qeveria të jetë përgjigja për çdo nevojë, dhe s’ka pse oportunitete, që janë për t’u shfrytëzuar të mos shfrytëzohen në sektorin bashkiak, nuk ka arsye!

Rolin e zhvilluesit e luajnë shumë investitorë që s’kanë fare kompani ndërtimi, dhe marrin kompanitë e ndërtimit dhe zhvillojnë pronat, pse mos ta bëjnë bashkitë këtë? Çfarë i pengon? Dhe ndërkohë me një gur vrasin dy zogj. Krijojnë oportunitete të reja për të pastrehët e tyre dhe nuk rrinë të presin nga enti i banesave në Tiranë, dhe nga ana tjetër shesin për të mbledhur të ardhura.

Pse mos bëhet kjo? Urdhëroni, jeni këtu, m’i thoni?”

Koment. Ku ka qenë për tetë vjet kjo qeveri qendrore, ka qenë këtu apo tani është kthyer nga hëna. A nuk i di kjo qeveri problemet e Bashkive, të qeverive vendore? Ku e gjen kurajon që i detyron të krijojnë ndërmarrje prodhuese, kur shkatëruan të gjitha ndërmarrjet? Sot u kujtua kjo qeveri që edhe qeveria është subjekt ekonomik njësoj si dy subjektet e tjera, biznesi dhe individët ose familjet. Ndryshimi midis tyre është se shteti harton dhe zbaton ligjet e kornizës së tregut. Edhe shteti sillet si shitës dhe si konsumator. Unë nuk kam qenë kundër një shteti me pasuri, me ndërmarrje prodhuese, por duhet që të ketë ndërmarrje me kapital shtetëror, të cilat u shkatërruan. Pse u shkatërua Kombinati Ballshit? Pse u ndërprenë punimet në Hidrocentralin e Kalivaçit kur është bërë gjysma e punës? Bashkitë mund të bëjnë aktivitet ekonomik, por ju duhet pasuria mbi e nëntokësore dhe mbështetja monetare, ju duhet ndihma e qeverisë qendrore.

Më tej ai tha se problematikë ka edhe në menaxhimin e prodhimeve bujqësore, ujit, dhe shërbimeve online. “Sa janë pikat e grumbullimit dhe të shpërndarjes, me pjesëmarrje bashkiake? Sa nga ju dhe cilët kanë shfrytëzuar fondin e garancisë sovrane për bujqësinë, si katalizator për të adresuar nevoja të fermerëve në zonat tuaja? Pa pritur që këto t’i zgjidhë investitori privat, që është i mirëseardhur, por nuk vjen gjithmonë atëherë kur duhet. Sa herë e kemi përsëritur këtë gjë?!

Koment. Ministri i parë kërkon pika grumbullimi dhe shpërndarje nga ana e Bashkive. E habitëshme se L.Basha krijoi një treg t’i bënte konkurencë fermerëve, që shisnin perime dhe fruta me çmim të lartë. Çfarë ndodhi? Ai treg dështoi, nuk merren Bashkitë me tregje të tilla, kjo është një marrëzi. Këtu nuk jemi në Indi që të vijnë kontrollorët dhe t’u hedhin poshtë produktet atyre që i kanë me çmime të larta.

Për të ardhur tek një tjetër gangrenë, që është uji. Pse duhet të ballafaqohemi me ndasira, zona të caktuara në kushtet kur bashkitë në pjesën e konsiderueshme nuk bëjnë detyrën, por bashkëjetojnë me thellimin e borxheve, me abuzimin e kësaj pasurie në emër të konfortit elektoral. Dhe kështu kjo pasuri nuk shkon as aty ku duhet të shkojë dhe prodhon vetëm borxhe.

Pa folur për shërbimet e tjera, pastrimin, transportin publik, që janë shërbime jo të lehta për t’u organizuar, dhe në të gjitha këto kemi mundësi të shikojmë, që s’po flasim për gjëra të pabëshme ose që askush nuk i ka bërë, përkundrazi!

Koment. Po, këto bëhen, po pse i privatizuat more zotërinj këto shërbime, tani u kujtuat që mund të kishit edhe një ndërmarrje pastrimi, një ndërmarrje të transportit publik, ndërsa, sa ju përket ujësjellsave ato nuk kanë ndonjë problem të p zgjidhshëm, hiqni militantët dhe patronazhistët dhe zgjidhet problemi.

Pse duhet të jetë qeveria kampione në digjitalizimin e shërbimeve, pse mos të jenë bashkitë?

Në të gjithë botën ndodh e kundërta: sektori privat, pushteti vendor dhe pastaj qeveria qendrore, këtu qeveria qëndrore ka bërë një revolucion me shërbimet, tani ka kuptim që shërbimet publike, bashkiake, me dokumente, të vazhdojnë të jepen me letra dhe mos jenë online? Ka kuptim që bashkitë të jenë të prapambetura, ndërkohë që jeni ju të parët që duhet të jeni më të interesuar…”.

            Koment. Kush i ka lënë Bashkitë të krijojnë llogarinë e tyre, si mund të veprojnë ato me kokën e tyre kur këtu gjithçka është e centralizuar.

Përfundimisht, qeveria është kujtuar shumë vonë për të gjykuar se edhe në kapitalizëm ka pronë shtetërore prodhuese. Këtë rekomandim për pushtetin vendor le ta zbatojë qeveria qendrore e para duke ringritur Kombinatin e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, duke lejuar punimet në Hidrocentralin e Kalivaçit, duke riçelur minierat efektive, duke i kthyer të gjithë sektorët strategjikë në pronë shtetërore, duke krijuar Bankë Tregtare me kapital shtetëror.